Agron Mema/ “…Dhe sa herë në maj, vendi lulëzon, ti midis pranverash, madhështor qëndron…”

820
“Rrugët nëpër të cilat hyjnë heronjtë në histori janë të ndryshme. Madje, ndonjëherë duken edhe si të çuditshme. Zakonisht ato kalojnë mes luftërash e sakrificash, jeta e tyre heroike shtrihet në dekada vitesh. Por ka edhe heronj që me një akt të vetëm vetëmohues futen në histori dhe emri u mbetet i shkruar me germa të mëdha. Sigurisht, në këto raste është fjala për ato akte fatlume, kur njerëz të ndërgjegjshëm për qëllimin e tyre të lartë kanë çuar në vend aspirata të rëndësishme kombëtare. Vasil Laçi është padyshim njëri nga këta…”.Me këto fjalë e hap librin e tij biografik “Atentatori i perandorit” shkrimtari dhe studiuesi i njohur Nasho Jorgaqi, libër kushtuar jetës dhe aktit heroik të Heroit të popullit Vasil Laçi, një jetë e shkurtër dhe e thjeshtë. Vasili lindi dhe u rrit jetim, në fshatin e bukur bregdetar të Piqerasit, afër gjirit piktoresk të Bunecit, në oxhakun e madh e me tradita të Laçajve, dhe po jetim u rrit ngadalë deri sa kreu aktin e tij heroik më 17 maj 1941 në Tiranë kundër Viktor Emanuelit të Tretë, mbretit italian. 
Fëmijria e tij kaloi në vuajtje e fukarallëk, por e burrëruan shpejt dhe i forcuan karakterin. Nëna e tij, Vitoja, punonte argate për të siguruar jetesën dhe bukën e gojës për vete dhe dy jetimët, Vasilin dhe Eftiqinë. Aq shumë burrërohej karakteri i Vasilit, sa një ditë në shkollë (do të tregonte shumë vite më vonë mësuesi i tij Mitro Vrana) Vasilin nuk e dija i kujt qe dhe më erdhi me një shkop lofate në dorë. E shoh dhe i them ta sillte tek unë. Ai më shikonte dhe nuk lëvizte. Shokët i thanë ta sillte dhe e solli. Ja rrëmbeva pa e zgjatur shumë dhe i them se në shkollë vihet me libra dhe jo me shkopinj dhe e pyeta për emrin. Pasi mu përgjigj, buzëqesha dhe e mora vesh se i kujt ishte dhe nuk habitesha për gjestin e tij pasi i njihja mirë natyrën e Laçajve. Ai vinte i dobët, me fytyrë të hajthme e të zbehtë, po sytë sikur i lëshonin dritë dhe një inat fëmije i qe mbledhur në vetullat e shtrënguara. Mendova se do kërkonte prapë dhe ashtu ndodhi në fund të mësimit. Jetimi kërkonte mbrojtjen tek shkopi, pasi e ndiente veten të pambrojtur si jetim. Kështu iknin vitet dhe Vasili rritej deri sa një ditë, me përqafimin dhe uratën e nënës dhe motrës, mori rrugën e migrimit për të siguruar bukën e gojës. Ishte akoma i vogël kur pushtuesit italianë, si në gjithë Shqipërinë, pushtuan edhe fshatin e tij, edhe Bunecin e bukur me gjelbërim të përhershëm. 
