Akti heroik i Bajram Tushit dhe 3 Heronjve të tjerë të Topanasë do të kujtohet përjetësisht nga kombi

1161
Sigal

Nga Mustafa Koçerri

( Me rastin e 76-vjetorin të rënies)

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, më 7 prill 1939 si për të gjithë Shqiptarët edhe nga banorët e Vërmikut të Kurveleshit, jo vetëm nuk u prit mirë, por krahas shtimit të urrejtjes ndaj pushtuesit filluan të merrnin edhe masat e para si për të qenë më të informuar për gjendjen në vend e më pas për t’u organizuar e dhënë ata kontributin e tyre për rezistencë e luftë të armatosur ndaj pushtuesit. Në këto aktivitete u përfshinë, jo vetëm vërmikasit që banonin në fshat, por edhe ata që ishin me banim në qytetin e Vlorës e vendeve të tjera. Ja si e ka përshkruar Vërmikun njëri nga aktivistët më të mëdhenj, jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe në të gjithë vendin me pjesëmarrjen e tij aktive në Lëvizjen dhe Luftën Nacionale Çlirimtare, Rapo Dervishi: Edhe Vërmiku me 85 shtëpi si shqiponjë, si sokol heroik mbi malet e lartë, ishte si vëllezërit; Kuç, Bolenë, Salari, Picar, Progonat, Golem, Kapariel e të tjerë, kalaja e përjetshme e pamposhtur, nderi i Labërisë, simbol i lirisë, trimërisë, bujarisë, bukurisë. Midis shumë të rinjve që ishin aktivistë e pjesëmarrës në Lëvizjen NÇL ishte edhe djaloshi Vërmikas Bajram Tushi. Që në vitet e para në shkollën fillore te Bajrami spikatnin disa cilësi të rralla; si shkathtësia, zgjuarsia, mprehtësia, dëshira për të mësuar e për të dëgjuar më të mëdhenjtë. Ai rrjedh nga një familje atdhetare dhe patriote, e cila mbas shpërnguljes nga Vërmiku në Qytetin e Vlorës aktiviteti i saj bëhet edhe më e madhe, duke filluar që me pjesëmarrjen në Luftën e 1920-s dhe deri në çlirimin e vendit. Në vitin 1936 Bajram Tushi fillon shkollën tregtare në Vlorë. Në këtë shkollë ai njihet dhe lidhet me shokë të tjerë që ishin përfshirë në aktivitet revolucionar kundër fashistëve italianë. Me gjithë se në moshë të re ai do të ishte për krah shokëve të tij në shumë aktivitete të organizuara nga Partia Komuniste Shqiptare, duke u bërë kështu një nga aktivistët më të mirë të Lëvizjes në qytetin e Vlorës. Veprimtaria e tij konkrete do të binte në sy të pushtuesve italianë e bashkëpunëtorëve të tyre. Më 23 maj 1942 në afërsi të Vlorës organizohet mbledhja e rinisë komuniste të Vlorës, ku Bajrami zgjidhet zëvendës sekretar i qarkorit të rinisë për Vlorën.

