Zhbllokohet Kuvendi i Kosovës, Kadri Veseli rizgjidhet kryeparlamentar

509
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Kadri Veselin, kryetar të këtij institucioni. Zgjedhja e Veselit në postin e kryekuvendarit, ka pasuar negociatat e gjata politike ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, fillimisht me Aleancën Kosova e Re dhe në fund me pakicat.

Seanca e sotme, ishte vazhdimësi e seancës konstituive të 3 gushtit, e cila gjashtë herë u ndërpre, për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Zgjedhjen e Veselit nuk e kanë përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Bashkë me kryetarin, deputetët kanë votuar edhe pesë nënkryetarët e rinj, të cilët përbëjnë kryesinë e re të Kuvendit.

Nga momenti i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.

Tani, bazuar Kushtetutën e Kosovës, i takon koalicionit PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat që të nominojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Pritet që ai të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas procedurave, Haradinaj duhet të merr bekimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e Qeverisë.

Pas konstituimit të Kuvendit, votimi për Qeverinë mund të ndodhë që nga sot pasdite apo edhe brenda periudhës kohore prej 15 ditëve.
Sigal