26 – 27 shkurti 1920, takimi i patriotëve vlonjatë me Kryeministrin Sulejman Delvina dhe Lufta e Vlorës

1555
Nga Halil Bregasi
Këtë vit mbushon 98 vjet nga një ngjarje e madhe e popullit tonë, e sidomos për Vlorën – ajo e Luftës së Vlorës 1920. Kjo ngjarje që ishte përpjekje për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë, është një nga më madhoret që populli shqiptar e sidomos trevat e Mallakastrës e të Labërisë, kanë zhvilluar në kohë. Po si u zhvilluan ngjarjet, ku ishte zanafilla e kësaj nisiative kaq të madhe? Lufta e Parë Botërore i krijoi mjaft pasoja të rënda Shqipërisë të sapo shpallur e pavarur, solli mjaft shqetësime në të gjithë Shqipërinë, pasi territori u pushtua nga shumë fuqi të huaja, ku Cakrani nga austrohungarezët dhe Vlora nga italianët. Kufiri ndarës ngeli lumi Vjosa dhe në të dy anët u vendosën karakolle me roje. Komanda e ushtrisë austro-hungareze u vendos në Cakran. Mbarimi saj bëri që ushtritë austro-hungareze të largohen, ndërsa Vlora vazhdoi të mbetej e pushtuar nga italianët. Çdo ngjarje e veprim ka një fillim, i cili mendoj se duhet njohur e vlerësuar. Është një lloj si të mbillet një pemë, pastaj të rritet deri sa të japë frutat e duhura. 26 shkurti i vitit 1920 përbën për Cakranin e më pas për Vlorën një ngjarje historike që rrallë herë përmendet, por që në fakt nuk duhet harruar. Është ardhja e Kryeministrit të dytë shqiptar, Sulejman Delvina, pas Ismail Qemalit, në Cakran. Për ta njohur më mirë këtë po shkruaj aq sa tregohet në kujtimet e bashkëkohësve, kryesisht atyre vlonjatë. Ngjarjet duhen parë të lidhura ngushtë me situatat që ishin krijuar, sidomos krijimi i qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjes, nën kryesinë e Sulejman Delvinës dhe problemet e Iterlandit të Vlorës nën pushtimin italian, ku qeveria shqiptare nuk kishte asnjë të drejtë në këtë krahinë. Kjo ishte e padurueshme për patriotët vlonjatë e për gjithë popullsinë labe. Për zgjidhjen e kësaj çështjeje, kërkohej ndërhyrja e qeverisë shqiptare, por që nuk mund ta bënte këtë, pas bisedimeve që ishin zhvilluar në Tiranë midis dy qeverive (shqiptare e italiane). Në këto kushte, patriotët vlonjatë kishin ngritur çetat kryengritëse dhe para se të fillonin çlirimin e trojeve të tyre, kërkuan takim me Kryeministrin Sulejman Delvina. Cakrani, si gjithmonë, në mbështetje të vlonjatëve dhe qendra e bisedimeve të sigurtë e të pashqetësuar nga askush, madje të mirëpritur në shkallën më të lartë. Ishte muaji shkurt i vitit 1920, pra një muaj nga krijimi i qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjes, megjithatë, kryeministri Sulejman Delvina pranoi të vinte në takim me vlonjatët. Më datën 26 shkurt, ai erdhi në Cakran dhe u prit në konakët e Bektash Cakranit, ku ishin dhe vlonjatët: Ibrahim Abdullahu, Osman Hazhiu, Alem Mehmeti, Murat Tërbaçi, Hamza Isai, Gani Aliko, Kanan Maze, Mehmet Fega, si dhe 15 luftëtarë të tjerë nga krahina e Labërisë. Sipas kujtimeve të Ibrahim Abdullahut, aty ishin dhe 20 shpirt nga krahina e Mallakastrës. Në darkën që u shtrua, në konakët e B. Cakranit, mirëseardhjen kryeministrit ia bëri Kamber Belishova (B. Cakrani dhe K. Belishova, ishin senatorë në parlamentin e posangritur shqiptar, ndaj ndjenin dhe detyrimin për ta pritur e shoqëruar Kryeministrin). U bënë pyetje dhe diskutime për shumë probleme, ku çlirimi i Vlorës e trojeve të jugut ishin në qendër të tyre. Dhe aty u vendos që kryeministri, i bindur në kërkesat e vlonjatëve, të shkonte në takim dhe me krerët e çetave labe. Pra, lufta e Vlorës e mori vendimin (iniciativën) në Cakran, si pasojë e bisedimeve që u bënë dhe ku përfaqësuesit e Mallakastrës, sipas fshatrave, u angazhuan për ngritjen e çetave me vullnetarë e do të ndihmonin për çlirimin e Vlorës. Të nesërmen, më 27 shkurt 1920, me kuajt që u mprehën, z. Sulejman Delvina dhe të ardhurit nga krahinat