Aksidenti me makinën e ambasadës, si u përmbysëm në kanal

985
Leonard VEIZI

Rrëfimi i Idris Shehit, ish-kuadër i lartë i shërbimit Diplomatik Shqiptar

(Vijon nga numri i kaluar)
Ai thotë se sa është gjallë njeriu, mbart me vete gjithë përvojën e tij jetësore. Por, hera-herës, sidomos kur është në moshë të thyer, ai ka dëshirë që t’i rikthehet, për të parë e kujtuar ato që ka të ruajtur në arkivin e tij. Idris Shehi thotë gjithashtu se, shënimet që ai ka mbajtur kur ka qenë në Moskë e më pas në Bukuresht janë shkruar këtu e 25-vite më parë, por për shumë kohë ai i ka braktisur ato në një cep të bibliotekës së tij. Por një ditë, kur vitet kishin kaluar, papritur ai u bë nostalgjik duke ndjerë keqardhje për to. Thotë se, gërmoi në bibliotekë, i gjeti dhe filloi t’i lexonte. Kaq është dashur që ai të shkojë edhe një herë vite pas, atëherë, kur nga shteti iu ngarkuan misione të rëndësishme. Por jo vetëm kaq. Nostalgjia për të kaluarën dhe vendet ku ai kishte shërbyer si oficer zbulues nën petkun e një diplomati, i kanë kaluar para sysh, për ta rikthyer edhe një herë në ato vite. Nuk është dashur shumë, që ai të merrte vendimin për t’i botuar të gjitha kujtimet e tij në një triptik të titulluar: “Dritëhijet e një zbuluesi”, libër që ka dalë në treg vetëm dy ditë më parë.
Idris Shehi, një ish- ushtarak i lartë i Ministrisë së Brendshme dhe diplomat karriere, rrëfen për gazetën “Telegraf” misionin e tij në Bukuresht dhe 5 vitet e shërbimit të tij në godinën e ambasadës shqiptare si Sekretar i Parë i saj.

Pas Moskës në cilin vend do të ishte detyra juaj e re diplomatike?
Para se të emërohesha në ambasadën tonë në Rumani, kryeja detyrën e kryetarit të degës së Zbulim-Kundërzbulimit në Ministrisë e Brendshme. Për çudi në këtë kohë, pra nga mesi i muajt korrik 1977, më njoftuan se më kërkonte ministri i Brendshëm, shoku Kadri Hazbiu. Me një ndjenjë qetësie dhe dëshire u futa në zyrën e ministrit, atë ditë të nxehtë korriku, pasi u paraqita ai më ftoi, të ulesha në një karrige pranë tavolinës së madhe të punës së tij. Erdhi dhe u ul dhe ai pranë meje dhe më tha: “Kemi menduar të të lëvizim dhe të të emërojmë në një detyrë të re. Sekretar i Parë në ambasadën tonë në Bukuresht. Ju keni përvojën e Moskës, njihni gjuhën ruse dhe angleze… Si mendoni?” U ndodha krejt i befasuar dhe nuk e prisja një lajm të tillë, megjithatë thashë: “Jam në shërbim të atdheut dhe pranoj të punoj ku të më caktojnë”.

Edhe këtë herë u nisët në mënyrë urgjente?
Jo, këtë herë nuk ishte e nevojshme. Por, Kadri Hazbiu më tha se para se të nisesha do të bëja një kurs dy mujor, ku do të studioja veç të tjerave materialet të zgjeruara, që lidheshin me Rumaninë, politikën që ndiqte ajo në atë kohë, marrëdhëniet midis dy vendeve tona si dhe materiale të tjera të fushës diplomatike. Ky kurs do të realizohej nga Ministria e Jashtme. 

Kur e morët detyrën?
Më 25 shtator 1977 nisem për në Bukuresht. Me vete kisha shoqen time të pandarë Fizen, si dhe mbesën e vogël Xhoanën. Në aeroport, na priti ambasadori ynë në Bukuresht, Nasip Kaçi, që në atë kohë nuk ishte më shumë se 40-vjeç. Ambasada jonë ndodhej afër qendrës së Bukureshtit, në një vilë shumë të bukur tri katëshe. Me rastin e ardhjes sime në ambasadë ishte organizuar një pritje e veçantë, ku ishte i pranishëm i gjithë personeli diplomatik i vendit tonë i akredituar në Rumani. Personeli i ambasadës sonë përbëhej nga 11 veta. Të gjithë ishin njerëz të përzgjedhur e të përkushtuar në detyrë. 

