Zgjedhjet në Maqedoni/ Partitë shqiptare udhëheqin, Zaev shpall fitoren teksa VMRO DPMNE goditet me humbje të rëndë

522
Në raundin e parë zyrtarizohen 45 kryetarë komunash, në 35 komuna tjera do të rivotohet
Në orën 7 të mëngjesit, në Maqedoni ditën e diel janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet lokale, të pritura po me aq interes sa edhe ato të përgjithshme. Raundi i dytë është përcaktuar të mbahet më 29 tetor. Votuesit shqiptarë kanë qenë këtë herë në mënyrë të veçantë në vëmendjen e partive politike gjatë fushatës. Në komunat e banuara prej tyre u premtua fort përmirësimi i infrastrukturës rrugore, rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve dhe kushteve të mjedisit.

Heshtja zgjedhore është respektuar plotësisht e nuk ka pasur ndonjë raportim për shkeljen e saj nga forcat e ndryshme politike. Gjithsej janë 260 kandidatë për kryetarë komunash dhe shumë më tepër të tjerë për anëtarë të këshillave komunalë. Mbi 5.000 përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase ndoqën nga afër procesin, bashkë me 373 monitorues të ODIHR-it.

Fushata ka qenë përgjithësisht e qetë, por nuk ka munguar sidoqoftë retorika e ashpër e shpeshherë fyese. Si drejtuesit e partive, ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për një proces demokratik, në një kohë kur edhe komuniteti ndërkombëtar ka lënë të kuptohet se mbarëvajtja e procesit do të ndikojë në avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike. 

45 komuna u bënë me kryetarë që në raundin e parë në zgjedhjet lokale të së dielës, ndërsa në 35 komuna tjera do të ketë raund të dytë më 29 tetor. 
Në raundin të parë janë zgjedhur kryetarët në Aerodrom, Haraçinë, Berovë, Manastir, Bogdanc, Bosillovë, Vallandovë, Vasilevë, Vevçan, Gjevgjeli, Veles, Dellçevë, Gjorçe Petrov, Demir Hisar, Dojran, Zelenikovë, Ilinden, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Kratovë, Kriva Pallankë, Krivogashtan, Krushevë, Kumanovë, Lozovë, Mavrovë, Negotinë, Novo Sellë, Ohër, Petrovec, Pehçevë, Plasnicë, Prilep, Radovish, Rankovce, Resen, Sveti Nikollë, Sopishte, Strumicë, Qendër, Qendër Zhupa, Çuçer Sandevë dhe Debërc.

Raund të dytë do të ketë në Bogovinjë, Brvenicë, Butel, Vinicë, Vrapçisht, GaziBabë, Gostivar, Dibër, Gradsko, Probishtip, Rosoman, Demir Kapi, Dollnen, Zhelinë, Zrnovc, Jegunovc, Kavadar, Kisella Vodë, Makedonska Kamenica, Karbinci,Likovë, Makedonski Brod, Novaci, Mogillë, Saraj, Nagoriçane e vjetër, Strugë, Studeniçan, Tearcë, Tetovë, Çair, Çashkë, Çeshinovë, Shtip dhe Shuto Orizare.

LSDM në raundin e parë fitoi në 37 komuna, VMRO-DPMNE në tre, BDI në dy, kandidatë të pavarur në dy, dhe partia e turqve në një komunë.

