Zgjidhet ngerçi, Flora Brovina: Javën e ardhshme mbahet seanca

454
Sigal

Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të thirret javën e ardhshme është shprehur Flora Brovina, e cila ka shtuar se nga ana e administratës çdo gjë është gati, veçse duhet të përfundojnë punën grupet punuese të PDK-së dhe LDK-së. 
 
Mësohet se Brovina ka thënë se grupet punuese janë duke punuar dhe pas përfundimit të punës së tyre do të vendoset për datën e mbajtjes së seancës.
 
“Grupet punuese janë duke punuar dhe pas përfundimit të punës së tyre do të vendoset edhe për seancën. Prej punës së tyre varet thirrja e seancës. Ne jemi gati, edhe administrata edhe unë, i kemi bërë përgatitjet edhe ftesat janë gati por data duhet të caktohet, besoj që javën e ardhshme”, ka thënë Brovina.
 
Ndryshe, përkundër faktit se anëtarët e grupeve punuesve janë pajtuar në mes vete që të mos flasin për media, derisa në përfundim të punës, mediat kanë raportuar se ndarja e posteve do të bëhet në fillim të kësaj jave, në mënyrë që seanca të mbahet të enjtën ose të premten.
 
Seanca e parë për konstituimin e Kuvendit është mbajtëm e 17 korrik të këtij viti, e thirrur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ku Isa Mustafa mori postin e kryeparlamentarit.
 
Por, pas ankesës së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit mori vendim që kreu i LDK-së u zgjodh në mënyrë antikushtetuese, pasi vetëm PDK-së i takonte propozimi për të zgjedhur kryekuvendarin.
 
Më tutje, më 18 shtator është mbajt seanca e dytë zyrtare për konstituimin e kuvendit në të cilën është votuar Arsim Bajrami i PDK-së, por që nuk morri votat e mjaftueshme që të zgjidhet kryetar i Kuvendit.
 
E edhe koalicioni paszgjedhur, tashmë i prishur, BLLOK-u, më 9 tetor mbajti një seancë e cila u vlerësua si ilegale pasi nuk mori pjesë PDK, minoritet, sekretaria e kuvendit dhe as ambasadat.
 
Mbajtja e seancës për konstituimin e Kuvendit po vonohej për shkak se paraprakisht kërkohej marrëveshje mes subjekteve politike. Pas më shumë se pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, PDK dhe LDK arritën një marrëveshje në parim, të mërkurën mbrëma me 19 nëntor të këtij viti, e cila hap rrugë formimit të institucioneve.