75-vjetori i Konferencës së lavdishme të Pezës

1041
Mustafa XHAFA

Konferenca e Pezës, më 16 shtator 2017, bëhet 75 vjeç!
Konferenca e Pezës, më 16 shtator 2017, bëhet 75 vjeç! Por ajo ka mbetur “e re”! Ajo u kujton shqiptareve shumë gjëra : Pushtuesin e huaj, LANÇ-in, bashkimin e popullit, pushtetin popullor, Partinë Komuniste, dhe udhëheqësin e saj, Enver Hoxhën! Rinisë, e cila nuk i ka jetuar vitet e socializmit e të pushtetit popullor, i tregon të vërtetën historike, që Partia Komuniste, gjatë muajve të parë të jetës së vet, me punën e saj sqaruese, mobilizuese e organizuese në luftë kundër pushtuesve fashistë, mundi të hedhë themelet e bashkimit të popullit shqiptar, që, në vijim, duheshin forcuar, për t’i vënë atij baza politike e organizative të shëndosha në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, KQ i Partisë Komuniste organizoi thirrjen e Konferencës së Parë Nacionalçlirimtare Shqiptare (të Pezës), e cila u mbajt, më 16 shtator 1942, në Pezë të Tiranës. Është më shumë rëndësi të përmendim e të kujtojmë se në Konferencën e Pezës, përveç komunistëve, kanë marrë pjesë edhe nacionalistë të rrymave të ndryshme, patriotë të njohur të vendit e demokratë progresiste. Askush nuk mund të mohojë se një pjesë e nacionalistëve qëndronte shumë afër Partisë Komuniste, kishte përqafuar vijën politike të saj dhe luftonte gjallërisht kundër pushtuesve. Pjesa tjerër e nacionalistëve shprehej për çlirimin e vendit e për bashkimin e popullit në luftë kundër sunduesve të huaj, por ajo nuk ishte hedhur në veprime konkrete, mbante një qëndrim pritjeje. Pjesë përbërëse e kësaj kategorie nacionalistësh ishin edhe zogistët me përfaqësuesin kryesor të tyre, Abaz Kupin! Partia Komuniste, largpamëse dhe e vendosur në misionin e saj, nuk ngurroi t’i bënte thirrje për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës edhe një kategorie tjetër nacionalistesh si Mithat Frasheri e të tjerë, të cilet ende nuk e kishin shprehur hapur qëndrimin e vet, po këta nuk e pranuan thirrjen e Partisë Komuniste dhe, ndonse dështuan, bënë sa mundën ta bojkotonin e ta sabotonin Konferencen e Pezës. Njerëzit, të cilët kanë jetuar në vitet e socializmit e të pushtetit popullor, e dinë se ç’është e çfarë përfaqëson Konferenca e Pezës, tjeter që, jo pak prej tyre, heshtin, sepse nuk kanë guximin të thonë e të mbrojnë të vërtetën e saj. Brezi i ri nuk ka frikë, ndaj këtij i duhet bërë e ditur se ç’është e çfarë përfaqëson Mbledhja e Pezës. Se ky brez, edhe nëse ka dëgjuar ndonjë gjë për Pezën, e ka mësuar në mënyrë të deformuar! Ky, brez i ri, duhet të mësojë se, më 16 shtator 1942, në Mbledhjen e Pezes, u shtrua dhe u diskutua problemi i bashkimit dhe i organizimit të popullit shqiptar në luftë kundër pushtuesve fashistë; duhet të mësojë se pjesëmarrësit në Konferencë, përfshirë shumicën dërrmuese të nacionalistëve, i pranuan rolin e madh dhe veprimtarinë organizuese e mobilizuese të Partisë Komuniste në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare; se në Konferencë, u vu në dukje qartë që fashistët italiane dhe qeveria e Mustafa Krujës, atëherë Kryeministër, nuk ia kishin dalë ta veçonin PKSH nga nacionalistet patriotë dhe se komunistët kishin fituar besimin e popullit; se Rezolucioni i Konferences se Pezës bënte të qartë që propaganda armike “mbi rrezikun komunist” ishte demaskuar dhe se komunizmi në Shqipëri nuk ishte më gogol i pjesës së ndershme të popullit shqiptar, nuk ishte më gogol i katundarit, i pronarit të mesëm, i intelektualit, se komunistët nuk ishin “pa atdhe'”, siç i prezantonte fashizmi në popull! Rinia duhet të dijë se Abaz Kupi e ndonjë nacionalist tjetër nuk patën guximin të dilnin hapur në mbledhje kundër rolit