55 vjet, Teatri i Vlorës

3328
Nga Ergys ALUSHI

Në datën 27 nëntor 2017, Teatri Profesionist i Vlorës mbush 55 vjet nga dita e krijimit të tij. Por, fillimet e teatrit në Vlorë janë edhe më herët. 29 janar 1909 është shënuar si data e shfaqjes së parë teatrale në qytetin e Vlorës. 

Shfaqja e pare 29 janar 1909
Klubi “Labëria” vendos në skenë dramën “Vdekja e Pirros”, vepër e patriotit, Mihal Grameno. Ndodhte për herë të pare që në Vlorë jepej një shfaqje teatrale. Jani Minga, ishte organizatori i vënies në skenë së kësaj drame. Në rolet kryesore, luajtën si njerëz me arsim të lartë si Spiro Jorgo Koleka, por edhe artizanë të thjeshtë si Llukë Papajorgji (Llukë Berberi). Ngjarja bëri bujë për kohën. Në 3 prill të vitit 1909, konsulli austrohungarez në Vlorë, do të raportonte qeverinë e vet ndër të tjera se kjo pjesë “… Ushqen urrejtjen ndaj armiqve… pati duartrokitje të zjarrtë”. Një ndër të veçantat e organizimit të shfaqjes teatrale, ishte se në të morën pjesë njerëz nga të gjitha besimet fetare, për të dhënë mesazhe të bashkimit Kombëtar. Ishte po ky grup që në vitin 1909 shfaqi me mjaft sukses dramën “Besa” të Sami frashërti. Me shfaqjen e kësaj drame u kristalizua bërthama e grupit të parë të teatrit të Vlorës. Klubi “Labëria” caktoi një sallë, formoi me anë ndihmash një bazë materiale dhe caktoi si përgjegjës të sektorit të teatrit mësuesin Jani Minga.

Ishte përsëri Jani Minga që më 17 qershor 1912 me nxënësit e shkollës së Kaninës, jep një shfaqje me dialogë, këngë e recitime në prag të shpalljes së Pavarësisë.

28 nëntor 1921
Me rastin e festës së Pavarësisë shfaqet prej të rinjve që merren me teatër drama “Gjaku” ( gazeta “Shqipëria e Re” )

1922 krijohet grupi filodramatik
Nën drejtimin e mësuesit Panajot Papingji do të shfaqte me rastin e ardhjes së Avni Rustemit dramën “Fe e kombësi” të Kristo Floqit, ndërsa në Kaninë mësuesi patriot Mustafa Begaj dha shfaqjen e dramës “Besa” të Sami Frashërit. Më pas ky grup e vazhdoi jetën artistike në shoqërinë “Bashkimi”, që udhëhiqej nga Avni Rustemi, i cili në maj të vitit 1924 do të shfaqte dramën “Karl Topia”të Kristo Floqit, duke marrë përgëzimet e Fan Nolit e Luigj Gurakuqit. Më 28 nëntor 1924 Shoqëria “Bashkimi” luajti në teatrin “Përparimi” dramën “Fe e Kombësi” (Gazeta “Politika”- Kremtimi i 28 Nandorit në Vlonë). Me vazhdimin e viteve, vështirësitë e pengesat politike, do të ndikonin që shfaqjet teatrale të jepeshin rallë si nga nxënësit e shkollës tregtare, shkollës femnore etj. Nxënësit e shkollës tregtare, në vitin ’30 do të jepnin shfaqjen “Lulja e kujtimit’. Më 25 dhjetor 1932, Natën e Krishtëlindjeve një grup filodramatik nga Vlora dha një shfaqje në Durrës të titulluar “Karl Topija”. Në vitet 1932 e 1936, në shoqërinë “Ismail Qemali”, megjithë pengesat e qeverisë së Zogut, u dhanë shfaqjet “Besa”, “Skënderbeu”, poemën e Ali Asllanit “Hanko halla’, përshtatur dhe vendosur në skenë nga shkolla femërore e Vlorës, e më pas në vitin 1938 do të ishin po studentët e shkollës tregtare që do të shfaqnin dramën e Alfred de Vinjisë “Çaterton”
Dhjetor, 1957 Aktivitete kulturore në Vlorë
Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore është duke luajtur një rol të madh në zhvillimin e jetës kulturore e artistike në Vlorë. Gjatë vitit 1957, krahas koncerteve vokale e instrumentale që jepeshin para disa kohëve, grupet artistike të këtij institucioni kanë vënë në skenë edhe pjesë të mëdha si operetën “Era e lirë” e Dunajevskit, tabllonë muzikore “1 Maj” si dhe pjesët teatrale “Po fillojmë me jetue” të Makarenkos, komedinë “Një natë e stuhishme” të Karaxhales etj. Kohët e fundit ansambli i këtij institucioni vuri në skenë tablonë muzikore “Dasma vlonjate” që pasqyron një krijimtari të frytrshme në lëmin muzikor e letrar. Gjatë 5 muajve të parë të vitit 1957, grupet artistike të këtij institucioni kanë dhënë rreth 80 shfaqje për punonjësit e qytetit.
Korrik, 1958 
Teatri diletant – “Fejesë me ngatërresë”
Regjisori i teatrit diletant, Astrit Hasho vuri në skenë komedinë “Fejesë me ngatërresë”, e cila u shfaq me sukses për publikun vlonjat.
Mars, 1961 
Komedi – “Kush qesh i fundit”
Autori – rusi Konrad Kaprivës
Regjisor – Nazmi Bunjaku
Dekori – Pandeli Shamo
Aktorët – Myqerem Ferra, Albert Verria, Vazngjel Panozaqi, Astrit Hasho, Zyhdi Kapaj, Haxhire Myrto, Liza Laskaj etj.

