Ahmet Zogu: Malësori “i edukuar”, numri një i shtetit shqiptar 1925-1939

1715
Safet N. RAMOLLI

Më 20 shkurt 1931 ju bë atentat në Vjenë
Popullit shqiptar, ndoshta si një rastësi e pabesueshme, tetori i ka sjellë në drejtim disa personalitete të shquara. Ndonjëri syresh i paragjykuar dhe anatemuar, ndërsa gjithë të tjerët të dyzuar dhe të kritikueshëm. Ja disa prej tyre: Gjergj Fishta, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Dritëro Agolli dhe ndonjë tjetër.
Ahmet Zogu është bërë pjesë e vlerësuar e politikës shqiptare në fillimvitet ’20-të, për t’u bërë Numri Një në vitet 1925-1939, por edhe në të pastajmen. Është etiketuar “malësor i edukuar” por edhe “dinak”. Gjithësi mbetet “violina e parë” në orkestrën simfonike politike shqiptare mjaft komplekse dhe të ngatërruar të viteve 1920-1939. Është figurë mjaft komplekse: bashkëpunues, deri edhe në bashkëqeverisje, me figura të shquara si B. Curri, H. Prishtina. F. Noli, F. Konica dhe mjaft të tjerë, por edhe përjashtues deri në një marrëdhënie të skajshme, të egër dhe të ashpër po me disa prej tyre si me B. Currin, F. Nolin, F. Konicën etj. I akuzuar nga shteti shqiptar në vitet 1944 deri më 1990 si tradhtar i vendit, që shiti troje etnike shqiptare për të forcuar pozitat në pushtet, si një sundimtar satrap që shtypi e dhunoi shtetasit e vet, por edhe që eliminoi fizikisht disa nga bashkëpunëtorët e tij si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Avni Rustemi etj. Gjithsesi konsiderohet si drejtues, që vlerësonte dhe nxiste bashkëpunëtorët besnikë dhe që i mbështeste ata. Por opinionistët demokratë evropianë dhe më gjerë e kanë klasifikuar si një personaliet mjaft aktiv, që dha kontribut me vlerë për krijimin e Shtetit të Ri Shqiptar në vitet 1920-1925, që ngriti një shtet me fytyrë evropiane perëndimore të mbështetur në ligje bashkëkohore të tipit francez, italian etj.; që realizoi në mënyrë shembullore çarmatimin e popullsisë dhe stabilizimin e rendit e të qetësisë; që bëri përpjekje për emancipimin e jetës shqiptare, por edhe për realizimin e disa arritjeve ekonomike të vlerësuara për kohën, (kujtojmë që në ato vite realizohej transporti ajror nga Tirana në jug të vendit, çka mbetet edhe në vitin 2017 një ëndërr për shqiptarët etj. Vetë origjina, por edhe karakteri personal i tij, bënë që në rrugëtimin e tij në politikën e ngatërruar shqiptare, të jetë në konflikt, deri edhe të ashpër, me mjaft shtetas shqiptarë.
Karriera politike
Në karrierën politike u përfshi herët. Si një rast i rrallë, kur ishte 24 vjeçar, kishte bërë emër për mirë në skenën politike shqiptare. Tek 23 vjeçari, austriakët vlerësuan potencialin e tij si ushtarak, dhe i akorduan gradën e lartë ushtarake, kolonel, e komanduan në krye të forcave shqiptare të rekrutuara për t’u ballafaquar me forcat pushtuese italiane. Ky fakt na çon mendimin se, koloneli i ri ishte përzgjedhur si më i përshtatshmi për të përmbushur këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe delikate. Analistët, biografët dhe bashkëpunëtorët e etiketojnë si njeri të guximshëm, enigmatik, të përshtatshëm për t’u integruar edhe në shoqëritë evropiane, nga më të kulturuarat dhe më etiket e kohës. Janë po perëndimorët, që i vlerësuan zgjuarsinë e lindur dhe talentin e spikatur, si një mundësi për të kuptuar, ideuar dhe zbatuar në praktikë administrimin e komunitetit shqiptar sipas modeleve dhe parametrave perëndimore, por edhe të traditës zakonore e kanunore me pleqësi, për të realizuar integrimin e Shqipërisë në Evropë. Zotëronte gjuhën turke, italiane, pas këmbënguljeve edhe atë gjermane. Kishte kryer studimet ushtarake në Turqi, por ngërthente edhe vullnet të mirë për t’u shtruar në fushën e studimeve. Pas formimit politik oriental osman, por të zbutur dhe evropianizuar me mendësinë e turqve të rinj, i pajisur me mënyrën e administrimit tradicional shqiptar përmes pleqësive dhe atributit të forcës zakonore, mori mësime teorike e praktike për politikën oksidentale, i brumosur kështu me frymën e kushtetutshmërisë dhe të dualitetit politik në administrimin e vendit, çka e ekspozoi me efektivitet gjatë veprimtarisë së tij si drejtues i Shtetit Shqiptar për gati 15 vjet, duke luajtur rolin e dirigjentit në ekzekutimet që bëri “orkestra politike shqiptare”, e pakompletuar me mjetet muzikore të domosdoshme, e sidomos jo të cilësisë për të luajtur me sukses “uverturën e ngatërruar shqiptare”.

