Albert HABAZAJ*/ Fundit e dinejve të Çamërisë

1405
Sigal

RESMIE BEQIRI – PINJOLLJA E

Nga historia dimë, që krahas burrave të mëdhenj të Flamurit Kombëtar, Ismail Qemalit, Isa Boletinit e Luigj Gurakuqit me trima të mençur ka qenë po aq vigan edhe Rasih bej Dino. Edhe ata njerëz ishin, si gjithë të tjerët dhe fizikisht të vdekshëm. Është vepra në shërbim të dinjitetit dhe përparimit të Atdheut, që i bën ata të pavdekshëm, përjetësisht ikona nderimi ndër shqiptarë. Kam patur fatin e veçantë, që kam njohur mbesën e Rasih Dinos, fisniken e paharruar Resmie Muharrem Mane (Beqiri) dhe për mbi 35 vjet kam patur e ruaj miqësi familjare me çiftin ideal të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe ndershmërisë profesionale të Resmie e Skënder Beqirit, nga të cilët ke ç’mëson. Resmien, tani e tutje, nuk e kemi më. Na mungon fizikisht. Të gjithë jemi të ikshëm nga kjo jetë. Ajo qe zonjë. Në tërë kuptimin pozitiv të kësaj fjale. La emër, la respekt, la fëmijë, të mirë, të edukuar, shembullorë, la burrin, që do t’i përmbushë amanetin, si ai i përkushtuar. La një libër të përvëluar me mall e ëndrra lirie për Çamërinë, që dhe fryma i dhemb. Resmia ishte pinjollja e fundit e Dinejve të mëdhenj. Ajo lindi më 15 Maj 1935, në sarajet e Dinejve në Lops të Çamërisë. Mbylli sytë në Vlorë, të dielën e 7 Dhjetorit 2014, në 7 e 12 minuta të mëngjesit. Mëma e saj ishte Myrveti nga Dinejt, e bija e Safet bej Dinos, mbesë e Alizot Pashë Dinos, i cili njihej si luftëtar dhe atdhetar me kontribute konkrete. (Qe një nga shtatë pashallarët e kohës së Ali Pashë Tepelenës; ka qenë me suljotët dhe Ali Pashën. Dhe krushqitë i bënin brendapërbrenda, si gjirokastritët. Për të ruajtur pasurinë e kapitalin, për të mos prishur gjakun e fisin, në atë kohë, martohej kushëriri i parë me kushërirën e parë.) Skënder Beqiri rrëfen me lot të nxehtë në sytë që i xixëllojnë: Të paktën, nga sot, 250 vjet më parë, deri ku nga shkon me emër pema gjenealogjike, Dinejt e parë ishin tre vëllezër. Të tre banonin në Lops, në sarajet e tyre të njohura. Zenel Abedin Dino, babai i Abedin pashë Dinos me emër vajti në  Prevezë. Vëllai tjetër, gjyshi i Nuri Dinos dhe Mazar Dinos, u vendos në Paramithi. Në Lops, në sarajet e Dinejve, te guri i themelit, sipas traditës e zakonit të të parëve, qëndroi vëllai i vogël, Alizot pasha Dino . Atje lindi e la tre djem. Njëri, Mehmeti u vra në luftë kundër osmanëve, ndërsa Safet Bej Dinon, gjyshin e Resmies, babain e nënës, Myrvetit, e rrëmbyen në shtëpi pabesisht dhe e hodhën në lumin e Kalamajt (Thíamis). Safeti qe intelektual i formuar i kohës, personalitet me peshë, që i dëgjohej zëri, që truri, shpirti e zemra e tij rrihte për dituri e për Çamëri. Shovenët grekë i hodhën trupin pabesisht në lumë, por jo idealin, sepse ideali i tij kishte lidhur besë me kombin, me qytetërimin mbarëshqiptar, për ta bërë mëmën Çamëri Nuse Bregdeti në Mesdhe. Myrvetit dhe Muharrem Manes, prindërve të Resmies, u lindën 5 fëmijë, 3 djem e 2 vajza, (sipas radhës): Resmia, Haxhiu (vëllai i madh, pas Resmies), Ruiser (motra tjetër, emër gjerman), Rustemi e Safeti (në kujtim të emrit të gjyshit). Resmia kishte ardhur në Durrës, më 1944, kur të gjithë çamët u endën muhaxhirë e një pjesë e tyre u kthye në trungun amë, në Shqipëri, të diktuar e të përzënë nga terrori shovinist grek. Rezistuan sa rezistuan, por s’mund të mbaheshin më 8 milionë egërsira me 25 mijë njerëz të pafajshëm, të pambrojtur. Për t’i shpëtuar masakrave dhe shfarosjes masive, rifilloi shpërngulja biblike e pupullsisë came. Katër a pesë mijë çamë u vranë rrugës. Të  tjerët, që mbijetuan, gjetën strehë ca në Sarandë, ca në Vlorë, ca në Fier, ca në Durrës, Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, etj. Skënderi u vendos në Vlorë, një muaj pas çlirimit të qytetit, më nëntor 