74-vjetori i fitores mbi nazifashizmin

193

Rexhep G. Alimemaj

 

Gjuha e përbashkët kundër të njëjtit armik

Në këtë jubile të krenarisë patriotike të mbarë popujve të koalicionit antifashist të fitores së madhe mbi nazifashizmin, që u arrit në saj të luftës apokaliptike dhe sakrificave të papërfytyrueshme të njerëzimit, kujtesa historike nuk mund të hesht… është për këto arsye që 9 maji do të jetë një ditë refleksionesh për mbrojtjen e paqes dhe një mësim i madh për çdo agresor. Me një vështrim retrospektiv të Luftës së Dytë Botërore të bie në sy fakti që, pavarësisht nga sistemet e ndryshme shoqërore, u gjend gjuha e përbashkët përballë kuçedrës naziste dhe u formua koalicioni i mirënjohur antifashist. Nuk është pa interes të paralajmërojmë fluturimthi gjithë ato takime e kuvende historike. Nga mezi i gushtit 1943 në Kebek të Kanadasë u takuan kryetarët aleatë për të bërë marrëveshje të re rreth operacioneve të ardhshme, në fillim takohen Çurçill dhe kryeministri kanadez Mackeazie king dhe mandej, më 17 gusht Çurçilli e Ruzvelti në prani të Edenit, Kordel Hullit dhe ekspertëve të tjerë politik ushtarakë, kuvendi i Moskës ku në gjysmën e tetorit u mblodhën ministrat e Jashtëm të Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe SHBA, Molotov-Eden-Kordel Hull, për të plotësuar punën e kryer në Kebek. Konferenca e Teheranit nga 28 nëntor – 3 dhjetor 1943, ku u takuan Stalini, Ruzvelti dhe Çurçilli. Konferenca e Filadelfias më 12 maj 1944 ku u miratua një deklaratë e re me emrin “Deklarata e Filadelfias” me parimet në lëmin politik, ekonomik e sociale. Konferenca e Jaltës, Krime, më 4 – 12 shkurt 1945 ku morën pjesë përfaqësuesit e shtatmadhorie aleate, ekspertë e diplomatë të tre kombeve, përveç ministrave të Jashtëm të Anglisë, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik dhe tre të mëdhenjve Stalin, Çurçill e Ruzvelt. Konferenca e San-Françiskos, ku u ftuan 50 kombe. Nuk u ftua Spanja dhe Italia dhe vendet neutral gjatë luftës si Portugalia, Suedia, Zvicra, teksa Franca nuk pranoi. Kuvendi i Potsdamit më 17 korrik 1945, ku tre të mëdhenjtë, Stalini, Hatli dhe Truman, morën një sërë vendimesh të rëndësishme për çrrënjosjen e militarizimit dhe nazizmit gjerman dhe për ndërtimin e një Gjermanie të Re, mbi baza krejtësisht demokratike dhe paqësore.

Beteja e Berlinit 16 prill – maj 1945, Dita e fitores së madhe

Në fillim të vitit 1945 gjermania naziste kishte humbur në frontin e Lindjes: Budapestin dhe një pjesë të Hungarisë. Bullgaria dhe Rumania i shpallën luftë Gjermanisë. Polonia u bë fushë betejë çlirimtare e ushtrisë fitimtare sovjetike drejt Berlinit. Në janar 1945 Ushtria e Kuqe me 4 armata filloi ofensivën drejt Berlinit me një shpejtësi 30-40 km në dite dhe arrin në lindje të Berlinit, përgjatë lumit Oder. Kundërsulmi me Grupin e Armatës Naziste “Vistola” nën komandën e Hemlerit dështoi. Armatat e tre fronteve të Ushtrisë së Kuqe nën komandën e gjeneralëve: Zhukov, Rokosofski dhe Konjev, vunë përpara armatën Naziste të komanduar nga gjenerali Gothard Hei. Në të gjithë frontin Ushtria Sovjetike kishte: ushtarë 5 milionë, të përfshirë dhe armatën polake; tanke 6.200 copë; aeroplanë 8.400 copë; topa 41.000 copë; Katjusha 3.550 copë. Në fillim të luftës BS mobilizoi 36 milionë ushtarë, prej të cilëve 90.000 gra e vajza. Në katër ditë luftime, armatat sovjetike kishin shpërthyer mbrojtjen gjermane. Më 9 prill fronti gjerman nuk ekzistonte më. Rusët në betejat e para për Berlinin kishin humbur rreth 2.807 tanke, ndërsa armatat aleate 1.079 tanke. Berlini ishte i rrethuar dhe po përgatitje sulmi përfundimtar për marrjen e tij. Më 30 prill trupat sovjetike hapën rrugën drejt Berlinit, sovjetikët rrethua Armatën IX Naziste prej 245.000 ushtarë, e cila la në këtë betejë mbi 20.000 të vrarë dhe pjesa tjetër u dorëzuan robër.

Në kohë që Hitler dhe Eva Braun po helmonin veten me cianur, gjenerali Eidling, kryekomandant i mbrojtjes së Berlinit e dorëzoi qytetin tek sovjetikët më 2 maj 1945. Për një javë luftimesh të ashpra sovjetikët humbën 2.000 tanke dhe 7.500 ushtarë, kurse nazistët gjermanë 12.500 të vrarë dhe civile. Admirali Dentiz drejtoi marrëveshjen e kapitullimit me të tre Aleatët e Mëdhenj, më 8 maj 1945 dhe më 9 maj u shpall si Dita e Fitores mbi Nazifashizmin. Kështu lufta në Evropë mbaroi, po kështu mbaroi dhe Rajhu III, Hitleri, që për 12 vjet i shkaktoi Evropës 60 milionë të vdekur.

