“Zëri i Amerikës”: Ja plani turk për riatdhesimin e refugjatëve sirianë

390
Sigal

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan synon të kthejë dy milion refugjatë në Siri. Sipas planit të tij, refugjatët do të ktheheshin në atë që ai quan një “zonë të sigurt” të krijuar nga ushtria turke gjatë inkursionit të saj në Siri. Por, siç raporton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, shumë sirianë nuk janë të gatshëm të kthehen.

Restoranti Mandy u shërben klientëve në Stamboll prej më shumë se gjashtë vjetësh. Pronari i tij, Isam Abdi u largua nga Siria në fillimin e luftës civile. Por tani që ai zotëron dy restorante dhe fëmijët e tij janë në universitet, Abdi e sheh Turqinë si të vetmin vend që i ofron një të ardhme. “Për shkak të luftës atje nuk ka siguri. Ata thonë se në Damask ka siguri, por nuk ka energji elektrike, gaz, dhe asgjë tjetër. Është e vështirë të jetosh atje; është më lehtë të jetosh këtu. Dhe siç thashë, ne filluam një jetë të re nga zeroja këtu, dhe tani jemi mirë”, thotë Isam Abdi, pronari i restorantit.

Por Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron të kthejë deri në dy milion refugjatë në Siri. Ata do të ktheheshin në atë që Ankaraja e quan strehë të sigurt, zona e kapur nga forcat turke në fillim të tetorit gjatë një operacioni kundër milicive kurde. Por Siria mund të kundërshtojë, thotë një ekspert.

“Nuk shoh ndonjë arsye që Bashar al-Asadi të dëshirojë ndonjë nga këta refugjatë të kthehen. Ai me siguri nuk do të marrë pjesën më të madhe të tyre. Nuk mendoj se kjo do të ndodh. Jemi të bllokuar. Duhet të pranojmë se kemi problem dhe të përpiqemi ta zgjidhim nëse nuk duam thjesht t’i vendosim në kamionë dhe t’i hedhim në anën tjetër të kufirit”, thotë Soli Ozel me universitetin Kadis Has në Stamboll.

Tashmë, organizata Amnesty International e ka akuzuar Turqinë se po deporton me forcë refugjatët në Siri.

Policia e Stambollit ka filluar grumbullimin e refugjatëve që nuk kanë dokumentacion. Policia thotë se të gjithë janë të gatshëm të kthehen në Siri, por disa kundërshtojnë.

“Ju thashë se nuk e kisha me vete letërnjoftimin, e kisha harruar në shtëpi. U thashë ” nëse mund të më presni 5, 10 minuta, familja ime do të më sjellë dokumentat. Më tha në rregull, “por ai priti dy minuta, dhe pastaj më dërguan direkt në stacionin e policisë Tuzla dhe më pas në Siri. Më dërguan në Idlib, por nuk kam asnjë të afërm në Idlib dhe nuk njihja askënd. Jam nga Damasku dhe jo nga Idlibi”.

Amjadi ishte në gjendje të kthehej në Turqi pasi familja e tij provoi se ai kishte dokumenta. Megjithatë, me një ekonomi të ngadalësuar që ka shtuar pakënaqësinë në rritje të turqve ndaj refugjatëve, Erdogain po përballet me një presion në rritje për të çuar përpara planin e tij.

Nëse realizohet, sirianë si Aliu, një student në universitet, do t’u përmbyset jeta dhe planet për të ardhmen.

“Kam nevojë për të vazhduar studimet e mia në universitet dhe të diplomohem. Pas kësaj, kam nevojë të fitojë përvojë në fushën e teknologjisë ose menaxhimit të biznesit. Një e ardhme në Turqi për mua është më e mirë sesa në Siri. Kështu që duhet të qëndroj këtu për ndoshta dhjetë ose 15 vjet “.

Por, aspirata të tilla nga sirianët që jetojnë në shumicën e qyteteve anembanë Turqisë mund të mos realizohen. /Voa/