1943. Babai i tij, Damin Beqiri e ka shkruar historinë e tij me nder, qysh më Trembëdhejtën, në Janinë, krahas luftëtarëve të tjerë shqiptarë. Damini qe nacionalist idealist, anëtar i Këshillit Kombëtar për Bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Duke shfletuar edhe nëpër faqet e Historisë së Çamërisë, vërejmë se vëllezërit Dino kanë qenë njerëz me infuncë dhe, më tej, lexojmë këtë paragraf : “Edhe pse Marrëveshja e Mukjes (gusht 1943) ishte denoncuar nga PKSH në mënyrë të njëanshme, nacionalistët çamë i referoheshin asaj si e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare. Për këtë ata bënë disa herë thirrje për të shmangur luftën vëllavrasëse dhe për bashkimin e të gjitha forcave për mbrojtjen e çështjes kombëtare, në këtë kuadër dhe atë të Çamërisë. Në një letër që Nuri Dino i dërgonte më 21 shkurt 1944 Sh. Peçit,konstatonte se në Greqi po bëheshin përpjekje për bashkimin e dy forcave kryesore politike të EAM-it dhe EDES-it me synimin që “grekët të shkatërrojnë Shqipërinë edhe nën maskën komuniste…”. Dhe më tej shkruan se “mjaft gjak shqiptari vaditi tokën tonë, mjaft larg u dëgjua afshi i popullit tonë për liri dhe kjo mjafton për të nesërmen, por e nesërmja duhet të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë”. Thelbin e kësaj letre e përbënte kërkesa këmbëngulëse për bashkim “për hir të gjakut që na bashkon dhe të zakonit që s’mund të na ndajë”. Ai kërkonte mendimin për bazat e bashkimit, por me “kusht që të mos preken parimet tona dhe karakteri kombëtar”. Mbas çlirimit, Skënderi u rrit dhe u edukua kombëtarisht nëpër aksionet e rindërtimit të Atdheut, nëpër hekurudhat e para, për hapjen e rrugëve të reja në malësitë shqiptare të Veriut, mbaroi dhe shkollën e mesme teknike (Teknikumin e Ndërtimit, si quhej atëherë, që u hap në Shijak). Bashkë me prof. Ibrahim Zejnon etj., gjithë kohës, ka marrë pjesë në aksionet e rinisë, ndërsa, më tej, për 40 vjet është marrë me fotografinë. Skënder Beqiri dhe fotografia në Vlorë u bënë simonime të njëri- tjetrit. Ai njihet si kryemjeshtri i fotografisë në qytet. Nga ana tjetër, Resmia rritej e zbukurohej me dinjitet. Mbaroi shkollën e mesme “Ali Demi”, gjimnazit të mbarënjohur shqiptarisht, që mban emrin e heroit çam, me të cilin ajo krenohej se e kishte patriot, bashkëkrahinar, që gjakun i fali lirisë si lule ylli. Ajo punoi me korrektesë qytetare dhe ndershmëri profesionale në institucione të ndryshme të Vlorës. Skënderi u fejua me Resmien në vitin 1953 dhe, një vit më vonW, në Vlorë, në korrik 1954 u martua e lidhi jetë me pinjollen e vetme të fisit të madh shqiptar të Dinejve në Vlorë.  Shembullorë në familje në fis, në mëhallë, në lagje, në qytet. Një jetë të tërë – model i pastër i familjes tradicionale shqiptare. U lindën 3 fëmijë, 2 vajza e 1 djalë…. Vazhdimisht, unë kam shkruar e kam botuar në gazetën “TELEGRAF” shkrime për Çështjen Çame dhe etnokulturën e Çamërisë; kam shkruar e botuar edhe për veprimtarinë e dalluar atdhetare të Skënderit dhe të zonjës Resmie, dritë bëftë atje ku prehet. Resmia ka botuar edhe një libër me mall e dhembje, titulluar “Lot i brengosur”. Edhe për të kam shkruar një artikull. Ajo e la frymën në moshën e bardhë 80 vjeçare, se e bardhë qe, si bora e malit që shndrit nga dielli i kthjellët qiellor. E la frymën mbi një fletore të shtrenjtë, me kujtimet e jetës së saj, me fjalët e nënës dhe të babës, me rrëfimet e gjyshes dhe të të parëve të saj, që kanë ardhur gojë më gojë nga kujtesa familjare e memoria sociale, ku ajo u rrit e u edukua si pinjolle e një fisi emërmadh në historinë e Çamërisë e të mbarë shqiptarisë. Vetë ia vuri emrinasaj fletoreje të madhe: “Çamëri, lot’ i brengosur”….

*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

   Universiteti”Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.