171 vjetori i lindjes së Ismail Qemalit, heroit që shpalli Pavarësinë

197

Ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, deputet në Mexhlisin Osman, themelues i shtetit shqiptar

Jetëshkrimi

Ismail Qemal Bej Vlora ( Lindi në Vlorë,16 janar 1844 – vdiq në Peruxhia24 janar 1919) ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, deputet në Mexhlisin Osman, themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë. Ai lindi në një nga familjet e mëdha të Shqipërisë së Jugut, i biri i Mahmud Bej Vlorës dhe Hedije hanëm Asllan-Pashali. Pas shtypjes së Kryengritjes kundër Tanzimatit (epopeja e HekalitGjolekës – 1847), Mahmud beu, si një ndër udhëheqësit kryesorë të kësaj kryengritje, u arrestua dhe bashkë me të vëllain Selim pashën u burgosën në Manastir. Familja iu dërgua pas 15 ditëve në Selanik ku ndenjën për tre vjet. Rrugës për në Selanik i vdes e gjyshja. Në Selanik familja e tij gjeti mbështetjen e madhe të konsullit francez Edouard Grasset, i njohur i Mahmud beut qysh kur kishte shërbyer me po atë detyrë në Janinë. Gjatë qëndrimit në Selanik, Ismailit i vdes vëllai i vogël, Sulejmani, i cili u varros në oborrin e xhamisë Ortaj. Me shkollimin fillor nxuri turqishten. Pas politikës së re të Portës së Lartë, familja e Ismailit që ishte e vendosur në Selanik kthehet në Vlorë. Më 1852 lirohet Mahmud beu, i cili kthehet nga Konja në Vlorë; ndërsa i ungji Selim pasha bashkë me një nga krerët, Çelo Picarin, detyrohen të qëndrojnë në Thesali. Me vdekjen e të gjyshit nga e ëma në Janinë, Tahir bej Asllan-Pashali, i bashkohet s’ ëmës për zinë dhe pak kohë më vonë regjistrohet në gjimnazin “Zosimea”, në Janinë më 1855. Kushëriri i parë i të atit, Mustafa pasha, ishte në atë kohë “Myslimme Kalemi” Mydiri pranë të kushëririt, Ismail pashë Tepelenës që ishte atëkohë Valí i Janinës. Në “Zosimea” Ismail Qemali ishte i vetmi nxënës mysliman në atë kohë, kaloi aty greqishten e vjetër, latinishten; mori njohuri në matematikë e fizikë dhe privatisht arabisht e frëngjisht. Pasi i ati kthehet në Janinë me të shtypur revoltën e Epirit, i shpreh dëshirën e ungjmadhit, Ismail pashë Plasës dhe ministrit të Jashtëm Fuad pashës që i biri të shkonte në Stamboll. Sipas regjistrave të “Zosimeas”, Ismail Qemali i dha provimet e vitit të fundit më 15 korrik 1859. Në majin e 1860-ës ndërmerr udhëtimin që i zgjati dhjetë ditë nga Janina për në Stamboll. Banon në shtëpinë e Guiridli Mustafa pashës, i cili qe i afërt nga lisi i qumështit. Fuad pasha e punësoi në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që vazhdoi dhe studimet për drejtësi. Me një ndryshim të ambasadorit osman në Paris, emërohet atashè pranë ambasadës, por me t’u nisur misioni merr lajmin e vdekjes së të motrës që e shtrëngon të kthehet në Janinë dhe të qëndrojë pranë familjes.

Ndihmës drejtor i çështjeve politike

Aqif pasha, Guvernator i Përgjithshëm në vitin 1862, e mori ndihmës drejtor të çështjeve politike dhe bëjnë një tur deri kur në shtator, në Athinë, ndodh grushti i shtetit. Detyrohen për t’u kthyer në Janinë për të marrë masat e duhura që kërkonte kjo ngjarje. Pas Aqif pashës, do t’i shërbente Hysni pashës, Dervish pashës dhe Kaizerli Ahmed pashës deri më 1864. Sipas merakut të së ëmës martohet me një vejushë të re nga Konica, e cila vdiq pas lindjes së vajzës së tyre, vitin e parë e jetës së tyre bashkëshortore. Pas disa rrethanash që e shtrënguan të jepte dorëheqjen, vajti në Larisa me ftesë të ungjit të tij Ismail Rahmi pashës, guvernator i përgjithshëm i Thesalisë, i cili e bëri shef të kabinetit të tij. Mustafa Pasha ia paraqiti në atë kohë (1867) komisarit të lartë për reformat në Bullgari, Mid’hat Pashës. Kur u bë Mid’hat Pasha Sadrazam, e mori me vete në Stamboll Ismail beun, si sekretar privat. Mori pjesë në komisionin shtetëror për hartimin e kushtetutës turke, e cila u shpall më 1876. Më 1868 ishte kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë. Kur ra Mid’hat Pasha dhe u burgos në Taif, kjo ngjarje la një përshtypje shumë dëmprurëse në karrierën e tij. Pas heqjes së kushtetutës nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mid’hat Pashes me 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor i tij në internim në Kutahja, ku u mbajt deri ne vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin 1899, u emërua përsëri disa herë. Megjithatë, sepse ish shumë i çmuar nga qarqet qeveritare, u emërua pas pak kohe Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll). Këtu qëndroi mjaft kohë e tregoi zotësi e shpirt përparimtar.