Cilat ishin detyrat e Sekretarit të Parë të ambasadës?
Detyrat e Sekretarit të Parë ishin të shumta, ku përfshiheshin si ato me karakter të mirëfilltë diplomatik, takime dhe bisedime me funksionarë të lartë të Ministrisë së Jashtme dhe homologët tanë në ambasadat e tjera në Bukuresht, përmes të cilave parësorja ishte mbajtja dhe forcimi i marrëdhënieve të vendit tonë me vendet e tjera, sidomos me ato vende që akordoheshin me politikën tonë, njohja evidentimi dhe kujdesi i vazhdueshëm për koloninë shqiptare që jetonte në Rumani, ndjekja e detyrave të konsullit që lidhej më shumë me procedurën e dhënies së vizave në vendin tonë. 

Sa ishte numri i komunitetit Shqiptar që jetonte në Rumani?
Në ato vite në Rumani jetonte një komunitet i madh shqiptarësh, i cili nga statistikat jo shumë të sakta që ishin cilësoheshin, mbi 2000 familje. Shumë shpejt arrita të kuptoj, se një pjesë e mirë e shqiptarëve ishte integruar më së miri në jetën politike, shoqërore dhe kulturore të vendit. Nga ana jonë ambasada merrte takime të rregullta me ta dhe bënte ftesa në rastet e festave zyrtare. Këto ishin takime të mrekullueshme e mjaft mbresëlënëse të mbushura plot me mall e dashuri, respekt e ekzaltime patriotike.

Ku jetonin familjet shqiptare në Rumani?
Familjet shqiptare, kryesisht ishin përqendruar në Bukuresht dhe rrethinat e tij, por dhe në qytete dhe zona të tjera të Rumanisë. Natyrisht pjesën dërmuese e zinin shqiptarët e emigruar gjatë viteve 1920-1930, ndërsa kishte dhe një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që kishin emigruar që në shekullin XIX, por që një pjesë e tyre ishin rumanizuar dhe kishin harruar gjuhën shqipe. Përgjithësisht komuniteti shqiptar që jetonte në Rumani ishte shpërngulur nga rrethi i Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës, por kishte jo pak dhe nga rrethet e tjera të Shqipërisë

