“Zoti president, një avion me 110 pasagjerë është rrëmbyer dhe ka një bombë në bord”. Putin jep urdhër: Rrëzojeni!

10
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin urdhëroi rrëzimin e një aeroplani pasagjerësh në vitin 2014, që dyshohej se kishte një bombë në bord dhe do të sulmonte hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi.
Këto fakte janë bërë publike në një film të ri për Presidentin Putin, që është publikuar në internet në prag të zgjedhjeve presidenciale në Rusi më 18 Mars.
Në film thuhet se Presidenti Putin ishte njoftuar për një aeroplan me 110 pasagjerë në bord që fluturonte nga Ukraina në Turqi dhe që ishte rrëmbyer. Synimi i tij ishte të përplasej në Soçi, sapo të nisnin Lojërat Olimpike Dimërore.
Sipas informacionit në atë kohë, thuhej se aeroplani ishte marrë peng dhe në bord kishte një bombë. Në film, Putin thotë se zyrtarët e sigurisë i sugjeruan që në të tilla raste procedura e emergjencës është që të rrëzohet aeroplani.
“Unë u thashë atyre të veprojnë sipas planit“, tregon Putin në film.
Por disa minuta më vonë Presidenti rus mori një tjetër telefonatë që e informonte se ishte një alarm i rremë dhe nuk kishte asnjë rrezik nga aeroplani në fjalë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka konfirmuar këto informacione që thuhen në film për Presidentin Vladimir Putin.