Agim Jazaj: Hasan Tasin Pasha, gjenerali me origjinë Shqiptare, që Selanikun ua dha grekërve, jo bullgarëve

1686
Sigal

D O S S I E R

Gazeta “Eleferotipia” para 15 vjeteve, publikoi nga gazetari i mirënjohur grek Viktor Neta, shkrimin e titulluar:

Babai im nuk iu nënshtrua bullgarëve”…

HASAN TASIN PASHA, GJENERALI TURK, ME ORIGJINË SHQIPTARE…

Nënëshkroi Aktin Historik, Selanikun ua dha grekëve, jo bullgarëve…

Nga: AGIM JAZAJ

*Në faqet e historisë ballkanike pse jo dhe  botërore mbetet i gdhendur edhe Hasan Tasin Pasha gjenerali turk, me origjinë shqiptare…

-Më 26 Tetor të vitit 1912, formuloi dhe nënshkroi aktin: Për dorëzimin e qytetit të Selanikut grekëve dhe jo bullgarëve, të cilët nuk lanë mjet pa përdorur, që ky qytet të kalonte nën juriduksionin e tyre…

Me dy vendet portuale, fqinje; Greqia dhe Italia, të cilat janë përballur edhe me emigracionin më të madh, vërshuar prej Shqipërisë, dhe shqiptarët kanë ndjerë ndoshta edhe dorën më të ngrohtë!…

Statistikat shënojnë: Me rreth 600-700 mijë emigrantë në Greqi, dhe gati 250-300 mijë shënohen në Italinë fqinje. Në këto vende gjenden edhe më  të trajtuar, dhe më të “përkëdhelur” në vendet e huaja dhe më të diskriminuar në vendin e tyre, pohojnë jo pa dhimbje shqiptarët!

Sidoqoftë vendet, e gjithëçka në botën e gjallë; janë të mbuluar me merita, sikundër dhe të ngarkuar me mëkate…

Për mëse 3 dekada emigracion i (pa) organizuar, kemi dëgjuar dëshmi, kemi shfletuar faqe të historisë, pjesëza të pa shpalosura, madje sikur ndjen absurdin e një Ligji të Luftës të formuluar: dhe i (pa) «abroguar» praktikisht) me Greqinw mike dhe fqinje. Madje nxënës të emigrantëve shqiptarë janë bërë disa herë flamurmbajtës të këtij simboli të popullit mik, por dhe shpesh herë janë provokuar nga banorët provincialw, përkundër qëndrimit të mbajtur nga pjesa elitare, po edhe e politikës zyrtare në favor të ngritjes së flamurit, nga ish-figurat më të larta të vendit si: ish presidenti, z. Stefanopulos, ish-ministri i arsimit, Eftimiu, si dhe mjaft i hapur në përkrahjen e nxënësve shqiptar flamurmbjatës ka qënë, ish-ministri i Jashtëm; arvanitas me rrënjë, një ndër ish-minstrat dhe figurat e çmuar e vendit: Teodoros Pangallos, ndaj të cilit heretikët, para disa viteve, hapën deri edhe padi penale, përpos qëndrimit të tij publik, duke e quajtur «TURP», reagimin e tyre në festën kombëtare të vendit…

Pikturë nga i biri, Qenan Mesareja

 

DËGJOJ BABAIN PËRPARA TELEVIZIONIT…

Vite më parë Sofia, një banore greke nga “Kipsel”-Athina- rrëfente: “Unë nuk mund të dëgjoj televizionin, kur çdo gjë të keqe ua faturojnë shqiptarëve, pasi mua dhe familjes time më ka thënë  babai kur ishin në luftë. Se me ata kanë luftuar edhe shqiptarët, kur gratë shqiptare u jepnin bukë për të ngrënë, zjarr për t’u ngrohur, dhe çorape leshi për t’i veshur. Unë nuk dëgjoj televizorin, përpara babait tim të nderuar”, mbyll rrëfimin Sofia. Kur emigrantët e parë shkelën në Greqi, u hapën dyert, sikur për gjithë këta njerëz nuk ekzistonte: “Ligji i Luftës”, mes dy vëndeve.

