Zgjedhjet në Greqi: Tsipras ‘në betejë’ me kryeministrin Samaras

479
Sigal

Grekët votojnë në zgjedhjet e përgjithshme që mund të çojnë vendin në rinegocjimin e termave të borxhit masiv për daljen nga kriza, kundrejt liderve ndërkombëtar. 8 parti dhe 4 koalicione kërkojnë votat e 9.808.760 votuesve që do japin vendimin e tyre për të ardhmen e vendit duke votuar gjatë ditës së sotme.

Partia e majtë Syriza, e cila ka kryesuar sondazhet e hershme, kërkon që të mos paguhet një pjesë e madhe e borxhit dhe të anullohet masat shtrënguese.

Këto deklarata të liderit të partisë Alexis Tsipras kanë krijuar panik në tregjet monetare dhe kanë rritur frikën e një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona.

Beteja në këto zgjedhje është midis partisë radikale Syriza dhe partisë Demokracia e Re e drejtuar nga kryeministri aktual Antonis Samaras. Partia në pushtet Demokracia e Re pretendon se ekonomia ka nisur rimëkëmbjen.
 
Qendrat e votimit në Greqi u hapën në orën 07:00 me orën lokale dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes, që shënon orën 18:00 me orën në Shqipëri.

Exit Poll-et e para pritet të dalin menjëherë pas mbylljes së votimeve. Sondazhet e realizuara më herët nxjerrin si kryesuese të zgjedhjeve partinë Syriza, të drejtuar nga Alexis Tsipras dhe me një diferencë të vogël pason Demokracia e Re e drejtuar nga kryeministri Antonis Samaras.

Greqia ka kaluar në shkurtime drastike buxhetore për të përmbushur detyrimet në kthimin e borxhit masiv për daljen nga kriza, të rinegociuar me liderët e të asht-quajturës TROIKA – Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europiane.

Ekonomia është tkurrur në mënyrë drastike që pas krizës financiare globale të 2008-ës, duke rritur papunësinë, çka e zhyti Greqinë në varfëri. Papunësia në shtetin Helen arrin deri në 25%. Janë përafërsisht rreth 10 milion votues të mundshëm, ata që do të zgjedhin 300 postet Parlamentare të vendit.


Në Greqi rreth mesditës është shënuar edhe incidenti i parë në zgjedhjet parlamentare . Skai TV ka raportuar se një përfaqësues i Agimit të Artë, është sulmuar në një qendër votimi në Kallipoli. 

Ora 12:20 Kandidatja shqiptare e PASOK, Panajoti: 20% e votuesve përcaktojnë fituesin
Kandidatja shqiptare në listën e PASOK për zgjedhjet parlamentare, Ina Panajoti, deklaroi se pavarësisht se SYRIZA është pretendente për fitimin e zgjedhjeve, është pjesa e lëkundur e votuesve, rreth 20 % e tyre, të cilët do të bëjnë diferencën.

“Pjesa më e madhe e votave do shkojë në partinë radikale të majtë, njerëzit nuk zgjedhin program, por votojnë si një reagim i këtyre viteve të fundit, të cilat kanë qenë të vështira.”- tha Panajoti.

Më tej Panajoti theksoi se në zonën e saj, në periferi të Athinës, janë rreth 6000 shqiptarë të cilët janë me të drejtë vote.

“Shqiptarët kanë shkuar të mbështesin të gjithë kandidatë shqiptarë që janë edhe në partitë e tjerë. Ka rreth 6.000 shqiptarë me te drejtë vote në zonën time elektorale, në periferi të Athinës.”-tha Ina Panajoti.

