Albert Habazaj: Lufta e Vlorës-historia në epikën historike

1302
Sigal

Msc. Albert HABAZAJ, studiues i Etnologjisë dhe FolkLorit

Një këndvështrim i ri për epopenë e Njëzetës (29 maj-3 shator 1920)*

LUFTA E VLORËS – HISTORIA NË EPIKËN HISTORIKE

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Për ngjarjet e mëdha gjithmonë këndohen këngë, në çdo hapësirë, në çdo kohë, nga komunitetet përkatëse, që i ndjejnë bëmat, zakonisht si trashëgimi e lidhjeve gjenetike, historiko- gjeografike apo dhe shpirtërore – kombëtare që kanë me to. Epika Historike e Luftës së Vlorës, Folklori i Njëzetës është hipotekë e fitores së merituar. Lufta e Vlorës, 1920 është shkruar në historinë kombëtare dhe është përjetësuar në këngën e popullit. Lufta e Njëzetës (29 Maj – 3 Shtator 1920), zhvilluar në Vlorë dhe krahinat e saj, është ngjarje historike e rëndësisë kombëtare, vendimtare për kohën mbi fatin ekzistencial të trojeve shqiptare.

Shumë është shkruar për këtë ngjarje madhore të shqiptarëve nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Mendja e shpirti i prijësve dhe luftëtarëve popullorë u bë uragan lirie. Lufta e Vlorës na vjen me imazhin epik të Osman Haxhiut me “12 Komisione”, me ato firma të zjarrta lirie të kapedan Sali Vranishtit, Selam Musait, Kanan Mazes, Zigur Lelos, Sado Koshenës etj.

Në rrafshin historik, historiografia shqiptare e ka modelin e studiuesit për këtë ngjarje. Profesor Muin Çami njihet si historiani i Luftës Kombëtare të Vlorës. Edhe në rrafshin e epikës historike, folkloristika e ka modelin përkatës të Epopesë termopiliane. Profesor Qemal Haxhihasani njihet si folkloristi i Luftës Kombëtare të Vlorës. Ka shumë dokumente, fakte e imazhe në arkivat e shteteve të tjera, me të cilat studiuesit e huaj bëjnë kërkime e përpiqen të njohën më mirë e më thellë shumëçka lidhet me këtë ngjarje me jehonë e ndikim të dukshëm tek të tjerët për fatet e vendit. Do të veçoja ndër studiuesit e huaj për këndvështrimet e tyre të reja Serge Métais, Nikollas Kosta, Nicola Guy.

Në përmasa të zgjeruara, në vija të përgjithshme, edhe historia përshkruan faktin historik të ngjarjeve e personazheve të Luftës së Vlorës në rrafshin e historisë kombëtare. Historia i ka dhënë vendin e merituar kësaj lufte. Kënga na njeh dhe me llojet e armëve që u përdorën nga vullnetarët në LV, si dogra, martina, maliherë, mauzerë, “austriake”, “italiane”, deri dhe tek sëpatat e hanxharët, te dyfekët lidhur me gjalmë, me gunat përmbi telat me gjemba, etj., përballë prozhektorëve, gjyleve të topave dhe “balonave”, aeroplanëve luftarakë të pushtimit.

Pra, kënga sjell një lloj informacioni të veçantë për nga mënyra e pasqyrimit, rreth detajeve apo drejtuesve të Luftës së Vlorës: P.sh., “- Kush e tha fjalën e parë?/Osman Haxhiu qe djalë,… apo “Osmëni  njëzet vjeç djalë/ Bashkë me Sali Muranë,/ Me Halimin dipllomanë…” ose “Osman Haxhiu ka folë:/ – O djem, kush do vej’ në Vlorë ”, si dhe: “Në krye vunë Osmën – ë,/ Drejton maleve pa hënë…” apo një tjetër: “Kush e njih, kush e kish parë,/ Halim Xhelon, deli djalë?!…” . Një tjetër këngë na sjell një tablo informative më të plotë për drejtuesit e tjerë, të cilët do të organizonin komunitetet që u kishin besuar atyre drejtimin e zhvillimit të luftës në terren: “Maji më njëzet e nëntë,/ N’ Barçalla, në Mal të Shënjtë,/ Ngrenë plan populli vetë:/ “Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!/ Të desëm për Barçallanë!”/ Fshat më fshat kartat u ndanë,/ Vunë çet’e kumandarë:/ Salari Semam Musanë,/ Në Vranisht Sali Muranë,/ Në Tërbaç vunë Selmanë,/ Në Brataj-ë Memo Plaknë,/ Lepenic’ Ahmet Islamnë/ Dhe në Gjorm Selam Hasanë;/ Lapardha Alem Aganë./ Radhimë Bilbil Sinanë,/ Tragjas Zenel Ramadanë,/ Në Dukat Zykë Matanë!”. Një tjetër këngë e vjetër na njeh: “Në Velçë kush qe i pari?/ Hasan Hyso faqebardhi”.