Shkallët e karrierës në tërësi i kërkonte vetë, sepse shfaqej aktiv, i guximshëm, dinamik, konsekuent, por janë edhe kundërshtarët më të ashpër të Tij, të cilët në situata të rënduara, kur gjykohej se duhej një dorë e fortë, i ofronin fronin e nderit në Piramidën Shtetërore.

Kabineti qeveritar pas Kongresit Kombëtar të Lushnjës në janar 1920 me S. Delvinën në krye, dhe ai që pasoi me Iljaz Vrionin, i besuan portofolin e Ministrit të Brendshëm, ndërsa në dhjetor 1921 edhe atë të Ministrit të Luftës, të cilat i hapën rrugën si dhe i dhanë përvojën e mjaftueshme, që pas një viti (më 16 dhjetor 1922 S.R ), të bëhet Kryeministër i Shqipërisë, si një rast krejt i rrallë ky, që një 27 vjeçari, t’i besohet përgjegjësia e drejtimit të një vendi me mjaft probleme. Këtë besim e justifikoi meritueshëm jo vetëm në opinionin shqiptar por edhe në atë evropian.

Në fundjanar 1925, tashmë 30-vjeçar dhe me përvojë në fushën shtetërore, iu besua nga Asambleja Kushtetuese, njëkohësisht detyra e Kryeministrit dhe e Presidentit të Republikës, për një mandat 7- vjeçar. Pushtetin e dhënë dhe përgjegjësinë juridike të ngarkuar, e ushtroi me autoritet, duke u bërë shpejt bindës në popull dhe në politikën evropiane. Vuri në kontroll të plotë të gjitha pushtetet: kishte të drejtë të shpërndante Parlamentin, ishte Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por edhe arriti dukshëm gjallërimin e jetës shqiptare. Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese u deklarua me shumicë absolute votash, për vendosjen e një regjimi monarkik në Shqipëri, për shpalljen e Shqipërisë Monarki Demokratike, por edhe i delegoi kurorën e fronit Mbretëror, Ahmet Zogut, me titullin Zogu I, Mbret i Shqiptarëve. Ishte vetëm 33-vjeçar, moshë e re për detyrën e vështirë por edhe për përgjegjësinë që ngarkon një titull i tillë. Ky vendim mbase është bazuar në domosdoshmërinë, që një komunitet në kushtet e Shqipërisë atëmot, e kishte emergjente centralizimin e pushtetit si dhe administrimin nga një dorë e fortë, por e bazuar në ligj.

Karriera e A. Zogut në fushën ushtarake, politike e shtetërore në përgjithësi ka qenë e suksesshme dhe vijëpërpjetë. Që më 1922, e kishte nën kontroll situatën thuajse në të gjithë territorin shqiptar. Realizoi mirë çarmatosjen e popullsisë, rezultat që u vlerësua nga Evropa, çka mundësoi vendosjen e qetësisë dhe të rendit publik; u ul në mënyrë të ndjeshme dhe të kapshme numri i vrasjeve, për shkak të zakonit të gjakmarrjes apo edhe të formimit psikologjik si ballkanas; mundi të sigurojë një ndihmë të mjaftueshme financiare nga jashtë, që u shoqërua me një farë zhvillimi ekonomik etj. Në politikën e jashtme ndoqi atë të qëndrimit asnjanës ndaj fqinjëve dhe të tjerëve më larg. Mori një seri masash për emancipimin e shoqërisë shqiptare (për herë të parë u legjitimua e drejta e divorcit; u vendos dhe u aplikua heqja dorë nga veshjet e rënda; u morën masa konkrete për organizimin e jetës familjare shqiptare, ku të mbizotërojë respektimi i të drejtave etj. Këto dhe të tjera arritje konkrete, mundësuan kalimin disi kërcyes të Shqipërisë nga shek. XV në shek. XX. Ishte ndoshta një vrapim galopant, por që duhej bërë për të ecur në një trase me vendet e përparuara e të emancipuara Perëndimore të Evropës.

