Aleancat, krushqitë dhe kurorëzimi i Skënderbeut në Ardenicë të Myzeqesë

153
Jovan BIZHYTI 
Periudha historike e Skënderbeut po gjen pasqyrim gjithnjë e më shumë këtë vit, që simbolizohet si, “Viti i Skënderbeut”. Sigurisht kjo po hedh dritë në shumë fakte e ngjarje, në shumë kujtime e hulumtime nga historianë e studiues vendas e të huaj, që sjellin fakte e ngjarje nga jeta e aktiviteti i këtij Heroi legjendar, që qëndron në themelet e gjenezës së popullit tonë, vepra e të cilit e ka bërë të njohur shtetin e Arbërisë që në shekullin XV në Ballkan, në Europë, në Azi e përtej. Megjithëse po flitet e po shkruhet shumë për këtë histori të hershme të popullit tonë, është për të ardhur keq që lexohet pak nga njerëzit për ta njohur veprën e këtij Heroi Kombëtar, që qendron në themelet e historisë së popullit e të vendit tonë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye të luftëtarëve të Arbërisë, luftoi 25 vjet për të mbajtur të paprekur trojet arbërore nga pushtuesit osmanë, por njëkohësisht u bë barrikadë e pakalueshme, që ky invazion pushtues të mos kalonte Adriatikun për të zhbërë dhe krishterimin europian e idenditetin e shteve përtej detit. Ashtu si Ballkani edhe Italia në shekujt XIV e XV ishte e copëtuar politikisht në disa shtete e principata të veçanta si, Venediku, Vatikani, Napoli, Raguza e tjerë. Duke ndjerë rrezikun e këtij invazioni të Perandorisë Osmane, që veç Azisë synonte territore dhe në Europën Perëndimore e Lindore, këto shtete evropiane, jo vetëm vlerësonin maksimalisht kontributin ushtarak të Skënderbeut, por ndërmorën dhe aleanca politike të përbashkëta, duke e mbështetur atë edhe financiarisht, si dhe me trupa ushtarake, siç ishte mbretëria e Napolit. Këto aleanca ishin kryesisht politike, sepse Arbëria një vend i vogël dhe me ushtri me numër të kufizuar në krahasim me taboret osmane, kishte nevojë për mbështetje politike, por dhe financiare. Pushtimet osmane dëmtuan shumë dhe interesat e kishës katolike në Ballkan, ndaj Papët e Romës e shihnin me simpati dhe e inkurajonin Skënderbeun në luftën e tij kundër armikut të përbashkët. Në këtë kuadër, ata i dhanë Skënderbeut dhe titullin e lartë: “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”. Po ashtu ishte me shumë interes dhe aleanca me mbretërinë e Napolit që me Alfonsin V dhe në vazhdim me djalin e tij Frdinandi I. Po ashtu ai kishte lidhje dhe me Janosh Hunaidin e Hungarisë në vitin 1456, ku secili luftonte në territoret e veta kundër të njejtit armik, ushtrive osmane. Aleancat politike të Skënderbeut u shtrinë dhe brenda vendit, në bashkimin e Princave shqiptarë, që përfaqësonin krahina e territore të veçanta. Historikisht ata kishin jetuar në përçarje e luftëra të brendshme, që e kishin dobësuar shumë shtetin e Arbërit. Skënderbeu me aftësitë e tij, jo vetëm ushtarake, por dhe politike, diti t’i bashkojë në një forcë të vetme, ku