Zgjedhjet e 18 Qeshorit, prova për të ardhmen evropiane

430
Lëvdata dhe inkurajime për Shqipërinë
Parlamenti Evropian në raportin e fundit vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për reforma. Por kërkohen përparime të tjera konkrete. Në qershor të vitit 2014 Shqipëria e ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por ky ishte vetëm fillimi i rrugës drejt anëtarësimit. Predispozita aktualisht është pozitive: shumica e madhe e eurodeputetëve (546 pro, 85 kundër dhe 62 abstenime) e miratuan në Strasburg raportin e eurodeputetit Knut Fleckenstein (SPD), për përparimet e bëra në Shqipëri dhe pa asnjë kufizim e kanë mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Por negociatat për anëtarësim mund të fillojnë vetëm kur të “ofrohen dëshmi konkrete për përparimet e bëra në reformën e drejtësisë, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit‟, thuhet në raport. Vlerësimi i procesit nga Parlamenti mbështetet tek raporti i Komisionit të BE-së. Në këtë kuptim, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn ka kërkuar vazhdimin e reformave. Ai ka përshëndetur fillimin e reformës në drejtësi dhe për këtë Shqipëria meriton vërtetë një vlerësim, tha Hahn në Strasburg. Por “tani është shumë me rëndësi që të fillojë i ashtuquajturi proces i verifikimit të autoriteteve të drejtësisë”. Një temë e nxehtë: autoritetet e pavarura duhet të sigurojnë një transparencë dhe ushtrimin e denjë të detyrës në gjykata dhe prokurorinë e Shqipërisë, për të cilën kanë rënë dakord partitë politike me BE-në, në verën e vitit të kaluar. Gjykatësit duhet t’i nënshtrohen evoluimit në punën e tyre nga ekspertët evropianë. Nga zbatimi i shpejtë i reformës në drejtësi varet edhe funksionimi i shtetit juridik si dhe stabiliteti ekonomik dhe investimet e huaja në Shqipëri, tha Hahn. Ndërsa raportuesi Fleckenstein pohon: “Pa një verifikim serioz të anëtarëve të drejtësisë nuk mund të ketë as reformë serioze juridike”.

Zgjedhjet parlamentare si provë
Por jo vetëm agjenda e reformave në fushën e drejtësisë dhe funksionimi i shtetit juridik janë një mollë sherri mes partive më të mëdha në Shqipëri. Një problem shumë i madh janë edhe grindjet e brendshme, që kanë ndikuar në shtyrjen tri herë të fillimit të negociatave BE – Shqipëri, para vitit 2014. Shumë eurodeputetë kanë theksuar gjatë debatit në Strasburg se zgjedhjet e reja në Shqipëri, në qershor të këtij viti, do të jenë “vendimtare” për të ardhmen evropiane të këtij vendi. Ata kanë theksuar domosdoshmërinë e një vlerësimi pozitiv të zgjedhjeve nga OSBE-ja. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me ditën e zgjedhjeve, theksoi sllovenia Tanja Fajon. „Në periudhën e zgjedhjeve humbet shumë kohë, e cila mund të shfrytëzohet për reforma. Unë pres që Shqipëria t’i mbetet besnike kursit të reformave edhe në kohën e zhvillimit të procesit të zgjedhjeve‟, thotë Fajon. Veçanërisht e rëndësishme është që të gjitha partitë të njohin rezultatin e zgjedhjeve dhe që të mos përdorin lojërat e vjetra për pushtet, siç është për shembull, bojkotimi i punës së Parlamentit. Për Partitë Evropiane Popullore (EVP), të cilat prej vitit 1999 paraqesin grupin më të madh të eurodeputetëve, të udhëhequr nga Eduard Kukan, Shqipëria duhet të ofrojë dëshmi konkrete për reforma. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një test për funksionimin e demokracisë në vend. Lëvdata në drejtim të Tiranës ka edhe Kukan. “Është shumë mirë që Shqipëria po bën gjithnjë e më shumë përparime drejt integrimeve evropiane. Shpresoj që ajo do të vazhdojë këtë rrugë”, theksoi Kukan.

Trendi i fillimit të negociatave ende nuk dihet
Shqipëria është vlerësuar pozitivisht edhe për shkak të përmirësimit të raporteve me vendet fqinje. Shqipëria dhe Serbia janë të angazhuara për përmirësimin e raporteve. Por eurodeputetët kanë paralajmëruar për mospajtimet mes Shqipërisë dhe Greqisë. PE ka kërkuar nga të dy palët që të heqin dorë nga masat apo deklaratat që mund të kenë pasoja negative. Etapa tjetër në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së është caktimi i datës për fillimin e negociatave për anëtarësim. Raportuesi Fleckenstein do të donte që kjo të ndodhë sa më parë. Në konkludimin e tij thuhet se BE do të duhet të fillojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në momentin kur të nisin hapat e parë në zbatimin e reformës së drejtësisë, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sigal