Bernard J. Fisher, studiues i problematikës shqiptare, në analizë të fundit konkludon, pohuar kjo edhe nga analistë e politikanë të tjerë të Evropës, se Zogu ishte një prej të paktëve politikanë shqiptarë, që jo vetëm mendonte por edhe vepronte, për administrimin e Shqipërisë, sipas modeleve shtetërore moderne perëndimore. Pohohet se me ligjet që adoptoi, duke i marrë nga vendet perëndimore si Franca, Anglia, Italia, Austria etj, me aplikimin e forcës detyruese të ligjit, jo vetëm që hodhi themelet e Shtetit të Centralizuar dhe Modern, por edhe ndikoi fuqishëm në zhveshjen e shqiptarëve nga mentaliteti i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes vetëgjyqësisë, duke i lënë rrugë veprimit të ligjit etj.
Ahmet Zogu: i rrezikuar vazhdimisht
Por një Personalitet i tillë mjaft kompleks për nga mënyra e formimit dhe e hierarkisë që provoi e ushtroi; për nga forma e ndërtimit të marrëdhënieve të komunitetit shqiptar ndër shekuj; për nga situata në të cilën e gjeti vendin e tij; për nga formimi “inatçor” i popullit të tij; për nga gjendja mjaft e prapambetur në të gjitha fushat; për nga ndikimet e fqinjëve, të cilët në shumicë janë treguar të pabesë dhe shovenë ndaj vendit tonë; por edhe për nga qëndrimet jo aq dashamirëse të Fuqive të Mëdha në disa raste, e bënë një figurë mjaft të përfolur në rrethet politike në vend dhe jashtë; por edhe një objekt të preferuar për disa atentate për t’i marrë jetën. Janë evidentuar nëntë raste të përgatitjes dhe kryerjes të atentateve: në një rast ka marrë plagë në këmbë dhe në bark, në tjetrin u vra shoqëruesi i tij. I ndodhur në kushte mjaft të ndërlikuara dhe i prirur për ta nxjerrë vendin nga prapambetja, shpesh herë do t’i duhej që kundërshtarët politikë “t’i mposhtëtte“ përmes qëndrimeve burrërore dhe veprimeve të guximshme. Analistët dhe biografët e tij evidentojnë trimërinë, si një komponent bashkëshoqërues në veprimtarinë e tij. (Në një situatë, më 1922, kur gjithë qeveritarët ja mbathën nga kryeqyteti për t’i shpëtuar rrezikut nga brenda vendit, Ai qëndroi dhe mbrojti kryeqytetin, duke qenë në krye të operacionit për të ruajtur rendin dhe qetësinë). Njëherësh mendoi dhe zbatoi masa të shumta, për të ngushtuar gamën e veprimeve atentatore. Jeta e Tij u vu shpesh herë në shënjestër, prandaj mori mjaft masa sigurie për vete, familjen, por edhe të drejtuesve të lartë të Shtetit. Në shtator 1923, një grup ushtarakësh po përgatiste një grusht shteti, që do ta zbatonte në kremtimet e 28 Nëntorit, ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Plani përfshinte vrasjen e Kryeministrit shqiptar A. Zogu dhe vendosjen e një pushteti të tipit juntë ushtarake, por që dështoi në sajë të masave të mara. 

Kishte përsosmëri të lakmueshme në organizimin e ruajtjes e të sigurimit në itinerarin nga Rezidenca në ndërtesën e Parlamentit. Rruga ishte e shkurtër, por sigurohej me masa të plota shërbimi, disa prej tyre të bëjnë përshtypje të veçantë. Dy anët e rrugës boshatiseshin krejtësisht nga kalimtarët dhe banorët. Dyert dhe dritaret e shtëpive, mbylleshin sistematikisht. Në rrugë lëviznin vetëm ushtarë, policë dhe agjentë. Pemët zhvisheshin nga gjethet për të krijuar fushëpamje më të mirë. Lëvizja e A. Zogut kryhej me moton, që të arrinte në vendin e caktuar përpara orarit, dhe në rrugë duhej të kishin lëvizur shumë të tjerë para tij. Preferonte që të pranishmit e planifikuar për aktivitet, t’i gjente në mjedisin ku do të kryhej veprimtaria. Hollin e Selisë së Parlamentit e kalonte me hap të shpejtë i shoqëruar prej grupit të rojës personale.

