Sigal

Rrëfimi i Geraldinës, bashkëshortes së Sokrat Plakës: Ministria e Jashtme na filtronte biografitë, para se të martoheshim. Biseda e ambasdorit të SHBA-së me ambasadorin tonë në Këshillin e Sigurimit, më 1967-n

Leonard VEIZI

Në sallon heshtja është e nderë. Tymi i cigareve vërtitet mbi abazhurë ndërsa era e kafesë çlirohet ndërsa zihet vrullshëm në enën metalike. Këmbët e njerëzve shkelin kujdesshëm mbi tapet dhe ndërsa duart shtrëngohen, fjalët ngushëlluese shqiptohen urtësisht. Vetëm pak ditë më parë ai është ndarë nga jeta, ndërsa ajo, bashkëshortja e tij prej 47 vjetësh, ndihet mjaft e emocionuar përballë këtij realiteti të dhimbshëm. E në vargun e vizitave ngushëlluese prania e një gazetari, është diçka ndryshe…

…Geraldina Plaka, një grua e veshur krejt të zeza, por me një finesë të mjaftueshme në gjithçka, hap mbi tryezë albumin e kujtimeve të saj. Dhe kështu na i mundëson të gjitha, fotografitë dhe ditarin e bashkëshortit Sokrat, i cili për një kohë të gjatë shërbeu si diplomat në zyrat e Ministrisë së Jashtme apo në përfaqësitë e Shqipërinë në vendet e tjera të botës. E ndërsa sytë, buzët, mjekra i dridhen nën peshën e emocionit e të lotëve që s’mund të kontrollohen dot, ajo pranon të flasë për gazetën “Telegraf” dhe të tregojë detaje nga jeta e përbashkët me një nga figurat qendrore të diplomacisë shqiptare:

Kur jeni njohur me Sokrat Plakën?

Ne jemi njohur në plazhin e Durrësit në vitin 1961. Unë me origjinë jam nga Përmeti, por u linda në Durrës. Pasi mbarova shkollën punoja si mësuese e fillores, por jepja dhe anglisht. Ndërsa Sokrati ishte diplomat në Ministrinë e Jashtme.

Kur do të vinte martesa juaj?

Ne u fejuam në janar të vitit 1962 dhe në korrik të po këtij viti u martuam. Por dhe kjo punë e kishte një peripeci të vogël?

Si për shembull?

Për ata që punonin në Ministrinë e Jashtme kishte një rregull. Nëse vendosnin të martoheshin, duket të bënin një kërkesë dhe pas kësaj Ministria verifikonte biografinë e vajzës, në ishte apo jo e denjë të lidhej me një punonjës të këtij dikasteri.

Biografia juaj ishte e pastër, për kohën?

Në fakt, jo vetëm prindërit, por edhe në rrethin e afërt familjar unë nuk kam pasur asnjë anëtar partie, pra komunist. Dy prindërit e mi ishin njerëz të ndershëm dhe mjaft të njohur në Durrës. Babai punonte si këshilltar në Ndërmarrjen e Tregtisë, ndërsa nëna ishte mësuese dhe kishte mbaruar shkollën që në 1924-ën, duke qenë nga të paktat gra mësuese që në atë kohë. Por unë kisha edhe një dajë që jetonte në Greqi dhe që mund të më prishte biografinë.

Ishte i shqetësuar Sokrati nga ky kontroll që duhet të bënte Ministria e Jashtme?

Në fakt Sokrati mendoi të rrezikonte deri në fund duke më thënë: “Vjen apo s’vjen përgjigje pozitive, nuk ka ç’më duhet. Kjo punë ka marrë fund e do martohemi bashkë”. Por me sa mësova kur u verifikua familja në Përmet, autoritetet e atjeshme as që e zunë në gojë dajën time në Greqi, kështu që për mua u dha një firmë pozitive.

Sa familjar ishte një diplomat si Sokrati?

Ai mundohej të ishte shumë familjar dhe i përkushtuar, por ç’është e vërteta punët e shtetit i hanin një kohë mjaft të madhe si në zyrë ashtu edhe në shtëpi. Përveç kësaj puna bëhej edhe më stresante ngjatë qëndrimit tonë nëpër ambasada.

Në cilat ambasada shërbeu Sokrat Plaka?

Në Amerikë, pranë OKB-së, ku në fillim ishte sekretar i dytë i përfaqësisë tonë atje, më pas sekretar i parë dhe në fund i ngarkuar me punë. Por ka qenë ambasador dhe në Austri e Jugosllavi. Puna më stresante ka qenë vitet kur ai ishte ambasador në Beograd. Në vitin 1981 për shkak të demonstratave të studentëve kosovarë, situata u përkeqësua shumë. Ndërsa kur shkuam në Amerikë, për herë të parë në vitin 1966, ai ishte 34 vjeç.

Në ato vite kur ishte ëndërr të dilje jashtë shtetit, ju keni jetuar në Amerikë. Si ishte kontakti me një botë të panjohur?

