Mësymja e përgjithshme pranverore dhe Brigada e 15-të Sulmuese

Që nga formimi dhe deri në çlirimin e plotë të atdheut Brigada e XV-të u kompletua dhe u rrit numerikisht. Ajo arriti suksese të mëdha në të gjitha luftimet drejt për drejt me armikun dhe u shndërrua në një njësi të vërtetë luftarake, duke fituar admirimin e popullit të qarkut të Korçës dhe mbarë vendit. Ajo shkroi në historinë e saj një varg suksesesh, duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha si në njerëz dhe materiale e teknikë luftarake: Mbi 500 ushtarë të vrarë, shumë armë e municione, topa, mitraloza, pushkë e material të tjera, makina të djegura etj. Mbështetur në traditat luftarake të popullit shqiptar, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër okupatorëve nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore mori përmasa të gjera. Njësitë e organizuara të Ushtrisë NÇl dhanë një kontribut të madh në raport me numrin e popullsisë, duke e renditur popullin tonë në krahun e fitimtarëve. Idealet e Konferencës së Pezës ishin përhapur e përqafuar kudo si ideale të bashkimit kombëtar. Me parullën “pa dallim feje, krahine dhe ideje” u lind, u forcua dhe u zhvillua lufta Nacionalçlirimtare në emër të kombit e të popullit shqiptar. Nga ky këndvështrim, lavdia e Pezës është sa heroike, aq edhe objekt për t’u studiuar si iniciuese e idealeve kombëtare. Idealet e Pezës u shtrinë në të gjithë vendin. Rezultati është i qartë: nga njësitet në çeta e batalione…

Lufta partizane mori përpjesëtime të gjëra duke shkuar te krijimi i njësive të mëdha të organizuara, siç qenë brigadat sulmuese. Populli iu përgjigj thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl për një mësymje të përgjithshme që të përballonte Operacionin Armik të Qershorit 1944. Më 28 Maj 1944 formohet Divizioni I Sulmues që ishte një mbështetje dhe provë e gjallë e zbatimit të strategjive ushtarake të luftës së armatosur për fuqizimin e UNÇl. Shtabi i Përgjithshëm shfrytëzoi me mjeshtri formimin e reparteve të reja, brigadave dhe divizioneve, veçanërisht Divizionin I me përbërje nga tre brigada (1, 4 dhe 5), forcat tjera nëpër rrethe e komandat e vendit. Divizioni I S, më 26 Qershor 1944 kalon lumin Shkumbin dhe me luftim mësymës u goditën forcat armike gjermane, mësymje të cilën ato nuk e prisnin. Me këtë organizim synohej çlirimi i zonës së. Çermenikës, rrethet e Tiranës, Dibrës e Matit, riorganizimi i këshillave Nacionalçlirimtare dhe mobilizimi i popullit për të mbështetur dhe ripërtërirë njësitë që ishin dëmtuar… Në një kohë kur në Shqipërinë e Jugut kishte shpërthyer Operacionit Armik i Qershorit dhe kur në shumë krahina të tjera zhvilloheshin luftime të rrepta, ne Malësinë e Oparit, në fshatin Protopapë, më 29 Qershor 1944, u inaugurua Brigada e XV-të Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Kjo brigadë e re nuk pati shumë kohë që të festonte inaugurimin e saj. Mjaftuan katër-pesë orë për organizimin e saj dhe forcat e saj u nisën menjëherë për luftë. Brigada e XV-të S u formua nga kuadro e partizanë të batalioneve territoriale të qarkut të Korçës: “Fuat Babani”, “Hakmarrja”, “Reshit Çollaku”, “Skënder Çaçi”, “Tomorri”, Batalioni i Rinisë dhe partizane e partizanë të porsaardhur nga organizatat e terrenit, që duke ju përgjigjur organeve të pushtetit popullor të krijuara në zonat e çliruara shtuan radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare për çlirimin përfundimtar të atdheut. I pari luftim në shkallë të gjerë i brigadës ishte goditja e forcave naziste gjermane e kolaboracioniste mbi Pogradec. Armiku, megjithëse i armatosur mirë dhe dhe i mbrojtur në llogore e qendra zjarri, nuk mundi t’i rezistonte sulmit të shpejtë dhe të befasishëm të partizanëve. Pozicionet me rëndësi, si kalaja dhe ana perëndimore e qytetit, Gështenjat, u morën menjëherë nga partizanët dhe forcat armike u larguan duke lënë të vrarë rreth 20 ushtarë. Më 24 gusht 1944, një autokolonë gjermane që kalonte nga Struga për në Elbasan u sulmua nga partizanët, duke i shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe materiale luftarake. U dogjën 20 makina luftarake nga batalioni i IV-t i Brigadës. Po atë ditë, një autokolonë tjetër që vinte nga Struga në drejtim të Elbasanit u sulmua egërsisht nga forcat e Brigadës. Kjo pritë dhe goditjet u krye mbi Qukës. Këtu armiku la mbi 15 ushtarë të vrarë, ndërsa nga partizanët pati vetëm tre të plagosur. Më 30 gusht 1944 forcat e kësaj brigade çliruan Pogradecin dhe të gjithë fshatrat përreth rrugës automobilistike nga Elini në Pogradec (Pogradec-Korçë). Natën e 24 shtatorit, forcat e batalioneve të dytë dhe të tretë goditën një autokolonë tjetër prej 75 makinash luftarake që vinte në drejtimin Strugë-Pogradec, duke i djegur e shkatërruar. Armikut iu kap edhe një sasi e madhe armësh dhe municionesh.