Udhëtime të gjata ndërmerrte rrallë, me përjashtim të atyre për pushime verore në Rezidencën në Durrës. Më 1927, për të përmirësuar imazhin e tij dhe të Shtetit, ndërmori një udhëtim në Shkodër. Masat e sigurimit ishin të jashtëzakonshme. Rruga Tiranë-Shkodër u patrullua me shumë kujdes nga forca të shumta të xhandarmërisë dhe të ushtrisë. Vetë Mbreti udhëtoi me makinë të blinduar dhe me shpejtësi. Në vendet ku shkoi, agjentët, policët dhe ushtarët ishin prezent në sasi të madhe.

Më 1928 planifikoi një vizitë në Korçë e Gjirokastër, por nuk e realizoi, sepse problemet e rendit e të qetësisë publike ishin mjaft të acaruara. Vetëm pas 10 vjetësh realizoi vizitën e vetme në qytetin e Vlorës dhe në vendlindje, në Mat.

Veçanërisht ishte i kujdesshëm gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Edhe pse gjatë gjithë karrierës si drejtues i Shtetit kreu vetëm një të tillë, (të imponuar nga gjendja shëndetësore e rënduar); edhe pse u parashikuan dhe u zbatuan masa të plota sigurie, atentati kundër personit të tij, jo vetëm që nuk u parandalua, por as edhe nuk u shmang. Më 26 janar 1931, nëpërmjet portit të Durrësit, u nis për në Vjenë, për t’u diagnostifikuar dhe kuruar për një sëmundje të vjetër në stomak. Masat e sigurimit, si brenda edhe jashtë vendit, ishin të plota e të përpikta. Si zakonisht nuk i tregoi askujt, me përjashtim të rrethit të tij të ngushtë familjar e shoqëror, se po shikonte mundësinë e një udhëtimi në Vjenë. Parlamenti u vu në dijeni nga një grup deputetësh nën drejtimin e presidentit të Parlamentit për këtë event të veçantë, vetëm një natë përpara nisjes. Në Tiranë u përqendruan mjaft forca ushtarake. Udhëtimi për në Durrës, sipas një zakoni rutinë, filloi përpara kohës së planifikuar, i shoqëruar nga 4 motrat, nga Këshilli i Ministrave, nga Presidenti i Parlamentit dhe disa shtetas që konsideroheshin pjesëtarë të elitës shqiptare. Populli i Durrësit e mori vesh të vërtetën vetëm kur kryqëzori italian “Quatro“ u largua prej portit. Gjatë udhëtimit për në Vjenë u shoqërua nga Abdurrahman Krosi, (këshilltar personal tepër i besuar); nga mjeku personal J. Basho; nga dy rojet personale: major Llesh Topollaj dhe kapiten Çupi; nga Eqerem Libohova, me cilësinë e Ministrit të Oborrit, dhe nga Sokol Martini, një ndihmës besnik i tij.

