Kastriot Bimo: Madhështia dhe vlerat e Kongresit të Lushnjës

1412
Sigal

Si e ftuan përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Austriake, Bektash Cakranin në Pallatin Perandorak Shënbrun

Përse duhet të përkujtohet madhështia e Kongresit të Lushnjës

  -Gjatë luftës, Ismail Qemali tek austriakët shihej akoma me dyshim, për qëndrimin proitalian të paraluftës

– Vrasja e prefektit të Durrësit, Abdyl Ypi, i cili ishte kundër Qeverisë së Durrësit solli shumë pështjellime

Kastriot BIMO

 Ngjarjet e mëdha kremtohen si përkujtim, nderim dhe respekt ndaj produktit të saj, që mund të jetë kthesë historike e fillimi i një etape të re, apo zgjidhja e një situate tejet kritike që do të silltepasoja fatale për ekzistencën e vetë shtetit, dhe vetë kombit decizive. Por po mbushet një shekull nga Kongresi i Lushnjës dhe shqiptarët dinë për këtë ngjarje decizive ndoshta shumë më pak, edhe sa pasqyra e tyre, që janë përfaqësuesit e zgjedhur nga ata në parlament. Këtë jo pa përmendur historiografinë anemike shqiptare, e jo më librat e historisë, që do të jepnin së paku një ide, veç frazave stereotipe si “shpëtoi Shqipërinë nga coptimi i fuqive europiane”, apo “denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës, që kish projektuar coptimin e vendit”, të cilat si përgjithsuese janë jashtë vetë kontekstit kohor. Duhet domosdoshmërisht të shihet ngjarja e madhe e pashkëputur nga ajo e Pavarsisë së Shqipërisë 1912, me rrjedhojë Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, 1913, ku stacionohet shteti shqiptar dhe kufijtë e tij. Por krijimin e shtetit shqiptar qysh në kulmin e Luftës I Ballkanike e kish marrë përsipër Perandoria Austro-Hungareze, e cila ja doli me sukses, duke tërhequr me çdo kusht edhe Gjermaninë; ”Në kërkoftë Serbia të shtrihet deri në Adriatik do t’i thuhet që në fillim jo! Në dashtë vetëm një rrip toke për të dalë në Adriatik, kjo s’mund të jetë tjetër veçse tokë shqiptare, për fitimin e së cilës nuk mund t’i njihej Serbisë në asnjë mënyrë kurrfarë e drejte në themel të principit të kombësisë që ajo predikon vetë, ku një zgjerim i tillë tokëksor do të dëmtone pa të drejtë aspiratat e shqiptarëve.. (HHStA,PA,A”nr. 4205, Berchtold, notë për në Berlin, dt. 30. 10.1912) Ky fakt sjell këmbënguljen serbe, mbështetur nga Perandoria Ruse, “Austro-Hungaria nuk durokërka që Serbia të shkel tokën shqiptare as që të ngulet ajo në breg te Adriatikut, gjë që e di dhe Rusia e i pëlqen plotësisht. Në rast se Austro-Hungaria do t’a ndalojë me armë në këtë punë Serbinë atëherë Rusia do t’i shpalli luftë asaj!” Por shqiptarët ka gjasa të mos e njohin fare qëndrimin tipik luftarak gjerman nga goja e kancelarit Alfed von Koderlen në këtë bisedë; “Po të jenë të vërteta fjalët e tua dhe në dashtë luftë jo vetëm Serbia, por dhe Rusia, atëherë urdhëroni! Vetëm atëherë do të jenë krah për krah me Austro-Hungarinë e forcat e tyre, jo vetëm Gjermania por dhe Italia!” (HHStA,PA,A, nr. 4305, Telegram nga Berlini, dt. 7. 11.1912) Kaq do të mjaftonte për të kuptuar rolin e dy kombeve gjermanikë në krijimin e shtetit shqiptar dhe rolin aq modest të shqiptarëve si krijues të shtetit të tyre. Megjithatë duhet pranuar totalisht se probleme kaq të mprehta shtetformuese e aleancash i kuptonte drejt vetëm një pakicë e krerëve patriotë shqiptarë, kjo larg parrullave “populli u ngrit si një trup i vetëm kundër coptimit të fqinjëve” e të tjera banalitete të tejkaluara tashmë; “Vetëm në sajë të nacionalistëve, të cilët arritën të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe të krijojnë një lëvizje pavarësie duke e paguar këtë me mijëra sakrifica, u bë e mundur që Austria të mbrojë përpara Evropës tezën e ekzistencës së një kombi shqiptar.” (Faik Konica, letër Princ Vidit, Berlin, 9.12.1913) Populli i Shqipërisë së Mesme ishte më i qartë” në veprimet e tij me kundërshtimin kryengritës ndaj shpëtimit të Shqipërisë me anë të një princi gjerman, e rikthyer sundimin osman, por por krerët patriotë elitarë ishin gjithmonë zgjuar.Si të mos mjaftonte kryengritja e fanatikëve osmanë në Shqipërinë e Mesme, shtetbërës shqiptarë, duke harruar vendosjen e tyre të rastësishme nga Austria si të tillë, si dhe duke kujtuar se dispononin kaq diplomaci në kohra delikate, jepnin mendime që do të ishin fatale për fatet e Shqipërisë për kohën, jashtë tutelës mbrojtëse austriake; “Është e nevojshme që të binden shqiptarët se me anën e një princi gjerman, Austria shikonte të bënte për vete shqiptarët me qëllim.. të përvetësojë Shqipërinë. Përkundrazi qeveria italiane kërkon t’ju japë shqipëtarëve një udhëheqje më të lartë, të vërë në zbatim në vend një administratë të rregullt, të krijojë siguri dhe rregull.. Në këto mënyra është Italia ajo që mbron vazhdimisht pavarsinë e Shqipërisë.. Për të ruajtur pavarësinë dhe për të siguruar ekzistencën e Shqipërisë, duhet që shqiptarët të shkojnë së bashku me Italinë..” shkruan I.Qemali (HHStA,PA, A, në AIH, vj.24-32-3218, Telegram i konsullit Halla për Berchtold, Shkodër, 11.11.1914) Për këto deklarata të bëra në Itali, Austriakët do të përgjigjeshin; “Ismail Qemalit iu bë e ditur që ai të mos zhvillojë këtu (në Itali-red) asnjë aktivitet politik dhe se është krejtësisht e padëshirueshme që ai të qëndrojë më gjatë këtu” (HHStA,PA, A, në AIH, vj.25-1-115, Berchtold për Merey Romë, 02.01.1915).

