Zgjidhjet ekipi i Prokurores Speciale, katër partitë firmosin marrëveshjen

459
Katër partitë negociatore VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH mbrëmë kanë firmosur një letër, përmes së cilës kërkohet që Këshilli i Prokurorëve Publik të miratojë edhe pjesën tjetër të 7 prokurorëve të propozuar nga Prokurorja Speciale Katica Janeva.
Kjo u bë e ditur sot nga ndërmjetësi i negociatave, diplomati europerëndimor, Vanhoute.
Letra e firmosur nga katër partitë politike fillimisht do t’i adresohet ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari, i cili më pas të njëjtën do ta ridërgojë deri te Këshilli i Prokurorëve Publik, me çka pritet që të hënën në mëngjes të përzgjidhet i tërë ekipi i Janevës dhe të gjithë prokurorët e zgjedhur të japin betimin.
“Mbrëmë kishim bisedime të vazhdueshme, para se gjithash lidhur me çështjet për prokurorin special publik dhe gjithë situatën dhe sfidat me Gjykatën Kushtetuese. Mbrëmë u arrit marrëveshje që të dërgojmë letër tek të dy institucionet, me kërkesë që të ballafaqohen me këto situata sa më shpejt që munden. Sot do të diskutojmë për kodin zgjedhor dhe shpresoj që shumë shpejt do ta finalizojmë. Jemi shumë afër finalizimit të detajeve të fundit që të mund të dorëzohet në Kuvend që ai t’i miratojë deri të hënën”, theksoi Vanhoute.
Sigal