Zyrtarët amerikanë: Me 99.9% siguri, në avionin rus kishte bombë

421
Disa zyrtarë të lartë të administratës në inteligjencës, ushtrinë dhe sigurinë kombëtare amerikane thanë se me shumë gjasa avioni rus është rrëzuar në gadishullin Sinai për shkak të një bombe.
Një zyrtar tha se ata janë 99.9% të sigurtë për këtë fakt. “Ne besojmë se me shumë mundësi avioni është rrëzuar nga një bombë e vendosur në të që para se ai të nisej”.
Avioni rus Airbus u rrëzua fundjavën e kaluar (31 tetor) në Egjipt duke lënë 224 persona të vdekur. Avioni kishte si destinacion Shën Petersburgun.
Kjo hipotezë, për ekzistencën e një bombe në avion, është menduar edhe nga britanikët të cilët mendojnë se ky është një akt terrorist i ISIS.
Ndërkohë kreu i ekipit të hetuesve egjiptianë tha se nuk janë arritur ende konkluzionet përfundimtare në lidhje me incidentin.
Një zhurmë e pashpjegueshme në sekondën e fundit të regjistrimeve në audio nga kabina e pilotit të avionit ka tërhequr vëmendje të madhe, por kreu i ekipit të hetuesve egjiptianë, Ayman al-Muqaddam, tha se ekipi i tij nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë në se zhurma sinjalizon një shpërthim, apo diçka tjetër.
Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry po akuzon Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe vendet e tjera që nuk ndajnë me Egjiptin të dhënat e zbulimit mbi rrëzimin e avionit rus të udhëtarëve javën e kaluar.
Diplomatët egjiptiane u thanë gazetarëve të shtunën në Kajro se të dhënat e zbulimeve të huaja që tregojnë mundësinë e shpërthimit të një bombe në bordin e avionit, deri tani nuk u janë dhënë shërbimeve egjiptiane të sigurisë.
Sigal