Lufta I Botërore

Lufta I Botërore, e filluar për shkak të shqiptarëve, ku një celulë terrori serb vrau Arkidukën austriak Franz Ferdinand, më aktivi në trysninë ndaj gjermanëve për çështjen shqiptare, megjithë paraqitjen e asnjanësisë si principatë, rreziku serb u shfaq më i fuqishëm. Kjo bëri që 80% të territoreve shqiptare të pushtoheshin nga austriakët, për arsye të mënjanimit të serbëve tashmë aleatë me Antantën. Në fund të luftës, Italia, tashmë krah Antantës, ku kish firmosur Traktatin e Londrës, i cili u denoncua më 1917 nga përfaqësuesi rus Trocki që e nxori vendin e tij nga lufta krijon një kongres dhe qeveri në Durrës, natyrisht pro italiane për të pasur në dorë Shqipërinë e pasluftës duke mënjanuar kështu ndonjë përpjekje të austriakëve në ikje. Por këta të fundit duke parë paqëndrueshmërinë e krerëve shqiptarë, me mungesë të theksuar konsekuence e shumë të paqartë ndaj çështjes kombëtare për shkak të ekuilibrave të rinj, e kanë shumë më të vështirë të gjejnë, jo më të këshillojnë ata se si duhet të veprojnë në mënyrë diplomatike. Me qenë se njeriu më i fuqishëm ushtarakisht ishte Esat pashë Toptani, që tashmë ndodhej krah Antantës, austriakët megjithëse kanë një mori problemesh të tyre të humbjes së “Boshtit Qendror” në luftë, nuk harrojnë të përpiqen të rinxjerrin në skenë edhe një herë Ismail Qemalin, banues në Vjenë tashmë, si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës (1918) me anë të një tjetër patrioti aktiv filogjerman, Bektash Cakranit; “Po të mbarojë kjo luftë keq, se nuk kishin llafe ata më gjuhë të tyre humbmë, pa ç’do gjë e ujdisnin me të, ju qysh do ia bëni kont? Jeni më dorë të frëngjve e këtyre italianëve, që qysh n’a vijin nevej prapa, dihet që u venë atyrej nashti. Inglisve nuk ju’a këndojmë dot mendjen ne, juvej jo e jo! Serbë e grekë që u janë qepur prapa këtyre e dini përse, ka të ngjarë të jenë më të fituar dhe kush do t’i ndalë mejton nashti kont? Bektash Beu që përkthente u bë dhè fare, pa ne të tjerët ishim bërë meit.

