55 vjet, Teatri i Vlorës

1658
Nga Ergys ALUSHI

– Vijon nga numri i kaluar –

1981
TEATËR – “MIRËMËNGJES, VERA”
Shkrimtari Gafur Shameti dhe regjisori Jorgaq Tushe, do të bashkëpunomin në mars të vitit 1981, për të vënë në skenë shfaqjen “Mirmëngjes, Vera”
Komedia u prit mirë nga publiku artdashës vlonjat dhe ishte një sukses për trupën e teatrit Profesionistë të Vlorës. Tema aktuale të realitetit ishin në qendër të komedisë, ku linja kryesore ishte dashuria e dy të rinjve, Verës inxhiniere dhe Arbenit mekanik. Efterpi Laçka në rolin e nënë Aishes, do të jete aktorja kryesore e shfaqjes. Atiqet Bendo në rolin e Verës, do të dhurojë një tjetër lojë te bukur te duartrokitur nga publiku. Loje te bukur dhuroi dhe aktorja Lavdie Bisha. Vladimir Abilaliaj do të luante rolin kryesor atë të Arbenit, duke krijuar një portret real të personazhit. Në rolet e tjera do të luajnë Fatmir Kembaci, Vasillaq Godo, Fabit Beqri, Ilirian Ali, si dhe çifti simpatik Hasho-Mihali.

Nëntor- 1982 
Teatër – “Nëntori i Flamurit”
Skenarist: Milano Stefa
Regjia – Nazmi Bunjaku dhe Albert Verria
Skenografia – Sabaudin Xhaferri
Aktorët – Arqile Nasho ( Ismail Qemali ), Vasillaq Godo ( Isa Boletini ), Bujar Asqeriu ( Luigj Gurakuqi ), Albert Verria, Adem Gjyzeli, Besnik Aliaj, Jorgaq Tushe, Ali Roshi, Fabit Beqiri, Atiqe Benod, Fatmir Këmbaci, Iliriaj Ali, Resmie Ruci, F. Çufes

1982
“Figura të realizuara në Teatrin e Vlorës”
“…Çdo aktor ka individualitetin e vet, si edhe metodën e vet të punës me rolin. Biles aktor të veçantë kanë metodën e tyre për çdp proces pune me rolin. Shumë aktorë i jepen totalisht figurës vetëm pas një analize të hollësishme e me detaje të saj. Kështu vepron aktori Agim Shuke. Disa të tjerë, mbasi e kanë perceptuar emocionalisht tërësinë e figurës, edhe pa mbaruar analizën e përgjithshme, jepen pa rezerva në prova. Kështu vepron Albert Verria. Ka të tjerë që për individualizimin e mishërimin e figurës, nisen njëherë nga veçoritë e jashtme, për të arritur gradualisht tek e brendshmja. P.Sh. Besnik Aliaj, pasi i komunikohet roli, mendon fillimisht si vishet, si ecën, si sillet figura, ç’mban në dorë etj. Adem Gjyzeli tregon, se kur punonte me rolin e Edit tek “Rruga Budi 723”, iu desh të rrinte për një kohë të gjatë me nxënësit e shkollës së mesme, sepse e kishte të vështirë (për shkak të ndryshimit të moshës), të interpretonte një djalë 19-20 vjeç. Kurse Ali Roshi, për të ndërtuar rolin e Ganiut në komedinë “Na u rrit çupa”, takoi e u njoh me të gjithë pensionistët e qytetit, gjersa gjeti një tip hokatar, që i duhej si prototip real për figurën. Liza Laska e vrojton jetën me imtësi, grumbullon detaje e nuanca njerëzore dhe i sjell ato në skenë, duke dhënë figura të plota. Vasillaq Godon ishim mësuar ta shihnim në role pozitive e sikur qe stamposur, sa edhe ai vet e ndjente dhe ankohej për këtë. Por gjatë vitit 1981 ai na dha disa figura të individualizuara mirë, që ndryshonin mhaft nga ato figura që ishim mësuar ta shihnim. E pamë Vasillaqin-prind që i zien koka për vajzën, të cilën s;pranon kurrsesi që ta largojë nga Tirana e kërkon t’i gjej një burrë të përshtashëm, pa dashur t’ia dihë për ëndrrat e planet e saj….E pamë atë në rolin e një kontrabandisti, të një fundërrine, të një kaposhi të kapardisur në fillim e që mbaron në një lëvozhgë që flaket në fund…E pamë edhe në rolin e një djali të ditëve tona që s’e ka kuptuar ashtu si duhet revolucionarizimin…
1984
Teatër – “Midis Dy Dashurive”
Autor – Mihallaq Qilleri
Regjisor – Besnik Aliaj
Skenograf – Sabaudin Xhaferri
Drama i merr ngjarjet nga e përditshmja, nga lufta që bëhej për afirmin e së resë në botëkuptimin e njerëzve kundër psikologjisë mikroborgjeze më mënyrën e jetesës. 
Interpretët e kësaj pjese në teatrin e Vlorës janë të gjithë të rinj. Në rolin e babait aktori Arqile Nasho dha një tjetër figurë të bukur. Edhe pse në repertorin e tij skenik ai ka realizuar disa figura të tilla, aktori diti edhe kësaj radhe të realizojë e të materializojë me lojën konkrete e të përmbajtur një figurë të re. Hatiqet Bendo, si aktore e disa planeve e disa figurave skenike të larmishme, edhe këtë herë krijoi tek nënë Marua, një grua zemërbardhë, të dhëmbëshur, që kërkon me çdo kusht të ruajë harmoninë familjare. Fatmiri i Bujar Asqeriut, ishte një nga rolet më të vështirë të spektaklit, për shkak të vendit kryesor, që zë figura e tij në dramë dhe të marrëdhënieve të shumta që ka ky rol me linjat dhe konfliktin e pjesës. Aktorja e re Rozeta Skëndo, luajti në rolin e Zamirës, të një nuseje me kërkesa e maniera të tepruara, të cilat bëhen shkak i shqetësimeve të përkohëshme për atë vetë, të shoqin dhe të gjithë familjen. Aktorja e kishte kuptuar drejt rolin dhe e interpretoi atë me përgjegjësi. Figurë simpatike krijoi edhe aktorja Ervehe Veizi në rolin e Lejdit, motra e Fatmirit. Gjallëria, dinamizimi i lëvizjeve në skenë, emocionet dhe shqetësimet e motivonin mirë figurën e saj si studente e shkëlqyer, si motër e dashur, si vakzë e çiltër, plot dashuri për jetën e njerëzit. Figura të realizuara dhënë në këtë shgaqje edhe aktorët A.Roshi e I.Aliaj në rolin e Kadriut dhe E.Laçka e R.Ruci në rolin e Lenës.