veçanërisht u shqua Kuvendi Kombëtar i Lezhës në 1444, që e ngriti lart rolin dhe figurën e këtij Kryeprinci dhe të vet shtetit të Arbrit. Aleancat dhe politika e bashkimit, i dhanë forcë Skënderbeut dhe si strateg ushtarak, ku ai në të gjitha betejat kundër ushtrisë osmane doli fitimtar, duke shpalosur talentin e aftësitë e tij të fituara në shkollat ushtarake osmane dhe në betejat e luftrave. Ai me një ushtri të vogël në numër dhe në armatim në krahasim me kundërshtarin, siguroi kudo epërsi luftarake, veçanërisht dy fitoret në dy rrethimet që ushtritë osmane i bënë Krujës, për atë kohë si kryeqendra e Arbërit. Në rrethimin e parë të Krujës, fitorja historike e Skënderbeut, bëri që të vdesë nga hidhërimi edhe Sulltan Murati II që udhëhoqi atë betejë. Familja e Kastriotëve, që shtrihej në territoret veri-lindore të trojeve arbërore, nga një familje feudale në shekullin XIV, shumë shpejtë u rrit e u shndërrua në një nga Principatat e dëgjuara shqiptare në këto treva. Ardhja e Gjergj Kastriotit në fillimet e shekullit XV dhe rroli i tij historik në krye të ushtrisë e të vendit, i dha një prestigj e autoritet fisnik më të lartë Kastriotëve, duke krijuar lidhje të fuqishme brenda e jashtë vendit dhe krushqi me familje të shquara fisnike feudale shqiptare. Princi Gjon Muzaka, bashkohës me Skënderbeun shkruan në kujtimet e tij: “Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, kishte për grua, Vojsava Tribalda, me të cilën lindën 4 djem dhe 5 vajza, që u lidhën me krushqi me familje të shquara fisnike shqiptare”. Kështu të 5 vajzat e Gjon Kastriotit u futën në familjet fisnike si: Stefan Çernojeviçit me origjinë shqiptare, të Gjon Muzakës, Vladan Aranit Komnenit, tek Balshët dhe tek Muzak Topia. Ndërsa njeri nga djemtë, Reposhi, ishte fetar dhe u mbyll murg në manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë Athos të Greqisë. Kjo e dhënë sipas studiusit Sh. Nimani, të cilit i referohet dhe Moikom Zeqo në studimin “Mes Leokontit dhe Krishtit”, viti 2000. Po ashtu këtë fakt e vërteton dhe studiusi sllav V. Petroviç, të cilit i referohet historiani Kristo Frashëri në studimin e hershëm për epokën e Skënderbeut, “Aktet e Hilandarit”, viti 1989, ku midis të tjerave thekson se, “Varri i Reposhit ndodhet brenda katedrales në murin verior të narteksit të atij manastiri, i pikturuar me subjekte kishëtare”. Sipas këtyre të dhënave, thuhet se atje ka shkuar dhe i ati, Gjoni, ku ka blerë dhe një sipërfaqe toke që quhet “Pirgu i Shëngjergjit”. Në varrin e Reposhit atje lexohet, “Princ Ilir”.Sipas arkivave të këtij manastiri, aty përveç murgut, Reposhit, vëllait të Skënderbeut, që në epitaf mban emrin, “Duka i Ilirisë”, prehet dhe i ati, Gjon Kastrioti, i cili në fund të jetës, u bë dhe ai murg dhe mori emrin, Joakim. Në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë Athos, ekzistojnë dhe dy kodikë, ku flitet për prona të