drejtues që PKSH kishte filluar të luante në luftën çlirimtare, ndonëse bënë përpjekje për të penguar rritjen e autoritetit të saj, duke kundërshtuar disa shfaqje të jashtme që kishin vulën e Partisë Komuniste, emërtimin e çetave me fjalën “partizane” dhe mbajtjen prej tyre të yllit të kuq si shenjë dalluese. Kundërshtime si këto, po edhe disa pikëpamje të kundërta për pjesëmarrjen në masë te rinisë në luftën kundër fashizmit ose rreth disa shprehjeve të Rezolucionit të Konferencës, të gjitha u kapërcyen me durim dhe pas arsyetimit të argumentuar thellë, që Enver Hoxha e përfaqësuesit e tjerë të PKSH, u bënë pikëpamjeve të veta të drejta. Rinia duhet të dijë se Konferenca e Pezës zgjodhi Këshillin e saj të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (të përkohshëm) dhe se të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes pranuan platformen e Luftës Nacionalçlirimtare, të përpunuar nga Partia Komuniste, në të cilën pëmbaheshin çështjet më themelore të kohës si: të zhvillohet luftë pa kompromis kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve për një Shqipëri të pavarur e demokratikë; të afirmohej se bazat e vërteta të bashkimit të popullit shqiptar janë hedhur dhe se ato do të formohen vetëm në luftë kundër pushtuesit; të kërkohej që të bëhet organizimi i shëndoshë i të gjithë shqiptarëve të vërtetë pa dallim klase, bindjeje politike, feje dhe krahine në një front të përbashkët nacionalçlirimtar; të ngrihen gjithkund këshillat nacionalçlirimtare si organe të bashkimit e të mobilizimit të popullit në luftë dhe si organe të pushtetit popullor; të popullarizohej përgatitja e kryengritjes së përgjithshme të armatosur e popullit shqiptar, si etapë e fundit, rrjedhim i logjikshëm i luftës partizane; popullit i bëhej thirrje të zhvillohet luftë e organizuar kundër Bankës Bujqësore, shoqërive anonime italiane dhe gjithë shfrytëzuesve, që nxjerrin përfitime në kurriz të popullit me ndërmjetësinë e pushtuesve. Borgjezia shqiptare ka hedhur shumë baltë e gurë mbi Konferencën e Pezës, po ajo nuk nuk do të arrijë të përmbysë të vërtetën e Konferencës së Pezës. Konferenca e Pezës ishte ajo që krijoi Frontin Nacionalçlirimtar dhe vuri themelet e pushtetit popullor, ishte ajo që ajo afirmoi rolin udhëheqës të PKSH në LNÇL dhe shënoi, në këtë mënyrë, fitoren e parë të madhe politike të saj. Peza nuk ishte një Konferencë partish politike, se, si parti politike në të merrte pjesë vetëm Partia Komuniste, e cila ishte edhe organizatorja e saj. Se atëherë nuk kishte të tjera parti politike antifashiste, ndaj Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar nuk u krijua si një koalicion partish politike. Ishte Konferenca e Pezës ajo që ligjësoi bashkimin vullnetar të masave të gjera popullore, bazat e të cilit ishin hedhur nga poshtë në luftën kundër pushtuesve. Farkëtuese e këtij bashkimi dhe udhëheqëse e drejtëpërdrejtë e vetme e Frontit ishte PKSH me Enver Hoxhën. Fronti kishte në themel aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë, e cila përbënte bazën më të gjerë të tij. Nacionalistët patriotë e mbështetën PKSH, sepse panë në programin e saj plotësimin e kërkesave të tyre të ngutshme dhe u futën në Front ose si rryma ose si njerëz të veçantë! Peza bën thirrje për bashkimin e popullit shqiptar. Por kjo nuk është e mundur nën drejtimin e partive të borgjezisë! Kush nuk e kupton se partitë e borgjezisë e kanë përçarë popullin shqiptar, gabon rëndë! S’ka përse të mos thuhen fjalë urimi kur përkujtohet Konferenca e Pezës. Po me Pezën nuk duhet të luhet për kapital politik! Kush nderon Konferencën e Pezës, duhet të nderojë PKSH (PPSH) dhe Enver Hoxhën! Rroftë 75- vjetori i Konferencës së Pezës!
Sigal