Albana Mylushi Lifschin/ Kishte lënë takim me të dashurën, ish-shefi i CIA-s Dalles refuzoi takimin me Leninin

770
Sigal

Një incident famoz nga Shërbimi Inteligjent Amerikan (CIA) më 11 prill 1917. Lenini do i konfirmonte

Allen Dalles (Allen Dulles) Drejtori i CIA-s, gjatë presidencës së Ajzenhauerit, duke u theksuar oficerëve të rinj të Shërbimit Inteligjent Amerikan se asnjë informacion sado i parëndësishëm në dukje, nuk duhet nënvleftësuar, u sillte për ilustrim një episod nga jeta e tij si diplomat gjatë Luftës se Parë Botërore, që mbeti si incident famoz në analet e CIA-s amerikane, për faktin se, kishte të bënte me Vladimir Iliç Leninin.

Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Allen Dalles kishte filluar punën si diplomat i ri në Ambasadën Amerikane në Bern, Zvicër. Atë kohë udhëheqësi bolshevik, V.I. Lenini (i mërguar në Zvicër) kishte vendosur një lidhje të ndërmjetme me Presidentin Uillson, nëpërmjet konsullit amerikan në Zurih, të cilit i jepte informacione që i vinin nga miqtë e tij brenda në Rusi. Këto informacione shiheshin me rezervë nga amerikanët e më shumë nuk i dërgoheshin presidentit Uillson se sa i dërgoheshin, pasi Leninit si i “kuq” që ishte, nuk mund t’i besohej. Për më tepër, V.I.Lenini i jepte informacionet e tij nëpërmjet konsullit McNally, i cili vetë për shkak të martesës të së bijës me një gjerman, shihej me dyshim e madje bëheshin plane për ta kthyer në Amerikë. Në pasditen e 11 Prillit, 1917, kur shumica e personelit kishte mbaruar punën për atë ditë, në zyre bie telefoni dhe Allen Dallesi ngre receptorin. Një zë i huaj me një theks të rëndë gjerman i tha se ishte Vladimir Iliç Lenini. Folësi ndihej i emocionuar. I shpjegoi se do të ndodhej atë pasdite aty, pasi duhej të bisedonte (patjetër !) për një çështje të rëndësishme. Allen Dallesi, diplomati i ri dhe i pashëm, që atë mbrëmje kishte lënë takim me një vajzë, i tha se atë kohë kur Lenini do të mbërrinte, zyra do qe mbyllur, prandaj do të ishte më mirë të vinte të nesërmen në mëngjes, rreth orës 10:00 kur të fillonte puna. “Nesër, do të jetë shumë vonë. Unë duhet të vij sonte. Duhet të bisedoj sonte, patjetër,… me dikë…” shpjegonte zëri me një ankth që po rritej.
Ndërkohë, diplomati i ri Dalles mendonte: E ç’ lajm, mund të qe ai që nuk priste deri nesër? Që Cari ra dhe pushtetin po e merrnin revolucionarët ruse? Këtë e kishin të gjitha gazetat! E ç’ rëndësi kishte se kush e merrte pushtetin, kur shtetet e tyre ishin ende aleatë në luftën kundër gjermaneve? Çfarë influence kishte ky njeri në Rusi, kur i mërguar në Zvicër siç ishte, kishte ngecur aty e nuk kishte mundësi as të kthehej në vendin e vet?
“Më vjen keq, por duhet të vish nesër, në ora 10:00, kur të hapen zyrat”, u përgjigj përfundimisht i vendosur diplomati i ri dhe mbylli telefonin.
Të nesërmen ora 10:00, në mëngjes, Lenini e kishte lënë Zvicrën dhe po hynte në kufirin rus, i ndihmuar nga vetë gjermanët të cilët ishin të interesuar që Rusia të pushonte luftën. Lenini arriti në Petrograd në 17 prill 1917 dhe menjëherë urdhëroi të fillonin bisedimet e paqes me Gjermaninë. Ky ishte informacioni i jashtëzakonshëm që udhëheqësi rus kishte vendosur t’ia transmetonte presidentit Uillson, të cilin ndodhi që ai e admironte.
Allen Dallesi e kishte injoruar takimin me Leninin për shkak të takimit me një vajzë.(Marre nga libri i autores “Udhëtim në historinë e Amerikës, botuar ne 2003, ribotuar ne 2006 dhe 2012)

Allen Dallas

  Allen Dallas (7 prill 1973-29 janar 1969) ishte një diplomat amerikan dhe jurist, i cili u bë drejtori i parë civil i CIA-s. Si kreu i CIA-s gjatë fillimit të Luftës së Ftohtë, ai drejtoi disa nga operacionet më të mëdha jashtë Shba. Ai lindi në Uotertoun, Nju Jork. Familja e tij ishte një nga më të famshmet në Amerikë. Vëllai i tij, Xhon Dallas ishte Sekretari i Shtetit në kohën e Presidentit Duajt Ajzenhauer, motra e tij ishte diplomate. Gjyshi i tij nga nëna ishte Sekretari i Shtetit në kohën e Presidentit Benxhamin Harison. Ndërkohë që, xhaxhai i tij, Robert Lansing shërbeu si Sekretari i Shtetit në kohën e Presidentit Uudrou Uilson. Alen Dallas u diplomua në Universitetin Prinston dhe hyri në shërbimin diplomatik në vitin 1916. Karrierën e tij e nisi në Vjenë, ndërsa më pas u transferua në Zvicër së bashku edhe me personelin tjetër të ambasadës pas hyrjes së SHBA-ve në Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1926 ai u diplomua për jurist në Universitetin “Xhorxh Uashington”.  Ai u bë drejtori i Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme në vitin 1927. Në fund të viteve 1920 dhe në fillim të viteve 1930 ai ishte një këshilltar ligjor i delegacionit amerikan në Ligën e Kombeve. Këtu ai pati mundësinë të takonte Adolf Hitlerin, Benito Musolinin, Maksim Livtinovin, si dhe liderit e Francës e Anglisë. Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Dallas nisi të punojë për Zyrën e Shërbimeve Strategjike, të njohur si OSS, dhe u zhvendos në Bernë të Zvicrës, ku ai jetoi gjatë gjithë kohës së Luftës së Dytë Botërore, ku u fokusua në mbledhjen e informacioneve të Gjermanisë Naziste. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1951 ai u emërua nëndrejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, e njohur shkurt me emrin CIA, ndërsa në vitin 1952 Presidenti amerikan Duat Ajzenahuer e emëroi atë Drejtor të CIA-s. Alen Dalalce dhe CIA e tij ndihmuan në regjimet antipopullore dhe të korruptuara në Iran dhe Guatemalë. Dallas dhe stafi i tij dha dorëheqjen në vitin 1961, pas një incidenti në çështjen “Gjiri i Derrave” në kohën e Presidentit Xhon Kenedi. Pas largimit si kreu i CIA-s, Dallas publikoi dy libra tepër të shitur në lidhje me spiunazhin: “Fuqia e inteligjencës” (1963) dhe “Histori të mëdha të vërteta spiunazhi” (1968). Dallas vdiq, më 29 janar 1969 në moshën 75-vjeçare nga një komplikim në mushkëri, në Xhorxhtaun të Uashingtonit.