75 vjet më parë – Operacioni i madh armik i Dimrit 1943-1944

2499
Sigal

Ing. Myfit GUXHOLLI*

Faqe të lavdishme nga lufta heroike e Ushtrisë Nacionalçlirimtare

Në fundin e vitit 1943, Ushtria Nacionalçlirimtare ishte rritur e forcuar dhe godiste pa pushim armikun. Në këtë kohë, e favorizuar dhe nga kushtet e jashtme si fitoret e Ushtrisë Sovjetike dhe të Aleatëve, Ushtria Nacionalçlirimtare kishte çliruar edhe mjaft qytete si Dibra, Peshkopia, Kruja, Berati, Gjirokastra dhe harta e territoreve të çliruara po shtrihej deri në Vlorë. Po rrezikoheshin rrugët e Lëvizjes së Ushtrisë Naziste. Kjo gjendje e shqetësonte shumë komandën gjermane. Në këto kushte, kryekomandanti i forcave naziste gjermane deklaronte: “Deri tani ne i kemi besuar mikpritjes dhe besës shqiptare, por nuk mundemi të durojmë më gjatë sulmet; duhet të marrim masa për sigurinë tonë”. Në të njejtën kohë, qeveria tradhtare e Tiranës, u vu drejtpërdrejt në shërbim të okupatorit dhe mobilizoi forcat e veta për të asgjësuar forcat partizane. Gjermanët iu vunë punës për përgatitjen e një operacioni ushtarak të përgjithshëm në Shqipëri. Qëllimi i këtij operacioni synonte asgjësimin e UNÇL dhe shkatërrimin e këshillave Nacionalçlirimtare, për të vendosur pushtetin e bashkëpunëtorëve të tyre.

Forcat naziste gjermane që vepronin në Shqipëri u përforcuan me forca të tjera të ardhura nga Greqia e Jugosllavia dhe që hynin në përbërjen e katër divizioneve gjermane (297, 181, 21, 104.) Efektivi i këtyre forcave armike arrinte rreth 30.000 veta, përveç afro 12.000 forca të Ballit Kombëtar e Legalitetit. Komandanti i Përgjithshëm i Operacionit ishte gjenerali nazist Fehm.

Ndërsa forcat e UNÇL arrinin rreth 20.000 luftëtarë; shumica e tyre të inkuadruar në batalione, grupe e brigade të rregullta (4 brigada, 9 grupe dhe 17 batalione). Armatimi i tyre ishte i thjeshtë: pushkë automatike, mitraloza të lehtë e të rëndë. Burimi kryesor i furnizimit të forcave partizane me veshmbathje, ushqim dhe municion ishte populli ndërkohë që llogaritej edhe furnizimi nga aleatët dhe kapja në luftë e depove dhe materialeve të ndryshme të armikut. Ajo kishte moral shumë ta lartë dhe disiplinë të shëndoshë e të ndërgjegjshme sepse partizanët luftonin për një gjë të shenjtë, çlirimin e atdheut. Komanda gjermane, pasi kishte përpunuar planin e operacionit dhe kishte bërë përgatitjet e nevojshme filloi nga zbatimi i tij qysh në Nëntor 1943 duke sulmuar UNÇL në zonën e Pezës dhe pastaj me radhë në zonat e Dibrës, Mallakastrës, Çermenikës, Shëngjergj-Martanesh, Korçës, Beratit, Gjirokastrës dhe Kurvelesh-Salari-Mesaplikut. Pas disa goditjeve të vogla, komanda gjermane nazifashiste, kolaboracionistët e armatosur deri në dhëmbë goditjen kryesore e dhanë kundër forcave të Brigadës së 3-të dhe Grupit të Pezës. Forcat armike sulmuan nga drejtimet: Tirana, Ndroqi, Shijaku, Kavaja, Rrogozhina e Peqini me qëllim rrethimin dhe asgjësimin e forcave partizane. Këto të fundit, megjithëse të armatosura me armë të lehta, pa ushqime dhe veshmbathje, në kondita dimri luftuan me trimëri të rrallë.

Shtabi i Përgjithshëm, duke vlerësuar rezistencën e armikut vendosi që Brigada e 3-të të kalonte në zonën e Çermenikës duke manovruar për të çarë rrethimin. Në të njejtën kohë, Grupi i Pezës u urdhërua të luftonte me grupe të vogla kundër forcave armike të dislokuara në zonën e Pezës. Ushtria nazifashiste mundi të përshkonte zonën e Pezës gjatë operacionit. Këtu ajo dogji, vrau e shkatërroi, por partizanët e Pezës nuk mundi t’i asgjësonte.