Mes të tjerash, nëpër faqet e historisë jemi njohur edhe me një fakt historik, i cili shkon pa vemendje edhe tani pas gati 1 shekulli, si i “vjeteruar”: Selaniku i sotëm, qyteti i rëndësishëm, i dyti pas Athinës, nyja lidhëse e dy kontinenteve, kryeqendëra ballkanike; është pjesëz e këtij vendi edhe për meritën e pamohueshme të Komandantit të Selanikut, i cili nënshkroi atëherë, kur përcaktoheshin sinoret, AKTIN HISTORIK, të ishte pjesë e Greqisë. Këtë akt e ka formuluar dhe nënshkruar: gjenerali, Hasan Tahsin Pasha, komandanti turk me origjinë shqiptare, pa iu dridhur qerpiku, nga presionet dhe pa u joshur nga çeqet marramëndëse të servirura! Po qe se do të kishte bërë ndryshe, pa dyshim edhe rrjedhat do të ishin ndryshe, e për pasojë edhe marrëdhëniet…

Ky mesazh vjen i gjallë edhe në ditët e sotme, kur këtë pjesë të historisë e rikujtonte në gazetën më të madhe, “Eleferotipia” para 15 vjeteve, (i vënë edhe në disponimin e lexuesve emigrantë shqiptarë, vite më parë nga “GA”) publikonte gazetari i mirënjohur grek: Viktor Neta, në shkrimin e titulluar:

BABAI IM NUK I’U NËNSHTRUA BULLGARËVE”…

“Mot pas moti në vitet ’50-të dhe në fillim të viteve’60-të, në prag të veprimtarive festive për çlirimin e Selanikut, një burrë shtat lartë, rreth të 70-tave, vinte në redaksi. Kishte një pamje aristokrati dhe të intelektualit. Kjo dukej në ecjen, në lëvizjet, po dhe në veshjet e tij. Me një karton të mbledhur rrutullame nën sqetull, shkonte shpesh në zyrën e kryeredaktorit, e hapte dhe ia tregonte. Ishte një pikturë me akuerel që, pasqyronte një moment nga çlirimi i Selanikut, me 26 Tetor 1912, dhe do të botohej në ballinën jubilare të gazetës.

Ai burrë, me shtatin impresionues, të të cilit e kam parasysh sikur të ishte dje, ishte QENAN MESERAJA, i biri i gjeneral Hasan Tahsin Pashës, komandantit turk i Selanikut. Hasan Tahsin Pasha, ishte gjenerali që vendosi t’ia dorezonte Selanikun ushtrisë greke.

PINJOLLI  I  GJENERALIT

“Qenan Meseraja studioi ne institutin francez të Gallatasarajit, në Stamboll, u rreshtua në ushtrinë turke dhe shërbeu si adjutant i të jatit. Njëkohësisht ushtroi dhe talentin e tij në pikturë. Ky talent e afirmoi si njerin prej ikonografëve më të rëndësishëm, ndofta më të rëndësishmin, e çlirimit te Selanikut, eveniment që e përjetoi çast pas çasti pranë të jatit gjeneral. Pikturat e tij gjenden në shtabin e armatës së tretë të ushtrise, në klubin e oficereve të Selanikut, në Janinë, si dhe në koleksionet private. Disa nga pikturat e tij që i sillte në gazetë, i kisha të ruajtura në një dollap. Por, gjatë shpërnguljeve të zyrave humbën… Nuk e di sa piktor i mirë ishte: Qenan Mesareja, por gjithësesi tablotë e tij kanë vlerë të madhe historike“.

RIGJETJA E FAMILJES SË GJENERALIT

Në tetor 1984, kur po përgatitja një emision në ERT-1 për çlirimin e Selanikut, m’u kujtua Qenan Mesareja. Duke marrë parasysh moshën e tij, mendova se ishte e pa mundur që ai të jetonte. Mirpo nuk përjashtova mundësinë që pasardhës të tij që gjenden në Greqi; e dija se ai jetonte në Janinë, prej nga vinte çdo vit për festën e Selanikut.

Me këtë shpresë shfletova numëratorin telefonik dhe gjeta emrin (mbiemrin) Mesere. K.Shahin, arkitekt. Telefonova me një herë dhe degjova një zë të predispozuar e miqësor, që më konfirmoi se po! Ishte i biri i Qenan Mesarese dhe nipi i Hasan Tahsin Pashës. Ju luta të merte pjesë në emision, të fliste për gjyshin e të jatin e tij dhe për rolin e tyre në dorëzimin e Selanikut. Me shumë xhentilesë m’u përgjigj se nuk donte të fliste për ngjarje që nuk i kishte përjetuar, por u tregua i gatshëm  të më jepte kujtimet e pabotuara të gjyshit, të cilat i kishte përkëthyer i biri.

