Agim Gjakova: Romani i ri, kritika e Ramiz Alisë dhe fjalët e Kadaresë

698
Sigal

-vijon nga dje-

 Romani i ri, kritika e Ramiz Alisë dhe fjalët e Kadaresë

Më 1974 botova romanin “Në kërkim të së vërtetës”, i cili kishte përmbajtje nga jeta shqiptare në prag të prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i bëhej një jehonë “shqiptarizmit” në raportet me të huajt. Ky roman pati peripecitë e vete gjatë redaktimit, pasi u sorollat mjaft për dy arsye, së pari, se kishte në të mendime e përshkrime që nuk ishin të pranueshme nga realizmi socialist, dhe, së dyti, se pritej që të botohej varianti i punuar i romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe” ose “Dimri i madh”. Me gjithë kundërshtimet dhe zbutjen në disa vende të përmbajtjes ideore të tij nga redaksia, përsëri romani kaloi nëpër filtrin e kritikës së partisë, së pari në sektorin ideologjik të Komitetit Qendror dhe kjo ndodhi kështu : Në një konsultim që thërriti Ramiz Alia krerët e mediave shqiptare të asaj kohe, u tha se ishte botuar romani “Në kërkim të së vërtetës” dhe se “kishin pasur kritika për të, prandaj u kërkonte edhe të pranishëmve që ta ndihmonin partinë”. Kjo ta “ndihmonin partinë” do të thoshte të fillonin të bënin kritika këtij romani. Nuk ishte fjala për kritikë artistike, por për kritikë “ideologjike”, që donte të thoshte të hidhej poshtë romani si i papërshtatshëm për ideologjinë e Partisë. Këtë ma thanë disa veta. Por Adriatik Kallulli kishte marrë vesh se Ismail Kadareja kishte thënë në Komitet Qendror, se përse kritikohej ai vetë (dhe romani i tij e nuk kritikohej) Agim Gjakova e “Në kërkim të së vërtetës”, përse i lejoheshin atij skena të “papërshtatshme”, ndërsa i bëhej kritikë Kadaresë.

 Kritikat e Driëtero Agollit, Manush Myftiut dhe të Jakov Xoxes