29 NËNTORI, DITA E MADHE E ÇLIRIMIT TË ATDHEUT

182
Leonard VEIZI

Sherbet Karuli: Ju rrëfej kur e çliruam Shqipërinë
INTERVISTA / Flet Sherbet Karuli ish zv/komandanti i Mbrojtjes Bregdetare dhe ish-zv/ komandant Korpusit II Gjirokastër për teknikën luftarake 
Mesnata ishte lënë prapa, ndërsa partizanët e Brigadës XXII Sulmuese shkelnin mbi gjakun dhe trupat e ushtarëve gjermanë që kishin mbetur të vrarë në luftimin e ashpër për të marrë nyjën, e cila të lejonte të futeshe në qytetin e madh të veriut. E ndërsa forcat e tjera të Ushtrisë Nacionalçlirimtare po shpejtonin drejt qytetit, trupat e fundit të Rajhut të Tretë, mbushën makinat me ushtarët e plagosur dhe u larguan drejt Malit të Zi ku pozicionet e tyre ishin pak më të sigurta. Mëngjesin e 29 nëntorit 1944 Shkodra, qyteti i fundit që mbahej shtrënguar nga trupat e grup/armatës “E”, më përbërje të të cilit ishte Korpusit XXII dhe Divizionit 133 të cilët po tërhiqeshin me shpejtësi, ra në dorën e partizanëve shqiptarë. Vendi ishte çliruar!
Duke mbajtur pozicionin e luftimit për të marrë urën e Baçallëkut, Sherbet Karuli, atëherë pak më shumë se 16 vjeç, mendoi se ky duhet të ishte sulmi i fundit dhe pas tij vinte liria. Ai ka shtrënguar fort automatikun gjerman 72 fishekësh, duke pritur shenjën e sulmit nga Komandanti i Batalionit, ndërsa toga e drejtuar prej tij ka bërë gati bombat e dorës me të cilat do të fillonte sulmi. 64 vite më pas, ish komandanti i një toge të batalionit IV të Brigadës XXII Sulmuese, tregon për “Telegraf” se cila ishte situata mes 28 dhe 29 nëntorit të vitit 1944. 

Fillimisht duam të dimë, si u motivua lidhja juaj me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, sepse ishit në një moshë vërtet të vogël?
Familja ku unë jam rritur ishte familje patriote. Gjyshi im, Avdi Barahysa, nga nëna (Bakushe) ishte nga Peza e Madhe. Ai në krye të disa pezakëve më 2 qershor 1915 shkon në kodër të Rrogozhinës për mbrojtjen e tokave tona nga serbo-maqedonasit. Duke luftuar me heroizëm bie dëshmor. Për të Myslym Peza ka thënë: “Është i pari dëshmor i Pezës”. Xhaxhai im Qazim Karuli në luftë me serbo-malazezët për mbrojtjen e Shkodrës bie dëshmor në mars të 1913-s së bashku me 87 dëshmorë të tjerë. Kështu unë jam ndikuar nga ky mjedis patriotik.

