Aleksandër ÇALA/ 10-vjet nga rënia në krye të detyrës e Dëshmorit të Atdheut, pilotit Jani Tarifa

1616
Sigal

Sot mbushet plot një dekadë  nga katastrofa e fundit ajrore e MIG-ve shqiptarë

Këtë ditë shtatori së bashku me shokët e grupit që u përgatitën për pilotë luftarakë në Shkollën e lartë të Aviacionit në Vlorë në vitet 1977-1980, të cilët tani janë të gjithë veteranë të Aviacionit, anëtar të shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit” jemi zgjuar herët sot, si në një ditë të zakonshme fluturimi, jo për të fluturuar si dikur, por për të nderuar Majorin Jani Tarifa, Dëshmorin e Atdheut, rënë në krye të detyrës 10 vjet më parë. Nuk janë të pranishëm fizikisht të gjithë shokët e grupit. Mungojnë vetën tre shokë. Të tre me arsye madhore (siç quhet të gjuhën ushtarake). Ata të tre, Fluturim Molla, Haki Skuqi dhe Jani Tarifa janë në altarin e lartë të lavdisë së Atdheut, në fluturimin e pavdekësisë. Ndjejmë shumë dhimbje që nuk i kemi pran fizikisht, por shumë krenari që jemi shok e bashkëkohës të tyre. Së bashku me ne janë dhe Prokop Tarifa babai i Dëshmorit Jani Tarifa, Andi djali i tij, Fania xhaxhaj e shumë njerëz të tjerë, familjar dhe të afërt të Janit. Fredi, Petriti, Andoni, Prenga, Vasili, Kastrioti kujtojnë punën dhe sakrificat e shumta që kanë bërë në vite, shokët e armës, ata që janë midis nesh, por edhe ata që mbetën përjetësisht qiellit të kaltër të Shqipërisë mëmë, krenarinë dhe nderin e aviacionit, dëshmorët. Respekti për të rënët, këta djem e burra trima, është respekti për historinë e kombit, histori, të cilën shumë pilotë e kanë shkruar me gjakun e tyre në lule të rinisë. Historia e Aviacionit Luftarak Shqiptar është histori e guximtarëve, e njerëzve me ambicie për ecjen përpara. Aviacionit tonë nuk i kanë munguar kurrë guximtarët dhe heronjtë. Në piedestalin e nderit të aviacionit shqiptar kanë shkruar emrin “Dëshmorë të Atdheut” dhe tre shokët nga më të mirët e grupit tonë. Shtatori i vitit 2004 do të shënohet si muaj i mbrapshtë në historinë e lavdishme të aviacionit luftarak. Në këtë muaj humbi jetën Majori Jani Tarifa, pilot nga më të mirët e aviacionit, piloti i fundit që ra në krye të detyrës duke pilotuar një avion Mig-19S