Një vend të rëndësishëm në ciklin e këngëve të Njëzetës u kushtohet heroinave të fshatarësisë vlonjate, të cilat kryen akte të larta heroizmi jo vetëm si një prapavijë e fuqishme në mbështetje të luftëtarëve të lirisë, duke i furnizuar ata me ushqime dhe duke u mjekuar plagët, por edhe si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta me armë në dorë përkrah tyre. Mes tyre, përmenden zonjat e nderuara Sado Koshena, Rubi Hosi, Safe Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja. Në nderim të zonjës trime Sado Koshena, kësaj heroine sypatrembur që të kujton bashkatdhetaren e saj të shquar Shote Galica, poeti popullor anonim ka thurur vargjet e këngës epike të mëposhtme: “Sado moj, Sado Koshena,/ Jeshe rritur në Ravena,/  Keshje pirë ujë bore/ N’ato kullotat verore./  Mbi polkë veshe gjerdanë,…/ Hape zjarr mbi italianë,/ Se të zaptuan vatanë”.

Një vend të veçantë zënë figurat e shquara të kësaj lufte, që ngelën me dritëhije për një kohë të gjatë dhe ende nuk e kanë zënë vendin e merituar në histori, si Ahmet Lepenica, Qazim Koculi, Abdurrahmën Ali Çiraku, Toto Hosi e të tjerë oficerë të kompletuar që kishin formim ushtarak të plotë. Po citojmë 7 vargje të një kënge të vjetër, si gjithmonë, duke respektuar parimin fonetik që ka folklori: “Në fushë të Peshkëpisë/ Ra ballon i Italisë./ Këta djemtë e Shqipërisë/ Me manxerrët e Turqisë,/ E hodhë në shesh si mizë!/ – Aropllanin kush e shtiu?/ Trim’ Abdurramën Aliu!”

Ka prurje të këngëtarëve krijues e njëkohësisht luftëtarë të Njëzetës si Mato Hasani, Xhebro Gjika, Nase Beni etj. Ka edhe nga ata pasardhës të tyre si Maman Saliu, Sinan Mullahu etj., që e marrin frymëzimin burimor nga eposi i këngës Labe për luftën e Vlorës.

Cikli i Epikës Historike të Luftës së Vlorës të verës së vitit 1920, (EHLV) e ruan mirëfilltësinë e këngës, si bashkudhëtare me historinë e kësaj lufte, se është e shtrirë dhe e shkrirë deri në imtësi me LV, sipas parimeve specifike që ka, apo tek e fundit, respekton një raport të ngushtë kohor midis faktit historik dhe faktit folklorik, duke na dhënë një mozaik të pasur e të detajuar kronologjik, tematik, meteorologjik, religjonal (fetar), toponomastik, onomastik. Peshën kryesore në Luftën e Vlorës e mbajti Vlora dhe Tepelena, sepse, së pari, aty u zhvilluan luftimet, aty u shkrua historia, aty u këndua dhe kënga, që bëri jehonë e mori përkrahje anembanë Shqipërisë. Kënga popullore ve në dukje dhe lidhjen, bashkëpunimin, mbështetjen jo vetëm midis krahinave të afërta, si: Mallakastra, Kurveleshi, Gjirokastra, në krahë të fshatrave të Labërisë së Brendshme të Lumit të Vlorës e të Dukatit, të Tepelenës, të Himarës e të Treblovës, që mbajtën edhe peshën kryesore të luftës, por edhe deri në Skrapar, Berat, Durrës, Kolonjë, Sarandë, Myzeqe me Fier e Lushnjë, Elbasan, Krujë, Tiranë, Dëshnicë, Përmet e Korçë. Harta etnohistorike e pjesëmarrjes pasurohet me vullnetarë nga Shqipëria e Mesme dhe Shqipëria e Jugut dhe zgjerohet deri në Çamëri, duke zbukuruar atlasin folklorik, që na vjen nëpërmjet gurrës popullore: “Alush Taka me Muharremë/ Me djelt’ e vëndit skifterë/ Në ndihmë Vlorës i vanë,/ U shtruan në istikamë,/ Krahpërkrahë me Selamë,/ Lëftuan me breshkamanë:/ Llogora – Kanin’, Mavrovë,/ gjersa Italin’ e shporrrë”. Kënga është kënduar në Arpicë të Margëlliçit, që i përket krahinës etnografike të Çamërisë.

Lufta e Vlorës ka pasur dhe ka rëndësi aktuale, që kumbon në këtë 99 vjetor, sepse është ngjarje që ka hyrë në hipotekën e vërtetë historike, që na bën apel për ta shpallur 3 Shtatorin festë kombëtare, që kërkon angazhim, përgjegjësi e devotshmëri për ngritjen e Muzeut të Luftës së Vlorës, “Muzeun e Njëzetës”, sepse me kohë, intelektualët dhe veprimtarët atdhetarë, kanë diskutuar e rrahur mendimin se të paktën kaq e meriton qyteti i Flamurit. Ndoshta dhe mund të mos ekzistonte ky flamur ynë kombëtar pa këtë luftë kombëtare.

Historia e qytetit të Flamurit e meriton një muze për Luftën e Vlorës dhe Shpalljen e 3 shtatorit festë kombëtare.