-Si qëmoti kë mund të keni hazër për këtë vend Evropit, po të jetë me këmbë për tokë, se me serbë e grekë e dimë sagllam se ç’ngjet! Nga këta dy njerës me fuqi qëkur, Esat Pasha është me sërbtë dit’ e vjetë, kështu që duket nuk kini zgjidhje tjatrë veç Ismail Beut, që nuk është më këtë vakt më këto aleanca qysh është Pashai. Si do që ky i fundit ka fuqi! Duhet të kini dhe një çikë fat, se nevej mund të mos jemi aty gjithënjë, po atë një çikë duhet t’a zini për flokësh kont, se gjërat për keq po marrnë! Ai nuk dinte si ta thosh dhe la më tavolinë një copë të vogël kartë që duhej të ish për Ismail Beun. Ne mbetëm të tërë pa gojë, po rroftë Bektash Beu që u tha se më ç’do kohë për ne, po kish Zot ishte ai një dhe Nemsja dy!” (Perand.A-Hungareze-turq) (“Kujtimet e një firmëtari”, Onufri, Tiranë 2019, fq.326)

Situata e nderë

Po në këtë kohë përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Austriake kanë ftuar Bektash Cakranin në Pallatin Perandorak Shënbrun, si i besuar dhe konsekuent i zbatimit të politikave proteksioniste ndaj Shqipërisë, i kanë bërë të qartë linjën e mbështetjes tek fuqi larg Shqipërisë dhe pa synime, si SHBA. Duhet theksuar megjithëse Ismail Qemali ishte mandatuar nga lobi shqiptar atje, tek austriakët shihej akoma me dyshim, për qëndrimin pro italian të paraluftës. Interesante janë dëshmitë e kadetit Kadri Cakrani për këtë takim; “Por Austriakët e kishin vënë re se dhe Ismail Beu që e kishin mbështetur dhe kishin aq shpresa, pas bisedës së organizuar nga ata me xhaxhajin, mbajtën tjetër qëndrim. Ëiena për Shqipëtarët nuk binte kurrë edhe në këto ditë të fundit të Luftës, dhe ata dipllomatë i kishin thënë xhaxhajit se duhej patur kujdes i madh nga fituesit e Luftës, dhe në qoftë se duhej mbështetur tek ndonjë tjetër fuqi, këto duhet të ishin larg dhe pa interesa tek ky vënd. Ndryshe edhe ajo Shqipëri që u përpoq aq shumë Ëiena, kur po shuhej vetë Perandoria e Vjetër, do të shkrinte brënda një dite. Ata vetë nuk mund të flisnin më se ishin pala e humbur, por xhaxhaji u kishte thënë se Esad Pasha është me Francezët, Ismail Beu dihej me Italianët mbetej që të kërkonin ndihmën e Englezëvet ose Amerikës, që sa hyri në Luftë. Shpresa ishte që të mos zbatohej një traktat që sapo e kish nxjerrë Lenini me anë të Trockit, ku thuhej se Entente, po fitoi, do zgjerohet në Lindje; Franca e kish maras Gjermaninë, Englezët, po ishin ishull, mbetej që Italia të merrte Shqipërinë, pasi Ballkanasit e tjerë këtë herë Mbretërija Jugosllave, e kish nisur Luftën e u bë shkak, po dhe Greqija u fut pas Italisë në Entente në 1915.”(Kadri Cakrani “Lufta Ime” fq.23)