28 prill 1900,arratisja nga Perandoria Osmane

Disa ditë pas takimit që pati me sulltanin, me 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, në Misir, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, ne Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qëndroi për një kohë me të gjatë. Në Athinë pati takime edhe me personalitete politike e shtetërore të kohës. Përveç të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë, Gjergji I, që tregoi interes të veçantë për të duke qenë se respektin që gëzonte në Greqi e kishte nga i ati. Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të madhe në Turqi e në Europë, prandaj sulltani qysh ne ditët e para të largimit të tij bëri disa përçapje për ta tërhequr në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shtetërore, te cilat ai nuk i pranoi. Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Krahas me këtë, Ismail Qemali, si dhe mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në lëvizjen e Turqve te Rinj, ku u bashkua me përkrahësit e rrymës së decentralizimit që kërkonin zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë. Me to u prishën marrëdhëniet më 1903, pas mbledhjes së mbajtur në Paris ku idetë e tij binin kundër “Osmanllëkut”. Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës së tij, “Albania” (1897-1909).

Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët austro-hungarez, delegacionit shqiptar i premtuan një vapor për të zbarkuar në Durrës. Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, gazetës italiane “Piccolo”, i deklaroi, se: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, përfundimisht delegacioni shqiptar në krye me Ismail Qemalin, me vaporin austriak “Graf Wurmbrand von Brünn” nga Trieste niset drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës, ku e priti Dom Nikoll Kaçorri më 24 nëntor, ora 4. Ndonëse ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të shmangnin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç’ pritej. Për shkak të gjendjes së nderë që mbretëronte në qytet, po atë ditë Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t’i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë. Ato ditë, meqë forcat serbe përparonin shpejt drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (më 25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (më 26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës më 27 nëntor, ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës. Delegacioni në krye me Ismail Qemalin niset më 25 nga Durrësi, duke iu shmangur rrugës kryesore së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme niset për në Vlorë. Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, ”gjenerali i divizionit turk Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, si pararojë të pjesës tjetër të armatës së Vardarit, që po vinte prapa në rrëmujë (e shpartalluar), dha urdhër të arrestohej Ismail beu me të gjithë kolonën e tij; për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut. Një natë e kaloi në Fier tek Omer Pasha. Mirëpo gjatë natës, komanda e trupave turke në Berat, nën trysnin e përfaqësuesve shqiptarë ndryshoi mendim”. Nga vendi i quajtur Mifol, delegacioni i Ismail Qemalit udhëton me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912 arrijnë në Vlorë.

Ngjarja historike, shpallja e pavarësisë

 Situata në Vlorë ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Populli vlonjat me këtë rast i bëri pritje madhështore delegatëve të ardhur nga disa krahina të Shqipërisë. Ismail Qemali për këto momente në kujtimet e tij do të shkruaj: ”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli me përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”. Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë…, u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës (në selamllek – oda e burrave), kushëri i Ismail Qemalit. Meqenëse anijet luftarake greke i qenë afruar portit të Vlorës dhe me të drejtë i druhej ndonjë sulmi të forcave greke, por edhe për shkak të përparimit të pa ndaluar të ushtrisë serbe në verilindje të vendit, pa arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën të nesërmen të mblidhnin Kuvendin Kombëtar, për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, ndër to Isa BoletiniMehmet Pashë Deralla (një ditë më vonë). U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Në politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverisë kombëtare u tregua i prirë për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit. Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut. Mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Me politikën e tij ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare, ku gjeti përplasje edhe nga bejlerë brenda familjes së tij. Realisht ushtria turke dhe institucionet e saj bashkëjetonin me qeverinë e Vlorës edhe pas 28 nëntorit 1912, ku dhe batalionet e Vardarit të mundura nga trupat serbo-bullgare ishin strehuar në fshatrat e Myzeqesë kishin shprehur gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të shteti shqiptar në qoftë se do të cenohej. Ishte kjo ushtri që i dha “qeverisë së Vlorës”, një copë territor, Llogara-Mifol. Në morinë e pretendetëve për fronin e Shqipërisë renditeshin fisnikë të ndryshëm, e një ndër këto ishte Izet Pasha, një ushtarak me origjinë shqiptare i `lëvizur` nga Turqit e Rinj. Me prirjet e dëshpëruara që të shpëtonin territoret e Perandorisë në Ballkan, dërguan në mision majorin në karrierë Beqir Grebenenë me mbi 400 trupa në vaporët e linjës austriake Lloyd që shkonte deri në Trieste.