Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Formacion i ri dhe i veçantë

Kështu mund të quhet tashmë pas 75 vitesh Brigada e Parë Sulmuese (Br. I S) e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Vetëm një muaj kishte kaluar nga formimi i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, kur më 15 gusht 1943, në fshatin Vithkuq të Korçës, u krijua një formacion i ri dhe i veçantë, një strukturë më e organizuar luftarake, siç ishte Br. I S. Grupet e para të luftëtarëve për formimin e brigadës arritën në Vithkuq nga fundi i korrikut 1943. Të parë ishin vullnetarët e batalioneve të qarkut të Korçës për të vazhduar vullnetarët nga Elbasani, Berati, Vlora, Gjirokastra, Dibra, Kukësi, Tirana, Shkodra etj. U grumbulluan gjithsej 556 luftëtarë, ku midis tyre ishin dhe 10 luftëtare. Ceremonia e inaugurimit u bë në mënyrë madhështore para gjithë popullit të Korçës, por dhe të krahina përreth. Vithkuqi atë ditë historike, e ka përcjellë në vite, se atë ditë buçiste nga këngët dhe vallet e partizanëve dhe të popullit të shumtë që kish ardhur me këtë rast. Formimin e brigadës e përshëndeti Spiro Moisiu, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha Komisar i Shtabit të Përgjithshëm, Nako Spiro, Fiqrete Sanxhaktari, Dhori Panariti, kryetari i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit Vithkuq, një ushtar i ushtrisë së kuqe, i kapur rob nga gjermanët dhe i arratisur nga kampi i përqendrimit, një partizan slloven dhe një partizan italian, të dy të dezertuar nga ushtria italiane. Luftëtarët e ardhur për formimin e Br. I S kishin një përvojë luftarake nga çeta e batalione të ndryshme të vendit. Brigada u organizua në katër batalione me rreth 120 veta secili. Çdo batalion, sipas traditës shqiptare u organizua në tri kompani pushkatare, një kompani mortaje, një bateri artilerie dhe një kompani kundërtankesh. Në drejtimin e brigadës u caktuan kuadro që kishin përvojë në luftime, që kishin eksperiencë, që ishin shquar për besnikë ndaj popullit dhe që kishin aftësi të mira në kryerjen e detyrave. Komandant u caktua Mehmet Shehu dhe komisar Tuk Jakova. Formimi i kësaj njësie të parë luftarake siç ishte brigada, përbënte një ngjarje me rëndësi të madhe si politike dhe ushtarake për vendin që ishte i përfshirë në LANÇ dhe në Kualicionin Antifashist Botëror. Ky moment ishte dhe një arritje e madhe e popullit në luftën kundër pushtuesve fashist dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

 

Përballoi një mësymje të armikut, që në ditët e para

Që në ditët e para të formimit të këtij formacioni të madh, Br. I S ju desh të përballonte përpara Vithkuqit një mësymje të mirë organizuar të armikut. Në këtë luftë nga armiku merrnin pjesë 10 mijë ushtarë e milicë fashistë italianë, të pajisur me mjete luftarake moderne, si dhe të mbështetur me aviacion dhe artileri të rëndë. Por të këtë luftim të ndërmarrë prej tij, ai la në fushën e luftës 200 të vrarë. Brigada pas këtij luftimi çliroi krahinën e Mokrës dhe sulmoi qytetin e Pogradecit, i cili mbrohej nga mijëra ushtarë fashistë italianë. Me kapitullimin e Italisë fashiste, në vendin erdhën bashkëpunëtorët e tyre, nazistët gjermanë. Brigada kishte marrë detyrë nga komanda eprore për të goditur pa reshtur autokolonat ushtarake gjermane që kalonin gjatë rrugës Elbasan-Tiranë, ku në të shumtën e rasteve ju shkaktoi dëme të mëdha. Më tej, po me urdhër ajo shkoi në qarkun e Beratit për të ndihmuar forcat partizane të cilat po kërcënoheshin nga veprimet luftarake të armikut.

