Zyrtare: Botërori bëhet me 48 kombëtare. Rriten shanset për Shqipërinë

437
Sigal

FIFA ka marrë vendimin
për të rritur numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatin botëror, ku duke
nisur nga 2026 nuk do të jenë më 32 skuadra, por 48.

Projekti i fushatës së Gianni Infantinos, tashmë është materializuar. Vendimi
është marrë në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s mëngjesin e sotëm pas votimit në
Zyrih të Zvicrës.

Numri i ndeshjeve të turneut më të rëndësishëm në rang kombëtaresh do të rritet
nga 64 ndeshje në 80 të tilla. Në Botërorin e 2026, 48 kombëtare do të jenë të
vendosura në 16 grupe me nga 3 secili. Në raundin tjetër do të kalojnë nga dy
skuadra për çdo grup, e kjo nënkupton se skuadrave kombëtare i garantohen të
paktën dy ndeshje në Botëror, ndërsa fituesi do të luajë 7 ndeshje.

Turneu do të përfundojë brenda 32 ditëve, një vendim i cili pritet të qetësojë
klubet e mëdha evropiane, të cilët kundërshtuan fuqishëm këtë ndryshim.

Infantino ishte mbështetësi kryesor i këtij formati të ri të zgjeruar për t’i
dhënë sa më shumë mundësi kombëtareve për të përjetuar gëzimin e Kupës së
Botës. Sipas kreut të FIFA-s, ky format pritet të forcojë futbollin dhe ta
rrisë atë në vendet e vogla.

Sipas FIFA, ky format i ri i Kupës së Botës me 48 skuadra sjell edhe një rritje
të të ardhurave financiare të saj në 5.29 miliardë paund që do të thotë një
rritje e fitimeve me rreth 521 milionë paund.

Kjo është hera e parë që nga viti 1998, që formati i kampionatit të Botërorit
të futbollit pëson ndryshime.