A mbani mend ndonjë çast të vështirë nga jeta në Rumani?
Më kujtohen disa, por po ju them vetëm një. Gjatë një udhëtimi me makinë në një mëngjes herët, ndërkohë që jashtë kishte rënë dhe pak shi, duke marrë një kthesë, makina jonë një “Daça”, ndonëse me një bazament të fortë, rrëshqiti dhe u përmbys në kanal. Për fat, në anën që u batua makina, nuk ishte rrëpirë, por pas kanalit ishte një djerrinë e papunuar. Me shumë vështirësi unë dhe një punonjës tjetër i ambasadës dolëm nga makina, por kur konstatuam se, as njëri, as tjetri nuk kishim marrë plagë, u lehtësuam. Makina kishte rënë në kanal me rrotat përpjetë. Ndërkohë, shohim nga larg një traktor që po përgatitej të punonte tokën. I kërkuam ndihmë traktoristit, i cili u tregua i gatshëm të na nxirrte “Daçën” nga kanali. Ai e tërhoqi me mjeshtëri në mënyrë të tillë që ajo u kthye mbarë. Vumë re se makina nuk ishte dëmtuar, por vetëm ishte përbaltur. Ishte mëngjes herët dhe trafik nuk kishte fare. Pasi i bëmë dhe një larje makinës u nisëm dhe as që u mor vesh fare ky aksident.
Patrioti letër Enver Hoxhës nga Bukureshti
Për djalin dua një nuse shqiptare. Enveri: OK, të trashëgohen
Ishte gati e pamundur të jepej leja që një shqiptar të fuste në shtëpi për grua një shtetase të huaj, dhe as një shtetas i huaj të tërhiqte në vendin e tij një grua shqiptare. Përveç martesave, që ishin bërë në vitet kur Shqipëria ishte pjesë e kampit socialist, martesa të këtij lloji as që mund t’i shkonte mendja më njeriu. Por, me sa duket ka pasur dhe përjashtime dhe ish-Sekretari i Parë i Ambasadës Shqiptare në Bukuresht, Idris Shehi na tregon: “Xha Kristesku njihej si patriot ndër shqiptarët që jetonin në Bukuresht. Ai ishte mik i ngushtë, i përfaqësisë sonë. Por, ai kishte pasur dhe një shqetësim të madh, donte që djalin e tij Nasin, ta martonte me një vajzë shqiptare. Xha Kristesku erdhi dhe në Shqipëri për të kaluar ca ditë me njerëzit e gjakut. Gjatë këtyre ditëve, ai shkoi për një vizitë në një familje Korçare dhe njohu vajzën e kësaj familjeje. Aty ra në ujdi me familjen, që vajza Korçare të martohej me Nasin në Rumani. Por, në Shqipëri ishte tepër e vështirë të lejoheshin martesa të tilla. Atëherë, xha Kristesku i bëri një letër Enver Hoxhës, ku ndër të tjera i kërkoi të lejohej një lidhje martesore mes një vajze nga Korça dhe djalit të tij në Bukuresht dhe vajza korçare të shkonte për të jetuar në Rumani. Për habinë e të gjithëve përgjigja, jo vetëm që nuk vonoi, por erdhi pozitive, vetëm me një kusht: “nusja e djalit do të mbante nënshtetësinë shqiptare”.
Integrimi
Koloneli i ushtrisë rumune me origjinë nga Korça
“Të interesuar për të njohur familjet shqiptare në Rumani, mësuam se kolonel Stefanesku, kish lindur në Rumani, por babai i tij së bashku me prindërit kishin emigruar nga Shqipëria që në fillim të shekullit XX. Ata ishin larguar nga rrethi i Korçës dhe ishin vendosur në Bukuresht. Djali i tyre Stefanesku, jo vetëm që kishte lindur dhe ishte rritur në Rumani, por ishte arsimuar duke përfunduar studimet e larta ushtarake. Më pas kishte shërbyer në shumë njësi e reparte ushtarake dhe kishte arritur deri në gradën e kolonelit”, -rrëfen Idris Shehi, në vazhdim të intervistës mbi punën e bërë në Ambasadën Shqiptare në Rumani dhe integrimin e emigrantëve shqiptarë në jetën rumune.
Si më gradoi Kadriu në aktivin e kufirit
Njohja me Ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu
“Me Ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiun kisha njohje të vjetra, mbi 30-vjeçare. Kjo njohje nisi që në vitin 1948, kur ai ishte shefi i Zbulimit të Ushtrisë Kombëtare dhe unë shefi i sigurimit të Batalionit të Kufirit në Leskovik. Në atë kohë mbaja gradën e nëntogerit dhe isha në moshë shumë të re. Më kujtohet që ka qenë pranvera e vitit 1948, kur Kadriu, në krye të një grupi inspektimi, përgjatë kufirit jugor, vjen në batalionin tonë. Në atë kohë ai mbante gradën e nënkolonelit dhe në këtë inspektim shoqërohej edhe nga zëvendësi i tij, Llambi Peçini. Ato ditë pata shumë kontakte me të dhe puna ime në përgjithësi u vlerësua mirë nga ky inspektim. Më tej, njohja me Kadri Hazbiun u zgjerua edhe më shumë. Kur isha shefi i Kundërzbulimit të sektorit të Kufirit Përmet-Peshkopi me qendër në Korçë, Kadri Hazbiu ka ardhur disa herë në qytetin e Korçës, ku jemi takuar. Sidomos në vitet 1951-1953, kohë kur regjimi i kufirit po forcohej gjithnjë e më shumë, fill pas provokacioneve të Gushtit 1949 nga ana e shovinistëve grekë. Në vitin 1954 Kadri Hazbiu vjen në një aktiv të gjerë, që u zhvillua për kufirin në Korçë. Në atë kohë, ai ishte bërë Ministër i Punëve të Brendshme dhe autoriteti dhe popullariteti i tij ishte rritur goxha. Mbaj mend që kam diskutuar në këtë aktiv për zbatimin e ligjshmërisë, në ruajtjen e Kufirit. Në diskutimin tim bëra vërejtje dhe kritikova hapur disa drejtues të sektorit. Fjala ime u përkrah nga komandanti, kolonel Saliko Sula, por u kundërshtua nga disa të tjerë, sidomos nga ata që u prekën në diskutimin tim. Debatet u ndezën keq në aktiv, por u desh ndërhyrja e Kadri Hazbiut që, të viheshin pikat mbi “i”. Ministri u tregua shumë i ashpër ndaj atyre që m’u kundërvunë pa të drejtë dhe më falënderoi, për kurajën në këtë diskutim. Pas dy vitesh Kadri Hazbiu vjen sërish në Korçë dhe mori pjesë në analizën vjetore të kufirit. E mbaj mend mirë këtë rast, sepse lidhet dhe me një fakt shumë inkurajues për mua. Në fund teksa ministri po bënte konkluzionet e analizës, ndër të tjera, falënderoi me emër disa oficerë që dalloheshin në zbatimin e detyrave. Si rregull, kushdo që dëgjonte emrin e tij ngrihej në këmbë. Kështu veprova dhe unë. Shoku Kadri, pasi tha disa fjalë falënderimi për punën time, m’u drejtua: “Për të gjitha këto, Kapiteni i dytë, Shehi, gradohet me gradën Kapiten i Parë.” Kjo ishte një surprizë e bukur që më habiti, jo vetëm mua, por edhe sallën që ishte mbushur plot. Zakonisht gradimet bëheshin me propozim të komandës dhe pasi miratoheshin në ministri, vinte komunikimi zyrtar. Por mua më ndodhi krejt e kundërta.

