A jemi kujtuar për Babain e Kombit…?!

838
Sigal

Izet S. ÇULLI

 

Për dijeni, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama

Sot po shkruaj diçka për Ismail Qemal Vlorën, Babain e Kombit tonë, për të cilin nuk e dimë se a do të ketë një përkujtimore të plot merituar me rastin e 175-vjetorit të lindjes (1884-2019) dhe të 100-vjetorit të vdekjes (1919-2019). Ne me të drejtë mburremi, por edhe i gjithë kombi shqiptar krenohet me këtë personalitet të shquar. Ai në emër të Shqipërisë etnike dhe të idealeve të Shqiptarisë, ngriti me madhështi Flamurin kuqezi me shkabën e zezë dykrerëshe në Vlorë, më 28.12.1912. duke u bërë Kryeministri i parë i Shqipërisë moderne e të pavarur. Për sa përmenda më lart, ne të tëra këto i dimë, mund të shprehet me të drejtë secili prej nesh, e do të ishte kësisoj i saktë po të mendonte në këtë mënyrë. Po problemi del se, a është kujtuar shteti ynë i sotëm për vitin jubilar të 175-vjetorit të ditëlindjes së Tij? (Vdekja mund të përmendet e të kujtohet, siç u bë për Gjergj Kastriot Skënderbeun, për të cilin as mbas kaq shekujsh nuk jemi të sigurt se në ç’vit ka lindur. Ne vetëm sa hamendësojmë për këtë, sado që me figurën e tij janë marrë për një kohë të gjatë mjaft studiues shqiptarë e të huaj dhe kanë botuar shumë libra e monografi).

Po le të kthehemi tek babai i kombit Ismail Qemal Vlora. Më duhet të shënoj se, mbase ende nuk janë bërë publike dhe të njohura veprimtaritë për këtë datë të shënuar. sidomos të lindjes, apo vërtet s’jemi kujtuar për një kremtim të këtillë, i cili do të nderonte çdo shtet e komb?! Gjithashtu, do të ishte mirë që me këtë rast, këtij burrë shteti largpamës t’i ngrihej një monument, ashtu siç i takon Ismail Qemalit. Shtatore të tilla të lartësoheshin, jo vetëm në Tiranë, por edhe në vendet përreth, për të cilat Ai, ngriti Flamurin e Madh, duke përuruar kësodore shtetin e parë shqiptar të kohëve më të reja. Nuk do ishte po ashtu aspak e vështirë të silleshin prej Madridit eshtrat e bashkëshortes së tij me prejardhje të pastër shqiptare nga nëna dhe babai, sepse ajo këtu e ka vendin për t’u prehur. Ja ç’meditoja këto ditë të tejftohta janari kur po barisja në Vlorë me disa shokë e miq për luftëtarin e paepur të çështjes kombëtare dhe intelektualin poliedrik Ismail Qemal bej Vlorën. Ishte ky njeri i madh vizionar që përballoi shqetësimet dhe vështirësitë e panumërta të kurdisura nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm të vendit tonë, (veçanërisht për ngritjen e Flamurit), të cilët, jo vetëm nuk i kanë munguar asnjëherë Shqipërisë sonë, por i ka pasur madje edhe me tepri ata.