Gjithashtu ajo theksoi se PASOK është e vetmja parti që ka mbështetur shqiptarë në Greqi

“Jam krenare dhe shumë e lumtur që mu dha mundësia të marrë në këtë proces, më kanë mbështetur shumë prej njerëzve. Ka edhe nga ata shqiptarë, që kanë reaguar keq ndaj kandidaturës sime. PASOK është e vetmja parti që ka qenë krah të shqiptarëve. PASOK u dha të drejtën për nënshtetësi. Unë iu premtoi se së bashku do bëjmë çdo gjë të mundur për t’iu ardhur në ndihmë. Një nga problemet janë edhe fëmijët që kanë lindur këtu, por që duhet të largohen pas përfundimit të studimeve”
Më tej, ajo foli për synimet e partisë së saj, i cili është dalja si fuqi e tretë nga këto zgjedhje, por gjithsesi sipas saj ekziston frika se si forcë e tretë të dalë Agimi i Artë.
 
“PASOK po bën një luftë të madhe që të jetë partia e tretë, ka një frikë se do jetë Agimi i Artë, po bëjmë çmos që ta arrijmë këtë qëllim.”- tha Panajoti duke shtuar se PASOK do dalë më e fortë nga ky proces.


Ora 11:30 Presidenti Papoulias: Janë zgjedhje kritike, besoj te populli grek
Karolos Papoulias, votoi në Janinë, për herë të fundit në rolin e Presidentit të Republikës. Në fjalën e tij ai tha: “Këto janë zgjedhje kritike. Besoj se populli Grek, bazuar në eksperiencën e gjatë dhe me zgjuarësinë e tyre, do të dinë të zgjedhin më të mirët për t’i dërguar në parlament. Parashikoj se vitet e ardhshme do të kenë probleme të vazhdueshme, ndaj duhet një zgjidhje unanime dhe një tentativë për të zgjidhur çfarëdo situate.”


Ora 11:04 Dervishi: Rreth 100.000 shqiptarë me të drejtën për të votuar
Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi gjatë një lidhjeje telefonike për A1 Report deklaroi se në Greqi janë rreth 100.000 shqiptarë me të drejtë vote, përfshirë këtu edhe minoritarët. Një nga faktorët që do i shtyjë shqiptarët drejt kutive të votimit në Greqi është edhe fakti se mes kandidaturave ka edhe disa shqiptarë.

“Rreth 100.000 shqiptarë kanë të drejtën për të votuar, përfshirë edhe minoritarët. Në Athinë ndodhen rreth 20.000 shqiptarë. Në Greqi ka edhe disa kandidatë shqiptarë për deputetë”- tha Dashnor Dervishi.

Më tej Dervishi ndërsa shtoi se parashikimet nxjerrin fitues SYRIZA-n, theksoi se gjasat janë që në qeveria e ardhshme do të jetë në formën e koalicionit dhe kjo parti  do të ketë një tërheqje nga deklaratat fillestare.
 
Gjithashtu Dervishi vlerësoi se Faktori ndërkombëtar nuk ndërhyn në zgjedhje. “Shprehin opinionin e tyre, por pa ndërhyrë në njërin apo në tjetrin drejtim.”- tha Dashnor Dervishi duke iu referuar faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet në Greqi.

Ora 10:41 Ish–kryeministri, Jorgos Papandreu: Greqia ndodhet në një udhëkryq kritik
Edhe Ish kreu i PASOK, tashmë nën drejtimin e një partie të re në Greqi, Jorgos Papandreu votoi në shkollën New Eritrea i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Në një prononcim të shkurtër ai tha se: “Greqia ndodhet në një udhëkryq kritik për të ndryshuar ‘status quo-në’. Në do të jemi të gatshëm për mirëkuptim dhe bashkëpunim për të ndryshuar dhe për të ndërtuar Greqinë. Mjafton të negociojmë për zhvlerësimin e borxhit dhe të planit grek për ndryshime të thella, kjo me aprovimin e popullit grek.”


Ora 10:00 Kreu i SYRIZA, Tsipras: Kjo është një ditë historike, jam si Renzi
Kjo është një ditë historike, deklaroi sot lideri i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras për gazetarët pasi votoi në lagjen e Athinës Kipseli, ku ai edhe banon.
 
