Skenar horrori ishte zhvilluar asaj dite në transportin publik të St. Gallenit: Autobusi fillon të lëvizë, por shoferi nuk është mbi timon.

Një ngjarje e tillë kishte ndodhur kohët e fundit në St Gallen. Disa pasagjerë madje kanë kërcyer nga autobusi në lëvizje.

Drejtori i Transportit publik të qytetit (VBSG) Ralf Eigenmann, për të përditshmen zvicerane “Tagblatt” e ka konfirmuar incidentin, transmeton Albinfo.ch. Ngjarja kishte ndodhur në fund të qershorit në stacionin në rrugën “Berneggstrasse” të St. Gallen.

Shoferi i VBSG kishte dalë nga autobusi pasi dera e pasme nuk mund të mbyllej, madje as edhe me dorë. Prandaj ai vendosi ta fikë pjesën e majtë të autobusit përmes ndërprerësit kryesor.

Megjithatë, një veprim i tillë shkaktoi pasoja pasi freri i dorës u lirua. Zakonisht, ai aktivizohet në çdo ndalesë nga shoferi, së bashku me zhbllokimin e dyerve.

Në rastin aktual, vozitësi nuk ka pasur kontroll në frerin e dorës. Dhe në këtë mënyrë, autobusi filloi të lëvizë me shpejtësi në rrugën e pjerrët.

Më në fund, vozitësi ka arritur ta ndalë automjetin duke tërhequr frenin e duarve përmes dritares së shoferit që ka qenë e hapur.

“Kjo sjellje është shumë neglizhente”, ka pohuar Eigenmann. Se çfarë pasoja do të ketë për vozitësin, ai nuk ka mundur të përcaktojë. Nga ana tjetër, vozitësi është penduar thellë për këtë incident.

Gjatë kërcimit nga autobusi, disa udhëtarë janë lënduar. Shpezimet e kurimit të tyre do t`i mbulojë VBSG.

“Jo vetëm për shkak se duhet, por për shkak se ndjehemi moralisht të detyruar ta bëjmë këtë”, thotë Eigenmann. Ndaj shoferit nuk është bërë ndonjë denoncim.