Por pas mbarimit të Luftës së Madhe dhe fillimit të Konferencës së Paqes problemet shqiptare komplikohen mjaft, megjithë qëndrimin amerikan, i cili nuk mund të ishte dakort me Traktatin e Londrës 1915, pasi SHBA u fut në luftë më 1918 dhe ish vendimtar për fitoren e Antantës, pasi juridikisht nuk e kish nënshkruar atë. Pika kritike vjen me abrogimin e Konferencës së Ambasadorëve Londër 1913 dhe mosnjohjen e saj, pasi aty kishin dominuar sidomos në çështjen shqiptare kombet gjermanikë, Austi-Gjermani, tashmë humbës. Shqipëria që e kish referencë jetike Londrën 1913 për shkak të vendosjes së kufijve shtetërorë, gjëndet befas në një situatë unike, ku ajo nuk ekziston më. Po të kthejmë sytë nga atdheu dhe pas tërheqjes së trupave austriake humbëse, por dhe ato franceze nga treva e Korçës, trupat italianë vendosen në të gjithë territorin shqiptar. Ngjarjet rrokullisen me aq shpejtësi dhe pothuaj të gjithë më jo kundër çështjes kombëtare, por ekzistencës së Shqipërisë vetë.

Kur filloi të flitej për shtetin shqiptar

Vetëm tani flitet për Shtetin Shqiptar inekzistent dhe problemi kur Qeveria proitaliane e Durrësit ishte i vetmi organ shtetëror, patriotët vendas, që duhet thënë se nuk janë ata të rastësisë austriake 1912, por shumë më të pjekur dhe mjaft aktivë në çështjen kombëtare. Por përmasa e problemit dhe faktorët kundër unë do ti paralelizoja pa frikë me atë që “Fati i Shqipërisë” i dha Gjergj Kastriotit që ti kundërvihej Perandorisë më të fuqishme të kohës, dhe krijimin e një shteti shqiptar, gati “Mission impossible” për kohën. Por si njëri edhe tjetri ja dolën, duke e kaluar natyrën skeptike, mbase me një farë mrekullie. Por edhe një e tillë, ka një shkak. Ky ishte konsulli anglez Morton Frederick Iden, ku për arsye divergjenca fuqish, kërkon të ngrerë me urgjencë një lëvizje antiitaliane, për arsye se Qeveria proitaliane e Durrësit kish pranuar që Shqipëria të bënte pjesë si provincë muhamedane në Mbretërinë Italiane. Kjo vërehet nga ndjekja me shumë kujdes dhe ngut e këtij problemi nga ana e italianëve, për eliminimin e tij, që falë jetëve të atyre që e shoqëronin Iden shpëton i plagosur. Koha nuk premtonte grumbullimin e patriotëve shqiptarë, në një situatë të nderë, ku fare të paqartë nga propaganda dhe ndoshta frika e Qeverisë së Durrësit, shfaqej si një tjetër mision i pamundur, kjo për faktin se tashmë Ushtria Italiane ishte dislokuar me garnizonet e saj gati në çdo qytet. Këtij fakti i shtohet dhe një tjetër po kaq i rëndë në situatën e brendshme, por normal shqiptarësh, vrasja e prefektit të Durrësit, Abdyl Ypi, i cili kish filluar në fshehtësi veprimin për një kuvend me krerët e Shqipërisë së Mesme, natyrisht kundër Qeverisë së Durrësit. Kështu që detyrat imediate të krerëve të shëndoshë atdhetarë shtoheshin duke sjellë nevojën e një kuvendi kombëtar më shpejt se kurrë. Nuk duhet harruar se territoret e hiderlandit të Vlorës, Italia i kish fituar tashmë qysh me traktatin, por dhe si zonë ndërluftuese gjatë Luftës I Botërore. Në këto kushte fare të paqarta, por imediate për ekzistencën e vetë Shqipërisësi komb dhe si shtet, krerët patriotë shqiptarë filluan nga puna në shumë fronte, njëri më i rëndësishëm se tjetri.

