Zgjedhjet presidenciale, SHBA, hapen votimet në 9 shtete të bregut lindor

416
Sigal

Shtetasit amerikanë kanë filluar të votojnë në zgjedhjet presidenciale, pas përfundimit të fushatës më të diskutuar në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në orën 12, sipas zonës kohore evropiane, votimet janë hapur në 9 shtete të bregut lindor, ndërsa votimet në tre fshatra të vogla tashmë kanë përfunduar.

Shtetet nga të cilat mund të votohet, janë: Konektikat, Indiana, Kentaki, Main, Nju Hempshir, Nju Xhersi, Nju Jork, Vermont dhe Virxhinia. Ndër të parët që ka votuar në Richmond, Virxhinia ishte edhe kandidati demokrat për zv/president, Tim Kaine. Ai tha se kampi demokrat kishte bërë gjithçka që duhej të bënin, ndërkohë që ia kaloi stafetën votuesve të cilët do të zgjedhin kandidatin fitues.

Deri më tani, një numër rekord prej 46 milionë votuesish kanë marrë pjesë në votimet e hershme të nisura në disa shtete të ndryshme. Demokratja Hillary Clinton e ka nisur këtë ditë zgjedhore me një avantazh në sondazhe, krahasuar me rivalin e saj republikan.

Rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale pritet të dalin në orët e para të mëngjesit të ardhshëm, gjithnjë sipas kohës europiane. Fituesi i këtyre zgjedhjeve do të jetë presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara, që do të marrë detyrën në 20 janar të vitit të ardhshëm, duke zëvendësuar kështu presidentin ende në fuqi, Barack Obama.