Zgjedhjet në Kosovë, Haradinaj voton dhe bën thirrje për pjesëmarrje

461
Kandidati për Kryeministër i koalicionit të Pastisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj bëri thirrje që qytetarët të votojnë sot në zgjedhje, pasi ka hedhur votën e tij.
I shoqëruar nga gruaja e tij, Anita Haradinaj, ata kanë votuar në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”.
Haradinaj ftoi qytetarët të votojnë, duke u shprehur se fitorja më e madhe është që qytetarët të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës të votojnë, vota ka rëndësi. Ky vendim i sotëm e ka peshën e vet katër vite, dhe qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë”, – deklaroi Haradinaj.
Haradinaj ka qenë edhe më parë kryeministër për një periudhë të shkurtër, nga dhjetori 2004 deri në mars 2005.
Ndërkohë, edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi votën e tij në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Presidenti Thaçi ka theksuar se këto janë zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme për konsolidimin dhe forcimin e institucioneve të ardhshme të Kosovës.
“Janë zgjedhje të rëndësishme për shtetin e Kosovës, për kultivimin e demokracisë, afirmimin e shtetit tonë, të konsolidimit dhe forcimit të institucioneve të ardhshme të Republikës së Kosovës. Ftoj qytetarët pa dallim partie politike, etnie, që të dalin në zgjedhje masovikisht dhe të votojnë për të ardhmen e tyre”, – deklaroi Thaçi.
Kujtojmë se Partia Demokratike e Hashim Thaçit, që tani drejtohet nga Kadri Veseli, është në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe partinë Nisma të Fatmir Limajt.
Kandidati i këtij koalicioni për kryeministër është Ramush Haradinaj.
Sigal