Aktiviteti i grupit ku bënte pjesë Bajrami së bashku me shokët Hiqmet Buzi, Hajredin Bylyshi dhe Mumin Selami bie në sy të fashistëve italianë, të cilët të ndihmuar nga spiunët që kishin në qytetin e Vlorës dhe kështu vihen nën vëzhgim, jo vetëm 4 të rinjtë komunistë, por edhe shtëpitë e tyre. “Më 17 tetor 1942 në orën 9 të mëngjesit,- tregon Rapo Dervishi,- u mblodhëm me katër shokët dhe biseduam për gjendjen politike në tërësi brenda e jashtë si edhe për detyrat tona.” Ata do të shkonin në krahina si kuadro rinie me përgjegjësi… Zotimin që morën e zbatuan më së miri, pas disa orëve Halla Dudi Haremi na dha drekë, kënduan me avash këngë labe për Halimin, Avniun, Qemalin, Përlatin e të tjerë. Rreth orës 2 m’u desh të ikja, por shokët me thanë të rrija me ta deri të nesërmen, në qoftë se nuk kisha ndonjë punë. Në orën 7 të mbrëmjes Rapo Dervishit i vjen një letër nga Liri Gega e Hysni Kapo, me të cilën e kërkonin që në orën 9 të mbrëmjes të ishte në shtëpinë e Manush Myftiut. “U ndava nga shokët nëpër erëmirë për të shkuar në shtëpinë ku do të bëhej mbledhja. Kur ishin duke zhvilluar mbledhjen e Komitetit Qarkor rreth orës 24 e 30 të natës dëgjohen krisma dhe të shtëna pushkësh dhe bomba” Më vonë Rapo Dervishi me shokët që bënin mbledhje marrin vesh për ngjarjen e rëndë që kish ndodhur: Ishin vrarë 4 të rinjtë. Natën e 18 tetorit 1942 fashistët italianë rrethuan 4 të rinjtë në shtëpinë e Murat Bratit në lagjen e Topanasë. Ja si e ka përshkruar Rapo Dervishi këtë moment: “Shokët u rrethuan në befasi nga qindra fashistë, por si shqiponjat një sy e kishin hapur. “Dorëzohuni!” u bënë thirrje fashistët e tradhtarët, “Jeni të rinj gëzoheni jetën!” Ata u bënë Luanë e iu përgjigjën: “Kurrë nuk dorëzohen komunistët! Bombat e tyre u bënë topa, koburet si mitraloza, shtrinë shumë armiq si qen dhe vetë ranë heroikisht. Këtë dhimbje të jashtëzakonshme për vdekjen e 4 të rinjve të parat ishin disa nëna vlonjate që shkuan në vendin e ngjarjes, porsa zbardhi drita me lot dhe vaje shprehën dhimbjen për 4 djemtë e vrarë. Mamudia, mamaja e gruas së Ismail Tushit (vëllait të Bajramit) ka treguar se trupat e tyre ishin bërë copë copë në mënyrë të veçantë ai i Bajramit dhe djaloshit tjetër të vogël, Hiqmet Buzit 15-vjeçar, të cilëve u ishin shkaktuar edhe organet e brendshme. Këto nëna të mrekullueshme i kishin mbledhur me duart e tyre pjesët e mbetura të trupit në rrethimin me gardh të shtëpisë duke i rregulluar trupat e 4 heronjve. Bajram Tushi, edhe pse i ati tij Qamili i kishte kërkuar që ta çonte për studime në Itali, në mënyrë që ai të shkëputeshe nga përfshirja dhe pjesëmarrja në Lëvizjen NÇL, ai nuk kishte pranuar kërkesën e babait, por ishte i vendosur me shokët e tjerë ta çonin deri në fund rrugën e nisur duke mos marrë parasysh rrezikun që iu kanosej. Pas varrimit të 4 të rinjve që u përcollën me një pjesëmarrje të madhe nga populli i Vlorës, njësitet guerile të qytetit ndërmorën një aksion të rrufeshëm duke i goditur fashistët italianë qysh atë ditë në orën 13.00. Në aksion morën pjesë; Babaçia, Arifi, Hitua dhe unë, ka rrëfyer Rapo Dervishi. Falë ndihmës të disa familjeve dhe nënave vlonjate u bë e mundur që Rapo Dervishi, i cili në këtë aksion u plagos në këmbë, të mund të strehohej, t’i jepej ndihma e parë duke e mjekuar e duke shpëtuar jetën. Pas këtij sulmi rrethimi dhe bastisja u shtuan, kontrollet dhe terrori mbi qytetin e Vlorës u bënë më të shpeshtë, por më kot se njësitet guerile në qytet i kishin lidhjet kaq të fuqishme e të sigurta saqë fashistët italianë nuk mundën t’i kapnin dot.