Partizanët i zbatuan me përpikëri detyrat

Pas operacionit të Pezës, okupatorët nazistë kryen sulme kundër forcave partizane të Dibrës e Peshkopisë. Edhe këtu partizanët luftuan me trimëri, por në pamundësi manovrimi në ato zona, detashmentet partizane në kondita të disfavorshme karshi armikut marrin urdhër për tu tërhequr dhe të kalonin në drejtim të Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Njëkohësisht edhe zona e Tropojës nuk shpëtoi nga operacioni duke u sulmuar nga forcat gjermane dhe ato të Xhaferr Devës, të cilat pasi e shkelën, e dogjën, plaçkitën popullin, arrestuan dhe rrahën në gjithë zonën e Malësisë.

Operacioni në krahinën e Mallakastrës u krye me forca të mëdha. U pushtua Berati dhe u vazhdua për në drejtim të Mallakastrës ku ishte përqendruar njësia më e madhe luftarake e UNÇL për atë kohë, Brigada I Sulmuese. Forcat gjermane në bashkëpunim me ato kolaboracioniste sulmuan në drejtim të Fierit e Beratit. Në Gllavë sulmuan forcat kolaboracioniste së bashku me ato naziste gjermane. Pra, forcat partizane ishin të rrethuara nga të gjitha anët. Mjaftonte një gabim i vogël dhe forcat partizane të asgjësoheshin. Komanda e Brigadës I Sulmuese, nën drejtimin e shokut Mehmet Shehu e vlerësoi drejt situatën dhe mori vendimin për të dalë nga rrethimi që po i përgatiste armiku. Partizanët zbatuan me përpikëri detyrat dhe duke përdorur Lundrën e Vogël të Memaliaj kaluan lumin Vjosë për në krahinën e Mesaplikut. Në operacionin e krahinës së Mesaplikut e të Kurveleshit të Poshtëm, forcat e Brigadës I Sulmuese dhe ato të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër zhvilluan luftime të përgjakshme, duke i shkaktuar humbje të mëdha armikut në Vajzë, Gjorm e Qafa e Shëngjergjit. Forcat partizane, duke mos dashur të angazhoheshin në luftime të gjata frontale përpara një armiku superior në forca e mjete, me një manovrim të shpejtë u tërhoqën nga pozicionet e para dhe zunë vijën Bolenë-Vranisht duke zhvilluar luftime të rrepta. Njëkohësisht ato kaluan në zonën e Kurveleshit të Sipërm. Më vonë, forcat kryesore të Brigadës manovruan në zonën e Zagorisë e Lunxhërisë. Një pjesë e tyre u bashkuan me forcat partizane të Qarkut të Vlorës duke kaluar prapa krahëve të armikut për tu kthyer përsëri në Mesaplik e Kurvelesh duke pastruar këto zona nga kolaboracionistët dhe armiku nazist.

