Zgjedhjet në Kosovë, KQZ pret vendimin e Gjykatës Supreme për çertifikimin e rezultatit

520
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë po pret vendimet e Gjykatës Supreme ndaj ankesave mbi vendimet e PZAP-së, për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit.
Kështu tha të mërkurën kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, pas mbledhjes në të cilën u miratua raporti i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve mbi rinumërimin e 117 kutive të votimit, sipas vendimit të PZAP-së, të cilat ndryshuan votat e tre kandidatëve të tre subjekteve politike.

Koordinatori i QNR-së Burim Ahmetaj paraqiti raportin nga rinumërimi i 117 kutive të votimit. Ai tha se pas rinumërimit diferenca mes partive nuk është e madhe, ndërsa te votat e kandidatëve ka pasur disa ndryshime.

Po ashtu, ndryshime ka pasur edhe tek votat e disa kandidatëve të tjerë për deputetë, por që nuk kanë ndryshuar në votat përfundimtare në renditjen e tyre në listat e subjekteve politike.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se certifikimi i rezultateve do të bëhet sapo të përfundojë Gjykata Supreme me ankesat e bëra ndaj vendimeve të PZAP-së.

Ndërsa, anëtari KQZ-së Adnan Rrustemi e quajti shqetësues vonesën e certifikimit të zgjedhjeve.

Anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi, kërkoi nga institucionet që të shohin masat që duhet të ndërmerren për të përmirësuar këto aspekte.

Po ashtu, KQZ miratoi edhe kërkesën e sekretariatit të KQZ-së për zgjatjen e orarit për punonjësit e KQZ-së. Por, Gjoshi kërkoi arsyetim për këtë, pasi raporti i auditorit ka dhënë vërejtje dhe rekomandime për punën përtej asaj që lejon ligji.
Sigal