27 nëntor 1962
Krijohet Teatri Profesionist i Vlorës.
Në mbrëmjen e datës 27 nëntor në Vlorë, në sallën e kinoteatrit “7 Nëntori” teatri i porsakrijuar profesionist i Vlorës, bashkë me amatorët më të zgjedhur të rrethit, shpallën për herë të parë siparin me veprimtarinë muziko-letrare “O flamur gjak, o flamur shkabë”. Ishte shfaqja e parë që do të shtronte përpara sfida të mëdha në vendosjen në skenë të veprave të shumta.

Emrat e parë të trupës së teatrit janë Vangjel Panozaqi, Liza Laska, Astrit Hasho, Pirro Sava, Myqerem Fera, Vasillaq Godo, Ali Roshi, Vasil Qesari, Dudi Hasho e të tjerë emra. Në vitet në vazhdim, teatri i Vlorës fitoi përvojën dhe respektin e spektatorëve, u shtua me emra të rinj e të merituar si Albert Verria, Adem Gjyzeli, Resmie Ruci, Agim Shuke, Bujar Asqeriu, Hatiqe Bendo, Jorgaq Tushe, Afërdita Tushe, Astrit Mamaj, Vladimir Abilaliaj, Artan Islami etj.

Shfaqja e parë e Teatrit Profesionist
“Fundosja e skuadrës”
1962 – dhjetor
Regjisor – Kujtim Spahivogli
Dekori – Shaban Hysa
Duke vënë në skenë këtë tragjedi të aleksandër Kornejcukut Teatri Profesionist Vlorës bëri hapin e tij të parë, që shënoi njëkohësisht dhe susksesin e parë.
Në rolet kryesore – Vangjel Panozaqi ( komisari Artjon ), Vasillaq Godo ( marinar ), Qirjako Sava ( minavënësi Gozdaj ), Ana Neko e Dudi Hasho ( në rolin e revolucionares së bindur Oksana ).

Një nga figurat më të realizuara të shfaqjes është ajo e bocmanit Kobza të luajtur nga aktori Luan Toto. Në interpreetimin e tij është mishëruar me besnikëri nacionalizmi i tërbuar i Kobzës, individualiteti i tij. Micmanin Knoris e luante Kristo Shkurti, i cili mund të na japë me inteligjencën e tij të riun romantik që ka lindur për ballo e sallone e jo të luftojë me detin e me vdekjen.

Aktori Myqerem Ferra në rolin e kundëradmiralit Granatov ka një botë të brendshme të përcaktuar. Veprimet e tij janë të matura e logjike. Lanë përshtypje të mira edhe Vasil Beqari në rolin e Strizhenjit, Ali Roshi në rolin e togerit Korn, Naxhire Myrto në rolin e Mucos, Kasëm Roshi në rolin e Balltikasit apo edhe aktorët Zyhdi Kapaj, Astrit Hasho, Reshit Mehmeti, Orian Hajro etj.