 

Veprime luftarake në shkallë të gjerë

Nga gjysma e dytë e nëntorit të vitit 1943 nazistët gjermanë filluan veprime luftarake në shkallë të gjerë në zonën e Mallakastrës. Duke qenë më superior në numër, në pajisje dhe në teknikë luftarake, nazistët u munduan të rrethonin dhe të asgjësonin, por nuk mundën ta arrinin qëllimin për të cilin kishin nisur këtë operacion. Në operacionin armik të Dimrit 1943-1944, Br. I S u hodh në krahinën e Mesaplikut dhe në atë të Kurveleshit të Poshtëm. Nazistët gjermanë, duke mos hequr dorë nga misioni për të rrethuar e asgjësuar partizanët e Br. I S, si dhe forcat luftarake të qarkut të Vlorës, hodhi në operacion forca të shumta nga të gjitha anët në drejtim të Mesaplikut. Por forcat partizane, komandat e tyre dhe forcat territoriale organizuan një mbrojtje shembullore e heroike, duke e dëmtuan rëndë kundërshtarin. Pas zhvillimit të luftimeve, pjesa më e madhe e forcave të Br. I S, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, kaloi në zonën e Lunxherisë dhe në atë të Zagorisë. Në saj të përvojës luftarake dhe duke njohur mirë kundërshtarin e terrenin, partizanët e kësaj njësie luftuar heroikisht, duke bërë që Br. I S të përmbush me sukses të gjitha detyrat e ngarkuara nga Shtabi i Përgjithshëm. Brigada zhvilloi luftime në Zagori, në Tendën e Qypit, në Dëshnicë, në Skrapar, etj., dhe kudo u shqua duke u dhënë nazistëve gjermanë dhe tradhtarëve humbje, e duke fituar për vete përvojë dhe forcë në luftime, rriti së tepërmi numrin e luftëtarëve. Nga operacioni e Dimrit Br. I S mësoi shumë përvojë doli më e fortë, duke u hedhur menjëherë në kundërmësymje të fuqishme kundër forcave reaksionare të Ballit Kombëtar, të cilat të dislokuara në Tomorriocë, në Gorë e Mokër i shpartalloi dhe vendosi pushtetin e Këshillave NÇ. Në shkurt të vitit 1944 Br. I S ndërmori një marshimin luftarak të tre batalioneve në krahina që ishin nën komandën gjermane dhe të forcave të reaksionit, por dhe të borës së madhe, duke treguar guxim dhe shpirt të lartë sakrifice. Shtabi i Përgjithshëm, me anën e një letre përgëzonte gjithë brigadën për këtë marshim heroik në këtë periudhë të vështirë dhe me kohë shumë të keqe, ndërsa  shtabi i brigadës në letrën që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm, theksonte se i çojmë Shtabit tonë të Përgjithshëm përshëndetjet tona më të përzemërta dhe e sigurojmë se, nën udhëheqjen e tij, do të vazhdojmë luftën e paprerë kundër okupatorit dhe armiqve të popullit deri në fund, me disiplinë e vetëmohim, me bindje të plotë e besim në udhëheqësit tanë, me vullnet të çeliktë, me shpirt sulmues, me guxim partizan, me frymë e vendosmëri proletare.

 