Ushtari që ngriti flamurin mbi Rejshtag Berlin

Mihail Aleksejeviç Jegorov ishte ushtari që ngriti flamurin mbi Rejshtag Berlin. Mihail Jegorov një hero shumë i njohur i Luftës në Stalingrad, që ka hyrë në të gjitha i enciklopeditë e botës. Unë kam qenë student ushtarak tankist në BS, në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Jegorovin e kam parë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Sovjetike në Kiev, gjatë ceremonisë në festën e fitores të Luftës Dytë Botërore, më 9 Maj 1958. Jegorovi mbante kostum ushtarak me ngjyrë kafe. Në gjoks i shkëlqenin një numër me dekorata të ngjyrave e madhësive të ndryshme dhe mbi të gjitha ai i “Yllit të Artë të Heroit” të BS. Ishte me gjatësi mesatare, shpatullgjerë, i fuqishëm, sy të shkruar, flokë të drejtë. Në ballë në anën e djathtë, aty ku fillonin flokët, binte në sy shenja që kish lënë një plagë e dikurshme. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur të ftuar nga të katër anët e BS dhe shumë prej pjesëmarrësve ndofta e shihnin për të parën herë nga afër ushtarin që ngriti flamurin mbi Rejshtag, prandaj edhe dëshironit t’i jepnin dorën dhe të këmbenin dy fjalë me të. Ai i filloi kujtimet e tij fare thjesht, por rrjedhshëm dhe nuk ishte nevoja për të bërë pyetje. Ai tregimin e kujtimeve te tij e filloi, duke falënderuar oficerët dhe studentët ushtarakë, për pjesëmarrjen e tyre në 13-vjetorin e fitores të Luftës së Dytë Botërore, më 9 Maj 1945-1958. Brohoritjet ishin të fuqishme duke u ngritur në këmbë e me thirrjen Jegorov, Jegorov… Ai qeshte dhe përshëndeste pastaj e nisi tregimi… “jam lindur më 5 maj të vitit 1923, në fshatin Ernuhenski ne krahinën e Smolenskut. Edhe gjyshi dhe te dy prindërit e mi ishin fshatarë. Kur na sulmoi gjermania naziste isha 18 vjeç, kisha mbaruar shkollën 8-vjeçare dhe punoja në kolkoz. Krahina jonë u pushtua shpejt. Në vitin 1942 u futa në një repart partizan, në prapavijën e armikut dhe më ngatërruan me detyrën e zbuluesit. Në dhjetor të vitit 1944 njësiti ynë partizan e ndiqte armikun edhe në territorin polak. Aty u bashkuam me ushtrinë e rregullt. Gjatë Luftës për çlirimin e Varshavës më dekoruan me një medalje, prej aty bashkë me Armatën I të Frontit të Bjellorusisë, shkela në tokën gjermane. Kur u afruam 30 km afër Berlinit, luftimet u dendësuan aq shumë sa që e ndjeje edhe tronditja e tokës nën këmbë. Në rrethimin e Berlinit, në çdo 4 m2 kishte një armë artilerie. Gjatë gjithë natës, madje edhe ditën, qiellin e përshkonin vetëtimat. Këto ishin “Katjushat”, ajri ishte tepër i rënduar. Era e barutit të zinte frymën. Dita dhe nata sikur ishin bërë një. Ishte tepër tronditëse kur shikoje ujërat e lumit shpesh që sillnin jo vetëm automjete të shkatërruara, por edhe kufoma me njerëz. Ato kufoma ishin të dy palëve luftuese. Më datën 29 prill 1945, reparti ku bëja pjesë arriti në zemër të Berlinit. U strehuam në llogoret e braktisura nga ushtria naziste gjermane, fare pranë Rejshtagut. Transhetë vinin radhë njëra pas tjetrës, me lidhje të brendshme. Mbi transhe dhe në hyrjet e tyre bini aq shumë predha sa mund të vriteshim një qind herë në minutë. Zjarre, krisma, ajri ishte ngopur me tym baroti, me plumba, me aromë benzine etj. Në vazhdonim të mbaheshim në front, në pikën më të lartë afër Rejshtagut. Tashmë s’na bënte më përshtypje se çfarë ndodhte në katet e poshtme dhe kush qëllon, por puna ishte se ku do ta vendosnim flamurin e fitores. Reparti ynë ishte tashmë 100 m afër Rejshtagut dhe togës tonë të zbulimit i ishte caktuar detyra të futej e para në ndërtesën e parlamentin nazist. Blindazhi ynë ishte ballë për ballë me njërën nga hyrjet në Rejshtag. Për të shkuar atje duhej kaluar përmes ferrit… Ushtari rus Mihail Aleksejevlç Jegorov, me flamurin sovjetik në dorë ecën drejt majës më të lartë të Rejshtagut për të ngritur flamurin e fitores, e që nuk mundën ta vendosnin me qindra shokë të tij, sapo të vrarë nga plumbat e ushtarëve nazistë gjermanë si snajper. Arriti ta vendos Jegorov. Bie Rejshtagu nazist! Ishte 2 maj 1945, ora 21.30 minuta.

Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore

Populli ynë u vra e u gjymtua në 7.3 % të banorëve, atij iu dogjën 21 % e shtëpive, iu asgjësuan 1/3 e gjësë së gjallë. Ju grabitën shumë rezerva të mëdha ari, mijëra shqiptarë u masakruan në kampet e shfarosjes si brenda dhe jashtë vendit në Mathauzen, Bukenvald, Dakau, Aushvic, ku lanë kockat mbi 1.642 shqiptarë. Shqipëria i dha Luftës 28.000 dëshmorë, dëmi i përgjithshëm që iu shkaktua vendit tonë arriti në 3 miliardë dollarë me kursin e vitit 1938.