Ahmet Saliaj & Ballëm Mete/Operacionet në Mallakastër dhe Besëlidhja historike e Poçemit

1499
Sigal

Roli i Mehmet Shehut për mobilizimin e banorëve me armë në dorë, në luftën për çlirimin e vendit

Mallakastra që nga prilli i vitit 1943 ndodhej plotësisht e lirë. Ajo qeverisej nga këshillat ANÇL të çdo fshati e komune. Për këtë, menjëherë mbas dështimit të parë të operacionit fashist më 25 qershor 1943, kur ushtria italiane nuk ia arriti të shkatërronte bazën partizane në trevën e Mallakastrës komanda e trupave të pushtimit hartoi planin për zhvillimin e një operacioni të dytë. Armiku në bashkëpunim me tradhtarët e vendit, si: Isa Toska, Bektash e Kadri Cakram, Eqerem Peshkëpia, Tefik Cfiri, Qazim Selfo, Shaban Xhaferri, Idajet Lekdushi dhe Idriz Dano synonin të vinin forcat kryengritëse brenda unazës së rrethimit, midis qarqeve, Berat – Fier – Vlorë – Tepelenë – t’i rrethonte dhe asgjësonte ato. Këto forca përveç armatimit të lehtë, mbështeteshin edhe nga artileria dhe aviacioni si dhe banda kriminale e Isa Toskës dhe krerët tradhtarë të trevës, të cilat kishin për detyrë pushtimin dhe spastrimin e trevës së Mallakastrës nga forcat kryengritëse partizane. Për të përballuar këtë operacion më 8 korrik 1943 në Poçem, në një shesh të vogël mes shkurreve dhe hije rrepesh, me ujë të ftohtë e të bollshëm u mblodh Kuvendi si më 1847 me trimat e Rrapo Hekalit. Në këtë Kuvend morën pjesë rreth 2000 aktivistë dhe luftëtarë nga e gjithë krahina, për të vendosur mbi qëndrimin që do t’i bëhej ushtrisë italiane dhe mbështetësve të saj. Merrnin pjesë udhëheqësit kryesorë dhe organizatorë, patriotë të krahinës, shokët Mehmet Shehu, Bilbil Klosi, Nuredm Aliu, Mete Sulo, Namik Cakrani, Haxhi Qerimi, Faik Ahmeti, Ferit Skënderaj, Hysen Zeqo, Eqerem Qamili, Refat Rexhepi, Dervish Hekali, Qamil Hamzo, Enver Dragoti, Karafil Veliu, Azmi Tato, etj. Ky Kuvend u organizua me iniciativën e FANÇL dhe të Komitetit Qarkor të PKSH Vlorë – Mallakastër. Ja si iu drejtua në fjalën e tij shoku Mehmet Shehu pjesëmarrësve në këtë Kuvend: “Jemi mbledhur këtu për të vendosur se çdo të bëjmë me gjendjen e sotme aktuale, ku Mallakastra është plotësisht e rrethuar nga ushtria fashiste e Musolinit. Forca të mëdha fashiste po përgatiten të na sulmojnë nga Fieri drejtim Cakran – Roskovec – Patos – Ballsh – nga Selenica, Berati, Tepelena e Rehova. Si thoni ju e që përfaqëson popullin e Mallakastrës? Do t’i lëmë pepinot e Musolinit të vijnë me nge te xhixhot tona, apo t’i presim me plumb ballit siç e kanë hak? Do t’i lëmë të djegin shtëpitë e kasollet tona? Të vrasin e të therin kalamajtë tanë? Të marrin nëpër këmbë nderin e familjeve tona që e kemi gjënë më të shtrenjtë?…Përse i mbajmë atëherë në krah armët? Le të betohemi se armikut do t’i bëjmë varrin … .'”.
Pjesëmarrësit të ngritur në këmbë thërrasin njëzëri: Betohemi ! “Vdekje fashizmit i Liri popullit!’
Operacioni i dytë i pushtuesve fashistë filloi më 14 korrik të vitit 1943. Në operation morën pjesë divizioni “Firence” dhe “Parma”. Nën komandën e armatës së nëntë i mbështetur nga aviacioni me bazë Ura -Vajgurore si dhe banda kriminale e drejtuar nga Isa Toska. Një ndihmë të madhe i dhanë armikut edhe ballistët me në krye Tefik Cfirin, i cili me çetën e tij goditi mbas krahëve partizanët të pozicionuar në Gjerbës dhe Aranitas. Ishte hera e parë që Balli Kombëtar guxonte të hapte zjarr kundër partizanëve. Më 20 korrik të vitit 1943 filloi mësymja e përgjithshme nga të gjitha anët e ushtrisë operuese italiane mbi krahinën e Mallakastrës. Kudo që shkelën forcat e armikut dhe banda e Isa Toskës dogjën e shkatërruan çdo gjë që gjetën përpara. Bijtë e Mallakastrës u përfshinë edhe në batalionin “Ismail Klosi”, grupin e tretë partizan, në furnizimin e disa brigadave me luftëtarë të sprovuar e në dhjetëra çeta të tjera partizane vullnetare të fshatrave.
Edhe sot populli i Mallakastrës mbron me fanatizëm idealet e LANÇL dhe gjakun e 28 mijë dëshmorëve si dhe është kundër pseudo historianëve pinjollë të ballisto-zogistëve dhe të ekstremistëve të djathtë të cilët pretendojnë të korrigjojnë historinë e LANÇL duke mohuar pa pikë logjike luftën ANÇL për çlirimin kombëtarë dhe ta quajnë atë luftë civile, duke korrigjuar data historike të kësaj lufte, si dhe duke dëmtuar ose shkatërruar lapidarë, monumente deri dhe varret e dëshmorëve, si dhe heqjen e emërtimeve të disa rrugëve, shkollave etj duke i zëvendësuar ato me emra kriminelësh ose tradhtarësh.
*Anëtarë të Kryesisë së Komitetit të Veteranëve të ANÇL Tiranë
Ahmet Saliaj