Brigada mbajti lart flamurin e çlirimit

Në prill 1944, në bashkëveprim me Br. IV S sulmuan dhe çliruan qytetin e Pogradecit. Shtabi i Përgjithshëm e ngarkoi brigadën në pengimin e forcave naziste gjermane dhe të bashkëpunëtorëve të tyre nga Elbasani e Librazhdi, nëse sulmonin në drejtim të Përmetit, ku zhvillohej Kongresi i I-rë Antifashist Nacionalçlirimtar. Më 28 maj, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, Br. I S u inkuadrua në Divizionin e 1-rë Sulmues (Div. I S). Luftëtarët e Div. I S, në saj të përvojës luftarake dhe të drejtimit të sigurt nga komandat e tyre përballuan me heroizëm operacionin e madh nazist gjerman të qershorit 1944 në të gjithë sektorët që mbronin dhe, së bashku me të gjitha forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, i prishën planet e armikut dhe bënë që ky operacion të dështonte. Në historinë e Div. I S luftëtarët e Br. I S zunë një vend nderi. Brigada ngriti dhe më lart mbajti lart flamurin e çlirimit. Në luftimet për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe pjesërisht asaj të Veriut nga Div. I S, luftëtarët e Br. I S luftuan me trimëri, si në Çermenikë, në Zerqan, në Peshkopi e në Dibër. Ndërsa lufta brenda në qytetin e Dibrës dhe në rrethina vazhdoi për 36 orë rresht. Nazistët të mbyllur në fortifikata prej betoni, më në fund nuk i përballuan sulmet e vijueshme të partizanëve dhe dolën mbi fortifikata, duke pranuar dhe përleshjen trup me trup. “Lufta u zhvillua kaq e ashpër, shkruante gazeta fashiste “Bashkimi i Kombit”, sa që do të ishte fort e vështirë me i përshkrue të gjitha etapat e tmerrshme të saj. Komunistët mësynin me tërbim të madh. Trimëria e tyre nuk mohohet. Kaq të etur ishin kësaj radhe për fitore, sa që kishin marrë parasysh çdo humbje e përsëritshin sulmet valë-valë”. Patriotizmi dhe heroizmi i Br. I S u shpalos dhe më mirë në betejën për çlirimin e Tiranës. Forcat e saj sulmuan nga verilindja dhe duke kaluar përmes minave e pengesave, brenda një kohe të shkurtër hynë në spitalin civil, dhe arritën te vendi ku tani është monumenti Partizanit. Zunë rrugën e Barrikadave, kaluan bulevardin e madh dhe u hodhën në lagjet midis këtij bulevardi e Rrugës së Durrësit. Më 16 nëntor, duke sulmuar me guxim, forcat e brigadës zunë Rrugën e Kavajës dhe kapën ish Radio Tirana. Forcat naziste të rrethuara, u asgjësuan. Përpara ministrive luftëtarët e Br. I S u takuan dhe u përqafuan me luftëtarët e Br. IV, VIII S që kishin përparuar në anët e tjera. Kështu Tirana u çlirua.

 

Simbol për repartet dhe njësitë partizane

Br. I S përshkroi me luftë një rrugë prej 2260 km, pa përfshirë këtu veprimet brenda rajoneve apo krahinave ku zhvilloi veprimtari propagande. Brigada pranoi të ndeshej në fushën e luftës edhe në raporte të pabarabartë me forcat e armikut, por gjithnjë doli fitimtare. Sukseset dhe lufta e bërë nga Br. I S e dëshmon fakti se nga radhët e saj ranë dëshmorë në fushën e nderit 275 partizanë e partizane, midis të cilëve Heronjt e Popullit Gjok Doçi, Xheladin Beqiri (Karadaku), Inajete Dumi, Fejzi Micolli, Myslim Shyri, si dhe u plagosën mbi 735 të tjerë. Për kontributin e dhënë në luftë Br. I S është vlerësuar nga Kuvendi Popullor me urdhrin “Ylli Partizan” të Klasit të I-rë, si dhe titulli i lartë i “Heroit të Popullit”, për heroizmin e lartë masiv të luftëtarëve të saj dhe për shërbimet e shquara në çlirimin e Atdheut nga pushtuesit fashistë e tradhtarët dhe për vendosjen e pushtetit popullor. Br. I S me luftën dhe veprimtarinë luftarake, si formacion i parë i madh i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u bë shembull për gjithë repartet dhe njësitë partizane.

Komandanti i Br. I S Mehmet Shehu, në analizën e bërë vite më vonë për cilësitë kryesore të partizanëve dhe të brigadave sulmuese i ka përmbledhur në gatishmërinë e çdo pjesëtari të brigadës për të dhënë edhe jetën në çdo çast për mbrojtjen e Atdheut dhe lirinë e popullit, besnikërinë dhe besimin e pafund ndaj vetvetes, besimin te shokët, besimin në fitoren mbi armikun, sado i fuqishëm që të duket ai, urrejtjen e pakufishme për armikun dhe dashuria e pakufishme për popullin, sjelljen e denjë e çdo pjesëtari të Brigadës ndaj popullit dhe shkrirjen shpirtërore me popullin, shpirti sulmues, aktivitetin luftarak të pandërprerë gjatë gjithë periudhës së luftës, disiplinën fortë dhe të ndërgjegjshme, shkathtësinë, shpejtësinë, saktësinë, elasticitetin në veprimin luftarak, marrëdhëniet shoqërore, vëllazërore, midis kuadrove të brigadës dhe efektivit të saj, duke u zhdukur çdo distancë midis tyre, papërkulshmërinë përpara çdo pengese, vështirësie dhe situate të rëndë në luftë qofshin këto edhe të shkallës me ekstreme, si dhe guximin dhe mospasja frikë nga vdekja.