Aleanca për Shqiptarët, forca e dytë në kampin politik shqiptar
Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të djeshme lokale, tani forcë e dytë te kampi politik shqiptar është Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Ziadin Sela. Kjo vërehet nga fakti nga rezultatet e publikuara nga KSHZ për këshilltarë komunal ku Aleanca ka fituar 23% të votave, ndërsa Besa 22% të votave, ndërsa si forcë e parë ende mbetet Bashkimi Demokratik për Integrim me 42% të votave. Gjithashtu Lëvizja Besa nuk ka mundur të shkojë në raundin e dytë për kryetarë komune as në Gostivar, Strugë e Dibër, ku në të njëjtat Aleanca për Shqiptarët është në balotazh me BDI-në.
Ja rezultati në komunat shqiptare
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, LSDM udhëheq në 49 komuna, VMRO-DPMNE në 10 komuna, BDI në 12 komuna, ASH në 2 komuna ndërsa kandidatët e partive tjera udhëheqin në komunat e tjera, ku do të shkohet në balotazh.
KSHZ theksoi se deri në orën 1 të mëngjesit janë numëruar dhe përpunuar 60,59 për qind.
Por ja si janë rezultatet në komunat shqiptare:
Komuna e Tetovës:
3. Teuta Arifi, BDI = 13246
4. Adnan Neziri, ASH =4862
5. Goran Manojloski, OBRM-PDUKM = 6456
6. Bilall Kasami, Lëvizja Besa = 8755
7. Bardhyl Dauti, PDSH = 4564
Komuna e Gostivarit:
1. Lenka Jovanoska, PSDM = 208
2. Shpat Iseini, Koalicioni ASH = 1556
3. Nevzat Bejta, BDI = 12095
4. Arben Taravari, ASH = 11600
5. Dafina Stojanoska, OBRM-PDUKM = 3543
6. Asaf Ademi, Lëvizja Besa = 3104
7. Sebajdin Izairi, PDSH = 703
Komuna e Strugës:
3. Ramis Merko, BDI = 7916
4. Ziadin Sela, ASH= 9289
5. Sejad Solakoski, OBRM-PDUKM = 4149
6. Lavdrim Elmazi, Lëvizja Besa = 1060
7. Mendi Asani, PDSH = 53
8. Vasil Ashtalkoski, LSDM = 7140
Komuna e Dibrës:
2. Shkëlqim Xhafa, Koalicioni ASH = 328
3. Ruzhdi Lata, BDI = 3419
4. Arben Agolli, ASH = 2597
5. Dragan Kllopçevski, OBRM-PDUKM = 685
6. Xhemail Çupi, Lëvizja Besa = 1271
Komuna e Sarajit:
3. Blerim Bexhetia, BDI = 7957
4. Ekrem Alija, ASH = 3175
14.Bashkim Bakiu, Lëvizja Besa = 4578
15.Sefedin Aliu, PDSH = 277
Komuna e Haraçinës:
3. Isuf Bislimi, BDI = 1.025
4. Isen Ramadani, ASH = 841
5. Ali Ismaili, Lëvizja Besa = 272
6. Milikije Halimi, LSDM = 3.067
Komuna e Bogovinës:
3. Berzah Bejtulahu, BDI = 3817
4. Albon Xhemaili, ASH = 3118
5. Minur Asani, Lëvizja Besa = 2717
6. Elvir Iseni, PDSH = 1102
7. Vebi Xhemaili, PPD = 226
Komuna e Tearcës:
3. Isen Asani, BDI = 2.952
4. Vojo Gogovski, OBRM-PDUKM = 684
5. Nevzat Velii, ASH = 1.441
6. Amir Elezi, Lëvizja Besa = 2.317
7. Ruhan Ilazi, PDSH = 1.452
8. Bobi Petrushevski, LSDM = 708
Komuna e Studeniçanit:
3. Femi Jonuzi, BDI = 1812
4. Mexhit Imeri, ASH = 172
5. Rexhep Memeti, Lëvizja Besa = 1968
6. Azem Sadiki, PDSH = 2875
7. Akija Mustafovski, LSDM = 1332
Komuna e Zhelinës:
3. Fatmir Izairi, BDI = 4.009
4. Reshat Alii, ASH = 668
5. Blerim Sejdiu, Lëvizja Besa = 3.979
6. Sali Ajdini, PDSH = 323.
Fitoren në zgjedhje e shpalli Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së dhe njëherësh kryeministër i vendit
Kjo parti ka njoftuar fitoren në 40 nga gjithsej 80 komuna të Maqedonisë, ndërsa thuajse në të gjitha të tjerat do të shkojë në balotazh në rrethin e dytë zgjedhor. LSDM-ja, bazuar në të dhënat e përpunuara ka fituara komunat më të mëdha të vendit, thuajse shumicën e dhjetë komunave të Shkupit, si dhe të qyteteve tjera në Manastir, Prilep, Ohër, Strumicë, Shtip e të tjera. Fitoren në zgjedhje e shpalli Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së dhe njëherësh kryeministër i vendit

