Arkiva/ Sefedin Kroi tregon për situatën në zgjedhjet e para pas Luftës, për Asamblenë Kushtetuese, të cilat u zhvilluan, në 2 dhjetor 1945  

Ju rrëfej votimet për Frontin, në vitin 1945

Si u zura me grushte për Koçi Xoxen

Leonard VEIZI

Qeveria komuniste e Enver Hoxhës, e formuar në Berat dhe e futur në Tiranë një ditë pas çlirimit të saj, filloi të ushtronte pushtetin e saj që në fundin e nëntorit të ’44-s, kur Shqipëria u shpall krejt e lirë. Plot një vit më pas, në 2 dhjetorin e 1945-s, u zhvilluan dhe zgjedhjet parlamentare. Caktimi i asaj date zgjedhore u pa më i përshtatshëm nga qeveria komuniste për vetë situatën e brendshme që po kalonte ajo e cila kishte të bënte me konsolidimin e pushtetit menjëherë pas fitores mbi pushtuesit nazi-fashistë. Në fillim të muajit nëntor 1945, Fronti Demokratik i kryesuar nga Enver Hoxha, nëpërmjet gazetës “Bashkimi” dhe Radio Tiranës, shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale, duke caktuar dhe 2 dhjetorin si datën përfundimtare të zhvillimit të zgjedhjeve.  Pasi hoqi pushkën nga krahu, ai u angazhua për një kohë të gjatë me Frontit Demokratik. Sefedin Kroi, i cili u rreshtua në radhët e Batalionit “Tomorri”, pas çlirimit të vendit do të ishte një nga kuadrot drejtuese të Frontit Demokratik për rrethin e Korçës. 64 vite më pas, për gazetën “Telegraf” ai do të rikujtojë edhe një herë situatën e atyre ditëve:

Si e pritët ju zhvillimin e këtyre zgjedhjeve?

Ishte hera e parë që zhvilloheshin zgjedhje një vit pas çlirimit të Shqipërisë dhe nga njerëzit e thjeshtë mendohej se organet e reja të zgjedhura nga populli do të punonin për të vënë në jetë ato objektiva që ishin propaganduar gjatë luftës, dhe që kishin të bënin me mirëqenien e tyre. Natyrisht që u pritën me gëzim të madh.

Cila ishte e veçanta e këtyre zgjedhjeve krahasimisht me ato që ishin bërë gjatë viteve të monarkisë?

Në zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45 për herë të parë u vendos sistemi i votimit për të gjithë shtetasit që kishin plotësuar moshën dhe jo me përfaqësim me zgjedhës të dytë siç ishte bërë deri në atë kohë. E veçanta tjetër e tyre ishte se për herë të parë në të gjithë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, kandidonin edhe gratë.

A u bë regjistrimi i popullsisë?

Po, natyrisht. Ne shkonim derë më derë për të bërë regjistrimin e popullsisë, dhe regjistronim si votues ata që ishin 18 vjeç e sipër. Ndërkohë që ato ditë shërbyen dhe për të bërë fushatë elektorale. Sigurisht që ne bënin fushatë për Frontin Demokratik, sepse qëllimi ynë ishte që të fitonin njerëzit e frontit dhe jo ata që kandidonin jashtë tij.

Cilët do të kandidonin në rrethin e Korçës?

Në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 në zonën e Korçës kandidoi Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Koço Tashko, Kristo Themelko etj.

Në çfarë vendi do t’i zhvillonit këto zgjedhje?

Do të adoptoheshin si qendër votimi zyrat e Frontit Demokratik, por edhe të disa shkollave që ishin atëherë.

Po mënyra e votimit?

Në çdo qendër votimi kishte dy kuti, një për kandidatët e Frontit dhe një për ata jashtë saj Votimi u bë me kokrra dhe çdo votues ishte i detyruar të fuste dorën në të dyja kutitë, ndërsa kokrrën ta lëshonte atje ku donte ai. Kutinë ishin edhe me një shtresë të butë brenda me qëllim që të mos dëgjohej zhurma që bënte kokrra kur lëshohej. Pra të ruhej anonimati.

Përse u zgjodh kjo mënyrë?

Sepse një pjesë e madhe e popullsisë ishte analfabete dhe nëse do të kishte fletë votimi do të ishte bërë një rrëmujë e madhe, pasi nuk do dinin kujt t’i vinin kryq e kujt jo.

Si do të dilnin votimet e para?

Përfaqësuesit e Frontit Demokratik fituan me shumicë votash. Unë isha në komisionin u doli deputet Koçi Xoxe.

A pati incidente gjatë votimeve?

Nuk mund të them se pati incidente, pasi dhe ushtria ishte në gatishmëri. Por përpara zgjedhjeve një person që erdhi e na provokoi e kam zhdëpur me grushte. U desh të ndërhynin të tjerët se ndryshe do ta kisha vdekur fare.

A e mësuat, cili ishte ky njeri?

Djalë i një familje të shpronësuarish, i cili me sa mbaj mend disa vite më vonë u fut në burg për tentativë arratisje.

A kishte presion nga ana e njerëzve që votën ta përdornin për të zgjidhur ndonjë hall të tyre?

Ka pasur edhe shumë raste të tjera që persona të ndryshëm e shfrytëzonin ditën e zgjedhjeve, duke bërë presion për të mos votuar, në mënyrë që të zgjidhnin ndonjë padrejtësi që u ishte bërë më parë, si p.sh. për strehim, dhënie të drejtash studimi për fëmijët, probleme punësimi etj. Por në zgjedhjet e vitit 1945 nuk ka pasur të tilla. Në ato kohë në radhë të parë ishte idealizmi dhe njerëzit votonin për ideal.

