Zgjedhjet në SHBA, mijëra veta protestuan kundër Donald Trumpit

441
Sigal

Turma protestuesish
parakaluan qyteteve gjithandej Shteteve të Bashkuara për të protestuar kundër
fitores së papritur të republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të
së martës, duke e dënuar retorikën e tij kundërthënëse gjatë fushatës mbi
emigrantët, myslimanët dhe grupet tjera.

Në New York, mijëra
protestues mbushën rrugët në Manhattan derisa po parakalonin drejt “Kullës
Trump” (Trump Tower), shtëpinë e praruar të Donald Trumpit në Avenynë e
pestë, ndërkohë që qindra të tjerë ishin mbledhur në parkun në Manhattan duke
brohoritur, “Nuk është presidenti im”.

Në qendër të Chicagos, rreth
një mijë e 800 veta ishin mbledhur jashtë Hotelit International, duke
brohoritur “Jo Trump! Jo KKK! Jo SHBA raciste”.

Policia mbylli rrugët në
zonë, por nuk pati njoftime nëse ka pasur arrestime apo raste dhune.

“Jam i tmerruar me atë
që po ndodhë në këtë vend” tha 22 vjeçarja Adriana Rizzo në Chicago,
derisa po mbante në duar një parullë në të cilën shkruante “Kënaquni me të
drejtat tuaja për aq sa mundeni”.

Protestuesit kundërshtojnë
zotimet e zotit Trump të bëra gjatë fushatës së do të ndërtojë një mur përgjatë
kufirit me Meksikon për të penguar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në
Shtetet e Bashkuara.

Qindra u mblodhën në në
Philadelphia, Boston, Seattle e Portland, Oregon, të mërkurën në mbrëmje ndërsa
organizatorët planifikojnë tubime në San Francisco, Los Angeles dhe Oakland të
Kalifornisë.

Në Austin, kryeqyteti i
Texasit, rreth 400 veta, sipas policisë, parakaluan nëpër rrugë.

Përfaqësuesit e fushatës së
Trumpit nuk komentuan protestat. Në fjalimin e tij me rastin e shpalljes së
fitores, Donald Trump tha se ai do të jetë president i të gjithë amerikanëve
dhe se “është koha për të qëndruar së bashku si një komb i bashkuar”.

Më herët gjatë këtij muaji,
fushata e tij mohoi mbështetjen ndaj një gazete të Ku Klux Klan, ndërsa
nënvizoi se “zoti Trump dhe fushata e tij dënojnë urrejtjen e çfarëdo
forme.

Më herët të mërkurën, rreth
një mijë e 500 nxënës dhe mësues protestuan në oborrin e Shkollës së mesme në
Berkeley, një zonë në gjirin e San Franciscos e njohur për politika liberale,
para se të parakalonin drejt Universitetit të Californias, në Berkeley.

Qindra nxënës dhe studentë
kolegjesh, dolën në protesta në Seattle, Phoenix, Los Angeles dhe tri qytete në
zonën e gjirit, Oakland, Richmond dhe El Cerrito.

Një grup peej mbi 300
nxënësish kryesisht latino amerikan dolën në Los Angeles dhe parakaluan deri në
shkallët e bashkisë ku protestuan shkurt por zhurmshëm.

Duke kënduar në spanjisht
“Njerëzit e bashkuar nuk munden kurrë”, grupi mbante në duar parulla
si “Jo racizmit, Nuk është presidenti im” dhe “Emigrantët e
bëjnë Amerikën të madhe”.

Shumë nga ata nxënës janë
pjesëtarë të brezit të “ëndërrimtarëve”, fëmijë të prindërve që kanë
hyrë në Shtetet e Bashkuara në rrugë të paligjshme, tha një zyrtar i shkollës
dhe të cilët kanë frikë se mund të largohen nën administratën e zotit Trump.

“Një fëmijë nuk duhet të
jetojë nën frikën se mund të deportohet”, tha Stephanie Hipolito, një nga
organizatoret e parakalimit. Ajo tha se prindërit e saj janë qytetarë të
Shteteve të Bashkuara.

Protestat e së mërkurës
pasuan një natë protestash në zonën e San Franciscos dhe gjetiu në vend si
kundërpërgjigje ndaj fitores së zotit Trump ndaj kundërshtares demokrate
gjerësisht të mbështetur Hillary Clinton.

Demonstruesit thyen xhamat e dyqaneve dhe dogjën
mbeturina e goma natën e së martës në Oakland. Disa kilometra më tutje
studentët e Universitetit të Californias në Berkeley, protestuan në mjediset e
universitetit.