1966/ Kur kritikoheshin Dritëro Agolli, Vath Koreshi dhe Nasho Jorgaqi

1258
Sigal

Gëzim Llojdia

Në 24 Korrik 1966 në gazetën e vetme letrare të kohës: “Drita”   shënjohet kritika e hapur karshi tregimtarëve shqiptarë,  e cila çuditërisht, vinte jo nga kritika specializuar, (për hir të së vërtetës duhet pranuar) ajo ekzistonte pavarësisht  indoktrinimit të saj, por nëpërmjet letrave të lexuesve. Nën okelion: “Probleme ideore të tregimit tonë” në shënjestër janë tregimet e shkrimtarit N. Jorgaqi, të poetit devollit, Dritëro Agolli dhe të tregimtarit të njohur e skenaristit të filmit shqip,Vath Koreshi.

-Po ju shkruaj mbi tregimin: “Gjo…Gjo…Gjo” të Vath Koreshit, shkruan mësuesi Sh. H. nga Elbasani, botuar në tetor 1965 në revistën: “Shqiptarja  e re”.Unë kam lexuar tregime të tjera të V. Koreshit, që më kanë pëlqyer. Ai ka një stil të mirë. Po këtu desha t’i bëj disa vërejtje, për këtë tregim që të mos ma ndihem këto nota në shkrimet  e tij të ardhshme. Në tregimin: “Gjo…Gjo..Gjo..” na jepen heronj të gatuar me brumë mikroborgjez, heronj që kanë koncepte të gabueme, për sa i përket bukurisë, që dashuron njeriu te njeriu. Autori ban gabim të madh kur mendon se një dashni e bazueme në koncepte mikroborgjeze në të kuptuarin  e saj, di të triumfojë mbi thashethemet dhe mentalitetet e mykuna, thotë autori i kësaj kritike. Le të hyjmë në thellësi të tregimit. Në këtë tregim autori do të na bindë me anë të heronjve të tij mësues dhe agronom, se dashuria lind me një të pame dhe rritet me disa shikime të tjera, dashuria këtu merr kuptimin e së bukurës  fizike dhe në bazë të saj autori hidhet në luftë kundra mentalitetit të sëmurë, se gjoja një  me shkollë dhe i bukur duhet të marrë një grua,  po të tillë dhe kurrë një  fshatare, a punëtore që nuk do t’i pëlqente syrit të të tjerëve. Mentalitete të gabueme.” shkruan më tej mësuesi i këtij shkrimi, “Nuk mund të luftohen me koncepte të gabueme. Prandaj, qysh në fillim të tregimit, mund të parashikosh fundin  e tij, i cili përcjell heronjtë, agronomin e mësuesin po me :”gjo…gjo…gjo e Gjonit vajtues. Dashunitë e lidhura vetëm me konceptin e së bukurës fizike janë të rrejshme dhe si të tilla vdesin shpejt, ashtu siç vdes dashuria  agronomit. Siç duket, agronomit pas disa shikimeve iu mbush mëndja se trupi i vajzës do ta joshte”, shkruan mësuesi nga Elbasani, “duhet të godiste hapur me forcë dobësinë, lëkundjen meskine të njerëzve që bëjnë dashuri me hesape dhe nuk mendojnë veçse për veten e tyre, për sedrën e sëmurë dhe vanitoze. Mësuesi, pas 20 vjetësh nuk arrin të  kuptojë dështimin e dashurisë së tij ndaj thashethemeve dhe me gojën e vet  tregon, se e vjetra atë e mundi. Mikroborgjez, që para 20 vjetësh asht dhe sot, sepse po ato koncepte ka për dashurinë, kur qysh në fillim i thotë agronomit: “T’i këpusësh kokën!.” Tue u nis nga koncepte të gabueme, tregimi ka një notë të thellë sentimentale. Shkrimtari merret shumë me përshkrimin fizik  të vajzës dhe aspak me botën e saj të brendshme dhe kjo të mërzit dhe vetvetiu lind pyetja:Vallë  e tillë duhet të jetë dashnia?  Pra nuk asht për t’u çuditur kur në tregim, agronomi dhe mësuesi kur shohin: “dashnoren” plot nur, trishtohen pa e ditur pse dhe hidhërohen, kurse vajzës i mbushen sytë me një dritë të dhimbshme. Është e pakuptueshme, që shkrimtari do të na thotë se këta janë heronj pozitivë të shoqërisë dhe me këta njerëz gjoja ne shembim të vjetrën dhe krijojmë botën e re. Tregimi lë shteg për të kuptuar, se autori asht nisur  nga mendimi i gabuar sipas të cilit jeta ka një qëllim kryesor të dridhunit pranë një femre. A nuk e ulin këto dinjitetin  njeriut tonë?! Dhe në fund shkruan: “Gjo..gjo…gjo janë rënkime të dëshpërueme të Gjonit për të gjetur më kot vëllanë:”Gjo…Gjo…Gjo, janë rënkim të dëshpërueme  mikroborgjezësh”,përfundon letrën e tij mësuesi nga Elbasani.