“Sot grekët duhet të vendosin nëse nesër trojka duhet të kthehet në Greqi për të vazhduar atë që ka bërë me qeverinë e Samarasit apo jo, thënë ndryshe të shkurtojë akoma pagat dhe pensionet. Populli duhet të votojë për të mbrojtur dinjitetin e tij dhe për një qeveri që do të vazhdojë tratativat e vështira me kreditorët ndërkombëtarë”, përfundoi Cipras, i cili shihet si fituesi i këtyre zgjedhjeve”- tha Tsipras.

Ora 09:30 Kreu i PASOK, Venizelos: Uroj që populli të bëjë zgjedhjen e duhur
Ndërkohë mes liderëve politikë që kanë hedhur votën e tyre ishte dhe kreu i PASOK, Evangelos Venizelos, i cili pas votimit tha: “Unë uroj që populli grek të bëjë zgjedhjen e duhur që do ta çojë vendin në diçka më të mirë dhe jo më të keqe për të ardhmen e Greqisë dhe fëmijët e saj.”


Ora 08:50 Voton ish-kryeministri Kostas Karamalis
Ndërkohë në Selanik ka votuar dhe ish-kryeministri Kostas Karamalis i cili nuk ka bërë asnjë deklaratë. Karamalis arriti në qendrën e votimit 310 në një shkollë fillore në Selanik në 08:50 dhe në hyrje u mirëprit nga Kryetari i Komitetit Drejtues të prefekturës Jugperëndimore të Selanikut, bashkë me deputetë kandidatë dhe zyrtarë të partisë.

Ora 08:20 Voton Samaras: Zgjedhjet vendimtare për të ardhmen tonë
Kryeministri Antonis Samaras, ka qenë ndër të parët nga liderët e shtetit fqinj që  hedhur votën e tij, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen sot në vendin fqinj. Edhe pse i vetëdijshëm që rivali i tij, Aleksis Tsipras, me partinë Syriza, kryesojnë bindshëm sipas sondazheve paraprake, Samaras kërkoi mbështetjen e zgjedhësve të pavendosur për të mos ndryshuar kursin që ka marrë vendi.
 
Antonis Samaras: “Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Sot ne vendosim nëse do të ecim të fortë përpara, me siguri dhe vetëbesim, apo do t’i futemi aventurave. Në këto zgjedhje një numër i paprecedent votuesish janë ende të pavendosur. Ata do ta thonë fjalën e fundit. Jam optimist sepse besoj fort që askush nuk dëshiron të rrezikojë kursin europian të vendit. Ne do të fitojmë!”, tha Samaras pasi votoi në qytetin e lindjes, Pilos, në Peloponez.
 
Greqi, sondazhet nxjerrin fituese SYRIZA-n
Në sondazhet e publikuara dy ditë para zgjedhjeve tepër të rëndësishme parlamentare në Greqi, diferenca mes partisë konservatore në pushtet “Demokracia e re” dhe partisë së majtë radikale SYRIZA është rritur në gjashtë për qind në favor të kësaj të fundit.
 
Ndërkohë, sondazhet parashikojnë edhe hyrjen në parlament të 8 partive, por asnjëra prej tyre nuk mund të drejtojë e vetme vendin.
 
Sipas sondazhit të kryer nga kompania GPO për llogari të stacionit televiziv privat “Megatv”, SYRIZA ka 32,5 për qind të preferencave dhe 26,5 i ka “Demokracia e re”.
Më pas janë “Lumi” (5,8), “Agimi i artë” (5), Partia Komuniste (5), PASOK-u (4,4), “Grekët e pavarur” (3,4), KIDISO (3).
 
Interesant është fakti që për grekët kryeministri më i mirë për momentin është ai aktual, Antonis Samaras, që kryeson me 40,1 për qind të preferencave, ndërkohë që 38,2 për qind pëlqejnë Aleksis Tsipras