Së pari, duhej gjetur qyteti ku të ishte prania e garnizonit italian e paktë dhe meqënëse për këtë u caktua qyteti i Lushnjës, fare i papërshtashëm për pozicionin gjeografik dhe territorin fushor të tij, por arsyeja mendohet të ketë qënë vendodhja afër trevave e qyteteve të tjerë, që do të bënin të mundur ardhejn e sigurtë dhe të shpejtë të delegatëve në kuvend.

Pikë tjetër delikate ishte dhe mbrojtja e këtij territori fushë, në një kohë kur mund të vërehej dhe të konfliktohej në pak orëme trupat italiane, duke bërë që të dështonte idea e shtruar tashmë për zgjidhje. Patriotët e futur në veprim kishin problemin më delikat për të zgjidhur, atë të paraqitjes dhe përligjes së këtij faktori në arenën ndërkombëtare, që ishte Konferenca 6 mujore e Paqes në Paris e që vetëm paraqitja e shumë delegacioneve në emër të Shqipërisë, e shfaqte hapur të vërtetën e gjendes së saj politike. I kthehemi dëshmive interesante të pabesueshmërisë së moshës së kadetit Cakrani për xhaxhanë e tij, i cili i kish vendosur piketat e qëndrimit shqiptar, qysh pa mbaruar Lufta I Botërore; “Se si do i bënte këto vepëra xhigande Bektash Beu, e dinte Ai dhe Austriakët, që ishte e thënë t’a donin Shqipërinë që krijuan, më shumë se ne që e banuam! Por xhaxhaji që nuk lodhet kurrë për kombin, filloji herë me ngadalë, e herë me vrull, dhe nuk pushoji duke gjetur dhe mbushur mëndjen ç’do patrioti me peshë, deri sa j’a arriti me sukses të madh pas një viti që e shpëtuan më në fund Shqipërinë në Kongresin e Lushnjes. Kjo shpjegon atë që aq fort luftoji Bektash Beu në Kongres, sa pruri me gjithë t’im atë e vëllezërit qindra e qindra vetë me pushkë për t’a mbrojtur atë, si i mbushi mëndjen Kaso Fugës për shtëpinë t’Ja linte Kongresit në mes të Italianëvet, sado që kish martuar motrën në Fugaj, si e pajisi pastaj, duke i blerë ç’do gjë që duhej, si j’U dha poste të tjerëve të mos prishnin punë, dhe vetë nuk mbajti asnjë, si i mënjanoji të gjithë që mund të bënin pazare, si e zgjodhi vetë Qeverinë e Sulejman Bej Delvinës, të mos e drejtonte njeri brënda Shqipërisë me këtë e atë huq, si pikën më të dobët, mbrojtjen j’a dha Amet Zogollit, që ishte 20 vjeç, vetëm të hiqte qafe njerëzit e Esadit, si këmbë nguli për të mos vajtur Qeveria e Re në Elbasan tek Aqif Pasha, si bindi Sulejman Beun për të vajtur në Tiranë, se Durrësi ishte larg, si i mblodhi delegatët bashkë në Çermë dhe nuk i lejoi që të iknin, se nuk i dihej se ç’mund të bënin sa të vendosej Qeveria, e sa të tjera që duheshin zgjidhur, dhe brënda ditës. Ndryshe ajo Shqipëri, sot do të mbetej vetëm një kujtim.” (Kadri Cakrani “Lufta Ime” fq.23)