14 korrik 1963
Shtypi i kohës
“Teatri profesionist i Vlorës është një nga grupet më të reja të vendit, akoma s’ka mbushur moshën një-vjeçare. Bërthama e tij përbëhet nga disa aktorë me përvojë skenike, ndërsa shumica dërrmuese e të tjerëve, janë aktorë të rinj, ish punëtorë, nxënës, arsmitarë ose nënpunës që e dashuronin artin dramatik e që me guxim u ngjitën në skenën e teatrit për të mëshiruar heronjtë e veprave dramatike. Provat e para në skenë ata i dhanë me dramën “Fundosja e skuadrës”, në të cilën aktorët kaluan para një prove me të vërtetë serioze

1964 
“Familja e peshkatarit”
Autor – Sulejman Pitarka
Regjisor – Nazmi Bunjaku
Skenograf – Pandeli Shamo
Aktorët – Luan Toto, Qirjako Sava, Albert Verria, Piro Sava, Vasil Beqari E Dudi Hasho.
“Zhurrma e bilbilave të milicisë dhe gjëmimi i një muzike të fuqishme të përzier me dallgët e forta të detit na çon në familjen e shqetësuar të Jonuz Brugës” Kështu fillon drama “Familja e peshkatarit” në teatrin Profesionist të Vlorës, vënë në skenë nga regjisori Nazmi Bunjaku, në vitin 1964.

Aktori Luan Toto
“Aktori Luan Toto në rolin e Jonuz Brugës, më të shumtën e rasteve , në mënyrë bindëse, e jep botën e brendshme të personazhit” – do të shkruhej në gazetat letrare të kohës. Ishte viti 1964 dhe Luan Toto ishte aktori kryesor ne teatrin e Vlorës bashkë me Vangjel Panozaqin, Albert Veria, Liza Laska, Myqerem Ferra, Piro Sava etj. Dy vjet më parë në 1962, kishte luajtur në shfaqjen e parë në historinë e teatrit profesionist të Vlorës, të titulluar “Fundosja e skuadrës”. Kishte luajtur edhe në këtë shfaqje një rol kryesor, duke fituar admirimin e spektatorit jo vetëm të Vlorës, por edhe të kryeqytetit, ku dha shfaqje trupa e teatrit. Luan Toto kishte cilësitë për t’u bërë një aktor lider në teatrin dramatik të Vlorës, por në vend që ta luante dramën për spektatorin në teatër, me atë luajti “dramë” lufta e klasave, e cila e zbriti nga skena, por jo nga dashuria e tij e madhe për artin. Të riun vlonjat që studionte në Poloni, akuzat e rënda të kohës së egër të komunizmit, që sajonin gjithfarëlloj historish me agjentë e armiq të popullit, ia ndërprenë në mes studimet dhe ashtu si të tjerë shqiptarë që studionin jashtë shtetit, provoi edhe birucat e Degës së Punës së Brendshme e qelitë e burgjeve të komunizmit.

1971 – nëntor
Teatri – “Sinjali I Kuq”.
Dramë e shkruar nga Bashkim Kozeli
Ngjarjet zhvillohen në një bazë detare luftarake, në të cilën autori ka dhënë tabllo të luftës heroike kundër bllokadës revizisioniste ku morën pjesë të gjithë, që nga ushtarët më të thjeshtë e deri tek admirali.
Regjisor – Piro Sava
As.Regjhisor – Agim Shuke
Piktor – Sabaudin Xhaferri
Aktorët – Agtim Shuke, Adem Gjyzeli, Llambi Kaçani, Andon Qesari etj.

1971
Bujar Asqeriu
Sapo kishte mbaruar shkollën 8-vjeçare.
Dëshira e tij ishte që të udhëtonte me autobus dhe babai ia plotësonte këtë dëshirë. Në një nga këto ditë, në stacionin e trenit në Fier, ku prisnin njerëz që shkonin për në Vlorë, do të dëgjonte babanë që t’i thoshte dikujt “Urdhëroni artist Berti, hidhuni në presidium”.
Ishte një burrë me mjekër, të cilit babai po i tregonte me dorë vendin e parë në autobus. Kjo ishte njohja e pare e Bujar Asqeriut me aktorin Albert Verria.
Kontakti i parë nga afër me artin, me një artist. Berti ishte bërë i njohur asaj kohe me filmin “Kapedani” dhe ishte duke xhirruar në Bjeshkët e Namuna në veri filmin “Operacioni Zjarri”. Bujar Asqeriut, fëmijë, nuk i shkonte në mendje se vite më vonë, kur të bëhej aktor, rolin e tij të parë, do ta luante në krah me Albert Verrinë, në dramën e Leka Bungos “Pabesia”, me rregji të Nazmi Bonjakut. Në vitin 1987, Albert Verria do të nderohej me titullin “Artist i Popullit”, kurse 2 vjet më vonë, Bujar Asqeriu do të nderohej me titullin “Artist i Merituar”

Janar, 1973 
Dekorohen aktorë vlonjatë
Kuvendi Popullor dekoron me medaljen “Naim Frashëri” i tretë aktorin Adem Gjyzeli
Me medaljen “Naim Frashëri” aktorët Ali Roshi, Vangjel Panozaqi dhe Zyhdi Kapaj.

