Zgjedhjet presidenciale në SHBA: Donald Trump pranon që është pas Clinton-it

441
Sigal

Zyrtarë të fushatës elektorale të Donald Trump pranuan se
kandidati republikan është prapa Hillary Clinton, diçka më shumë se dy javë
para se amerikanët të zgjedhin presidentin e tyre të ardhshëm.

Menaxherja e fushatës së Trump,
Kellyan Conway tha se Clinton ka disa avantazhe, por siguroi njerëzit se Trump
nuk do të dorëzohet, pasi mund ta fitojë garën. Të premten, vetë Trump bëri një
deklaratë mjaft të rrallë duke thënë se kishte mundësi që të humbiste
zgjedhjet. Zyrtarë të fushatës së Trump thanë se Clinton, veçse ka
jashtëzakonisht më shumë fonde ka mbështeje figurash si një ish-president që
është edhe bashkëshorti i saj, por edhe mbështetjen e çiftit aktual
presidencial. 

Megjithatë, ata mendojnë se duke
parë mbështetjen e madhe popullore që biznesmeni njujorkez ka pasur, është ende
herët për t’u dorëzuar. Sondazhet e fundit tregojnë se Clinton udhëheq në rang
kombëtar dhe në disa shtete që konsiderohen si fushëbeteja zgjedhore. Por, një
pjesë e ekspertëve thonë se këto zgjedhje janë të pazakonta dhe sondazhet nuk duhen
marrë si një garanci e vërtetë. Ata përmendin rastin e “Brexit”-it në Britaninë
e Madhe, një çështje kontradiktore ku sondazhet jepnin fitues pa as më të
voglin dyshim qëndrimin në Bashkimin Evropian. Por dihet se si shkoi ky
votim. 

Në krahun tjetër të politikës
amerikane, nga fushata e Clinton, pa bërë deklarata fitoresh dhe me entuziazëm
të matur, thonë se këto do të jenë zgjedhjet më të mëdha në historinë
amerikane. Menaxheri i fushatës së Clinton, Robbie Mook deklaroi për mediat se
në procesin elektoral do të marrin pjesë më shumë njerëz se kurrë më parë.