Shtator –1985
Teatër –Drama “Sinqeriteti”
Autor – Harrallamb Fandi
regjisor – Lefter Simoni
dekori – Sabaudin Xhaferri
Përmes ngjarjeve nga jeta e rinisë, pjesa synon të japë pastërtinë morale të të rinjve që në luftë me thashethemet dhe shqetësimet e njerëzve të paformuar, ndeshen dhe fitojnë. Përveç aktorëve Eli Veizi, Kristaq Skrame, Atiqet Bendo e Lavdie Bisha, spikasin me lojën e tyre bindëse edhe disa nxënës si A. Vangjeli, F. Zyko, L. Dinushi, B. Nini etj. 

Maj- 1987 
teatri “Pallati 176”
Në ditët e para të Majit 1987, në teatrin e Vlorës nuk gjeje dot bileta. Çdo mbrëmje salla plot e jashtë saj, mbeteshin po aq. Kërkesat ishin të shumta. I gjithë qyteti donte të shkonte në teatër. Nuk ishte Estrada, siç ndodhte shpesh që krijonte situata të tilla, por trupa e teatrit të dramës.
Shfaqej komedia “Pallati 176”. Në një “garë”të fortë me Teatrin Kombëtar, që e kishte shfaqur pak kohë më parë. Por, ndërsa Tirana kishte, Roland Trebickën, në rolin e Jovan Bregut, Vlora kishte të madhin Albert Verria. Kaq mjaftonte për të garantuar suksesin. Rregjisori i sa e sa shfaqjeve në teatrin e Vlorës, Jorgaq Tushe, kishte goditur në shenjë me aktorët e zgjedhur, ndaj dhe shfaqja i kaloi kufijtë e një suksesi lokal. Mungesa e biletave edhe pse salla plot çdo mbrëmje, do të ndihej dhe në qytetin e Fierit, përgjatë një muaji. Afërdita Tushe, Vladimir Abilaliaj, Adem Gjyzeli, Resmie Ruci, Atiqet Bendo, Arben Tartari, Gjergji Risilia, Radovana Kristoforiti, do të shkëlqenin në mbrëmjet e shumta, në teatrin e Vlorës.
Piro Sava është një nga aktorët më të vjetër të teatrit të Vlorës, një nga themeluesit e teatrit.
Djali i lagjes së vjetër me emrin “Muradie” ka pasur një lidhje me artin skenik që në fëmijërinë e tij, duke u dalluar për humorin e tij natyral dhe imitime të ndryshme. Në rininë e tij u aktivizua me grupe të ndryshme artistike amatore, nën drejtimin e mësuesve të letërsisë Musa Muho e Harrila Kuçuli. Ka luajtur në shfaqjet amatore si në komedinë “14 vjeç dhëndër”, në dramën “Dy rreshterët”, “Cubat”, “Zonjat Hinka e Ostropi” Shumë shpejt u dallua si një artist amator i suksesshëm dhe u aktivizua në shtatë premiera të grupit artistik të shtëpisë së kulturës. Në takimet kombëtare që do të aktivizoheshin për kohën, Piro Sava, do të vlerësohej me dy diploma e një medalje pune, për interpretime të mira.