Që në fillim më ka bërë përshtypje madhështia e Amerikës. Jeta ishte e vrullshme. Por më pëlqente shumë fakti se ata e bënin fort dallimin mes punës dhe pushimit. I shihja nga dritaret e ambasadës që binin mbi një park, që amerikanët krejt të thjeshtë e pa komplekse shtriheshin në bar dhe mundoheshin të shijonin ditën e pushimit sipas qejfit të tyre.

A u ndikuat ndopak nga kjo jetë?

Padyshim. Por në atë kohë unë e Sokrati për çdo ditë të diel filluam të vizitonim muzetë e Nju Jorkut. Kishte shumë muze dhe me objekte të papara. Ishte mrekulli. Në atë kohë ne nuk kishim fëmijë dhe ishim të lirë që të paktën një ditë pushimi ta shijonim në këtë mënyrë. Kur u kthyem në Shqipëri lindi dhe vajza.

Pas rënies së regjimit në Shqipëri, Sokrati provoi dhe qelinë e burgut. Si e përjetoi një gjë të tillë?

E përjetoi shumë rëndë. Ai qëndroi 5 muaj në qelitë e paraburgimit dhe tre të tjerë në spitalin e burgut. Por gjykata e cilësoi të pafajshëm dhe e liroi në sallën e gjyqit. Atëherë ai u lehtësua shumë dhe i harroi të gjitha. Por Sokrati ishte njeri që e donte demokracinë, Ai njihej si njeri liberal që në Ministrinë e Jashtme, Por ishte dhe shumë human dhe çmonte vlerat tek njerëzit.

Me se do të merrej pas kësaj?

Vetëm do të shkruante. Ai ka botuar 5 vepra dhe tre të tjera i ka në dorëshkrim. Për to tanimë do të kujdesem unë dhe vajza, që edhe ato të shohin dritën e botimit.

Nga ditari i Sokrat Plakës

 Vizita ime në Nju-Jork në vitin 1966

U emërova të punoj ne misionin tonë në Nju-Jork me Halim Budon, diplomat i përgatitur. U nisëm në janar të vitit 1966 në një kohë të keqe, aq sa ne Mont Blan na ndodhi një e papritur me avionin që po shkonim në Nju-Jork. Avioni pësoi një rënie të madhe dhe të gjithë pasagjerët u tronditën, përfshirë edhe ne. Por avioni Boing F-227 e rimori veten dhe e kapërceu lartësinë e madhe që kishim përpara. Bëmë një qëndrim të shkurtër në Paris dhe e morëm veten. Pas qëndrimit të shkurtër u nisëm nga Parisi, por mbi oqeanin Atlantik na ndodhi një tjetër avari: erërat e Atlantikut e tundnin avioni sikur te ishte prej kartoni. Më në fund e kapërcyem periudhën e zonës së erërave dimërore dhe pas shtatë orësh mbërritëm në aeroportin e Nju-Jorkut. Aty na prisnin shokët tanë të misionit. Në darkë vonë u prezantuam me bashkëpunëtorët tanë dhe u njohëm me qytetin madhështor të Nju- Jorkut. Të nesërmen Halimi më caktoi detyrat e mia, të cilat ishin të shumta dhe të vështira, shokët më çuan në OKB për të njohur vendet, ku unë do të punoja në të ardhmen. Por Halimi ishte shumë i kujdesshëm dhe më prezantoi me kolegët e mi dhe pjesërisht me kolegët e tij sepse shpeshherë më takonte rasti të takohesha me kolegët e tij për të kryer detyrat që më caktonte ai. Nuk kaloi shumë kohë dhe Halimi u transferua në atdhe sepse ishte zv. ministër i Jashtëm. Mua më ngritën në rangun e sekretarit të parë dhe me dhanë përgjegjësinë e drejtimit të misionit duke më emëruar të ngarkuar me punë. Një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe Sokrat Çomo, i cili kishte përvojë dhe bashkëpunim në kryerjen e detyrave. Periudha 6-mujore që qëndrova ishte shumë e frytshme për mua, unë mora eksperiencën e duhur për të drejtuar misionin me një politikë që ishte e ndryshme nga shtetet e tjera. Në qershor të këtij viti Halimi u largua në Atdhe dhe mua më dha udhëzimet për punë në OKB dhe për marrëdhëniet me kolegët e tij si dhe për drejtimin e misionit në të gjitha detyrat, detyrë që unë me kalimin e kohës e përvetësova me gjithë pengesat që kisha nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Sipas traditës, organizova punën e misionit në dy drejtime: për përballimin e detyrave të OKB-së dhe organizimin e punës për informacionin politik për qendrën që, duhet thënë me modesti se u vu në rrugën e duhur.