Ai kishte dëgjuar për bëmat e të parëve të fshatit dhe fisit dhe në shpirt filloi ti grumbullohej urrejtja për pushtuesin dhe dashuria për vendin e tij, për lirinë e atdheut. Vasili, pasi u end disa kohë Tiranës, zuri punë si çirak në një ëmbëltore në rrugën e Dibrës, pasi kishte provuar edhe disa punë të tjera deri edhe shërbëtor në familjen e kryebashkiakut të Tiranës deri sa në mëngjesin e 17 majit gjendet që prej kohësh shërbyes në Hotel “Berati” ku kish fituar besimin e pronarit. Vasili dëgjonte se Viktor Emanueli do të vinte për vizitë në Shqipëri dhe do të respektonte edhe traditat shqiptare. Mllefi po i sfiliste shpirtin. Mund të thuhet se kishte filluar të kontaktonte me elementë me ide komuniste si Vasil Shanto e kushëriri i tij dëshmor Kolë Laçi, por nuk dihet se sa ndikim patën ata tek akti heroik. Mëngjesin e 17 majit u ngrit shpejt, vuri allçi në dorën me pistoletë, një tufë lulesh dhe doli në turmën që priste mbretin italian. Sipas dokumentacionit të hetuesisë, ishte ora 14:15, kur vetura që ecte me një shpejtësi 18 Km. në orë , po i afrohej turmës dhe vendit ku qëndronte Vasili. Qe një veturë e zbuluar me ngjyrë gri në të bardhë, me Viktor Emanuelin, dhe kryeministrin kuisling Shefqet Vërlaci dhe para tyre rinte kryeadjutanti i suitës mbretërore P.Puntoni. Në këto momente, duke përfituar nga pakujdesia, drejtoi dorën drejt mbretit italian, por sa vuri gishtin në këmbëz një oficer italian iu hodh përsipër. Revolveri shkrepi, por jo në shenjë. Pas krismës së pestë, Vasili u gjend i mbërthyer nga forcat e shumta fashiste. Pas 10 ditësh hetuesi ç’njerzore, Vasil Laçi ekzekutohet me varje në litar. 
Buzagaz e burrëror, duke u përcjellë nga këngët patriotike të të burgosurve të tjerë, ai bëri kërkesën sa proverbiale dhe heroike, sa krenare dhe sfiduese para fashistëve: Më jepni një krehër dhe pasqyrë që të vdes i bukur!Dhe e mbylli jetën djaloshi 17 vjeçar piqerasjot. Gjatë ditëve të pas aktit, fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre u munduan ti jepni kombësi të tjera djaloshit shqiptar, kjo për të propaganduar se shqiptarët dhe italianët gëzojnë një dashuri dhe vëllazëri për njëri-tjetrin në një mbret dhe mbretëri. PKSH-ja e krijuar pak muaj më pas dhe vet Enver Hoxha do ta nderonin dhe do ta bënin burim frymëzimi për urrejtjen ndaj fashizmit aktin e tij heroik duke e cilësuar si prologun e një kryengritjeje të madhe që po përgatitej. Dhe vërtet qe dora e një populli të tërë mbledhur tek damarët e Vasil Laçit, qe urrejtja e një populli të tërë mbledhur tek krismat e revolverit të tij, qe krenaria dhe papërkulshmëria e një populli tek akti dhe qëndrimi heroik, qe tradita shqiptare se pushtuesi lë kockat tek ky vend dhe në nuk pritet me lule por me plumba. Vasil Laçi u nderua dhe u respektua nga sistemi socialist:U shpall “Hero i Popullit” dhe eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit , shkolla 8-vjeçare e Piqerasit mban emrin e tij, janë krijuar broshura dhe një libër biografik, një film artistik me dy seri si dhe mjaft krijime letrare e muzikore, shtëpia e tij e lindjes ishte nga muzeumet më të mira të kohës…Po sot?Të gjitha në gjendje mjerane. Muzeumi i tij ka mbetur gërmadhë, shkolla s’mund të quhet më e tillë, rrallë në varreza vendos ndonjë veteran lule…Sidoqoftë akti i tij, kur në ç’do përvjetor e jubile, sesione shkencore e kumtesa kombëtare e ndërkombëtare, krenohemi se u rreshtuam në krah të aleancës antifashiste, akti i këtij djaloshi duhet të na bëj krenar, pasi qe atentati i vetëm ndaj fashizmit dhe në kohën e lulëzimit të plotfuqishmërisë së tij në botë.
Sigal