e Vlorës, të shoqëruar dhe nga patriotë mallakastriotë, kaluan lumin Vjosë në Selishte dhe mbërritën në Lepenicë, ku i prisnin paria e fshatrave labe. I rëndësishëm është takimi që u bë në Lepenicë, me 27 shkurt 1920, pasi në këtë takim mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë Sulejman Delvina. Lepenica u zgjodh prej tij, pasi ajo ishte vendlindja e Ahmet Lepenicës, mikut të tij që nga koha e Turqisë, (Kështu që ardhja e tij nuk lidhej me takimin e krerëve labë, por vinte si mik tek A. Lepenica). Takimi u bë në rrëzë të malit, në vendin e quajtur Krivove. Paria e Vlorës aty, miq nga Mallakastra si dhe kryeministri Sulejman Delvina, ishin në besë të Ahmet Lepenicës, të cilët u pritën dhe u siguruan prej tij. Siç shkruan Prof. dr. Bardhosh Gaçe në librin: “Mbrëmje vere me Muço Delon”, faqe 51: “Muço Delua kujtonte shpesh këtë ngjarje, si vendimtare për organizimin dhe shpërthimin e Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë. Për të shpëtuar Vlorën nga “thonjt e lugatit”, ai dëgjoi me vëmendje fjalët e zjarrta të Abaz Mezinit, Osman Haxhiut, Sali Vranishtit, Toto Hosit, Ibrahim Abdullahut, Qazim Kokoshit, Jani Mingës, Ahmet Lepenicës, Halim Xhelos, Beqir Velos, Murat Miftarit, Dhimitër Qypit, Zaçe Xhelos e Alem Mehmetit, të cilët shprehën hapur mendimet e tyre, se kishte ardhur koha që të rroknin armët “për shpëtimin e Vlorës e të Atadheut”. Kryeministri Sulejman Delvina, me urtësinë e tij i këshilloi përfaqësuesit e krahinave të përgatitnin çetat e luftëtarëve dhe të ndiqnin situatat që po krijoheshin. Takimi me Kryeministrin dhe ndihma që ai u dha vlonjatëve për të rritur “guximin në fitimin e të drejtës kombëtare”, pati jehonë, jo vetëm në krahinat e Vlorës, por edhe në Kurvelesh, Delvinë, Konispol, Përmet e Berat. I mëshoi faktit se organizimi i Luftës së Vlorës 1920, filloi më 26 shkurt duke u gdhirë 27 shkurti i vitit 1920, në Cakran, Kjo nuk duhet harruar edhe nga cakranjotët, të cilët ngritën çetat me vullnetarë e morën pjesë në luftimet e zhvilluara në muajt korrik e gusht deri në çlirimin e plotë të Vlorës. Në këtë luftë morën pjesë dhe erdhën në ndihmë forca vullnetare edhe jashtë krahinave të Mallakastrës e Labërisë, pra përmasat e saj i kaluan kufijtë krahinorë duke marrë përmasa kombëtare. Copëza kujtimesh, po të mblidhen, japin tërësinë e pjesmarrësve, sidoqoftë unë do mjaftohem vetëm me pak, si ato të I. Abdullahut.Në kujtimet e Ibrahim Abdullahut, midis të tjerave thuhet: “Pasi i vendosëm mallakastriotët në Panaja, erdhi Toli Arapi nga Drashovica me Murat Tërbaçin dhe u poqëm me Ali Rrapon e Faslli Hamitin. Të 50 mallakastriotët i vendosëm në Çeprat, tiranasit në Llakatund e Risili. Nga Buzmadhi kapërcyen Vjosën dhe Seid Toptani me fuqinë e Tiranës u vendos në Llakatund, 38 tiranas u çuan në afërsi të Drashovicës, nën urdhëra të Komitetit, në prapavijë të frontit të Sherishtes”. Është i njohur fakti se një çetë e Cakranit u vendos në frontin Panaja – Bestrovë, ku u vranë: Rexhep Daut Myrtaj nga Kreshpani e Feçorr Lalari, i pari dëshmor i zonës së Cakranit. Pasi përshkrova gjithë këto të dhëna luftërash e përpjekjesh të popullit tonë, për të larguar pushtuesit e për të marrë në duart e veta drejtimin e vendit, do e mbyll këtë temë me thënien e studiuesit Robert Elsie: “Kur fuqia e dashurisë do të mposhtë dashurinë për pushtet, atëherë bota do të gjej paqe”. Por si duket, fuqia e dashurisë, të paktën deri më sot, vështirë se do e mundi dashurinë për pushtet, duket sikur kjo e dyta shtohet në vazhdimësi, madje sikur bëhet një garë çnjerëzore për të kapur karriget e pushtetit. Sidoqoftë, mendoj se ia vlen ta përmendim ngjarjen që trajtova më sipër e të kthejmë sytë nga aftësia popullore për t’u bashkuar në arritje të lirisë e paqes. Datat e ngjarjeve janë yllësi që mund të ndihmojnë në orientimin për të shkuar përpara.


Sigal