Po me çetën e Pezës si u lidhët?
Duke qenë nip në Pezë, unë njihesha me rrethanat e formimit të Çetës dhe të Luftës Antifashiste që drejtohej nga Babë Myslymi. Më 16 mars 1941 çetën e Pezës e sulmojnë 700 karabinierë të zgjedhur, lufta ishte e ashpër, deri trup me trup, ku nga rrethues ata u gjendën të rrethuar. Gjatë këtij luftimi u vranë 84 karabinierë dhe shumë të plagosur. Nga ana e Çetës ranë dëshmorët e parë; Sadi Sinani, Hasan Peza, Xhafer Durishti, Vath Korriku dhe Muharrem Haka. Dhe u plagosën Skënder Myslym Peza, Emin Çelmeta, Shkurt Rexha, Sulejman Brahja dhe Qemal Deliallisi. Në këtë kohë Babë Myslymi shkoi në fshatin Pajon në shtëpinë e Jonus Hakramës patriot. Aty zhvillohet biseda për strehimin e të plagosurve, dhe familjen e tij prej 7 vetësh. Jonuz Hakrama i thotë: “Me të plagosurit e familjen tuaj do të merrem unë. Do t’i çojmë te një miku ynë dhëndër i Pezës, Rexhep Karuli, nga fshati Leshtenj-Çollak rrethi i Kavajës.” Familja Peza përbëhej nga 7 veta: Bashkëshortja e Myslym Pezës, Zenepja, vajza Dije dhe djali i vogël Naimi, Bashkëshortja e Shyqyri Pezës, Feride Peza, vajzat Myrvete, Luçia dhe djali i vogël Hysen Peza. Në këtë shtëpi u përgatit një strehim special në tavan tepër sekret për të cilën kishin dijeni vetëm pjesëtarët e familjes. Ata qëndruan aty deri në 30 tetor 41. Mbi këtë bazë marrëdhëniesh mu ngarkua detyra e korrierit për tu dërguar në çetë furnizime me armë municione medikamente të cilat vinin në shtëpinë tonë nga patriotë-qytetarë të Kavajës. Këto dërgoheshin në Pezë. Ky aktivitet vazhdoi deri në 6 mars 1943. 
Çfarë ndodhi një ditë më pas?
Isha pothuaj 16 vjeç dhe më 7 mars 1943 vendosa vullnetarisht të radhitem në çetën e parë të Pezë. Kjo çetë më 15 mars 1943 u organizua në batalionin partizan “Peza”, i cili ishte dhe i pari në shkallë vendi me komandant Myslym Pezën dhe komisar Mustafa Gjinishin. Më 13 qershor deri në 18 qershor 43 forcat fashiste italiane prej 14 mijë vetësh të pajisur me artileri tanke e aviacion sulmuan Pezën. Lufta ishte e ashpër, e megjithatë nga armiku pati 300 të vrarë dhe 500 të plagosur. Ndërmjet tyre dhe koloneli Ludoviko Bartelomeo. Nga humbjet e mëdha që patën fashistët dogjën dhe grabitën gjithçka në Pezë. Nga ana e partizanëve rranë dëshmorë, 26 vetë, prej tyre 12 ishin gra. 
Janë zhvilluar luftime të tjera të ashpra nga ky formacion partizan?
-Në 9 tetor ‘43 në Arbanë të Tiranës forcat e Grupit partizan të Pezës u ndeshën me 2000 nazistë gjermanë. Nga këto luftime nazistët patën 172 të vrarë dhe 300 të plagosur (sipas ditarit të komandantit të këtij operacioni, Herman Frank) Ndërsa nga ana e partizanëve ranë dëshmorë 16 veta dhe 15 të plagosur.

-Më datë 5-13 nëntor 1943 grupi i Pezës dhe Brigadës III Sulmuese u ndeshën me operacionin nazist të koduar “505” me rreth 8000 forca të pajisura me artileri, tanke dhe aviacion. Armiku pati shumë të vrarë dhe të plagosur, ku nga grumbullimi i tyre, vetëm në Pezën e Vogël u ngarkuan 9 kamionë me të vrarë e të plagosur. Nga ana e partizanëve ranë dëshmorë 31 veta ndërmjet tyre dhe vëllai i Babë Myslymit, Shyqyri Peza. Ndërsa 26 veta të rinj e të moshuar u masakruan nga nazistët në fshatin Shënkoll të Pezës ku vetëm në një familje ranë 16 dëshmorë. 

-Në datë 10 janar 1944 në fshatin Liz-Patros të Kavajës forcat e Batalionit III të Grupit partizan të Pezës u ndeshën me 300 nazistë gjermanë. Lufta ishte e ashpër, armiku pati 70 të vrarë dhe 30 të plagosur nga ana partizane ra duke luftuar komandanti i Batalionit III të Grupit, Heroi i Popullit Kajo Karafili, e fejuara e tij Myrvete Peza, Mustafa Lleshi, komisar kompanie dhe Bajram Tusha. 

