Zjarr i frikshëm në spitalin shumëkatësh, ambulancat evakuojnë të sëmurët

507
Sigal

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e së enjtes një spital shumëkatësh në Stamboll të Turqisë. Sipas “Hurriyet”, zjarri ka përfshirë të gjithë katet e Spitalit Universitar dhe Kërkimor të Taksimit që ndodhet në lagjen Gaziosmanpasha të metropolit turk.

Në vendngjarje kanë mbërritur shumë zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat po përpiqen të shuajnë flakët dhe të evakuojnë të sëmurët. Dëshmitarë okularë thanë se ishin dëgjuar shumë shpërthime pas rënies së zjarrit.

Zjarri raportohet se fillimisht ka nisur në pjesën e çatisë, por brenda një kohe shumë të shkurtër është përhapur në të gjitha katet. Media turke u ka bërë thirrje qytetarëve të mos kalojnë në rrugët afër spitalit në mënyrë që t’u lihet rrugë e lirë ambulancave në evakuimin e të sëmurëve.

Deri më tani nuk janë raportuar viktima ndërsa të rrezikuar nga zjarri janë edhe pacientët që ndodhen në reanimacion.  Zjarri ka qenë aq i fuqishëm sa është parë nga shumë pjesë të qytetit me mbi 15 milionë banorë.