“Populli në këto zgjedhje dha mesazhin, se mbështet politikat e qeverisë së re, i dha mbështetje politikës sonë për një shoqëri për të gjithë, i dha mbështetje rritjes dhe zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Zaev.

LSDM-ja ka fituar edhe në komunën e Haraçinës ta banuar tërësisht me popullatë shqiptare.

VMRO DPMNE pëson humbje drastike në zgjedhjet vendore në Maqedoni
Ndërkohë, VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në paraqitjen rreth mesnate ka shprehur kritika për mbarëvajtjen e zgjedhjeve duke denoncuar parregullsi të shumta, sipas tij. Gruevski tha se për të gjitha parregullsitë do t’i informojë organet kompetente, por gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë që të marrë përgjegjësinë për humbje në zgjedhje. “Për rezultatin zgjedhor do të diskutojnë organet më të larta partiake dhe gjithsesi se edhe unë nuk do t’i ik përgjegjësisë për rezultatin e arritur”, ka deklaruar Gruevski pa saktësuar nëse do të japë dorëheqje. 

Deklaratë e liderëve të partive shqiptare
“Bashkimi Demokratik për Integrim dukshëm udhëheq në nivel të Republikës. Mendoj se ky do të jetë mandati i 11-të i fitoreve të BDI-së”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. BDI-ja pretendon se është fituese e zgjedhjeve me rreth 100 mijë vota.

Lëvizja Besa, ndërkohë, në vlerësimin e parë për zgjedhjet ka folur për parregullsi të shumta gjatë procesit zgjedhor, të cilat ka njoftuar se i ka deponuar në organet përgjegjëse për procedim të mëtejmë. Por, edhe kjo parti opozitare ka thënë se është fituese e zgjedhjeve, pasi sipas saj ajo ka fituar vota pa koalicion me parti maqedonase, siç ishte BDI-ja me LSDM-në në disa komuna.

“Duke pasur parasysh se BDI-ja ishte në koalicion me LSDM-në, kjo i bie që BESA është partia e parë shqiptarë në Maqedoni. Nga votat e numëruara deri tani ne kemi rritje të dyfishtë dhe kjo na bën partinë e parë shqiptare”, ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Nga Aleanca për Shqiptarët, gjithashtu, kanë thënë se rezultati i tyre është dyfishuar, ndërsa kanë shpallur fitoren e kandidatëve të saj në Strugë dhe Gostivar, të cilët në rrethin e dytë kalojnë në avantazh kundrejt kandidatëve të BDI-së dhe LSDM-së. Kjo parti në balotazh shkon edhe në disa komuna tjera me BDI-në. Ilmi Aziri nga shtabi zgjedhor i kësaj partie tha se në zgjedhjet e së dielës e dielës Aleanca për Shqiptarët i ka dyfishuar votat duke u bërë forca e dytë politike te shqiptarët.

“Këto zgjedhje shërbyen për të konfirmuar Aleancën për Shqiptarët si forcën kryesore kombëtare dhe progresive të së ardhmes, kurse Zijadin Sela u konfirmua si lider i pakontestueshëm i shqiptarëve në Maqedoni”, ka deklaruar Aziri.

Dalja në votimet e së dielës ka qenë pak më shumë se 50 për qind, te zonat e banuara me shqiptarë, dalja ka qenë me e ulët, madje në disa zona edhe deri në 40 për qind.
Sigal