Çarja e rrethimit në malet e Martaneshit e Çermenikës

Në 15-ditshin e dytë të Dhjetorit 1943, forca të shumta naziste gjermane dhe kolaboracioniste filluan operacionin kundër forcave partizane që vepronin në zonën Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh. Para se të fillonin operacionin bënë disa goditje kundër partizanëve dhe përforcuan pozitat e tyre gjatë rrugës automobilistike Qaf’ e Thanës-Elbasan-Tiranë. Qëllimi i armikut ishte që forcat partizane të Brigadës 2-të e 3-të, si dhe batalionet e Çermenikës e Martaneshit të mbeteshin të izoluara dhe të asgjësoheshin. Me këto forca partizane ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm. Ishte rasti që Shtabi i Përgjithshëm të tregonte më së miri organizimin e këtyre luftimeve kundër forcave të shumta armike të armatosura më së miri.. Ai duhej të grumbullonte forcat e dy brigadave, asaj të 2-të e të 3-të si dhe të batalioneve të Martaneshit e Çermenikës në një komandë të vetme dhe të luftonin duke sulmuar e mbrojtur që të mund të çanin rrethimin. Por Shtabi i Përgjithshëm, sidomos Enver Hoxha vetë i katërt vendosi të largohesh në Jug të vendit, në zonën e Polisit. Ndërsa forcat partizane u lanë në dorë të shtabeve të tyre duke rrezikuar edhe shpërbërjen. Këto forca partizane luftuan me trimëri dhe vetëmohim për të çarë rrethimin dhe me manovër të shpejtë arritën të shkëputeshin nga forcat gjermane dhe ato kolaboracioniste. Humbjet e këtyre forcave, sidomos të Brigadës së 2-të ishin shumë të mëdha. Forcat e Brigadës së 3-të kaluan në zonën e Matit e Lurës dhe më vonë në atë të Pezës ndërsa forcat e Brigadës së 2-të kaluan në zonën e Tiranës e Krujës. Veprimet luftarake të forcave partizane në operacionin e Shëngjergj-Martanesh-Çermenikës, si rrjedhojë i një vlerësimi jo të drejtë të situatës nga Shtabi i Përgjithshëm me Enver Hoxhën në krye u shoqëruan nga një humbje e madhe e forcave partizane dhe nga një imazh i keq. Pas këtyre goditjeve të vogla në të gjitha qarqet e vendit, më 7 janar 1944 filloi Operacioni Armik i Dimrit, njëherësh në zonën e Korçës, Elbasanit e Beratit. Armiku synonte ti shtynte forcat partizane sa më në Jug, t’i rrethonte dhe ti asgjësonte ato. Brigada e 4-të luftoi me trimëri e heroizëm në vijën e frontit….- Voskopojë-Gjergjevicë dhe nuk i lejoi forcat gjermane të përparonin. Ndërsa në zonën e Beratit, në drejtim të Tomorricës dhe nga Elbasani armiku mundi të përparojë dhe arriti në Mazrekë të Oparit. Kjo dalje vuri në rrezik forcat e Brigadës së 4-të e cila me një manovër të shpejtë çau rrethimin duke kaluar në Qafën e Beçit (Mali Ostrovicë) dhe kaloi në Potom (Skrapar). Gjermanët pushtuan Tomorricën, Sulovën, Nahijën e Beratit, Gorën dhe Oparin duke kryer një terror të paparë nëpër fshatra me synimin për të shkëputur nga lufta masat e popullit. Tentativa e armikut ishte që të dilte nga Çorovoda në Tendën e Qypit për në Përmet. Forcat partizane të Qarkut të Beratit dhe sidomos forcat e Brigadës së I-rë luftuan heroikisht në Tendën e Qypit duke arritur që ti ndalojnë dhe ti detyrojnë të tërhiqen gjermanët. Një ndihmë të madhe dhanë dhe forcat partizane të Brigadës së 6-të që sapo ishte formuar në Përmet.

Gjermanët kudo që shkuan dogjën, vranë dhe plaçkitën por nuk ia arritën qëllimit për të shpartalluar Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Armiku po të njëjtin operacion bëri edhe në Qarkun e Vlorës kundër Brigadës së 5-të e cila u rrezikua seriozisht, por manovrimi i saj dhe ndihma e popullsisë bëri që ajo, jo vetëm të çante rrethimin, por ta godiste armikun në befasi.

Mësymja e përgjithshme e UNÇL

Kur nazistët gjermanë dhe kolaboracionistët po i jepnin fund operacionit në pamundësi të asgjësonin Ushtrinë Nacionalçlirimtare shqiptare, forcat e UNÇL u hodhën në mësymje: Brigada e 5-të në Qarkun e Vlorës, Brigada e 4-të në Qarkun e Korçës, Brigada I Sulmuese në Qarkun e Beratit, Brigada e 6-të në zonën e Lunxhërisë e Zagorisë. Kështu ata i dhanë goditje të fortë armikut dhe filluan të çlironin të gjitha zonat që kishte pushtuar ai gjatë operacionit.
Përballimi me sukses i Operacionit të egër Armik të Dimrit ‘1943-1944 ka qenë prova më e rëndë për UNÇL shqiptare dhe për popullin shqiptar. Në luftime të ashpra në kushte të pabarabarta, në një dimër jashtëzakonisht të vështirë humbjet e partizanëve ishin mbi 1000 veta por radhët e UNÇL shqiptare u shtuan dhe u forcuan, ndërkohë u rrit besimi i popullit në fitoren mbi pushtuesin. Gjatë Operacionit Armik të Dimrit u çimentua dashuria dhe besimi i patundur i luftëtarëve të lirisë për detyrën e lartë të çlirimit të Atdheut…, u rrit ndërgjegjja dhe përkushtimi i partizanëve për një organizim të përsosur, manovër të shkëlqyer e disiplinë të lartë të UNÇL. U rrit në shkallën më të lartë besimi i popullit tek Ushtria Nacionalçlirimtare si e vetmja forcë që do ta çlironte vendin nga pushtuesit gjermanë.

*Veteran i LANÇ – Nënkryetar i OBVL