Zgjedhjet në SHBA/ Trump: Do të ndihmoj afrikano-amerikanët

426
Sigal

Kandidati republikan për president, Donald Trump propozoi
një sërë masash ekonomike për të ndihmuar afrikano-amerikanët, një grup që
sipas sondazheve mbështet kryesisht kundërshtaren e tij, demokraten Hillary
Clinton.

Gjatë një fjalimi të mërkurën në
Sharlotë të Karolinës së Veriut, zoti Trump paraqiti plane për t’ua lehtësuar
sipërmarrësve afrikano-amerikanë marrjen e kredive, dhe që qytetet t’i shpallin
disa lagje të varfëra të tyre si zonat fatkeqësie, në mënyrë që të rindërtohen.

Zoti Trump i tha audiencës,
kryesisht të bardhë, se “shumë afrikano-amerikanë janë lënë prapa”.

Dje, zoti Trump ishte në
Uashington për të përuruar hotelin e tij të ri, që ndodhet afër Shtëpisë së
Bardhë. Zonja Clinton komentoi, duke thënë se rivali i saj po i kushtonte më
shumë vëmendje biznesit të vet sesa fushatës.

Zoti Trump u përgjigj dhe tha se
kishte të drejtë të merrte pjesë në inaugurim. Ai pyeti se përse askush nuk e
kritikoi zonjën Clinton për pjesmarrjen në një koncert të këngëtares Adele të
martën.

Ai tha gjithashtu se ka shpenzuar
personalisht 100 milionë dollarë për fushatën dhe se ishte gati të kontribuonte
më shumë nëse do të ishte e nevojshme.