NGJARJA

Në zbatim të urdhrit të Komandës së Forcës Ajrore për zhvillimin e qitjeve luftarake, komanda e Detashmentit Ajror të Rinasit kishte organizuar punën e përcaktuar deri në detaje ecurinë e realizimit të fluturimeve. Ishte realizuar kontrolli i hollësishëm i gatishmërisë së teknikës luftarake dhe përcaktuar pilotët që do të realizonin qitjet dhe bombardimet. Qitjet do të kryheshin nga pilotët Lili Gjeci e Arqile Titi dhe bombardimet nga pilotët Arjanit Rushiti dhe Jani Tarifa, që të katër më përvojë të gjatë në pilotimin e avionëve Mig. Stërvitja e efektivit fluturues kishte disa ditë që kishte filluar dhe çdo gjë po shkonte drejt finalizimit me sukses të programit. Ashtu si një ditë më parë edhe atë të enjte të 16 shtatorit 2004, pista e aerodromit luftarak të Rinasit gumëzhinte nga gjallëria e njerëzve me uniform dhe zhurma e avionëve reaktiv. Ditë e zakonshme fluturimesh kur do të realizoheshin imitimin e qitjeve dhe bombardimeve në poligonin e qitjeve në Rreth-Greth të Kavajës, por mobilizimi dhe përgjegjësia e gjithë personelit për zbatimin me rigorozitet e përpikmëri të çdo elementi në ecurinë pa ngjarje të tyre është si gjithmonë i lart. Avionët reaktiv njëri pas tjetrit fluturonin drejt qiellit blu për të realizuar detyrat e vështira luftarake të qitje-bombardimit. Në kullën e drejtimit të fluturimit ishte vetë komandanti i Detashmentit Ajror të Rinasit, nënkolonel Thanas Kuleçi, i cili kryente detyrën e Udhëheqësit të Fluturimit. Fluturimet kryhen me përgjegjësi të lartë dhe nuk lejohet asnjë shpërqendrim e thyerje sado e vogël e rregullave. Sipas planit të fluturimit do të kryhej në fillim imitimi i bombardimit nga piloti Arjanit Rushiti mbas tij do të fluturonte piloti Jani Tarifa dhe pastaj do të kryhej fluturimi për imitimin e qitjeve nga pilotët Lili Gjeci e Arqile Titi. Në ajër ishin dy avion Mig, një avion UTI-MIG 17,(një avion dyvendësh), në të cilin ndodheshin piloti Lili Gjeçi, në rolin e instruktorit dhe piloti Shpëtim Çollodea, në rolin e pilotit të ri, të cilët po kryenin detyrën “Fluturim në Zonë” si dhe avioni MIG-19S që pilotohej nga Arjanit Rushiti, i cili ndodhej në rajonin e poligonit, për realizimin e detyrës së bombardimit. Komandanti i Katërshes, majori Jani Tarifa, pasi kontrollon gjendjen e avionit, hipën në avion, ndez motorët e Avionit Mig-19S me Nr 3-75 dhe në orën 08:50 del në start e kërkon leje për t’u ngritur në ajër për të realizuar detyrën “imitim për bombardim”. Në rajonin e poligonit kombëtar të qitjeve në Rreth-Greth të Kavajës. Kur arrin në lartësinë rreth 20-30 metra nga sipërfaqja e tokës avioni mbasi kalon këndin e madh në marrje lartësie bënë një anim djathtas pastaj majtas dhe si një zog që i presin krahët përplaset në tokë në fund të pistës së fluturimit, të asaj piste që me qindra herë e kishte përcjell dhe pritur në fluturimet e shumta të kryera në 20 vite fluturimi në Rinas. Ndodhi ajo që as pritej e parashikohej, avioni përplaset në tokë dhe shpërthen në flakë. Në këtë ngjarje të rëndë ajrore u shkatërrua plotësisht avioni Mig-19S me Nr. Anësor 3-75 si dhe humbi jetën piloti Jani Tarifa. Ngjarje tepër e rëndë dhe katastrofa e fundit ku u dëmtua një avion Mig-19S. Zemrat e pilotëve trima të Regjimentit të Rinasit u tronditën thellë, pikëllimi për humbjen e shokut të tyre ishte shumë i madh. Shumë komisione, hipoteza e variante janë ngritur për zbardhjen e kësaj katastrofe, por asnjë nuk mund të quhet e vërtet. Por cila është e vërteta e kësaj ngjarje të rëndë. Ajo nuk dihet. Të vërtetat e tragjedive në aviacion, ato më realet, më të hidhurat, paradoksalet, të rastit apo të çdo varianti tjetër nuk ka komision apo grup ekspertësh që t`i zbardhi apo vërtetoj. Të vërtetat e tyre i marrin me vete ata që ikin, ashtu si mori me vete dhe Majori Jani Tarifa të vërtetën e kësaj ngjarje të hidhur.

FLASIN DËSHMITARËT E TRAGJEDISË

Sot, kur mbushen 10 vite nga ngjarja tragjike, kujtimi i tij është më i gjallë se kurrë në kujtesën tonë, në mënyrë të veçantë në kujtesën e prindërve dhe  fëmijëve të tij, të efektivave të aviacionit, të cilët i nderojnë sot pilotin e talentuar të Forcës Ajrore.

Piloti Lili Gjeçi, i cili në atë periudhë kryente detyrën e shefit të sigurisë së fluturimit në Detashment mbasi ndez e thith fortë cigaren tregon: -E kuptova nga zëri i komandant Nashos (kështu e thërret ai shokun e grupit) se diçka jo e mirë mund të kishte ndodhur. “Menjëherë sapo mora urdhrin nga kulla e drejtimit,  në të cilën ndodhej komandanti i Detashmentit, Thanas Kuleçi, ndryshova kurs dhe u nisa për në Rinas. Pasi komunikova me qendrën, mora vesh se ishte rrëzuar Jani. Nuk e desha veten. Kisha 30 vjet që e njihja e ishim shumë shokë me Janin, që nga bankat e shkollës “Skëndërbej”. Menjëherë pas urdhrit të uljes, kreva veprimet e duhura dhe shkova tek vendi, ku ndodhej avioni i Janit. Pashë vetëm blozë të zezë dhe avionin e coptuar.

