Aktorët e Vlorës, të pakënaqur me jurinë e Festivalit

1452
Sigal

Nga Ergys Alushi

Edhe pse u paraqitën me dy shfaqje të ndryshme në dy Festivale të ndryshme, trupa e teatrit të Vlorës nuk u vlerësua me asnjë çmim nga dy juritë respektive.

Trupa e teatrit dramatik të Vlorës, 55 vjet nga pjesëmarrja për herë të parë në Festivalin e parë Kombëtar të Teatrove, kthehet pa asnjë çmim nga Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove i zhvilluar në Tiranë, nga data data 23 shtator deri 30 shtator. Në 11 çmimet e dhëna nga juria, asnjë çmim nuk ka shkuar për teatrin e Vlorës. Në Festivalin e parë kombëtar të Teatrove, në vitin e largët 1964, trupa e teatrit të Vlorës, që kishte vetëm 2 vjet që ishte krijuar do të vlerësohej me çmim të tretë, për interpretimin me nivel të dramës “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës e regji të Nazmi Bunjakut. Situata rëndohet edhe më tepër, kur edhe në Festivalin Koko Fest të zhvilluar në Korçë 10 ditë më parë, përsëri Teatri i Vlorës nuk është vlerësuar me asnjë çmim, me përjashtim të një aktori jo protagonist. Asnjë çmim në dy Takime kombëtare rresht. Ndërkohë që në të dy Festivalet e zhvilluara, Teatri i Vlorës, është paraqitur në konkurrim me dy shfaqje të ndryshme, tregues ky i punës që bëhet në këtë teatër, ndryshe nga teatro të tjerë. Aktorë të mirënjohur jo vetëm në teatrin e Vlorës, por edhe në nivel kombëtar si Jorgaq Tushe e Artan Islami, kishin role kryesor në të dyja shfaqjet që trupa e teatrit të Vlorës dha në Korçë e në Tiranë. Edhe pse nuk ka pasur asnjë reagim publik, qoftë nga drejtori i teatrit apo i ndonjë aktori, mësohet se aktorët e Vlorës kanë qenë të pakënaqur me mënyrën e vlerësimit të jurisë, e cila sipas tyre nuk ka qenë objektive dhe serioze në çmimet e dhëna. Në një takim të zhvilluar pas kthimit në Vlorë, aktorët e teatrit janë mbledhur për të diskutuar për problematikën e krijuar si pasojë e mosmarrjes së asnjë çmimi, ku sipas tyre ishte bërë një punë serioze për përgatitjen e të dy shfaqjeve. Në këtë takim, aktorët sollën në vëmendje pritjen e mirë që i bëri publiku i kryeqytetit por edhe specialistë të artit shfaqjes “Senatori Fox” me regji të Roland Mingës, por që çuditërisht nuk u vlerësua më asnjë çmim nga juria. Kënaqësia më e madhe për një aktor, vlerësimi për punën e djersën, është marrja e një çmimi. Aktorët e Vlorës presin një opinion të jurisë së Festivalit të Tiranës se përse nuk u vlerësuan me asnjë çmim, ndërkohë që janë të bindur që shfaqja e tyre ishte e një niveli të kënaqshëm artistik dhe u përshëndet me fjalë të mira nga shumë artdashës e kritik të artit.

Kur është krijuar teatri i Vlorës

(marrë nga gazeta “Drita” -14 korrik 1963)

Teatri i Vlorës është krijuar më 27 nëntor të vitit 1962, ku në mbrëmjen e datës 27 nëntor në Vlorë, në sallën e kinoteatrit “7 Nëntori”teatri i porsakrijuar profesionist i Vlorës, bashkë me amatorët më të zgjedhur të rrethit, shpallën për herë të parë siparin me veprimtarinë muziko-letrare “O flamur gjak, o flamur shkabë”.Ishte shfaqja e parë që do të shtronte përpara sfida të mëdha në vendosjen në skenë të veprave të shumta. Emrat e parë të trupës së teatrit janë Vangjel Panozaqi, Liza Laska, Astrit Hasho, Pirro Sava, Myqerem Fera, Vasillaq Godo, Ali Roshi, Vasil Qesari, dudi Hasho e të tjerë emra. Në vitet në vazhdim, teatri i Vlorës fitoi përvojën dhe respektin e spektatorëve, u shtua me emra të rinj e të merituar si Albert Verria, Adem Gjyzeli, Resmie Ruci, Agim Shuke, Bujar Asqeriu, Hatixhe Bendo, Jorgaq Tushe, Afërdita Tushe, Astrit Mamaj, Vladimir Abilaliaj, Artan Islami etj. Në numrin e datës 14 korrik 1964, gazeta “Drita” do të shkruante ndër të tjera: “Teatri profesionist i Vlorës është një nga grupet më të reja të vendit, akoma s’ka mbushur moshën një vjeçare. Bërthama e tij përbëhet nga disa aktorë me përvojë skenike, ndërsa shumica dërrmuese e të tjerëve, janë aktorë të rinj, ish punëtorë, nxënës, arsimtarë ose nëpunës që e dashuronin artin dramatik e që me guxim u ngjitën në skenën e teatrit për të mëshiruar heronjtë e veprave dramatike. Provat e para në skenë ata i dhanë me dramën “Fundosja e skuadrës”, në të cilën aktorët kaluan para një prove me të vërtet serioze……”