I ËSHTË ZHDUKUR  VARRI GJENERALIT

Kujtimet e Hasan Tahsin Pashës, janë një dokument historik. Pjesë të tyre i përdora tek dokumentari, ndërsa fragmente të zgjedhura i botova tek; “Eleferotipia” në tetor të vitit 1994. Perveç kujtimeve të pa botuara Shahin Mesareja më dha dhe informacione interesante për familjen e tij me origjinë SHQIPTARE. Hasan Tahsin Pasha, myslyman – shqiptar, bëri një karrierë te shkëlqyer në ushtrinë turke. Pas dorezimit të Selanikut qëndroi për pak në qytet dhe pastaj u vendos në Zvicër, ku vdiq më 1918; mirëpo trupi i tij u varros në varrin familjar, në vorrezën shqiptare qe ishte në Triandria të Selanikut.

Varreza shqiptare sot nuk ekziston dhe nipi po kërkon akoma për një metër tokë që i takon gjyshit dhe të jatit të tij, kur ky vdiq më 1965-n, afër të 86-ave…Kjo është një çështje për të cilën ftohen të japin zgjidhje ministri i Maqedonisë dhe Thrakës dhe kryetari i Bashkisë së Selanikut. Selaniku ua ka borxh këtë.

QËNDRESA  PËR  NJË  FIRMË

 

Dhe ja sepse: Në një artikull që botoi në gazetën e Selanikut; ”Elinkos Vorras”, më 26 tetor 1960, Qenan Mesareja bëri një zbulim të rëndësishëm dhe historik  për dorëzimin e  Selanikut grekëve dhe synimet e bullgareve. Shkruante ndër të tjera Mesareja: „Gjithë ata që duan të gjykojnë me ndërgjegje dhe me paanësi atë periudhë, duhet t’i rikthehen situatës më: 27 tetor, kur të dërguarit e kryegjeneralit të forcave bullgare, Teodorov, duke mbajtur flamur të bardhë, vizituan tim atë atë mbrëmje në godinën e Guvernës. Një kolonel i artilerisë, kapiteni i kavalerisë Standiev (me pas ambasador i Bullgarisë në Paris) dhe dy oficerë të tjerë të shtabit. Pas përshëndetjeve të rastit, zoti Standiev e mori fjalën dhe shprehu befasinë dhe pakënaqesinë e përligjur për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi sç tha ai, ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar vazhdimisht dhe me sakrifica të mëdha në Selanik, prandaj gëzonte të drejtën që ta merrte në dorëzim në emër të nalmadhnisë së tij Carit të Bullgarisë.

U kujtuam zotërinjëve se armata që komandohej nga im atë kishte pasur si kundërshtar të vetëm ushtrinë greke, kundër së cilës edhe luftuan; nga Elosana deri në Selanik, u bënë luftime të ashpëra në vende të ndryshme, ku nuk pati asnjë këmbë bullgari. Sa për çështjen e dorëzimit ajo i përkiste vetëm atij (Komandantit Shqiptar të Turqisë, Hasan Tahsin Pasha, shën im) dhe nuk i jepte llogari kurrkujt. Shefi i misionit bullgar u përgjigj me tërbim e me zë gjëmues se dhe ata para pak orësh trupat bullgare qenë ndodhur nën zjarrin e dendur të armëve të ushtrisë turke, (një pretendim i gënjeshtërt, pasi trupat tona qenë çarmatosur ndërkaq në masë të madhe), dhe se prandaj kishin edhe ata të drejtë të njëjtë për pushtet mbi qytetin. Ai kërkoi që menjëherë të hartohej një protokoll i posaçëm, ku të shkruhej se qyteti u dorezohet bullgarëve.

Me gjakftohtësi të madhe dhe i pa tundur, babai im shprehu habinë për pretendimin dhe mendjelehtësinë e propozimeve.