Delegati i Mallakastrës, Z. Bektash Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotrinjtë: Sulejman Delvina, Iliaz Virjoni, Amet Zogolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica. Z. Iliaz Virjoni për shkaqe të veçanta nuk pranoi: u propozua Z. Hoxha Kadria, i cili u pranua. Votimi u bë çeltazi (fjalë në dokumentin origjinal). U bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Naltë. U zgjodh kabineti:Kryeministër Z. Sulejman Bej Delvina, Zëvëndës Z. Eshref Bej FrashëriMinistër i P. Mbrendshme Z. Ahmet Bej Zogolli, Ministër i P. të Jashtme Z. Mehmet Bej Konica, Ministër i Arsimit Z. Sotir Peci,Ministër i Drejtësisë Z. Hoxha Kadria, Zëvëndës Z. Hysen Bej Virjoni, Ministër Finance Z. Ndoc Çoba, Zëvëndës Z. Idhomen Kosturi” (AQSH, Dosja “Kongresi i Lushnjës)

Ndër këto që përmenden dy ishin më vendimtaret dhe për këtë arsye patrioti Bektash Cakrani, nga kryesorët në organizimin e këtij kuvendi në kohë delikate, që do të quhej tashmë Kongres, vendosi veton ndaj Aqif pashë Elbasanit dhe Abdi Toptanit, miqve të tij qysh në Qeverinë e Vlorës, por dhe antarëve të ardhshëm të regjencës, pa përllogaritur këtu paraqitjen e qeverisë së re, me kryeministër shqiptar të ardhur nga jashtë, Sulejman Delvinën.

1-Ministri i brendshëm do të zgjidhej 24 vjeçari Ahmet Zogolli, për të neutralizuar esadistët e shumtë, si njohës dhe kushëri i tij; “Këtë herë për të ruajtur vëndë, si ministër të brëndshëm do vëmë atë djalnë e gjallë majtanë, Amet Benë, pa le të më viret kondra njeri e të thotë se është çilimi nga ata më këtë kohë të ligë! -Që të vësh dhe çilimiqër më qeveri nuk është parë e dëgjuarë! -E para më tha, s’është çilimi dhe e dyta, po dhe në e ka shkuarë kaqë hollë nëpër mënd, ti mos u sëkëlldis se atë ministri do marrë të ruaj vëndë! Dhe në i daltë para ai që ti mejton (Esad pasha-red), le të vriten ungj e nip, se boll jemi vrarë e bërë copë nevej!”(Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë 2019, fq.365)

2- Përfaqësimin nga ana e tij si delegat i Vlorës në Kongres, pasi për atë qytet nuk mund të negociohej, pasi figuronte italian qysh më 1914, dhe si të tillë delegatët me shumë gjasa mund të pushkatoheshin menjëherë.“Të shohim ndonjë methodhë tjatër mos ndes se këjo që ti ke marrë ti përsipër. Se të përfaqësoç vlonjatë sotë, ikën llafi dhe nukë mund të bëjmë këtej luftë e andej kuvëndë më një vënd, sikur s’e di dhe kohnë e ligë që n’a është shtruar më sofër! -Kush do vejë t’u thotë ti Aqif Pashë? Pa unë nukë e bëj për vlonjatë Pasha, se në arçin nuk e di fare kë do cakëtojnë, po për Vlornë e asaj ditë që përmëndet! E qysh thua, që t’a lëmë më thonjtë e italianëvet se mos n’a vijnë ata këtu e pastaj t’u themi atyrej se nuk e dijim që do vinit, vjen erë kjo Pasha! Ti u je bërë strehë më ç’do kohë atyrej, lere nashti se e mbaj unë përgjegjësinë! Dhe po ngjau ndonjë hata e s’keni përfaqësonjës më kaza t’onë, bëni si të bëni me këta që keni, por po e lamë sotë, e kemi qarë nesër Vlorë e Kaza Pasha!” (Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë 2019, fq.358).