Disa mendime të doktor Memo Boçit për familjen e Qamil Tushit

Familja e Qamil Tushit meriton fjalët më të mira. Ajo është ndër familjet e pakta që i ka dhënë Luftës NÇL kaq shumë, duke dhënë edhe gjakun e djalit të tyre Bajram Tushi, i cili mban titullin më të lartë të të rënëve ne Luftë atë të Heroit të Popullit. Gjatë periudhës që Bajrami aktivizohej në Lëvizjen NÇL Babai i tij Qamili e shikon një ditë të lodhur e të mërzitur dhe i thotë të birit: “Ç’hall ke, nëse të duhen para, qoftë edhe flori më thuaj.” Dhe Bajrami i përgjigjet: “Jo nuk më duhen para.” Më tej Qamil Tushi i thotë: “Nëse duhet të japësh gjak edhe gjakun jepe.” Shprehja e Babait të Bajramit që i thotë djalit të tij “jepe edhe gjakun, nëse duhet për atdheun”, tregon për ndjenjën e lartë patriotike dhe atdhetare të kësaj familjeje që kontribuoi maksimalisht, deri edhe me jetën e djalit të tyre, që atdheu të çlirohet. “Jo vetëm unë, por edhe banorët e lagjes “Lirimi” kanë pasur dhe kanë marrëdhënie të mira me këtë familje. Pas çlirimit unë kam shkuar në shtëpinë e Qamil Tushit sepse i bëja gjilpëra për një javë rresht kur ai ishte i sëmurë. Po kështu kam ndihmuar një mbesë dhe një vëlla të Nevros (nëna e Bajram Tushit) duke i vizituar dhe duke i shkuar në spitalin e Vlorës për arsye shëndetësore”, përfundon Doktor Memo Boçi. Familjeve e 4 heronjve të Topanasë janë vlerësuar dhe nderuar me titullin më të lartë, atë të Heroit të Popullit nga shteti fill pas çlirimit. Në një vizitë në familjen e të vëllait të Bajramit, Ismail Tushit e shoqja, Myzejeni më ka treguar, se një vit kishin shkuar me pushime në Llogara dhe nga mesdita shikojmë Enver Hoxhën dhe Hysni Kapon, të cilët po shëtisnin në këtë park të bukur, Hysni Kapo pasi i shikon shkëputet dhe i takon duke i pyetur të cilës familje jeni. Hysni pasi mëson se ishin nga familja e Bajram Tushit nga Vërmiku, i thotë Enverit, janë të familjes së Barjam Tushit. Enveri duke i takuar u thotë: “Hakun e morëm, spiunin e vramë “, veprim ky që tregon për kujdesin dhe interesimin që kishte udhëheqja e shtetit për dëshmorët dhe heronjtë e vendit. Familja patriote e Qamil Tushit kishte edhe fëmijë të tjerë, por vrasja nga fashistët italianë e djalit të tyre Bajramit kishte bërë që për të dy prindërit dhimbja të ishte e madhe dhe t’i shoqëronte deri sa ata rrojtën. Myzejeni, nusja e vëllait të Bajramit ka treguar, se nëna Bajramit, Nevrua para se të vdiste në ditët e fundit të jetës, nga brenga që kishte për ikjen e djalit të saj dhe vëllait tonë në moshë të re, na ka porositur: “po ju lë amanet, mos ma harroni djalin, ma kujtoni”. Amanet ky, që jo vetëm nga familja Tushi nuk është harruar e nuk do të harrohet, por edhe nga gjithë shqiptarët patriotë gjaku i dëshmorëve nuk do të harrohet, ai do të nderohet e respektohet në jete të jetëve. Ne Vërmikasit krenohemi me kontributin e dhëne nga Bajram Tushi, me aktin heroik të tij që ashtu si shumë djem e vajza te rinj dhanë jetën në lulen e rinisë për çlirimin e atdheut tonë. Në shkrimet për dëshmorët dhe heronjtë tanë ka edhe përsëritje të ngjarjeve dhe fakteve, por gjithsesi kujtimi i tyre në përvjetorët e rënies e në ditë festash, si ajo e Çlirimit është një detyrim moral, jo vetëm për të mos i harruar, por për t’i përjetësuar e ngritur më lart veprën e tyre.