Zgjedhjet në SHBA, republikanët mbajnë shumicën në Senat

437
Sigal

Qendrat e votimit në SHBA janë mbyllur. Shumicën e Senatit e mbajnë republikanët. Demokratët arritën të rimarrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Demokratët duket se e rimorën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë që shumica e Senatit mbetet në duart e republikanëve. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e lartë. Gara vazhdon për të ndryshuar balancën e pushtetit në Kongres. Demokratët duan të arrijnë shumicën në të dy Dhomat e Kongresit. Nëse e arrijnë këtë ata do të jenë në gjendje të pengojnë Trumpin të qeverisë i lirë. Në shumë zona zgjedhore rezulatet janë të paqarta dhe gara është shumë e nxehtë. Fituesit e parë janë bërë ndërkohë të ditur. Në Nju Jork të gjithë kongresmenët e zgjedhur janë nga Partia Demokrate. Mes tyre edhe kongresmeni i mirënjohur prej shqiptarëve, Eliot Engel. Senatori i pavarur Bernie Sanders, arriti të rizgjidhej lehtë në Vermont. Kongresmenia e parë myslimane në historinë e Amerikës, do të jetë Rashida Tlaib, e sapozgjedhur në Miçigan. Katër gra i janë shtuar tashmë Senatit duke shtuar numrin e grave në përfaqësimin në institucionet më të larta të vendit. Mediat në Amerikë në përgjithësi folën për një “valë rozë” në këto zgjedhje, për shkak të numrit të lartë të grave kandidate.