A vlen ky tregim për edukimin e njeriut?

Autori i kësaj kritike është aktor i estradës të qytetit të Elbasanit, F. SH. Ai shkruan: “Ashtë kritikue në përgjithësi  përmbledhja me tregime: “Zhurma e erërave të dikurshme” e Dritëro Agollit, unë due të them disa fjalë rreth tregimit: “Egërsia” të këtij vëllimi. Kur u botua libri, fleta “Libra të reja” e N. SH. Botimeve, kishte një informacion për këtë  përmbledhje dhe e ngrinte si vepër realizuese .Unë nuk dua të vë këtu në dyshim forcën poetike të Dritëro Agollit dhe as aftësitë e tij për të shkruar në prozë, por do të doja të vë në dukje mentalitetin mikroborgjez, që fshihet në këtë tregim e që shpesh herë shpërthen haptazi në tregimet tjera të këtij vëllimi si p.sh: “Lamtumirë, kapedani im”. “Kur dashuroja një grua”. Nëse tregimi është i bazuar në realitetin dhe ngrihet në art atëherë asht letërsi, por në qoftë se  ky asht vetëm pjella e një fantazie të ngushtë pa njohur thellë realitetin, tue e zvogëlue ose tue e zmadhue atë jashtë mase, atëhere kjo s’është letërsi, por një kallëzim bajat e pa vlerë. Më poshtë, autori i kësaj kritike thotë: “Të marrim tregimin: “Egërsia”. Subjekti ashtë ky: Në një fshat malor jetonin burrë e grua, që kishin një djalë 12 vjeç. I ati mbante me bukë diversantët. Sigurimi i dikton dhe i arreston. Mbasi s’kanë prova i liron. I biri asht ashtu si e përshkruan edhe vet autori se: “ai nuk ishte një fëmijë 12 vjeçar, por një djalë i pjekur me logjikë dhe forcë vullneti, tregon se i ati asht, ai që mban diversantët. I ati arrestohet. Mbas 8 vjetësh i ati kthehet në shtëpi dhe një natë mbasi nxehen atë  e bir, për punë të kalit që plaku do  ta shes, i biri do t’ia jap kooperativës, ai e qëllon me dru kresë. Ky mbetet në vend dhe shndërrohet ashtu siç thotë autori: në një idiot,që din të bëjë vetëm: “mu-mu-mu”.  Pasi autori i kësaj kritike me profesion aktor, përshkruan ngjarjen ku i  ati ikën nga shtëpia dhe gjendet i varur me rripin e pantallonave në pyll nga rojtari, autori thotë: “Kjo është e gjitha. Mund të thotë ndonjëri, po ndoshta ka ndodh! Ndoshta! Po sa i vlen kjo shoqërisë sonë? Ku është forca e kolektivit? Mos kjo ngjarje ka ndodhur në kohë të Italisë apo në kohë të Zogut? Në vend të përshkrimit realist të përpjekjeve për të zhdukur shkaqet e luftës klasore, autori merret me momente patologjike me skena, që janë  larg tregimit shoqëror të subjektit?  Duke përshkruar një pjesë të tregimit, autori i kësaj kritike vijon kështu në pasazhin tjetër: “Që nga fillimi e deri në fund,tregimin e përshkojnë nuanca të vdekura e të ftohta, që s’të emocionojnë, por përkundrazi të revoltojnë. Lexuesit kërkojnë shkrime të mira me brendi të shëndosh ku pasqyrohet jeta e tyne me të gjithë aspektet e saj dhe jo tregime të neveritshëm. Nuk ashtë dashnia sentimentale konceptet e ngushta të dashurisë e trillimet aventureske, ato që çojnë përpara letërsinë tonë socialiste, por ashtë forca vullneti i çeliktë e patriotizmi i popullit tonë, që e karakterizon atë. Atëherë përse të mbjellim krande të holla e të shtrembëta në fushën e letërsisë, që s’kanë asnjë vlerë për deri sa kemi filiza të shëndosh e frutdhënës? Kërkesat lexuesve janë rritë shumë prandaj ne ,rinia kërkojmë nga shkrimtarët, që të shkruhen vepra të mira,që të mund të na frymëzojnë në punën tonë të përditshme për ndërtimin e socializmit,të shikojmë heronj të ditëve tona,të cilët nuk janë të pakët,veçanërisht sot,me këtë hov revolucionar,që ka shpërthyer në të katër anët e v vendit tonë dhe si pasqyrë,të shohim ndryshimet kolosale, që ka ba atdheu ynë socialist.

