Zuckerberg: Ne jemi kombi i emigrantëve

429
Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar së fundmi programet e vizave dhe refugjatëve që aplikojnë nga shumë vende me shumicë muslimane në Lindjen e Mesme, mes të cilëve gjendet edhe Siria e përgjakur nga lufta. Urdhri ekzekutiv, i nënshkruar nga Trump ndalon dhënien e vizave njerëzve nga shtatë shtete të ndryshme, si: Iraku, Siria, Libia, Jemeni, Irani, Sudani dhe Somalia.
Ndër personalitetet e shumta që kanë reaguar ndaj politikave të Trump është edhe kreu i rrjetit social “Facebook”, Mark Zuckerberg.
“Stërgjyshërit e mi kanë ardhur nga Gjermania, Austria dhe Polonia. Prindërit e Priscillas ishin refugjatë nga Kina dhe nga Vietnami. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kombe të emigrantëve, dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë.
Si shumë nga ju, edhe unë jam i brengosur rreth ndikimit të urdhrit të fundit ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Trump. Ne duhet ta mbajmë të sigurt këtë vend, por duhet të përqendrohemi te njerëzit të cilët janë kërcënim për SHBA-të. Zgjerimi i fokusit të sundimit të ligjit përtej njerëzve që janë kërcënimi kryesor vetëm sa do t’i bënte amerikanët më pak të sigurt duke i ndarë burimet, përderisa miliona njerëz pa dokumente, të cilët nuk janë të rrezikshëm, do të jetojnë me frikën e dëbimit. Gjithashtu duhet t’i mbajmë dyert hapur edhe për refugjatët dhe për të tjerët që kanë nevojë. Këta jemi ne. Nëse do t’ia kishim kthyer shpinën refugjatëve para disa dekadave, familja e Priscillas nuk do të ishte këtu. Veç kësaj, unë jam i kënaqur të dëgjoj se presidenti Trump thotë se do të “gjejë një zgjidhje” për ëndërrimtarët – emigrantët të cilët ishin sjellë në këtë shtet në moshë të re nga prindërit e tyre. Tani, 750,000 ëndërrimtarë përfitojnë nga programi DACA, i cili u lejon të jetojnë dhe të punojnë legalisht në SHBA. Shpresoj se presidenti dhe ekipi i tij do t’i mbajnë në vend këto mbrojtje, dhe përgjatë javëve të ardhshme unë do të punoj me ekipin tonë për të zbuluar mënyra përmes së cilave mund të ndihmojmë.
Jam i kënaqur edhe që presidenti beson se shteti jonë duhet të vazhdojë të përfitojë nga “njerëzit me talent të madh të cilët vijnë në shtetin tonë”. Këto çështje janë personale për mua edhe përtej familjes sime. Disa vite më parë, unë kam mbajtur ligjërata në një shkollë lokale të mesme, ku disa nga studentët e mi më të mirë nuk kishin dokumente. Edhe ata janë e ardhmja jonë. Ne jemi komb i emigrantëve, dhe të gjithë përfitojmë kur njerëzit më të mirë dhe më të ndritur nga e gjithë bota mund të jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë këtu. Shpresoj se do të gjejmë kurajën dhe mëshirën për t’i bashkuar njerëzit dhe për ta bërë botën vend më të mirë për gjithsecilin”, ka shkruar Zuckerberg në rrjetin e tij social, Facebook.
Sigal