1973 mars
Në 10 vjetorin e krijimit të teatrit dramatik të Vlorës, ku merrte pjesë dhe ministri i kulturës, Thoma Deljana, sekretari i komitetit të partisë, Axhem Gjoni, i jepet titulli “Artiste e merituar” aktores Liza Laska.

1976
Teatër – Vite të vështira”
Dramë e shkruar nga Hiqmet Meçaj, me subjekt, shpronësimin e tregëtarëve pas Luftës së Dytë Botërore.
Regjisor – Vladimir Balla
Skeniografia – Sabaudin Xhaferro
Aktorët – Agim Shuka, Vasillaq Godo, Adem Gjyzeli, Albert Verria, Ali Roshi, Marjeta Sava (amatore)

1976
Teatri – “Karavidhet”
Autor – Thoma Frashri
Regjisor – Nazmi Bunjaku
Skenograf Sabaudin Xhaferri

1978 – 
Teatri – “Rruga Budi 723”
Dramatizuar nga Ferdinand Hysi sipas romanit të Ruzhdi Pulahës
Regjisor – Nazmi Bunjaku
As.Regjisor – Astrit Hasho
Skenograf – Sabaudin Xhaferri
Në rolet kryesore – Arqile Nasho ( Vangjeli ), Llambi Kaçani ( Spiro ), Margarita Pjetri ( Alma ), Efterpi Laçka ( Flora ), Liljana Kulla ( Ema ), Adem Gjyzeli, Kristaq Skrame, Kristina Mihali, Lavdie Bisha, Fabit Beqiri, Andrea Minga, Lefter Hoxha, Vasillaq Godo. Shfaqja u dha dhe në Tiranë e në Durrës. Në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve organizoi një diskutim rreth vlerave të shfaqjes, ku përveç aktorëve të teatrit të Vlorës dhe teatrit Kombëtar morën pjesë edhe shkriamtarë e artistë.

1980 – prill
Teatri – “Pranvera që s’vonoi”
Teatri i dramës shfaqi premierën “Pranvera që s’vonoi” të Bashkim Hoxhës që evokon një ngjarje të Luftës Antifashiste.
Rregjia e Vladimir Ballës e skenografia e Bashkim Zahaj
Interpretuan = Agim Shuke, Bujar Asqeriu, Zyhdi Kapaj, Ali Roshi, Atiqet Bendo, Liza Laska (Artiste e Merituar), Resmie Ruci, Llazar Kaçani, Vasillaq Godo Etj.

1981 – gusht
Teatër – “Lidhur si fishekë gjerdani”
Në gusht të vitit 1981, Aktori i madh shqiptar, Kadri Roshi, do të luante në skenën e teatrit të Vlorës.

“Lidhur si fishek gjerdani”, titullohej drama e Bashkim Kozelit, me rregji të Pjetër Gjokës e Lazër Filipit e as.rregjisore Jorgaq Tushe e Besnik Aliaj, skenografi Sabaudin Xhaferri. Shfaqja do të arrinte një numër rekord spektatorësh, duke u shfaqur për 12 ditë, në teatrin e qytetit.

Përkrah Kadri Roshit (xha Braho), do të luanin aktorët e njohur të Vlorës, Liza Laska (nëna labe), Albert Verria (koloneli Xhentile), Vasillaq Godo (Hodo), Agim Shuke (Ganiu, nxënësi i Halim Xhelos), Adem Gjyzeli (gjemeral Pentini), Fabit Beqiri, Arqile Nasho, Ali Roshi (Milo), Resmie Ruci (Vajzë Nga Fshati), Misto Çoreta, Fatmir Këmbaci, Efterpi Laçka, Lavdie Bisha, Kristina Mihali Etj.

Suskesi i shfaqjes ishte dëshmia më e mirë e cilësisë së lartë artistike që kishin aktorët e trupës së teatrit profesioniste të Vlorës.

– Vijon –
Sigal