Ai do të ishte në grupin e aktorëve të parë që do të krijojnë Estradën Profesioniste në nëntor të vitit 1955. Pasi kreu shkollën e lartë për aktor, Piro Sava do të jetë një nga aktorët e parë të Teatrit dramatik që u krijua në Vlorë në vitin 1962, ndërkohë që në vitin 1971 do të vij si regjisor në teatrin dramatik, ku vendosi në skenë 6 premiera.
Dhjetor-1987 
Albert Verria “Artist i Popullit”
Vlora bëhej me një “Artist i Popullit”. Dhe ky do të ishte Albert Verria, “Kapedani” i famshëm i filmit shqiptar. Atë ditë dhjetori, në teatrin e qytetit, salla u mbush plot. Qyteti po përjetonte një tjetër ngjarje të madhe, një tjetër gëzim. Ishte viti i “Flamurtarit”, i basketbollisteve femra, i peshëngritjes, i mundjes, i notarëve meshkuj e femra. Ishte viti ku në këto sporte, vlonjatët bënin ligjin në Shqipëri.

Dhe ëmbëlsira e atij fundviti, do të ishte titulli i madh për artistin e madh. Si në çdo aktivitet të tillë të ngjashëm, autoritetet, do të ishin me shumicë se, Berti, ishte dhe dy herë Deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Në teatër, do ta merrte fjalën i pari, drejtori i teatrit, Petrit Qejvani, i cili do të fliste bukur, ashtu si nga të rrallët, vetëm ai dinte të fliste. Deri në atë vit, Albert Verria, numëronte 60 role në teater e në estradë si dhe 25 role në filma.

Albert Verria ka lindur në 3 shtator 1936 në qytetin e Fierit. Shkollën 8 vjeçare e të mesme bujqësore e ka përfunduar në qytetin e lindjes. Nga viti 1956 deri në vitin 1959 ka ushtruar profesionin e zooteknikut.

Me hapjen e shkollës së lartë “Aleksandër moisiu”, më 1959, vazhdon studimet e larta për aktor deri në vitin 1963. Nga viti 1963 e në vazhdim ka punuar si aktor i teatrit dramatic të Vlorës. Ka interpretuar 56 role në teatër, estradë dhe grupe amatore. Ka marrë pjesë në 28 filma të Kinostudois dhe të Televizionit. Nga krijimtaria e tij artistike veçohen si, xha Halili tek “Fytyra e dytë”, Pilo Gremi tek “Buka e duarve tona”, Hlestakovi tek “Revizori”, Nikolini tek “Fundi I një komedie”, kolonel Xhentile tek “Lidhur si fishek gjerdani”, Ferro Basha tek “Vite të vështira”, Vani Bregu tek “Pallati 176”etj. Në kinematografi, Hiluku tek “operacioni zjarri”, kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës”, Lec Kabashi tek “Thirrja”, Nuri beu tek “Koncert në vitin 1936”, Saliu tek “I treti”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”. Vreçanërisht është bërë I njohur me rolin e xha Sulos tek filmi “Kapedani”. Është Laureat i Çmimit të parë të Republikës dhe me titullin e lartë “Artist I Popullit”.

1989 – mars
Teatri – “Ariu”
Drama – A. Çehov
Regjisor – Fabit Beqiri
Aktort – Bujar Asqeriu ( Lluka ), Atiqet Bendo ( Elena Mihajlloviç ), Kastriot Çollaku ( Ariu ).
Shfaqja u dha n hollin e teatrit si një risi e re në teatrin e Vlorës.

Prill -1990 
teatër – “Kristali blu”
Autor i dramës – Mihallaq Qilleri
Regjisor – Besnik Aliaj
Skenografia – Sabaudin Xhaferri
Ndiçimi – Ëngjëll Haçho e realizuesin e dekorit Ovanez Rrapi
Në rolet kryesore – Liza Laska (artiste e merituar), Bujar Asqeriu (artist i merituar), Ritvana Kristofori, Spiro Petromilo, Gjinovefa Redhi, Kristaq Skrami etj.
Shfaqja pati sukses dhe u ndoq nga një numër i madh spektatorësh edhe pse kishte kohë që në teatër thuhej se nuk ka drama, nuk ka regjisor apo edhe se spektatori tërhiqet më shumë nga komedia e Estrada.

Nëntor -1999 
Ndryshon emri i teatrit
Me rastin e 90 vjetorit të shfaqjes së parë teatrale në Vlorë, në shkurt të vitit 1999, teatri i vlorës e ndryshoi emrin nga “7 nëntori” në “Petro Marko”.
Sigal