Pas Pavarësisë

Parlamenti i parë, në vitin 1921
Zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap, më 21 prill të atij viti. Godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e Kolonisë shqiptare të SHBA-së. Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku, në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Në atë kohë për herë të parë kandidatët filluan të bënin edhe fushatë elektorale, e cila në shumë raste përcillej edhe nga gazetat e ndryshme që dilnin asokohe në disa qytete të Shqipërisë. Ndër deputetët më të njohur që fituan të drejtën të përfaqësoheshin në atë parlament, ishin: Ahmet Zogu, Fan Noli, Patër Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Hoxhë Kadria, Ali Këlcyra, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Pandeli Vangjeli, Sejfi Vllamasi, Sulejman Delvina etj.

 

Fituesit

Ja si do të ndaheshin përqindjet e votimit

Disa ditë pas procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kryesuar nga kryetari Andrea Sahatçi dhe sekretari Andrea Nathanaili, me anëtarë: Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata, shpalli rezultatet e votimeve. Kështu, sipas këtij komisioni, nga 603 566 zgjedhës që ishin regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543 354, që përbënin 90.02 %. Nga këta zgjedhës, 506 319 votuan për Frontin Demokratik, dhe 36 758 vota ishin në kutinë pa kandidat (d.m.th. kundër), ndërsa 277 vota u hodhën në kutinë e një kandidati të pavarur. Si përfundim, për kandidatët e Fronit votuan 93.18 % kundër tyre, 6.77 % dhe 00.7 % për kandidatin e pavarur. Pas publikimit të këtyre rezultateve, Fronti Demokratik shpalli zyrtarisht zgjedhjet e fituara dhe nga deputetët u zgjodh një Asamble Kushtetuese, e cila rreth 40 ditë më vonë, më 11 janar 1946, shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.

Votat kundër

Kundërshtarët, vota kundër Enver Hoxhës

Në atë kohë ai ishte dhe Kryetar i Frontit Demokratik, përveçse kryetar i qeverisë. Megjithatë Enver Hoxha vinte i dyti në listën e 108 kandidatëve të Frontit Demokratik për votat kundër, pasi në vend të parë me më shumë vota kundër ishte Ollga Plumbi, e cila, nga 18 242 votues në zonën e saj në Tiranë, kishte marrë 2 269 vota kundër. Ndërsa Enver Hoxha, nga 17 564 votues që kishte zona e tij elektorale në Tiranë, 2 151 votues kishin votuar kundër tij. Këto rezultate, pasi u bënë publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kryesuar nga kryetari Andrea Sahatçi dhe sekretari Andrea Nathanaili, u botuan edhe në gazetën “Bashkimi”, organ i Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste, e kryesuar nga Enver Hoxha.

Disa data të historisë parlamentare shqiptare

8 Janar 1920:

Kongresi i Lushnjës zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të Shtetit, dhe Këshillin Kombëtar prej 37 vetash, me funksionet e Parlamentit.

21 Prill 1921:

Në Tiranë u mblodh Parlamenti i Parë Shqiptar dalë nga zgjedhjet e para parlamentare të zhvilluara gjatë muajve shkurt-mars 1921. Parlamenti përbëhej nga 78 deputetë të dy grupeve kryesore politike: Partisë Popullore dhe Partisë Përparimtare.

1 Qershor 1925:

U mblodh Parlamenti i dalë nga zgjedhjet parlamentare të zhvilluara gjatë muajve prill-maj. Në vitet 1925-1928 Parlamenti i Republikës së Shqipërisë përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e deputetëve me 57 vetë dhe Senati me 18 vetë.

1928-1939:

Në Shtator 1928 Shqipëria u bë monarki. Gjatë periudhës 1928-1939 Parlamenti përbëhej nga një Dhomë e vetme me 57 deputetë.

10 Janar 1946:

U mblodh Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2.12.1945. Ajo kishte si detyrë miratimin e Kushtetutës së vendit.

16 Mars 1946:

Asambleja Kushtetuese miratoi Kushtetutën dhe vendosi të kthehet në Kuvend Popullor. Në 16 mars 1946 filloi Legjislatura e parë e Kuvendit Popullor.

31 Mars 1991:

Pas një periudhe të gjatë gati gjysmë shekullore të sundimit komunist zhvillohen zgjedhjet e para pluraliste. Në 15.4.1991 mblidhet Kuvendi Popullor i parë pluralist i pasluftës, i cili përbëhej nga 250 deputetë, nga Partia e Punës (mazhoranca) dhe nga Partia Demokratike (opozita).

22 Mars 1992:

Pas një viti ribëhen zgjedhjet parlamentare. Për herë të parë pas një sundimi të gjatë komunist, zgjedhjet fitohen nga Partia Demokratike. Seanca e parë e Legjislaturës së 13-të Kuvendit Popullor (me 140 deputetë) u hap në 5.4.1992.

26 Maj 1996

Zgjedhjet u bënë pas katër vjetësh. Partia Demokratike i fitoi ato. Seanca e parë e Legjislaturës së 14-të të Kuvendit Popullor u hap në 2.7.1996.

29 Qershor 1997:

Zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partia Socialiste fiton në këto zgjedhje. Parlamenti i sapo zgjedhur numëronte 155 deputetë. Seanca e parë e Legjislaturës së 15-të të Kuvendit Popullor u hap në 23.7.1997.

24 Qershor 2001:

Zhvillohen zgjedhjet parlamentare, të cilat fitohen për herë të dytë nga PS. Kuvendi i ri përbëhet nga 140 deputetë. Seanca e parë e legjislaturës XVI u hap më 3.09.2001

2 Korrik 2005

Zhvillohen zgjedhjet parlamentare, të cilat fitohen nga Partia Demokratike.