-Më 1 qershor 1944 në fshatin Gërmej të rrethit të Kavajës Batalioni I i Grupit të Pezës ndeshet në rrethim me 130 nazi-ballistë të drejtuar nga Mehmet Alltuni (i dënuar si kriminel lufte). Luftimet u bënë trup me trup, Gjatë kësaj beteje ranë dëshmorë komisari i batalionit Heroi i Popullit Maliq Muça, kuadër dhe partizanët; Bexhet Harizi, Shaziman Harizi, Sadik Barahysa, Islam Ymeri, Josif Pambuku, partizani Italian Erminio Kostandini dhe arsimtari nga Gilani i Kosovës S. Stojçiç. Si dhe 18 të plagosur. Një ndihmë të jashtëzakonshme dha çetat territoriale vullnetare të fshatit Gërmenj, Cikallesh, Mlik, Mushnik, Zënbish. Okshtun, Lekaj, Harizaj, Kryeluzaj dhe Leshtenjë-Çollak.
KUJTIME/ Luftimet për të marrë qytetin e fundit të Shqipërisë

Shkodra, si u futën forcat partizane më 29 nëntor ’44
Ai thotë se është bërë gabim kur është luajtur me datën e çlirimit, pastaj shton se më shumë se kushdo, këtë datë e dinë atë që luftuan e morën plagë për të marrë qytetin e fundit të Shqipërisë. “Brigada XXII Sulmuese, e cila u formua nga 4 batalionet e Grupit të Pezës, kreu shumë luftime, në Shqipërinë e Mesme por dhe në veri në çlirimin e Mirditës 20-26 tetor 1944, Shpal 19 tetor 44, Pukë 4 nëntor 1944. Luftimet për marrjen e Shkodrës ishin të ashpra, por një ndihmë të madhe dhe populli i qytetit të Shkodrës. Në atë kohë unë isha komandant toge në batalionin e 4-të të Brigadës XXII, si dhe përgjegjës i rinisë komuniste. Të gjithë luftimet u bënë me vendosmëri sepse ishin në prag të çlirimit të qytetit. Para nesh ranë shumë shokë dëshmorë. Unë vetë kisha qenë i plagosur nga luftimet e mëparshme. Gjermanët ngarkuan 4 ushtarë italianë për të minuar Shkodran në katër pika të ndryshme dhe ta hidhnin në erë qytetin. Por italianët nuk i ndezën fitilat. Gjermanët i kapën ushtarakët italianët dhe i kanë varrosur të gjallë nga inati që nuk zbatuan urdhrin e tyre. Në datë 28 nëntor Batalioni ynë luftonte tek ura e Baçallëkut. Deri në darkë nuk e kaluam dot urën, pasi ajo mbrohej fort nga trupat gjermane. Luftimet vazhduan edhe natën e duke u gdhirë 29 nëntori. Vetëm mëngjesin e 29 nëntorit batalionet iu drejtuan qendrës së qytetit. Më kujtohet se në çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944 ku në orën 7.30 të kësaj date, komisari i Batalionit I të kësaj brigade, Irfan Çelkupa, pati nderin e madh të ngrejë Flamurin Kombëtar në ballkonin e ish-bashkisë së asaj kohe si lajmëtarin që njoftonte çlirimin e plotë të Shqipërisë nga nazistët gjermanë. Njihet historikisht fjalimi që mbajti komisari nga ai ballkon, me anë të të cilit përshëndeti popullin e Shkodrës për kontributin që dha së bashku me forcat e brigadave partizane për çlirimin e qytetit të Shkodrës. Prandaj, është më se e ligjshme të flasim e të dëgjohemi ne pjesëmarrësit direkt, sepse jemi ne dëshmitarët e vërtetë për orën dhe datën e çlirimit të plotë të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, më 29 nëntor 1944. Pas fjalimit të shoku Irfan Çelkupa, u bë dhe parakalimi i forcave partizane të brigadave pjesëmarrëse VI-VII-XXII-XXIII-XXIV-XXVII të cilat ishin pjesëmarrëse në çlirimin e Shkodrës. Edhe gjermanët vetë kanë një dokument thotë se, më 29 forcat e tyre të fundit u tërhoqën nga Shqipëria”, rrëfen për “Telegraf”, Sherbet Karuli. 
ITINERARI
Brigada që luftoi jashtë kufijve të Shqipërisë
“Mbas çlirimit të Shkodrës Brigada kaloi jashtë kufirit ku zhvilloi luftime në Deçiç, Tuz Podgoricë, Plevie, Suogora, Rudo Vishegrad. Nga Vishegrati Brigada kthehet në Senicë, Mirtrovicë, Vuçiternë, Gilan, Ferizaj, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçeva, Strugë deri në 31 dhjetor 1945. Ndërsa në 1 janar 1946 Brigada futet në Elbasan dhe strehohet në kazermat e Krastës ku shvillonte stërvitje të ndryshme deri në 30 prill 1946, datë kur u suprimua sipas udhëzimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe partizanët shkuan në reparte të ndryshme ushtarake të kohës”
KRONOLOGJIA
9 nëntor 1945
Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar mori vendimin që 29 Nëntori të përcaktohej si Dita e Çlirimit