Masa të plota sigurimi e ruajtjeje ishin parashikuar edhe në truallin austriak. Adjutanti i Mbretit, kolonel Serreqi, prej më se një jave ndodhej në Vjenë; shtypi nuk ishte informuar për shkaqet e udhëtimit, vendin ku do të shkonte dhe ku do të akomodohej. Ministri Fuqiplotë austriak në Tiranë kishte sugjeruar që, Zogu të vendosej në ndonjë vilë private ose në sanatorium dhe jo në hotele luksoze, për të shmangur grumbullimin e njerëzve, sidomos të emigracionit shqiptar, që ishte i shumtë në numër. Policia vjeneze mbajti nën kontroll disa shqiptarë të njohur si antizogistë dhe me prirje agresive terroriste. Njëherësh, ministri fuqiplotë i Jugosllavisë dhe ai i Gjermanisë në kryeqytetin shqiptar, informuan se, jeta e Mbretit ishte në rrezik, informacion që rezultoi mjaft i vërtetë. Vetë A. Zogu, në kundërshtim me sugjerimet e bëra, u vendos në hotel “Imperial; bënte lëvizje të ndryshme pa njoftuar se kur do të dilte e ku do të shkonte. Më 20 shkurt 1931, duke dalë nga salla e operas prej një daljeje anësore dhe para kohe, u sulmua nga dy ish-oficerët shqiptarë, Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami. Jeta e tij u rrezikua seriozisht. Vetëm ndërhyrja e guximshme dhe e vendosur e shoqëruesit të Tij, major Llesh Topollaj, i cili mbuloi me trupin e tij Mbretin, për të marrë mbi vete plumbat e vdekjes, e shpëtoi mrekullisht jetën e mbretit. Ky mund të jetë një nga rastet unikale në botë, i kryerjes me besnikëri të detyrës si shoqërues personal. Edhe pushimet e verës në Durrës kryheshin në kushte të plota të një sigurie të lartë: vrojtohej e kontrollohej me imtësi rrugëkalimi; në rajonin e pushimit kishte prezencë të madhe trupash; (më se 600 trupa vendoseshin pranë Rezidencës së Verës); ishte parashikuar çdo rrezik që mund të vinte nga toka, prandaj, pranë rezidencës, ishte e ankoruar një anije që shërbente për tërheqjen nëpërmjet detit. Më 20 mars 1931, Mbreti u kthye nga Vjena pas atij udhëtimi me probleme të pakëndshme si për shëndetin edhe për sigurimin e jetës. Masat e sigurimit ishin të plota: rrugëkalimi Durrës–Tiranë, patrullohej nga dy batalione me uniformën e xhandarmërisë. Për të ndikuar pozitivisht psikologjikisht tek populli, në aparencë gjithçka dukej sikur nuk kishte asnjë problem dhe s’kishte ndodhur asgjë. Ai kreu një gjest fisnik dhe etik: kaloi në revistë nderi mijëra të rinj paraushtarakë. 

Në periudhën e mëvonshme, duket se u druhet më pak plumbave vrastarë, por gjithsesi kujdesin për ruajtje, e kishte çështje parësore edhe vetë. Por, edhe situata në vend ka evoluar për më mirë në pikëpamje të rendit e të qetësisë publike, kriminaliteti në vend ka shënuar ulje, komuniteti ndihej më i garantuar dhe më i qetë. Më 27 prill 1938, Mbreti do të përjetonte një event të veçantë në jetën personale, familjare por edhe kombëtare. Pas shumë dilemash vendosi që të martohej. Tashmë, për sigurimin dhe ruajtjen e jetës së tij, për shkak të forcës së Kanunit, do të kishte disi më pak probleme, pasi prania e bashkëshortes, do të lehtësonte punën e strukturave të ngarkuara për garantimin e jetës së Mbretit. Tashmë, gjithnjë e më shumë ekspozohet përpara popullit. Me rastin e martesës doli para popullit të Tiranës, në rrugët e kryeqytetit me makinë të hapur. Rruga që të çonte në Durrës nuk ruhej më si zakonisht, në disa terrene çiftit mbretëror iu rezervua një pritje mirëseardhjeje nga populli. Në të pastajmen masat e sigurimit dhe të ruajtjes do të jenë më të plota, dhe më efikase, sepse stabilizimi i rendit dhe i qetësisë publike brenda vendit, por edhe çarmatosja e popullsisë në përmasa të konsiderueshme, kishte ulur intensitetin e veprimtarisë keqbërëse ndaj Mbretit dhe shtetasve në tërësi. Por, asnjëherë dhe për asnjë element të sigurisë e të ruajtjes, nuk e pakësoi numrin e rojeve personale dhe as e nënvlerësoi atë si fenomen. Edhe kur iku jashtë shtetit, pas një rezistence, e cila rezultoi e pasuksesshme përpara një fuqie ushtarake sikurse ishte Italia, në agimin e datës 7 prill 1939, do të sigurohej nga një suitë e madhe shoqëruesish; karvani mbretëror më 8 prill në Follorinë përbëhej nga 113 vetë; ndërsa më 27 qershor të po këtij viti, kur shkonte nga Franca për në Angli, shoqërohej me 34 vetë, nga të cilët 6 figuronin me identitetin e ordinancës së Naltmadhërisë së Tij. Verifikimet e mëvonshme nga strukturat e specializuara, pohuan se ata ishin roje personale, malësorë nga fiset shqiptare, por edhe të armatosur. Në Angli autoritetet shtetërore i kërkuan fillimisht që ai të largohej, por gjithsesi perëndimi demokratik kishte kohë që kishte hyrë në rrugën e respektimit të të drejtave njerëzore, prandaj edhe u lejua, por me një kusht, që për sigurimin e jetës së tij dhe të familjes të mobilizonte njerëzit e tij. Në se do të gjykojmë për shërbimin e ruajtjes e të sigurimit, duhet ta pranojmë pa asnjë ekuivok, se kemi të bëjmë me një shërbim të kryer me korrektësi, me profesionalizëm, me besë e burrëri. Mund të jetë një rast i rrallë në botë, që bodigardi personal të tregohet aq e vendosur dhe e vetësakrifikuar deri në vetëmohim, për të garantuar jetën e personalitetit që shoqëron. Por edhe vetë Mbreti këtë strukturë, e ka vlerësuar, e ka çmuar dhe e ka trajtuar në mënyrë krejt të diferencuar nga të tjerat. Efektivin e bazës e përzgjidhte kryesisht nga radhët e malësorëve, të cilët për shkak të formimit shpirtëror, por edhe të forcës ndikuese të ligjit kanunor, jo vetëm që e kanë për nder të shërbejnë pranë drejtuesve, por edhe ndihen krejtësisht të obliguar që këtë detyrim ta konsiderojnë të shenjtë dhe të zbatueshëm me çdo kusht e sakrificë. Kuadrin komandues e përzgjidhte nga më të besuarit, dhe për ata ruante konsideratë të veçantë. Analistët vërejnë gati në unison se, e meta më serioze e A. Zogut ishte mungesa e dëshirës për të gjykuar vartësit si dhe mosbraktisja e mbështetësve besnikë. Në një rast, edhe pse kishte të dhëna të besueshme, e fali një oficer, duke “e justifikuar”, se ai nuk kishte ndërmend t’i bënte asgjë të keqe. Në një rast tjetër, gati analog me të mësipërmin, Ai do të vepronte po me përzemërsi. Pati informacion kompromentues për një zyrtar të lartë shqiptar, i cili i kishte ofruar kryekuzhinierit të Mbretëreshës me origjinë hungareze, një sasi të të hollash, që ai të dëmtonte shëndetin e çiftit mbretëror përmes ushqimit. Por Mbreti “i zgjuar nga natyra”, i pajisur edhe me veprimtaritë keqdashëse në kulisat e politikës evropiane, në vend të hakmarrjes direkt, e kaloi këtë moment me dinakëri, duke e ftuar edhe zyrtarin për darkë.