atij manastiri dhe të familjes Kastrioti. Ndërsa djali i fundit i familjes Kastrioti, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, lidhi krushqi me familjen e dëgjuar princërore të Arianitëve. Kjo krushqi u shkonte për shtat të dy familjeve nga pozitat që kishin. Si mblesë, Gjergj Kastrioti, dërgoi Gjin Muzakën, kunatin e Arianitit. Martesat në familjet fisnike lidheshin me aleanca dhe marëdhënie të varësisë së shumëfishtë. Në këto martesa të fisnikëve feudalë, nuk kishte rëndësi mosha, intelekti, apo paraqitja e jashtme e çiftit. Gjergj Kastrioti ato kohë ishte 46 vjeç, ndërsa Donika Arianiti 23 vjeçe. Funksioni i parë i lidhjes ishte ai politik, që do forconte pozitat e familjeve mes krushqive. Pra, martesa ishte më shumë politike, ku nuk luanin rrol mosha dhe dëshirat. Donika ishte njëra nga 8 vajzat e Gjergj Arianitit me gruan e parë, Marie Muzakën, siç shkruan shkrimtari dhe studiuesi i ynë, Dhimitër Shuteriqi në studimin e tij për “Arianitët”, viti 1989. Po ashtu sipas historianit Marin Barleti, ajo ishte ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare shqiptare të shekullit XV. Ajo i përkiste një ndër familjeve më të fuqishme dhe më fisnike, siç ishte Gjergj Arianiti, ndër më të shquarit e feudalëve shqiptarë. Dasma në familjen e Arianitëve në Kaninë vazhdoi disa ditë. U bë dasmë e madhe nën avullin e verës, të muzikës dhe të dollive. Në këtë dasmë, veç Princave shqiptarë, mernin pjesë dhe ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i Përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri. Ky i fundit solli dhe një dhuratë të çmuar në emër të Senatit të Venedikut, një stoli për nusen, Donikën dhe dy palë rroba të purpurta për dhëndrrin, Skënderbeun. Në 25 prill, tabori i krushqëve kaloi nëpërmjet rrugës së “Muzakies”, në intinerarin Kaninë-Ardenicë. Gjatë rrugës kishte shumë kisha e manastire orthodhokse, por Princi shqiptar zgjodhi Manastirin e Ardenicës për kurorëzimin e martesës së tij me Donika Arianitin, si një nga manastiret më të dëgjuara të kësaj treve të Shqipërisë së mesme bregdetare. Darka në ambientet e kështjellës mesjetare të Ardenicës, jehoi e gëzuar me këngë e valle të krahinës së Myzeqesë. Të nesërmen, në 26 prill 1451, u organizua ceremonia e kurorëzimit të çiftit, drejtuar nga peshkopi, Feliks, që kishte në kujdestari dy manastiret e Myzeqesë, Ardenicën dhe manastirin e Apollonisë. Populli kësaj ngjarje të rëndësishme historike, i thuri dhe këngë që këndohet ende edhe sot:
Bëjmë dasmë, kemi gëzim
se martojmë një kryetrim,
trimin e madh Skënderbe
që luftonë për atdhe.
Gëzon populli, tundet dheu
bëhet dhëndërr Skënderbeu,
po martohet Gjergj vigani
në Anadoll ulërin Sulltani.
Qeshu nuse, këndo fort
se ke marë një Kastriot,
kërce nuse megjithë shpirt
more burrë një petrit.
Rreze drite nusja jonë
erdhe ndrit në mes tonë,
vashë e bukur pëllumbeshë
u bë sonte mbretëreshë.