Piloti Petrit Çaushi, me zërin që i dridhet nga emocioni kur e kujton atë ngjarje këmbëngul se në rastin e Janit nuk mund të flitet për gabim njerëzor. Ai shpjegon se në asnjë rast edhe nëse do vetë piloti, aeroplani i tij nuk mund të marrë atë kënd që ka marrë Mig-19 i Janit. Lejohen lëkundje të vogla fare ose vibrime që parashikohen dhe eliminohen lehtë. Unë kam qenë në kullën e drejtimit të aeroportit dhe gjithë rrugën e përshkruar nga avioni i Janit e kamë dhe tani pas 10 vjetëshpara syve. Rënia e avionit është bërë nga një lartë si dhe shpejtësi e vogël, që është e pa pranueshme ta quash gabim njerëzor, për shkak se në ngritje shpejtësia dhe xhirot e motorit arrijnë maksimumin për të marrë lartësinë e duhur të fluturimit. Edhe ky fakt, sipas pilotëve tregon se avioni nuk ka qenë në rregull në atë moment.

Në çdo rast që avioni merr kënd të theksuar, por edhe anim sa majtas- djathtas, si në rastin e Janit, nuk mund të thuhet asnjëherë për gabim njerëzor dhe këtë e njeh shkenca që ne kemi mësuar në libra”,- argumenton një nga shokët e pilotit dëshmor, piloti Vasil Ndreu. Sipas tyre, në këtë rast bëhet maksimumi nga piloti për të kaluar në sistemin e komandimit elektrik, siç ka bërë dhe Jani Tarifa dhe të mundohet të ndërpritet rritja e vazhdueshme e kabriatës për të shmangur animin, çka tregon se avioni ka defekt dhe duhet ulur. Fakti më i rëndësishëm, sipas pilotëve është se në momentin e shembjes në tokë, katapulta përsëri nuk ka funksionuar për t’u shkëputur nga avioni, siç ndodh në rastet normale. Ajo ka qenë e ngjitur në kabinë dhe përsëri sistemi nuk ka funksionuar.

Gaz Çobani kujton:- Jani qe si vëlla i madh për të gjithë ne pilotët e rinj. -Ku je o nipçe – më thoshte sa herë që takoheshim, kjo sepse jemi të dy nga Gjirokastra dhe unë isha shumë më ri se Jani. Kështu që Jani, pilot shumë i mirë, i dashur e i qeshur me të gjithë. Këtu në aeroportin “Nënë Tereza” punojnë disa shokë të Janit – vazhdon tregimin Gazi- dhe kjo është arsyeja që në çdo kohë pranë memorialit të ngritur në vendin e rënies së tij do gjesh lule të freskëta.

Pilotët e Aviacionit Luftarak Shqiptar që kanë rënë në krye të detyrës dhe sot janë me statusin “Dëshmor të Atdheut” nuk ishin vetëm ushtarakë të zotë, por edhe njerëz me shpirt të pastër e të virtytshëm, besnikë ndaj popullit dhe atdheut, nderit dhe besimit ushtarak. Këto e bëjnë kujtimin e tyre të paharruar, jo vetëm për ata që i kanë njohur por edhe për çdo qytetar të vendit tonë. Dëshmorët e Atdheut të Aviacionit, me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë në zbatimin e detyrave, me eksperiencën e madhe e të çmuar që kanë lënë pas për brezat e ardhshëm, me krenarinë që i kanë dhënë aviacionit dhe Forcave të Armatosura, janë padiskutim një vlerë e madhe kombëtare. Ata patën një jetë të këputur në mes, por ata do të kujtohen gjithmonë nga ne dhe brezat që do të vijnë. Në përvjetor të tjerë do të kujtojmë me respekt dhe nderim të thellë shqiponjën shqiptare të ajrit, Majorin Jani Tarifa.

PILOTI JANI PROKOP TARIFA

Majori Jani Tarifa është lindur më datë 05.12.1958 në fshatin Hundëkuq të rrethit Gjirokastër. Arsimin 8- vjeçar e kreu në vendlindje, kurse arsimin e mesëm e kreu në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1973-1977. Në vitin 1981 përfundoi studimet për pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, ku u titullua Pilot Gjuajtës Bombardues për avionët reaktivë. Emërohet komandant ekuipazhi në Regjimentin e Aviacionit në Kuçovë, ku punoi në vitet 1981-1984. Që  nga data 15.02.1984 e deri në fund të jetës së tij Jani Tarifa punoi në Regjimentin e Aviacionit Luftarak Rinas, ku ka kryer detyra të ndryshme deri në atë të komandantit të katërshes. Jani Tarifa për rezultate të larta në punë e shërbim është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme. Më 16 shtator 2004, ra në krye te detyrës, pasi avioni MIG-19, të cilin ai pilotonte humbi komandimin dhe pësoi katastrofë. Me vendim të Qeverisë Shqiptare, Jani Tarifa është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë.