“Alo! Duam dyzet gaveta!”

1367
Enver CAKAJ 
Djemtë e Skraparit e nisnin jetën me dy profesione, atë të bariut dhe të partizanit. Tjetër zanat s’kishin, se ua kishte privuar koha. Qeveritë pushtuese që vinin e iknin kishin hesapet e tyre. Këtë fat pati edhe Ali Zylyftari, djali nga Strora e Skraparit. Të dy zanatet ia mësoi i ati, Abaz Zylyftari, që la delet në mal dhe iku në luftën e Vlorës të luftonte kundër fashistëve italianë. Për herë të parë u njoh me armë familja Hysko. E merrnin të gjithë në dorë me radhë, e shikonin,e lëmonin me dorë, e pastronin dhe e varnin në gozhdë. Por arma nuk e kishte vendin atje. U plak Abazi, po u rrit Aliu. Arma donte trima ,po dhe Aliu nuk ishte i paktë. Njeriu bëhet trim kur ka ideale të qarta për vendin. Abazi ia kishte mësuar përdorimin e armës të birit, po i kishte treguar edhe si luftohet. Ishte vetëm 18-vjeç kur Aliu e hoqi armën nga gozhda dhe e hodhi në supet e njomë. Fjalë pas fjale i erdhi lajmi, se në Qafën e Martës do të krijohej Batalioni partizan “Riza Cerova” dhe, tok me shokët që mori me vete, u rreshtua me ta. Që në fillim u përball me një betejë të vështirë me italianët në Qafën e Kiçokut. Dikur kishte luftuar i ati kundër tyre në Vlorë, tani i takoi të birit të përballej me ta. Një kolonë ushtarake me gjashtëdhjetë makina donin kalonin për në Përmet. Rruga e tyre duhej ndërprerë nga një batalion i porsaformuar. Ishte vapë e tmerrshme dhe më shumë vdisje për ujë se nga plumbat. Po ku kishte ujë në atë pllajë të thatë? Ai pa luftëtarin e tërbuar, Vaip Gogo, që vajti çau serbatorin e makinës fashiste dhe piu naftë në vend të ujët. Pozicionet dhe terreni ishin të favorshëm për partizanët, prandaj ajo betejë u fitua. Por Aliu nuk e harroi deri në fund të jetës atë betejë, ku mbetën të vrarë katër shokët e tij. Batalionet dhe formacionet e vogla partizane u shkrinë në brigada dhe Aliu kaloi drejt e në Brigadën e 16-të Sulmuese. Betejën e parë e bënë kundër ballistëve, që luftonin kundër vendit të tyre. Por kjo betejë nuk u harxhoi asnjë plumb, se sa panë partizanët që dolën në Qafën e Shkozës, ua mbathën këmbëve. Para se të kalonte Qafën e Shkozës Aliu qëndroi një copë herë mbi një gur dhe hodhi sytë nga fshati i tij, Strora,që e kishte përballë. Ai e dinte që në luftë do të vritesh ose do të vrasësh. Lufta do trimëri dhe nuk i dihej a do të kthehej më. Por ai u tregua shumë i kujdesshëm dhe nga lufta mori vetëm një plagë plumbi. 