SHBA komunikonte me Shqipërinë

Biseda sekrete me amerikanin: “Rrini të qetë, nuk do t’u sulmojmë”

Në vitin 1967 u acaruan shumë marrëdhëniet midis Egjiptit, Sirisë dhe Jordanisë nga njëra anë dhe Izraelit nga ana tjetër. Të dyja palët ishin të armatosura rëndë. Në fillim ato ashpërsuan së tepërmi sulmet verbale kundër njëri-tjetrit, të gjitha vendet arabe lëshuan tirada të pafund kundër Izraelit që shkonin deri në zhdukjen e tij si shtet dhe çlirimin e Palestinës. Historia e tyre nuk ishte maskë. Bile arabët bënin llogaritë kush do të marrë e çfarë do të marrë nga territoret e Izraelit, ndërsa Izraeli fliste pak, por përgatitej ushtarakisht në mënyrë intensive. Arabët kishin përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, ï cili u kishte dhënë (shitur) tre vendeve arabe kufitare me Izraelin armatime të shumta të sofistikuara, tanke avionë moderne të arsenalit sovjetik. Izraeli kishte përkrahjen e fuqishme të vendeve perëndimore sidomos të SHBA-ve, Anglisë dhe Francës me armatime shumë të sofistikuara. Të dyja palët bënin kontakte të niveleve më të larta me aleatët ose miqtë e tyre, duke diskutuar problème të luftës, të politikës dhe të armatimit. Tensioni i luftës u përhap jo vetëm në të katër vendet përkatëse, por edhe në vendet e tjera. Atmosfera e luftës bëri që edhe vendet e tjera të fillonin te merrnin masa sigurie, kufizimi të lëvizjes se njerëzve nga një shtet në tjetrin. Këto masa u bënë më të shpeshta kur Izraeli goditi në befasi të tria vendet arabe dhe asgjësoi në aeroporte avionë ushtarakë bosh në orën 7:30, kur pilotët udhëtonin për në aeroporte ose oficerët shkonin për në repartet ushtarakë. Goditja izraelite asgjësoi aviacionin ushtarak egjiptian në tokë duke bërë fluturime të ulëta jashtë ndikimit të pajisjeve të radarëve, pra pa u ndier fare nga egjiptianët dhe qendra të tjera ushtarakë dhe lehtësisht pushtoi territore të gjerë të Egjiptit, Sirisë dhe Jordanisë. Sulmi izraelit në tokat e tri vendeve arabe me ushtri e armatim të shkatërruar vazhdonte pa rezistencë. Në një kohë rekord Izraeli marshonte thuajse pa pengesë dhe pushtoi zonat e planifikuara prej tij: gadishullin e Sinait, të pasur me naftë dhe që kontrollonte kanalin e Suezit, kodrat Golan të Sirisë, zonë strategjike të Sirisë ndaj Izraelit dhe vazhdonte pushtimin e tokave të tjera me synim të zinte kryeqytetin sirian Çisjordaninë e Jordanisë, territor palestinez. Menjëherë u vu në lëvizje diplomacia e Fuqive të Mëdha, sidomos të Bashkimit Sovjetik në përkrahje të viktimave arabe. Në qershor 1967 u thirr sesioni i jashtëzakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por me përjashtim të fjalimeve, vendime nuk u morën. Kështu filluan mbledhjet e gjata të Këshillit të Sigurimit, organi kompetent për të vendosur me efektivitet të plotë. Por për të marrë vendime duhej pëlqimi i shumicës, përfshirë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të përçarë midis Perëndimit dhe Lindjes dhe kjo nuk arrihej lehtë. Kështu salla e Këshillit më shumë e kalonte kohën me bisedime të lira jashtë mbledhjeve zyrtare. Salla e Këshillit të Sigurimit ishte plot diplomatë që ndiqnin punimet e tij për luftën në Lindjen e Mesme. Ndër te tjerët, ishim edhe ne: ambasador Halim Budo dhe unë, që ndiqnim punimet dhe informonim Tiranën për çështjet kryesore. Në një pushim të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit po bënim shëtitje të shkurtra, kur papritur u afrua tek ne përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-ve (ai është anëtar i qeverisë amerikane), Artur Goldberg dhe hyri drejt në temë; më kujtohet pasi ai bëri aluzion se, Shqipëria druhet nga ngjarjet në Lindjen e Mesme, tha: “Njoftoni qeverinë tuaj se, SHBA nuk ka asnjë qëllim të sulmojë Shqipërinë. Këtë jua them unë në emër të qeverisë amerikane, bile jam gati të bëj menjëherë një vizitë në Shqipëri për bisedime”. Nuk e zgjati më tepër, na dha dorën dhe u largua. Halimi nuk reagoi. Druhesha, tha ai, se mos na xhironin kamerat, gjë që u duk se nuk ndodhi. U larguam nga OKB-ja dhe njoftuam menjëherë Tiranën. Përgjigjja prej saj nuk erdhi, pozitive apo negative.

(vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Prezenca e Shqipërisë në seancën e përmortshme të OKB-së për Xhon Kenedin

-Kur Shqipëria ndihmonte Kinën për të rivendosur të drejtat e ligjshme në OKB

-Shtetet e Bashkuara, cilat ishin kanalet që mbante marrëdhëniet me Shqipërinë