Gjenialiteti i Kongresit të të Lushnjes

Pas peripecive të shumta Kongresi dhe organizatorët e tij shfaqën një gjenialitet të pamenduar deri atëherë duke negociuar dhe tërhequr nga Kongresi e Qeveria e Durrësit krerët patriotë të shquar, ata të linjës pro amerikane, që duhet theksuar se ishin mendimtarë, diplomatë e atdhetarë të besuar, ku për këtë kanë një meritë të paçmuar. P.sh. Mehmet Konica kaloi menjëherë përfaqësuesi ynë në Konferencën e Paqes, fakt që solli një frymë të re diplomacie e njohjeje tashmë të shtetit shqiptar, si dhe delegacioni i tij.

Nuk mund të mos përmendej caktimi i Tiranës kryeqytet, si dhe kalimi i qeverisë së dalë nga Kongresi atje, e gjithë kjo aventurë e udhëhequr nga ministri i ri i brendshëm Ahmet Zogolli përmes rreziqesh të tipit “Qeveri e Durrësit” por dhe garnizonet italiane të porositura nga ajo për të bllokuar mbarëvajtjen e mëtejshme; “Këtë radhë j’u kish dalë kumandanti i garnizonit italian për t’u thënë ndal, po Amet Beu ishte më të tijën! Puna vajti gjer aty sa ai do jepte urdhër për të qëlluar, po Amet Beu nuk e luajti qerpiknë dhe tha: -Nashti në vënd’ të plasë batareja e u bë hazër, kur të tërë kishin ngrirë! Gjithë-gjithë me aqë ushtëri, topa, mitrolozë që kishin italiantë, pa bërë hesap vëndë që kishin bërë istikam e të shih si në pëllëmbë të dorës ku që andej të fshinin atças, mund të bëhej a jo, kiameti dy sahat luftë. Nuk kishte Perëndi jo Amet Bej që t’a kapëtonte dotë këtë pengesë. Ndaj ky i dha karar duket dhe kërkoi që të llafoseshin pa ndezur dyfek në mes të një urë e vogël prej druje aty, andej italiani, këtej Amet Beu, po vetëm këta! Si i la dyfek e kobure ky dhe italiani i pa të tëra, a të mos të turpërohej, a u ngroh nga mitrolostë prapa tijë, nisi udhënë dhe ai mbi urë vetëm që të piqejë kështu me Amet Benë. S’tokën duartë mirë, kur fap Amet Beu e mbërtheu oficernë për fyti atças! Se nga nxjerr një kamë, që sa hap e mbyll sytë j’a vë më grykë italianit që e kish këthyer nashti nga të tijtë. Matjantë ishnin hazër po ky as i kish thënë njeriu gjë, se i erdhi atças në mënd duket dhe këta mund t’i kishin vrarë të dy. Nga ana tjatër ulërima e oficerit, jo nga Amet Beu duket po nga të tijtë që desh hapnë zjarr atças, bërrit ata e bërrit ai bëri që pas një copë here, se ky nuk e çonte, të dilnin nga istikami. Ai ishte bërë meit dhe Amet Beu e sqaroi se s’kish punë me ushtërinë italiane që mbante anën e atyre të Durrësit, ndaj si ushtëri të rrijë atjë ku e kanë vëndë, kështu ai u bind.” (Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë 2019, fq.371)

Të 37 delegatët krijuan kështu Parlamentin e Parë Shqiptar, organin më të lartë që vitytet e tyre si krijues dhe veset e pjesëtarëve të sotëm e vendosin atë si pushtet i sovranit në shtetin shqiptar, vite drite larg njëri-tjetrit. Prandaj ata tinëzisht nuk duan ta “njohin” Kongresin Kombëtar të Lushnjes, që është vetë ekzistenca e Shqipërisë, asaj Shqipërie që trashëgojnë dhe e grabisin me aq dëshirë.

Ndërgjegjësimi i shtet-formimit nëatë situatë ishte konsoliduar në shkallën më të lartë tek krerët patriotë shqiptarë, krejt ndryshe nga situata austriake e formimit të shtetit më 1912. Ata me pjekurinë më të madhe historike këtë radhë i kishin dalë vetë zot dhe e kishin shpëtuar Shqipërinë dhe ekzistencën e saj nga situata më kritike që ka parë ndonjëherë, kështu që edhe lavdia shkon me ta përgjithmonë.