Për këtë fakt, flasin të dhëna historike, kujtime të hershme dhe gojëdhëna popullore në krahinën e Myzeqesë si dhe studiues të huaj. Kështu, studiuesi italian A. Larenconi, shkruan në librin e tij “Impresioni d’Albania”, viti 1930, kur vizitoi Manastirin e Ardenicës gjeti të shkruar për këtë ngjarje në kodikët që gjendeshin në bibliotekën e tij. Po ashtu shkruan dhe revista, “Hylli i Dritës”, botim i vitit 1938, ku flet për kurorëzimin e Skënderbeut në këtë manastir. Për këtë fakt historik, ka dëshmuar dhe Ikonom Aleks Doko, një nga klerikët e hershëm që ka shërbyer gjatë në Manastirin e Ardenicës. Ai ka qenë nxënës në shkollën e atij manastiri që në vitin 1900 dhe midis të tjerave ka treguar se: “Kam dëgjuar nga të parët, nga famulltari i hershëm i manastirit, Papa Marko, që ka shërbyer që në vitet e shekullit të XIX-të dhe nga Igumenët, Papa Sako dhe Papa Trifon Kordhishta, si mësues të shkollës, se në Kishën e Shën Triadhës të këtij manastiri, kish vënë kurorë Princi Skënderbeu me Donikën, bijë e Princit të Kaninës, Gjergj Arianitit”. Një burim tjetër që fakton këtë ngjarje, është dhe dëshmia e Peshkop Irine Banushit, një teolog i dëgjuar i kishës sonë ortodokse, i cili vitet e fundit të jetës së tij i kaloi i izoluar në Manastirin e Ardenicës dhe jo pak por rreth 10 vjet. Në kujtimet e tij të botuara në librin monografik, shkruar nga Kristofor Beduli, viti 2000, ai citon faktin se, “Kur mbriti në Ardenicë, gjeti atje të dhëna gojore nga murgjit dhe ikonomët e hershëm të manastirit se, aty në shekullin XV ishte kurorëzuar Princi shqiptar Gjergj Kaastrioti me Donikën”. Tre vjet pas martesës, çifti Kastrioti lindën një djalë, që i vunë emrin e të atit të Skënderbeut, Gjon Kastrioti i Ri. Pas vdekjes së Skënderbeut në 17 janar 1468, djali Gjoni ishte 13 vjeç. Donika u shpall regjente e të birit, trashëgimtarit legjitim të Skënderbeut. E ndodhur në kushte të tilla, ajo nuk mund të ushtronte funksionet e saj, ku dhe djali ishte minoren, në një kohë që turqit osmanë kërcënonin seriozisht trojet e Arbërisë. Donika u largua së bashku me të birin, Gjonin për në Itali. Hordhitë osmane pushtuan gjithë kalatë e fortifikimet e Skënderbeut, duke vënë nën zgjedhën pushtuese gjithë trojet arbërore. Në këto kushte të pushtimit osman, ndodhi eksodi më i madh në historinë e popullit shqiptar të shekullit XV, duke marrë rrugët e arratisë në brigjet e përtej detit. Jehona e një kënge mërgimi ndihet ende edhe sot e kësaj dite në trevat bregdetare të Myzeqesë, megjithëse kanë kaluar mbi 6 shekuj.

Ikëm moj nëno, ikëm,
ikëm e morëm dhenë,
tek kisha e Shënkollit nëno,
atje hëngrëm drenë (drekën).
Ikëm me kaike nëno,
detit përmatanë,
morëm arratinë nëno,
lamë pas vatanë.
Na u këput shpirti nëno,
ikëm e po largojmë, 
atje përtej detit nëno, 
përballë po qendrojmë.
Pushtimet që ndoqën pas jetën e popullit tonë pas vdekjes së Skënderbeut, kanë lënë plagë të thella. Në vitin 1468, suita e Kastriotëve u vendos në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, mbreti i Napolit, i kishte dhuruar Skënderbeut që në vitin 1463, si kompesim i ndihmës së çmuar që Heroi shqiptar i dha atij dhe gjithë krishterimit evropian, duke ndalur për 25 vjet invazionin osman drejtë Europës. Po aq kohë luftoi dhe Napolon Bonaparti, por ndërsa Napoloni e mbylli karierën me disfatë, Skënderbeu e mbylli me vdekje natyrale. I biri i Skënderbeut, Gjon Kastrioti i Ri, u integrua në radhët e fisnikëve feudalë vendas, duke administruar pronat e tij dhe titullin e “Dukës së Shën Pjetrit të Galantinës” në Itali, dhuruar nga mbreti Ferdinand i Napolit. Gjoni i Ri u martua me Dukeshën, Erina Paleologu, ku lindën 5 fëmijë, 4 djem dhe 1 vajzë. Këta janë pasardhësit e Kastriotëve në Itali dhe pasardhës të drejtëpërdrejtë të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që së bashku dhe me shumë e shumë arbëreshë të tjerë, jetojnë prej disa brezash në tokën italiane si arbëreshë me origjinë shqiptare.