Vendi u çlirua,po lufta mbeti e ngritur. Disa mbeturina,që shpresonin ta përmbysnin pushtetin e ngritur nga populli, të ndihmuar dhe nga agjenturat e huaja u shfaqën në disa zona të vendit, më të theksuara në Veri. Kjo kërkonte krijimin e një Batalioni të sigurimit të vendit. Ali Zylyftari, që e kishte shumë qejf armën, u inkuadrua atje. Në Kongresin e Përmetit kishte marrë gradën e kapterit, po ai nuk shikonte kurrë mbi supet. Idealet i kishte në zemër, të cilat i publikoi në luftë me këto banda të rrezikshme. Ishte dimër i tmerrshëm. Batalioni ndodhej në viset e Mirditës. Aliut i qëlloi të pozicionohej në Gomziqe. Kishte marrë detyrën e komandantit të Batalionit dhe shefit të shtabit të Brigadës dhe si i tillë do të jepte shembullin te ushtarët. Sinjali ishte dhënë se një bandë diversantësh kishin kaluar kufirin. Batalioni mbeti i izoluar. Atëherë me anë të radios u dërgua ky kod në komandën e Brigadës: “Dërgoni dyzet gaveta.” Dhe komanda nisi atje dyzet ushtarë. Aliu nuk lëvizi nga pozicioni i shtrirë mbi dëborën e ngrirë. Pranë kishte një nga shokët më të mirë, të cilin e mori një plumb për vdekje. Pranë Aliut i vajti një gisht që ia kishte këputur plumbi. Ai mundi t’i thoshte Aliut vetëm kaq: “Këtë kobure ta kam falur si kujtim nga kjo betejë.” Aliu ngjeshi koburen në brez, mori dhe gishtin e shokut, e mbështolli me një leckë dhe e futi në xhep. Bëri të ngrihej, por këmbët nuk i punonin. Dëbora ia kishte ngrirë të dyja. Mbeti vetëm në mes të dëborës. Pritej ngrirja e gjithë trupit. Por atij i vinte inat, se nuk u vra nga ata plumba në luftë, që i këmbeheshin para fytyrës. Mori automatikun dhe e zbrazi. Atëherë e kuptuan shokët dhe vajtën e morën në barrelë. E shpunë për mjekime në spital, por nuk qe e mundur të bëhej siç ishte. Këmbët i mbetën të mpira dhe mezi ecte. Atëherë komisioni mjekësor e shpalli invalid dhe pas 25-viteve në luftë me bandat, ai u kthye në Strorë me gradën e majorit në rezervë. Por amanetin e shokut të rënë nuk e harroi. Me ato këmbë gjysmake vajti në shtëpinë e shokut dhe i shpuri nënës gishtin dhe koburen e të birit. Por nëna ia dha si kujtim Aliut, i cili e ruajti si relikte të shtrenjtë. Aliu ishte i fejuar dhe në atë gjendje kishte nevojë për një njeri. I vëllai, Kalemi, i propozoi të martohej, por ai zbriti vetë në Çorovodë, e takoi të fejuarën dhe i tha të shkëputeshin, që të mos vuante dhe ajo siç vuajti vetë. Ai nuk mundi të krijonte familje, por ishte njeriu më i nderuar në gjithë Qarkun e Beratit. Autoritetet e vendit u kujdesën që të vendosej në Berat, por ai nuk pranoi. Fshati i kishte caktuar një mushkë, që sa herë të kishte nevojë të lëvizte me të, por as atë nuk e përdori kurrë. Në këmbë vinte e kthehej nga Çorovoda. Për merak e shpunë ta vizitonin te mjeku i dëgjuar Ymer Dëshnica. Pas vizitës doktori i tha: “Kur të shërohet Mukja ime, shërohesh dhe ti.” Në fshat i vinin shumë letra nga shokët e Luftës e Ushtrisë dhe i bëhej qejfi që nuk e harronin shoqërinë e vjetër. Nuk rrinte kurrë në shtëpi, ikte arave ku punonin bashkëfshatarët dhe bënte ndonjë punë të përshtatshme vullnetarisht. Ai merrte një pension të mirë, po asnjë lekë nuk mbante për vete, ua jepte vëllait, motrave, nipërve dhe mbesave, të cilët i shërbyen siç i takonte një njeriu të rrallë si ai. Ndryshoi sistemi dhe u dha urdhri për dorëzimin e armëve. Ia kërkuan dhe Aliut revolen e dhuruar nga shoku i vrarë dhe e ëma e tij, po ai nuk e dorëzoi me pretekstin, se kur po kalonte në një përrua i ra dhe ia mori ujët. Por të pashpirtët e arrestuan. Ai pranoi burgosjen dhe amanetin e shokut e ruajti deri ditën e fundit të jetës. Por të afërmit e e tij, për të mos e ndarë nga ato kujtime të shkruara, letra e shkrime, tok me koburen e nëntë dekorata ia vunë në varr. 


Sigal