Ish Ministri i Brendshëm deri më 1938, Musa Juka, shprehet edhe: ”Mbreti Shpëtimtar diti të tregohet i butë, kur qe rasa që të zbuteshin shqisje të ashpra, dhe diti të tregojë grushtin, atje ku e pa se qëndronte kryelartësia e rrezikshme “. 

A. Zogu në të gjithë veprimtarinë e tij ka reflektuar përkujdesje për shërbimin e ruajtjes e të sigurimit. Për t’i organizuar, për t’i aftësuar, për t’i përgatitur dhe drejtuar në veprime me efektivitet, Ai mori edhe instruktorë të mirëfilltë dhe të aftë ushtarakisht nga Italia, Anglia, Austria, të cilët i mbajti deri në vitin 1938, kur e gjykoi se kishte krijuar një bërthamë të mirë të efektivit që garantonte jetë, rendin dhe qetësinë publike. Nëse për nëpunësit e zakonshëm trajtimi financiar mujor mund të bëhej edhe me bllokime disamujore, ushtarakët i morën pagat rregullisht; për ushtarakët e dalluar në kryerjen e detyrave dhe për të rënët në krye të detyrës, aplikonte stimulime materiale, deri edhe në ngritje përmendore, sikurse ishte rasti për shoqëruesin e Tij personal, Ll. Topollaj, të cilit i ngriti përmendore në kryeqytetin shqiptar në shenjë mirënjohjeje për veprën trimërore, por sidomos morale dhe humane që ai kreu.

Gjithsesi kjo është vetëm një pjesëz e kujdesit të Tij në tërësi për Forcat e Armatosura, pasi e kishte krejtësisht të qartë, se pa këtë shtyllë mbështetëse, mund të paguante rëndë haraçet e politikës shqiptare të ngatërruar, por edhe të politikës ballkanike të mbarsur me konflikte rajonale e më gjerë.
Jeta e Mbretit të Shqiptarëve, për mjaft shkaqe e arsye, ka qenë e kërcënuar seriozisht dhe në vijimësi, por nga ana tjetër masat për ruajtjen dhe sigurimin e tij kanë qenë të nivelit bashkëkohor evropian, të cilat mund të jenë objekt referimi më së shumti për studim, se sa për përvojë. 
Shkurt, 2017
Sigal