Agim Nesho: Gjenerali shqiptaro-amerikan që luftoi për Kosovën

1544
Sigal

Skënder Doçi: Një patriot që shkëlqen me modestinë e tij

Agim Nesho

Ish-Ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Skënder Doçi, Gjenerali siç e thërras unë me respekt, është nga patriotët e heshtur që gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë frymëzim dhe ikonë e patriotizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është nga shqiptarët e ndershëm që u lind dhe jeton me idenë e madhe të atdhedashurisë, pavarësisht regjimeve apo politikës që nacionalizmin dhe patriotizmin shpesh e përdorin për pushtet personal dhe lavdi. Për Gjeneralin kisha dëgjuar fjalë të mira dhe vlerësime, gjë që më gëzoi kur e pashë në pritjen e komunitetit shqiptar për festën kombëtar në New York, në 1998. I qetë, i buzëqeshur qëndronte në mes të të gjithë shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare, pasionantë në atë që besonin, të ndryshëm në qëndrime por që i bashkonte flamuri Shqiptar dhe festa kombëtare. Gjenerali edhe pse ishte në lirim dhe pjesë e komunitetit Shqiptaro-Amerikan reflektonte autoritet dhe impononte respekt. Ky ishte takimi i parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por më vonë ngjarjet e Kosovës dhe gjenocidi i ushtruar nga regjimi kriminal i Miloshevicit do të na bashkonin në shumë tubime proteste dhe përkrahjeje për popullin trim të Kosovës. Pavarësia e Kosovës dhe aspirata jonë kombëtare asnjëherë nuk do të ishte realizuar pa një sensibilizim të opinionit publik ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte një luftë e civilizimit kundër forcave të ‘errësirës’, të së kaluarës me të ardhmen, e urrejtjes etnike me shoqërinë e lirë dhe demokratike. Prandaj me të drejtë Sekretarja Allbright, zonja e hekurt, tha që shqiptarët duhet të ulen me respekt për çfarë ka bërë për çështjen e Kosovës, se pavarësia e Kosovës është një rast ‘sui generis’ që nuk ka ardhur vetëm nga dëshira e popullit Shqiptar për vetëvendosje por nga një sërë kushtesh të cilat influencuan në këtë vendimmarrje. Dhe një e tillë, në morinë e shumë ngjarjeve të tjera ndërkombëtare, ishte edhe krijimi i Batalionit ‘Atlantik’, që me tepër sesa forcën e tij luftuese kishte simbolikën e madhe të solidarizimit të qytetarëve Amerikanë me çështjen e drejtë të Kosovës. Në atë kohë pasqyrimi i ngjarjeve të spastrimit etnik, vrasjes masive të shqiptarëve pasqyroheshj gjerësisht në media, duke sensibilizuar organizata dhe përfaqësues të fuqishëm të lobingjeve të  cilët organizoheshin për ndihma dhe përkrahje. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan po përgatiste Batalionin ‘Atlantiku’. Në të ishin regjistruar të rinj patriotë dhe atdhedashës që ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën për atdheun. Mbaj mend që më kërkoi takim një organizatë e oficerëve në pension, ku disa oficerë të lartë në lirim, duke përfshirë edhe dy gjeneralë, kishin shprehur dëshirën për të vajtur në Kosovë. Institucionet amerikane me të cilat bashkëpunonim nuk e pranuan këtë iniciativë pasi e shikonin zgjidhjen brenda mekanizmave ndërkombëtare dhe mbrojtjes së parimeve të lirisë dhe demokracisë. Por na duhej një simbol dhe ky simbol erdhi nga Shqiptaro-Amerikanët. U gëzova pa masë ku përfaqësuesi i Kosovës, Dino Hasanaj më tha ‘kemi Gjeneralin tonë Skëndër Doci’.Aq e rëndësishme ishte simbolika e dërgimit të këtij Batalioni, i cili arriti në Tiranë në të njëjtën ditë që do të vinte edhe senatorja Elisabet Doll. Aeroporti i Rinasit komandohej nga forcat e NATO-s dhe kapacitetet e tij ishin të limituara për të gjitha lëvizjet që do të bëheshin. Ne kishim organizuar me institucionin e Presidencës që senatorja Doll të pritej në aeroport, për vetë rëndësinë politike dhe çfarë përfaqësonte ajo dhe bashkëshorti i saj, legjendari Bob Doll. Por autoritetet amerikane, të cilët duhet të ulnin vetëm një aeroplan, jashtë radhe lejuan aeroplanin që transportonte Batalionin ‘Atlantik’ duke i devijuar fluturimin senatores Doll.  Skënder Doçi do të bëhej një nga ikonat e patriotizmit Shqiptar, jo për lavdi dhe karrierë por detyrimit të tij moral për ti shërbyer atdheut dhe çështjes kombëtare. Sa herë që delegacioni ynë dilte në foltoren e Këshillit të Sigurimit për të mbrojtur çështjen e Kosovës frymëzimi ynë mbeteshin miqtë e komunitetit Shqiptaro-Amerikanë si Vëllezërit Bytyçi, Gjenerali Doci, etj., në pamundësi për të perceptuar nga afër aktet e trimërisë së luftëtarëve Adem Jashari, Haradinaj, Limaj, Krasniqi, etj.  Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës u ndjemë krenarë për ceremoninë madhështore të organizuar nga Republika e Kosovës dhe pjesëmarrjen e Presidentit Klinton, Sekretares së Shtetit Allbright, dhe vlerësimin për çfarë kanë bërë për çështjen tonë kombëtare. U përpoqa të shikoj edhe Gjeneralin tonë, patriotin Skënder Doçi, për kontributin e çmuar që ka dhënë dhe frymëzimin që na dha në atë kohë.  Ai mbetet madhështor në patriotizmin e tij dhe frymëzues në modestinë e tij.