Na duhen tregime që t’iu ndriçojnë rrugën të rinjve

M.Q. nxënëse nga qyteti verior i Shkodrës,  duke analizuar disa tregime  të disa prej tregimtarëve shqiptarë të kësaj periudhe thotë se na duhen tregime që t’iu ndriçojnë rrugën të rinjve. Duhet theksuar, se në këto vite, tregimi shqip pati një periudhë ngritjeje. Autorja nga Shkodra merr në shqyrtimi tregimin: “Shembja”, e shkrimtarit Bilal Xhaferri, të cilin e lëvdon për anët pozitive, që përcjell dhe anën artistike mjaft të goditur. Duke analizuar me dy fjalë tregimin e tregimtarit T. Laço: “Një njeri i vogël”, për të cilin thotë se në optikën e saj nuk shquan ndonjë të metë. Duke vijuar më tej autorja, një nxënëse e qytetit verior thotë se, në prill të 1966-s në gazetën “Drita” është botuar tregimi i B. Myftarit: “Kur zënë e piqen qershitë”. Autorja e kritikës tregimin e paraqet të mirë, që pasqyron luftën e të resë kundër të vjetrës, një metodë analize që përdorej  dendur në shkrime në kohën e soc-realizmit. Për një krijim tjetër “Dashuria e Mimozës”e Nasho Jorgaqit e njëjta e autores shkruan: “E kundërta ndodh me “Mimozën”, protagonisten e novelës: “Dashuria e Mimozës” e Nasho Jorgaqit, e cila  na paraqitet dobët e pafuqishme për të luftuar paragjykimet për t’u bërë  ballë pengesave, që i dalin përpara në rrugën e dashurisë së saj me Luanin, në rrugën e lumturisë. Nuk jam kritike dhe si e tillë mbase nuk di ta gjykoj ashtu si duhet këtë novelë. Ajo është shkruar bukur, por duke e lexuar bie në mendime të ftohta. Pse Mimoza duhet të hiqte dorë nga Luani, pse të mos dilte mbi paragjykimet e saj, t’i flakte tej mendimet e s’ëmës si diçka pa vlerë? Mua si lexonjëse kjo zgjidhje do më dukej e drejtë. E drejtë sepse sa kam parë e dëgjuar në shumicën dërrmonjëse: “Mimoza”, që kanë humbur janë të rralla e do të doja që shkrimtarët të ndrisin me veprat e tyre rrugën e Mimozave të sotme, si në punë, në shkollë, në familje, në marrëdhëniet me shoqërinë  etj.” Ka një dyshim, në fjalët e autores së kësaj kritike për disa tregime të autorëve B. Xhaferri,T. Laço dhe novelës së N. Jorgaqit. Duket se ky shkrim është shkruar nga ndonjë dorë e stërvitur, por edhe  për të goditur novelën e bukur të këtij shkrimtari. Fjalët: “Nga sa kam parë dhe dëgjuar në shumicën dërmonjëse”, janë fjalë që shpesh i gjeje në fjalorin e të mëdhenjve ose “Mimoza”, që kanë humbur janë të rralla e do të doja që shkrimtarët të ndrisin me veprat e tyre rrugën e Mimozave të sotme, si në punë, në shkollë, në familje, në marrëdhëniet me shoqërinë  etj.” Pak e besueshme për një nxënëse kritike që nuk thuhet në çfarë shkolle  apo çfarë klase studionte aso kohe në qytetin verior?!