27 nëntor 1992
Ish-presidenti Sali Berisha, në një urim për popullin shqiptar me rastin e festave, deklaron 28 Nëntorin si Ditën e Çlirimit 

21 dhjetor 1992
Kuvendi Popullor i Shqipërisë miraton ligjin “Për festat zyrtare”, duke mos e përmendur 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit 

22 nëntor 1993
Parlamenti shqiptar me shumicë të djathtë, pas debatit, me shumicë votash vendos që të jetë 28 Nëntori Dita e Çlirimit

8 gusht 1994
Qeveria “Meksi”, nxjerr vendimin për ndalimin e festave paralele, pasi 29 nëntori festohej ende si Dita e Çlirimit të vendit 

30 tetor 1997
Pas ardhjes së të majtës në fuqi, miratohet në Parlament heqja e datës 28 si Dita e Çlirimit dhe vendoset përsëri data 29 Nëntor

JETËSHKRIMI
Ai ka punuar për 40 vjet rresht si drejtues madhor në forcat e Armatosura të Ushtrisë Shqiptare. Kur ku hoqën gradat në vitin 1966 ai ishte “major”, por me detyrat e mëtejshme, vendi i punës ia kërkonte të kishte deri gradën e “gjeneral”. Thotë se ka mbaruar Shkollën e Lartë Ushtarake ku më së shumti ka përfituar nga kontingjenti i inxhinierëve sovjetik që jepnin mësime në atë kohë. Dhe gjithçka ka vlejtur për njohjen përdorimin ruajtjen dhe administrimin e armatimit dhe municioneve të këmbësorisë, artilerisë tokësore, kundërajrore, artilerisë së mbrojtjes bregdetare armatimit të Flotës Luftarake Detare dhe të Aviacionit. Postet më të larta drejtuese të tij kanë qenë: zv/ komandant për teknikën luftarake në Korpusi II Gjirokastër, si dhe zv/komandant i Mbrojtjes Bregdetare, e cila ishte dhe njësia më e madhe e ushtrisë e Ushtrisë Shqiptare në vitet ’80
PEZA
Vendi që i dha Shqipërisë 327 dëshmorë
Gjatë rrëfimit të tij për “Telegraf”, ish partizani 16 vjeçar i çetës së Pezës, Sherbet Karuli thotë: “Pezën e shkelën 75 mijë nazifashistë, të pajisur me artileri tanke e aviacion të cilën e grabitën Pezën 3 herë radhazi, rreth 700 nazifashistë ranë në kodrat e Pezës dhe shumë të plagosur. Peza i dha atdheut 327 dëshmorë, prej tyre 24 ishin gra dhe vajza me në krye nënën Heroinë Mine Peza, pionierin 15 vjeçar Heroin e Popullit Met Hasa, Kajo Karafilin, Mihal Durin dhe Maliq Muçën. Mbi bazën e këtij heroizmi masiv të popullit të trevës së Pezës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare në Pezë u krijua Brigada e 22-të, më 18 shtator 1944. Më 4 batalione të grupit partizan të Pezës, i cili luftoi nga Peza deri në Vishegrad të Jugosllavisë duke bërë një rrugë prej 3500 km me temperaturë minus 25 gradë 2 metra dëbore, sidomos në Malin e Zi deri në Vishegrad”