Si ma hoqën njollën në kartën e regjistrimit
Sherri me shefin e Komitetit të Partisë 
Nuk ishte e lehtë, për një anëtar partie të merrte “vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit”. Idris Shehi thotë se e ka pasur një të tillë, por se vetëm një muaj më pas, një rast i rrallë ku, kartela e tij e anëtarësimit është pastruar nga kjo vërejtje. “Një muaj përpara se të merrja detyrën e re kisha pasur një “përplasje” me kreun e Komitetit të Partisë së Ministrisë së Brendshme dhe për këtë shkak kisha marrë “një vërejtje të rëndë, me shënim në kartën e regjistrimit”, masë kjo jo fort e lehtë, në parti në atë kohë. Kjo masë, zakonisht shoqërohej edhe me ndonjë masë tjetër administrativo-shtetërore, zakonisht me ulje në detyrë apo transferim në ndonjë vend tjetër. Pikërisht dhe unë e prisja një gjë të tillë. Në takimin që pata me Kadri Hazbiun ai më tha: “E di që je kokëfortë, por jo deri në atë shkallë sa të bëhesh problem në parti”. E ndjeva veten ngushtë pasi e kuptova që kishte marrë informacion për vërejtjen që më kishin dhënë. “Keni të drejtë shoku Ministër, unë jam kokëfortë, por në këtë rast e drejta ishte me mua”, -u mbrojta unë. Pasi më propozoi postin e sekretarit të Parë të Ambasadës, ndërkohë që unë prisja të ishte emërimi në ndonjë degë të brendshme në rrethe e largëta, -ai më tha: “Tani ka dhe një problem. Këto ditë mund të mblidhet organizata e partisë, që të vendosë për heqjen e masës që kanë marrë për ty, sepse pa u hequr ajo ti s’mund ta marrësh një detyrë të tillë”. Unë këtë e dija dhe u vura në një siklet të madh. Si mund të hiqej masa në parti kaq shpejt, të paktën pa kaluar 6-të muaj. Por, Kadri Hazbiu ishte nga ata që gjërave u paraprinte me kohë. Ai kishte rregulluar gjithçka. Nga ana tjetër edhe shokët e organizatës ku unë bëja pjesë ishin shprehur për padrejtësinë, që më ishte bërë. Kështu pa kaluar as dy ditë, ata u mblodhën dhe më hoqën masën në parti. Pas kësaj doli urdhri për emërimin tim në ambasadën tonë në Rumani”, -rrëfen Idris Shehi.
(Vijon nesër)
Sigal