Br. I S është një arkiv i pasur me luftime dhe veprime luftarake, kjo përbën një pasuri të madhe dhe një përvojë shqiptare e cila përbën dhe një fond të artë për t’u studiuar në vijimësi dhe për të nxjerrë përfundime edhe për kushtet e sotme të luftimit.

Veteranët LANÇ: Komandanti Mehmet Shehu kujton ditën që lindi Brigada I

Disa nga kujtimet

Komandanti i Brigadës I Sulmuese Mehmet Shehu, më 15 gusht të vitit 1970, 27 vjet pas formimi, përshëndet ish-drejtuesit e saj dhe tregon kujtimet e tij për atmosferën që mbizotëronte atë ditë.
Gushti i nxehtë i vitit 1943 do të sillte në skenë atë vit një formacion më të madh luftarak, brigadën që do të ishte njësia më e guximshme dhe më heroike. Për inaugurimin, brigada ishte grumbulluar në Fushën e Makërzës, në Vithkuq, në një shesh prej jo shumë të madh, që ndodhej në një pozicion shumë të favorshëm, pasi ishte i rrethuar me pisha.
Kanë kaluar 27 vjet që nga 15 gushti i vitit 1943, kur u formua Brigada I Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Gjer më sot janë shkruar artikuj, broshura dhe libra mbi luftën e Brigadës I Sulmuese. Së shpejti, do të dalë në dritë teksti mbi jetën dhe luftën e Brigadës I Sulmuese. Kjo është një masë shumë e rëndësishme, që ka të bëjë me përjetësimin e luftës së popullit tonë. Jeta dhe lufta e Brigadës I Sulmuese përbën vetëm një pjesë të vogël të historisë së Luftës Çlirimtare. Për periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare. Me mbarimin e kësaj lufte, kjo brigadë nuk u shpërnda, por u riformua: sot ekziston Brigada e I Sulmuese e Ushtrisë Popullore, që është pasardhësja e saj…
Çfarë del nga analiza që i bëjmë jetës dhe luftës, Brigadës së I Sulmuese, apo brigadave të tjera sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare?
Lufta jonë nacionalçlirimtare ishte një luftë popullore. Ajo qe një luftë në dy fronte: kundër pushtuesve të huaj nga njëra anë dhe kundër tradhtarëve të vendit që u vunë në shërbim të pushtuesit nga ana tjetër. Kështu, lufta jonë nacionalçlirimtare në etapën e dytë të saj, kur armiqtë e brendshëm, përfaqësues të klasave reaksionare të vendit, u shkrinë përfundimisht në një barrikadë me pushtuesit e huaj në luftën e armatosur kundër forcave të Frontit Nacionalçlirimtar, në këto rrethana, lufta jonë u kthye në një revolucion të vërtetë popullor dhe karakteri klasor i saj mori ngjyrë e përmbajtje të theksuar.

Kështu e nisi udhën e saj luftarake

Ditën e përurimit Brigada I kishte 556 luftëtarë e kuadro të rreshtuar në katër batalione.
Në çdo batalion kishte 120 partizanë të ndarë në tri kompani dhe çdo kompani kishte katër skuadra.
Në çdo skuadër pushkatare kishte një mitraloz të lehtë dhe në çdo kompani një mitraloz të rëndë.
Në brigadë u formua edhe një kompani mortajash 81 mm me 6 gryka zjarri.
Një kompani me 6 pushkë kundratanke 20 mm.
Një bateri artilerie malore 47/32 mm me dy gryka zjarri.
Ranë 481 dëshmorë dhe 14 Heronj të Popullit