Humbjet e armikut qenë të mëdha. Brigada XV, pasi kaloi lumin Shkumbin u vendos në rajonin e Elbasanit, ku zhvilloi një sërë goditjesh të ashpra kundër forcave që mbanin të pushtuar qytetin.. Këto goditje synonin çlirimin e qytetit ku ndodheshin rreth 2000 ushtarë e oficerë gjermanë të armatosur me një teknikë shumë të mirë luftarake. Më pas forcat e kësaj brigade filluan mësymjen për çlirimin përfundimtar të Elbasanit. Objektivat kryesor ishin: Ura e Zaranikës, Lagja e Kishës dhe gazermat e Krastës. Batalioni i katërt do të ruante krahët dhe njëkohësisht do të sulmonte forcat armike që ishin dislokuar në Xibrakë dhe Labinot. Batalionit të dytë i ishte ngarkuar detyra të ndërpriste rrugën Elbasan-Tiranë. Mësymja filloi që me 5 Nëntor. Pas dy ditë luftimesh, batalioni i katërt me sulme e kundërsulme mundi të thyejë rezidencën e forcave armike dhe me luftim ndeshës mori këto dy qendra të fortifikuara të Xibrakës dhe Labinotit. Njëkohësisht forcat e batalioneve të parë e të tretë, në zbatim të Urdhrit të Shtabit të Brigadës filluan luftimet për rrethimin dhe asgjësimin e forcave armike në qytet. Veprimet luftarake të të dy batalioneve gjatë sulmit dhe në rrethimin e qytetit qenë të suksesshme, megjithëse forcat armike u vendosën në qendra të forta, si ajo në Shkollën Normale dhe pika të tjera. Mbas sulmeve të njëpasnjëshme të forcave partizane armiku nuk mundi të rezistonte dhe me humbje të mëdha u detyrua të largohet në drejtim të Tiranës dhe Rrogozhinë-Durrës. Gjatë rrugës forcat armike iu nënshtruan goditjeve të tjera nga forcat partizane. Mbas të gjitha këtyre luftimeve të suksesshme partizanët e Brigadës XV-të S zbatuan detyrat e ngarkuara dhe më 12 Nëntor 1944 Elbasani u çlirua. Që nga formimi dhe deri në çlirimin e plotë të atdheut Brigada e XV-të u kompletua dhe u rrit numerikisht. Ajo arriti suksese të mëdha në të gjitha luftimet drejt për drejt me armikun dhe u shndërrua në një njësi të vërtetë luftarake, duke fituar admirimin e popullit të qarkut të Korçës dhe mbarë vendit. Ajo shkroi në historinë e saj një varg suksesesh, duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha si në njerëz dhe materiale e teknikë luftarake: Mbi 500 ushtarë të vrarë, shumë armë e municione, topa, mitraloza, pushkë e materiale të tjera, makina të djegura etj. Më vonë Brigada e XV-të S kreu me nder detyrat luftarake që i ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm deri në çlirimin e plotë të atdheut. Nga Brigada e XV-të S, për çlirimin e atdheut ranë dëshmorë 50 partizanë e partizane, katër kuadro dhe dy shoqe partizane: Thomaidha Laçka (Tokma) dhe Hanko Stara, Istref Maka, Kiço Boboshtica, Minash Gjoka dhe Rahman Beragozhdi, ndërsa u plagosën 73 partizanë e kuadro.

Nga Myfit GUXHOLLI