Zotëria kolonel shfrynte me këmbë e me duar, e ngriti dhe më shumë zërin dhe kërcenoi se, nëse ne insistonim në qëndrimin tonë, trupat bullgare do të hynin me forcë në Selanik. Ndonëse i mundur dhe tashmë i pa fuqishëm, babai im qëndroi kryelartë dhe tha: JO. Atëhere hyri me diplomaci zoti Standiev për të neutralizuar përshtypjen e keqe që kishte shkaktuar koloneli dhe njëkohësisht për të tentuar që të shkëpuste, qoftë dhe një premtim  të thjeshtë, i cili sipas zotit ambasador do të vlerësohej siç duhej nga ana e fronit bullgar, si dhe nga kryegjenerali Todorov, qe priste me padurim një përgjigje pozitive.

Pa mundur, megjithëse u përpoq plot dy orë që të na bindëte, zoti Standov, pasi foli për pak me kolegët e tij shprehu dëshirën të më fliste veçmas. Kaluam në sallën e madhe të pritjes, ku nuk kishte asnjë njeri tjetër. Zotëria ambasador më vështroi i heshtur e i tronditur për disa sekonda, pastaj nxorri nga çanta e vet një çek të një banke londineze me një shumë marramendëse, që ma dha me lëvizje të kontraktuara dhe duke pëshpëritur, më dha të kuptoj, se ai çek ishte shpërblim për një firmë të thjeshtë të tim eti. Mbeta si të me kishte goditur rrufeja, dridhesha i tëri dhe me hapa të ngadalta u ktheva në zyrë. Erdhi dhe ambasadori me çehre të zbehtë. Të tjerët nuk kishin nevojë për spjegime. Pasi iu mbush mëndja se as kërcënimet, as sharjet nuk do të nxirrnin gjë në dritë, na u lutën t’u përgatitnim një kopje të protokollit çka u bë me një herë. (Protokoll i nënnshruar me grekët për qytetin e Selanikut)

KOKA  NË  SHQIPËRI,  TRUPI  NË  GREQI

 

Hasan Tahsin Pasha pati 7 fëmijë, prej të cilëve jetuan tre, dy djem dhe një vajzë. Një djalë i tij ishte ambasador i Shqipërisë në Athinë para Luftës së Dytë Botërore. Në kohën e luftës shkoi në Lindjen e Mesme, u kthye pas luftës dhe u vendos në Athinë, ku u martua me një athiniote denbabaden nga Kolonaqi. Vdiq me 1968. Vajza u martua në Turqi dhe pati një djalë. Fëmija i tretë, Qenan Mesareja pas luftës së Parë Botërore erdhi nga Zvicra në Greqi, ku kishte mjaft miq grek, punoi si anëtar i komisionit për caktimin e kufijve. Në Selanikun e viteve 20-30-të ishte i njohur për jetën e vet bohemiane dhe aventurat erotike me artistët e teatrit. Më vonë u vendos në Janinë, ku u martua me një shqiptare, Vajzën e Mustafa Pashës, që kishte pasuri të madhe në Epir.

Qenan Mesareja bëri 2 djem, që u rritën në Janinë dhe studiuan në “Ziosimea”. I pari, Shahini, studioi për arkitekturë në Itali dhe punon në Athinë. Djali i dytë është inxhinier elektrik dhe sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shahin Mesareja, i njohur më shume si Ini, pati një veprimtari të dendur aktive politike në radhët e të majtës, shumë më përpara vendosjes së juntës së kolonelëve (me 1967)-sot është 57 vjeç, por edhe pas përmbysjes së juntës në fushën sindikaliste. Gjatë juntës u vetësyrgjynos në Itali. Kur regjimi i kolonelëve dha shënja “zbutjeje” vendosi e u kthye në Athinë.

Nuk  mund t’i shmangej “ftesës” për t’u paraqitur tek shefi i Asfalisë (policisë), duke pasur me vete dhe pasaporten dhe e lexoi: Shahin Mesareja i Qenanit. Pyeti me ton të egër:

-Çfar je ti ore? Hebre?

– Jo, jam shqiptar.

-Shqiptar?.. I qerratait, Enver Hoxhës? Mori vrull shefi dhe shau Shahinin me gjithë epitetet që përmbante libri grek i sharjeve kundër Shqipërisë dhe Enver Hoxhës.

Çfarë t’i thoshte Ini Mesareja? Për GJYSHIN dhe për BABAIN e vet? Për SELANIKUN?

E çfarë do të kuptonte antikomunisti injorant?

Ini proferoi të mos thoshte absolutisht gjë, mori pasaportën dhe iku”…